Irani ka dënuar sulmet ushtarake amerikane të së martës, duke pretenduar se ato kanë goditur zona civile dhe infrastrukturë në disa provinca të vendit, duke shkaktuar viktima dhe të plagosur.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, një sulm ndaj një ceremonie martese në Kohestak, në provincën Hormozgan, la të vrarë dhe të plagosur më shumë se 70 persona, shumica gra dhe fëmijë.
Teherani i ka cilësuar sulmet si “krime lufte” dhe ka deklaruar se forcat iraniane janë kundërpërgjigjur duke goditur baza ushtarake amerikane, në atë që e përshkroi si vetëmbrojtje.
Ministria e Jashtme iraniane i ka bërë thirrje OKB-së, Këshillit të Sigurimit dhe Sekretarit të Përgjithshëm Antonio Guterres që të reagojnë ndaj sulmeve dhe të përmbushin përgjegjësitë e tyre sipas Kartës së OKB-së.











