Box-Myslimanët në Shqipëri
“Gjendja është shumë herë më keq se kaq. Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) nuk e ka në kontroll territorin (xhamitë) dhe nuk është marrë me fenomenin e terrorizmit. Arsyet fillojnë nga mungesa e profesionalizmit, vullnetit, legjitimitetit e deri tek interesat e rrymave dhe e lëvizjeve që kanë ndikim pranë tij, e të cilat sorollaten nëpër Ballkan për të ringjallur fantazmat e mesjetës. Kam frikë se këtyre rrymave u intereson prezenca e ekstremizmit fetar në Shqipëri ndryshe nuk ka si të shpjegohet mosangazhimi serioz i KMSH-së. Janë të gjitha mundësitë të zhduket kjo doktrinë por kjo kërkon një impenjim gjithëpërfshirës profesional, i cili lidërshipit të KMSH-së i mungon krejtësisht. KMSH-ja, në dijeninë time, nuk ka bërë asnjë përçapje për të marrë në administrim dy xhamitë e njohura në periferi të kryeqytetit, ndërkohë që ka ndërhyrë çuditshëm madje dhe me policinë e shtetit në raste të tjera për të larguar nga puna imamë korrekt dhe model në punë
Teologu Ermir Gjinishi: Gjendja e myslimanëve në Shqipëri jashtë kontrollit !!!
Intervistë e JAVAnews me teologun e njohur, ku i është kërkuar të shpalosë mendimin e tij në lidhje me pohimin e Komunitetit Mysliman, sipas të cilës disa xhami janë jashtë juridiksionit të saj, por edhe situatën e sotme ku Islami njëjtësohet me terrorin. Përgjigjet e tij janë një apel për të gjithë, por më së pari për njerëzit e parë të Islamit në vend
Intervistoi Ben Andoni
E veçanta e teologut të njohur Gjinishi është se gjithmonë ka qenë një zë i arsyeshëm, por njëkohësisht dhe shumë real për problematikën shqiptare, që lidhet me Islamin. Pa stërhollime, por me një logjikë të kujdesshme ai shpjegon në këtë intervistë se ISIS-i po arrin një nga qëllimet e tij kryesore, duke ndezur një debat të paqenë dhe jo real për karakterin terrorist të Islamit. Nga ana tjetër, ai vendos gishtin e fajtorit, edhe për shumë njerëz me tagër, që përmes gjykimeve sipërfaqësore bëjnë pohime të pamenduara.
Në fakt, sot, jemi të gjithë nën terror dhe në këtë ai nuk ndan dhe komunitetin mysliman në vend. Pyetjes së JAVA, në lidhje me gjendjen e Komunitetit Mysliman dhe deklaratën e një zyrtari të tyre, që disa xhami nuk i kanë nën juridiksion, ai jo vetëm nuk e mohon, por e thekson më tepër, duke na plasur një pohim të frikshëm: Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) nuk e ka në kontroll territorin (xhamitë) dhe nuk është marrë me fenomenin e terrorizmit. Arsyet fillojnë nga mungesa e profesionalizmit, vullnetit, legjitimitetit e deri tek interesat e rrymave dhe e lëvizjeve që kanë ndikim pranë tij, e të cilat sorollaten nëpër Ballkan për të ringjallur fantazmat e mesjetës. Kam frikë se këtyre rrymave u intereson prezenca e ekstremizmit fetar në Shqipëri ndryshe nuk ka si të shpjegohet mosangazhimi serioz i KMSH-së, shprehet ai. Nëse kjo është në këto përmasa, atëherë të gjithë duhet të shqetësohemi, për atë që na pret…
Dhe, në fund, por jo më e pakët nga rëndësia është fakti që ka gjurmë që harmonia ndërfetare është vetëm në sipërfaqe. Ai në këtë intervistë hedh vetëm një ide, por që të bën të mendosh thellë se gjërat po marrin precipitim jo normal…
Ka një barazim vlerash dhe opinionesh të këtyre ditëve, pas ngjarjeve të Parisit, të cilat e identifikojnë Islamin me terrorin. A ju duket normale?
