Nga Esmeralda Keta
Në ditën e të drejtave universale të fëmijëve më 1 qershor, Albana Meta së bashku me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj festoi me një darkë familjare në restorantin “Artigiano” në zonën e ish bllokut në Tiranë.
Një ditë më pas, djalit të saj 7-vjeçar, Abelit iu shfaqën shenjat e temperaturës së lartë rezistente dhe të vjella. Gjendja shëndetësore e tij u përkeqësua me diarre dhe paralelisht, të njëjtat simptoma iu shfaqën të motrës 12-vjeçare, Kresenës, Albanës dhe të shoqit.
“Vajzën e kam 12 vjeçe ndërsa djali është 7-vjeç, por asnjëherë gjatë këtyre viteve të rritjes së fëmijëve nuk jam gjendur përballë një situate kaq të rrezikshme për jetën,” tregon Albana. “Familjarisht u shtruam në spital, por djalit iu rrezikua vërtet jeta,” shtoi ajo, duke përshkruar kalvarin që familja e saj kishte përjetuar.
Albana është vetë pjesë e sistemit shëndetësor si punonjëse e ministrisë së Shëndetësisë, por kjo nuk e pengon të gjejë disa fajtorë për këtë situatë.
“As institucionet, por as vetë restoranti nuk e kanë bërë si duhet punën,” shprehet ajo. “Nuk darkova në lagje, por në një nga restorantet më të mira të Tiranës. Dhe unë nuk pres që në atë pjatën e bukur dhe të shërbyer me aq finesë të ketë problemin më thelbësor, që ka të bëjë me cilësinë,” shtoi Albana.
Historia e familjes Meta nuk është e vetme. Të dhënat e siguruara nga BIRN prej Institutit të Shëndetit Publik tregojnë që dhjetëra klientë të restorantit “Artigiano” janë helmuar me Salmonelë në datat 1-3 qershor 2016.
Të paktën 3 prej klientëve të infektuar, përfshirë dhe Znj. Meta, kanë depozituar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës kundër administratorëve të restorantit. BIRN kontaktoi me administratorët e restorant “Artigiano” për të marrë një reagim, por ata nuk preferuan të japin sqarime për gjithë çfarë ndodhi këtë fillim vere me klientët e tyre.
Ngjashëm me rastin e restorantit ‘Artigano’, mijëra helmime ushqimore regjistrohen çdo vit në Shqipëri, por procedimet penale të regjistruara nga Prokuroria numërohen me gishtat e dorës.
Megjithatë, ekspertët i mëshojnë faktit që Prokuroria nuk është i vetmi institucion përgjegjës, por faj mbajnë mbi supe dhe Instituti i Shëndetit Publik dhe Agjencia Kombëtare e Ushqimit, të cilat sipas tyre nuk i përmbushin siç duhet funksionet.
Drejtuesit e këtyre institucioneve, edhe pse pranojnë probleme, ia hedhin fajin kompetencave të mbivendosura dhe mungesës së fondeve, burimeve njerëzore dhe infrastrukturës së dobët.
Shpërthimet epidemike
Të dhënat e administruara nga BIRN pas një kërkesë për të drejtë informimi nga Instituti i Shëndetit Publik, ISHP, tregojnë se nga janari i viti 2015 deri në gusht të vitit 2016, në Shqipëri u regjistruan më shumë se 2875 raste toksiko-infeksionesh alimentare dhe 67,744 raste të gastroenterit të paspecifikuar.
Kjo konsiderohet një situatë e zakonshme në Shqipëri, pasi në harkun e viteve 2005-2014, toksiko-infeksionet alimentare janë luhatur nga 2000 deri në 3500 raste në vit.
“Helmimet ushqimore zënë vendin e dytë, por nuk duhet harruar se shpesh diagnoza e mjekut si gastroemeterit i paspecifikuar, një numër ky që zë 60,000 – 80,000 mijë raste në vit me një rritje kohët e fundit, mund të përfshijë edhe helmime ushqimore, të cilat shpesh është tepër e vështirë të lidhen me njëra-tjetrën,” shprehet ISHP.
ISHP argumenton se nga pikëpamja e sigurisë ushqimore, është e rëndësishme të analizohet pesha e të gjithë shkaktarëve të strukturës së sëmundjeve diarreike në vend, përfshi këtu dhe rastet e veçanta me Salmonelozë apo Shigelozë.
Të dhënat e ISHP-së tregojnë se nga viti 2005 deri në vitin 2014, në Shqipëri janë regjistruar çdo vit nga 200 deri në 600 raste me Salmonelozë, dhe një numër i ngjashëm rastesh me Shigelozë.
Të dhënat e mbledhura nga ISHP për dekadën e fundit tregojnë se shkaktari kryesor për shpërthimet epidemike të natyrës ushqimore është Salmonela me 57.7 % të rasteve, e ndjekur nga Hepatiti A dhe Shigela, çfarë tregon një nivel jo të mirë higjieno-sanitar.
Në të njëjtën periudhë, rajonet e vendit që kanë regjistruar më shumë shpërthime epidemike kanë qenë Tirana, Elbasani dhe Vlora. ISHP shprehet se përqendrimi i këtyre epidemive është kryesisht në muajt e verës, sidomos për ato të shkaktuara nga Salmonela, që tregon mangësi në përpunimin apo zinxhirin e duhur të sigurisë ushqimore dhe kujdesit ndaj ushqimeve e po kështu të kushteve higjieno-sanitare.
Nga viti 2005 deri në vitin 2014, numri shpërthimeve epidemike është luhatur nga 1 deri në 6 shpërthime brenda një viti. Dy vitet e fundit, ISHP ka regjistruar tendenca në rritje-8 raste në 2015 dhe 5 raste deri në Gusht 2016.
“Vlen të përmendim se në të gjitha rastet, burimi ka qenë i lidhur me subjekte që tregtojnë produkte të përpunuara si restorante, bare, pika shitje etj. apo si pasoje e ndotjes së ujit me të cilin janë përpunuar ushqimet,” tha ISHP.
Sipas ISHP-së, në të gjithë rastet kur shkaktarët nuk janë izoluar, identifikimi i helmimeve ushqimore dhe i burimit përkatës , është kryer në bazë të analizës së thelluar epidemiologjike.
“Në Shqipëri akoma nuk kryhen analiza molekulare apo të thelluara, të cilat lidhin ushqimin apo produktin përkatës me sëmundjen tek njeriu,” tha Instituti.
Sipas ISHP, bashkëpunimi midis strukturave të ndryshme shtetërore që kanë si përgjegjësi sigurinë ushqimore gjithashtu le për të dëshiruar.
“Shpesh organet e sigurisë ushqimore nuk bashkëpunojnë gjatë hetimit epidemiologjik, i cili në rastin e helmimeve ushqimore është tejet i komplikuar dhe kërkon bashkëpunim të strukturave shëndetësore me ato veterinare,” tha Instituti.
Sfida e sigurisë ushqimore
Për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, siguria ushqimore në Shqipëri është një sfidë e madhe që kërkon më shumë mbështetje nga aktorët institucionalë. Drejtori i menaxhimit të riskut në AKU, Besnik Jaka liston një seri faktorësh që sipas tij e kanë bërë gati të pamundur punën e Autoritetit; që shkojnë nga mungesa e burimeve njerëzore dhe fondeve e deri tek mungesa e infrastrukturës bazike për laboratorët.
“Ka përpjekje nga AKU për të bërë hapa përpara në drejtim të sigurisë ushqimore, por nuk mund të themi se kemi realizuar një siguri ushqimore cilësore,” shprehet Jaka.
“Sigurisht që nga AKU ka përpjekje, por që të funksionojë mirë duhet të funksionojnë të gjitha hallkat e sistemit, që nga pushteti vendor, ministria e Shëndetësisë, ISHP, ISHSH, institucionet e tjera të ministrisë së bujqësisë, drejtoritë e bujqësisë në rajone,” shton ai.
Jaka thotë se AKU ka për detyrë të inspektojë një gamë të gjerë subjektesh që shkon nga fermeri i vogël e deri të linjat e mëdha të prodhimit, por infrastruktura e saj lë për të dëshiruar.
“Unë mund t’u them që jemi i vetmi inspektoriat që nuk kemi makina për të dërguar inspektorët në terren,” ankohet ai.
“AKU do një mbështetje shumë më të madhe politike dhe financiare, pasi ky institucion duhet të jetë në fokus të parë të qeverisë shqiptare për një mbështetje më të fuqishme. Sepse ne jemi ajo çfarë hamë,” shtoi Jaka.
Ersida Teliti, eksperte nga qendra “Konsumatori Shqiptar” shpjegon se problemet në AKU fillojnë që nga mosnjohja e ligjit e deri tek mungesat e kapaciteteve njerëzore për të garantuar ushqime të sigurta.
“Nga eksperienca që ne kemi pasur në marrëdhënie me AKU mund të themi se gjurmimi i tyre mbetet vetëm tek letrat. Ata thjesht provojnë që ky produkt, që ka ardhur nga një furnitor tek ky subjekt, është në rregull,” tha Teliti.
“Pra kontrollojnë dokumentet doganore apo kushtet higjieno-sanitare, ndërkohë që nuk ka gjurmim në terren, pasi justifikohen që nuk kanë kapacitete,” shtoi ajo.
Sipas Jakës, aktualisht AKU po mbështetet nga Komisioni Europian me një projekt ambicioz dhe tashmë është në fazën e pajisjes së 9 laboratorëve rajonalë me aparatura bashkëkohore dhe trajnimet e stafit që do punojë në to.
“Me përmirësimin e kushteve laboratorike rritet numri i analizave që bëjmë dhe cilësia e tyre. Nuk mund të flasim për siguri ushqimore pa laborator cilësor,” këmbëngul ai.
Por përkundër optimizmit të drejtorit të riskut në AKU, Kristaq Sini, pedagog në fakultetin e Bioteknologjisë pranë universitetit Bujqësor, është drastik kur bëhet fjalë për sigurinë ushqimore në vend.
Sipas tij, për shkak të kontrollit të dobët, në Shqipëri prej vitesh përfundojnë ushqime të rrezikshme për shëndetin.
“Këtu vijnë 800 mijë ton ushqime nga importi në vit dhe nuk ka asnjë kontroll dhe mburremi pse eksportojmë 120 mijë ton. Dhe e dini se çfarë janë ato që na vijnë: mbeturina të mbushura me toksina,” thotë ai.
Sini nënvizon se këto ushqime importi duhet t’i kontrollojë AKU-ja, por që sipas tij kjo e fundit nuk bën dot asnjë analizë.
“Fatkeqësisht tek ne edhe laboratorët janë si puna e atyre dollapëve, që i ke gjithë kostumet brenda por nuk i ke vesh asnjëherë dhe kur të vjen njeri i thua: ja ku i kam kostumet,” tha ai.
“Kështu ndodh me laboratorët tanë. Përdoren shumë rrallë dhe në shumicën e rasteve vetëm atëherë kur porosit dikush, pasi nuk ka fonde për blerje reagentësh,” shtoi Sini.
Ai është aq skeptik për cilësinë e ushqimeve sa i atribuon pikërisht atyre edhe rritjen e frikshme të rasteve me kancer në vendin tonë.
“Thonë që rastet e kancerit janë rritur për shkak të ndotjes së ajrit. Nuk është aspak e vërtetë,” tha Sini.
“Për mua fajtori kryesor janë ushqimet. Këta e mbjellin me kimikate, e pllenojnë me kimikate, e rrisin me kimikate, e skuqin me kimikate që të duket se është pjekur, por ajo në të vërtetë nuk ka asgjë të shëndetshme. Çdo gjë që teprohet është helm,” thotë ai.
Profesori shprehet që ky kaos në tregun ushqimor në Shqipëri mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet procesit të anëtarësimit në BE.
“Anëtarësimi në BE na shpëton nga kjo situatë kaotike, pasi të paktën produktet janë më të kontrolluara. Ne jemi një vend që prodhojmë gjithçka por eksportojmë vetëm vezët. Edhe pataten që eksportonim na e ndaloi BE, sepse janë makutër dhe duan të marrin katër prodhime në vit. Siguria ushqimore për mua është një emergjencë,” përfundon ai.
Ndryshe nga profesor Sini që është shumë i shqetësuar për cilësinë dhe sigurinë e produkteve bujqësore dhe ushqimore në Shqipëri, ministria e Bujqësisë shprehet se ato janë të sigurta dhe se ekzistojnë të gjithë instrumentet institucionalë për të dhënë garanci për konsumatorin shqiptar.
“Produktet ushqimore shqiptare tregtohen në të gjitha tregjet e botës për shkak të standardit të lartë që ato kanë,” i tha BIRN Flamur Laze, drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Bujqësor në ministrinë e Bujqësisë.
“E garantojmë konsumatorin shqiptar se produktet ushqimore që qarkullojnë në tregun shqiptar, qofshin ato të prodhuara në vend apo të importuara, plotësojnë të gjitha normat e standardeve të sigurisë dhe cilësisë së tyre,” shtoi ai.
Ngërçi ligjor
Instituti i Shëndetit Publik i tha BIRN se bashkë me katër anëtarët e familjes Meta, 84 persona u helmuan nga ushqimi, kryesisht konsumimi i sallatës Cezar në restorantin “Artigano” në datat 1-3 qershor.
Sipas ISHP-së, analiza e koprokulturës që u është bërë pacientëve përpara se të fillonin trajtimin me antibiotik, ka treguar se kemi të bëjmë me helmim ushqimor të shkaktuar nga Salmonela Enteritidis. Rezultatet e analizave kanë referuar që edhe 7 pjesëtarë të stafit të këtij restoranti ka rezultuar me salmonelë.
Pacientët janë paraqitur nga data 1 – 6 qershor 2016, pranë urgjencës së infektivit në QSUT, te Pediatria , në spitalin e Vlorës, të Fierit si dhe në dy spitale private në Tiranë.
Rreth orës 17 të mbrëmjes së 2 qershorit, e gjithë familja Meta i është drejtuar Spitalit Amerikan në Tiranë për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, pasi gjendja e Abelit ishte e rëndë dhe nuk tregonte shenja përmirësimi.
Djali i është nënshtruar terapive intravenoze në Spitalin Amerikan 2 në datën 3 qershor, ndërkohë që në 4 qershor është dërguar në urgjencën pediatrike të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, pasi gjendja e tij nuk po përmirësohej.
Në QSUT, pasi ishte transferuar në repartin e Pediatrisë Infektive dhe është zbuluar që Abeli ishte infektuar nga bakteri i salmonelës, mjekët i kanë shtuar dhe një antibiotik tjetër, të administruar në shërbim ambulator për një periudhë 10-ditore.
Besnik Jaka i AKU thotë se nga testimet që janë bërë më pas, ka rezultuar se burimi i infeksionit ka qenë vetë restoranti.
“Është bërë gjurmueshmëria nga AKU-ja dhe ka rezultuar se produktet nuk kanë qenë bartës të salmonelozës që në burim,” tha Jaku. “Na ka rezultuar se problematika ka qenë e fokusuar brenda në restorant për shkak të përpunimit të produkteve, por edhe për shkak të punonjësve, pasi një pjesë kanë rezultuar se kanë qenë bartës të salmonelës,” shtoi ai.
Në datën 3 qershor, restoranti ‘Artigiano’ është mbyllur për një periudhë provizore nga Inpektoriati Shtetëror Shëndetësor, ISHSH. Megjithatë, pasi ka përmbushur disa detyra të lëna në ngarkim, me datë 13 qershor ISHSH e ka hequr pezullimin duke lejuar rihapjen e restorantit.
“Kaq është kompetencë e jona” – i përgjigjet pyetjes së BIRN, kryeinspektori sanitar Eltar Deda. Edhe para incidentit, restoranti kishte marrë vërejtje nga AKU dhe ISHSH.
Ndonëse ligji “Për ushqimin” i miratuar në vitin 2008 i jep të drejtë AKU-së t’i heqë licencën bizneseve, në rastet kur kanë tregtuar ushqim i cili ka dëmtuar shëndetin e njeriut, Autoriteti ka dalë jashtë loje në rastin e “Artigiano’-s dhe nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje. Kjo për shkak të mbivendosjes së kompetencave që u jep ligji disa institucioneve.
Duke qenë se bëhej fjalë për shëndetin e disa personave, pasi shpërthimit epidemik QSUT ka lajmëruar Institutin e Shëndetit Publik. Ndërkohë, Inspektori Shëndetësor Shtetëror e ka marrë vesh nga mediat në mëngjesin e 3 qershorit dhe në bazë të kompetencës që i njeh ligji, ka kryer inspektimin e ambientit, e ka gjetur me shkelje të kushteve higjieno-sanitare, dhe ka marrë vendimin për mbylljen e tij.
Kur inspektorët e AKU-së kanë shkuar tek subjekti, ai ishte i bllokuar dhe nuk mund të kryente asnjë veprim, pasi tashmë subjekti ishte mbyllur dhe “provat” e AKU (që në këtë rast janë produktet ushqimore) ishin prishur nga inspektorët e ISHSH që kishin qenë para tyre dhe kanë marrë mostrat për të analizuar produktet ushqimore. Kështu që AKU nuk ka pasur mundësi të kryejë asnjë veprim.
“Unë kam rezervat e mia dhe mendoj që ushqimi, pasi është licencuar si i sigurt dhe ka dalë në treg, duhet të jetë një atribut i shëndetësisë, pra ISHP-së, ISHSH-së, DSHP-së, por në fakt këtë pjesë aktualisht e ka AKU, ndërsa ne merremi me kushtet higjieno-sanitare të subjektit,” thotë kreu i ISHSH, Eltar Deda.
“Kështu ka qenë më parë, pasi ushqimet ndikojnë direkt në shëndetin e individëve, e shëndeti është atribut i shëndetësisë dhe kështu duhet të jetë edhe tani. Për mua ky është një ngërç i madh,” shtoi ai.
Megjithë konfliktin mbi kompetencat, Jaka shprehet se në rastin “Artigano” ka mjaftueshëm faj për të gjithë.
“Në bashkëpunim me ISHP dhe ISHSH janë marrë masat administrative dhe është bërë bllokimi i aktivitetit. Pasi janë ndërmarrë masat administrative, kur kemi shkuar për verifikim kemi konstatuar se subjekti ka ndryshuar të gjithë protokollin e shërbimit, ka ndryshuar punonjësit e prekur nga salmonela. Kështu që është gjykuar e arsyeshme që të rifillojë aktivitetin,” tha ai.
“Sigurisht që edhe institucionet tona kanë një pjesë të fajit, pasi duhet të kishim bërë më mirë kontrollin e librezave shëndetësore të stafit dhe mënyrën e përpunimit të produkteve ushqimore në kuzhinë,” përfundoi Jaka.
Sfida ligjore
Në mesin e 2016, shoqata Albanian Food Industry, AFI, për efekt të një studimi i kërkoi informacion 22 prokurorive të vendit në lidhje me vendimet e mosfillimit apo pushimit të çështjeve për sigurinë ushqimore, të parashikuara nga neni 288 dhe 288/a i Kodit Penal.
AFI mori përgjigje nga 14 prokurori; 7 prej tyre nuk kishin asnjë çështje të tillë për periudhën 2013-2015, ndërsa 7 të tjera kanë raportuar në total për 25 çështje që janë pushuar ose është marrë vendim për mosfillimin e tyre, për të njëjtën periudhë.
Sipas vjetarit statistikor të ministrisë së Drejtësisë, në vitin 2015 ka pasur 9 të dënuar me gjobë për nenin 288/a2 të Kodit Penal, prodhimi dhe shitja e lëndëve të rrezikshme për shëndetin.
Ekspertja Ersida Teliti shpjegon se numri i ulët i procedimeve dhe dënimeve vjen si pasojë e mungesës së ekspertizës në fushën e drejtësisë, përsa i përket sigurisë ushqimore.
“Nga studimet tona personale ne kemi vënë re se gjykatat shqiptare nuk e njohin dhe nuk e aplikojnë fare ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve,” tha ajo.
Sipas Telitit, një mungesë njohjeje të ligjit ka edhe nga avokatët, pasi pjesa më e madhe e kësaj trupe njohin kodin civil dhe të gjitha paditë që ngrihen janë në bazë të kodit civil.
“Kemi shumë denoncime nëpër rrjetet sociale, por konsumatorët tanë nuk e çojnë çështjen më tej,” u shpreh ajo, duke shtuar që edhe vetë konsumatori është shpesh apatik për sa i përket shkeljeve në këtë fushë.
“Kuadrin ligjor e kemi thuajse perfekt, por ne kemi një konsumator të fjetur që pranon të blejë produkte: ta zëmë me ofertë, por që u ka kaluar data e kadencës,” tha Teliti
“Konsumatori duhet të bëhet mbrojtës i vetes, po nuk reagoi konsumatori, biznesi do të vazhdojë të abuzojë,” përfundoi ajo.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme çështja e regjistruar kundër restorantit “Artigiano’ në qershor është akoma nën hetim; megjithatë, Albana Meta shprehet e pakënaqur me ritmin e punës së organit të akuzës.
“Unë jam shumë e zhgënjyer nga prokuroria. Kam bërë një kallëzim penal dhe askush nuk më ka kontaktuar për të më pyetur për pretendimet që kam,” tha ajo.
Albana shpreh dyshime se dosja mund të jetë manipuluar, por megjithatë mbetet e vendosur t’i shkojë deri në fund kërkesës së saj për drejtësi, të cilës shpreson se do t’i bashkohen edhe të dëmtuar të tjerë nga helmimi.
“Do ti shkoj kësaj çështjeje deri në fund për dy arsye: e para më është cenuar shëndeti i fëmijës, pasi gjithë ai antibiotik nuk është pa pasoja tek një fëmijë në rritje. Së dyti, jam një qytetare e ndërgjegjshme dhe të gjithë duhet të mësohen se qytetarët kanë të drejta,” tha Albana.
“Do të doja që në padinë tonë të bëhemi disa persona që e kemi pësuar nga i njëjti subjekt, por edhe nëse nuk bëhen, unë do ta vazhdoj betejën time,” përfundoi ajo.
ma.me