“Sigurisht që nuk është aspak normale. Një barazim i tillë është i frikshëm. Ai shpreh:
a-Injorancën e të gjithë atyre të cilët janë mësuar thjesht të imitojnë apo të servilosen neveritshëm me ligësinë e tyre edhe në raste kaq dramatike. Në mungese të shfletimit të literaturës do të mjaftonte debati i gjerë publik pas 11 shtatorit për të shuar së paku kureshtjen mbi motivin e këtyre akteve kriminale. Në vend që të bashkohemi përballë kësaj të keqe të madhe do të duhet të djegim energji e t’u shpjegojnë se ç’nuk është Islami disave, të cilët realisht nuk janë aspak të interesuar të dinë se ç’është ai në të vërtetë. Thjesht u intereson përfitimi. Këta janë kanibalë që ushqehen me mishin e të vdekurve si korbat.
b– Individualizmi, mungesa e një solidariteti real dhe aparencializmi janë hipokrizia e dukshme e këtyre reagimeve. Këto akte po ndodhin midis nesh. Është një papërgjegjshmëri totale ta ndash veten prej ngjarjeve dhe ta perceptosh jetën kaq cekët, si në një ishull të vetmuar, i cili ekziston vetëm në imagjinatë. Terrorizmi po na kërcënon të gjithëve. Ai është një ideologji apo doktrinë e deformuar kriminale e cila nuk ka asnjë bazë fetare. Është një ngushëllim i gabuar t’i drejtojmë gishtin e fajtorit njëri-tjetrit.
c– Është fatale dhe e rrezikshme të barazosh ISIS-in me Islamin. Ky do të ishte aleati i shumë pritur i terrorizmit, i cili pret rritjen e Islamofobisë për të mbajtur në këmbë veten. Gjykime të tilla i shtojnë jetën vetëm ISIS-it”.
Ka qenë i frikshëm disi pohimi që bëri numri 2 i Komunitetit mysliman shqiptar, sipas të cilit, ata nuk menaxhojnë dot disa xhami në Tiranë? Mendon se është thjesht problem i brendshëm apo ka indikacion terrorizmi?
“Gjendja është shumë herë më keq se kaq. Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH) nuk e ka në kontroll territorin (xhamitë) dhe nuk është marrë me fenomenin e terrorizmit. Arsyet fillojnë nga mungesa e profesionalizmit, vullnetit, legjitimitetit e deri tek interesat e rrymave dhe e lëvizjeve që kanë ndikim pranë tij, e të cilat sorollaten nëpër Ballkan për të ringjallur fantazmat e mesjetës. Kam frikë se këtyre rrymave u intereson prezenca e ekstremizmit fetar në Shqipëri ndryshe nuk ka si të shpjegohet mosangazhimi serioz i KMSH-së. Janë të gjitha mundësitë të zhduket kjo doktrinë por kjo kërkon një impenjim gjithëpërfshirës profesional, i cili lidërshipit të KMSH-së i mungon krejtësisht. KMSH-ja, në dijeninë time, nuk ka bërë asnjë përçapje për të marrë në administrim dy xhamitë e njohura në periferi të kryeqytetit, ndërkohë që ka ndërhyrë çuditshëm madje dhe me policinë e shtetit në raste të tjera për të larguar nga puna imamë korrekt dhe model në punë. I tillë është rasti i Xhamisë së Medresesë, ku imami i pushuar nga puna (me motivacion ekstremist) fitoi gjyqin kundra akuzës së stisur të KMSH-së. Sjellje si kjo kanë dëmtuar reputacionin e KMSH-së, të cilën besimtarët nuk e kanë më në referencë. Ky është një problem i madh”.
Si e shikon mundësinë e dialogut të sotëm të Islamit me Kristianizmin në Ballkan. A ka pika nga ku mund të fillohet?
“Fillimisht në gjendjen që ndodhemi është i domosdoshëm forcimi i raporteve ndërfetare në Shqipëri sipas modelit të trashëguar. Tek ne po shfaqen dukuri, të cilat nëse vazhdojnë, do të deformojnë deri në acarim marrëdhëniet ndërfetare. Është i pajustifikueshëm fakti që në festat fetare të komuniteteve të tjera shpesh nuk marrin pjesë titullarët e parë të institucionit (KMSH), sidomos në nivel lokal. Çdo të thotë kjo? Bashkëjetesa fetare ka nevojë edhe për imazh. Kur kjo çalon ç’mund të thuash për bashkëpunimin ndërfetar? Kemi nevojë imediate të rikonfirmojmë bashkëjetesën e trashëguar si model kombëtar.
Sa i përket dialogut rajonal sigurisht që është i domosdoshëm, madje jemi të vonuar. Ka modele dhe eksperienca që mund të shfrytëzohen. Krishtërimi dhe Islami janë besime abrahamitë, monoteistë. Kjo është një platformë mbi të cilën mund të ngrihet një bashkëpunim ndërfetar rajonal. Respekti për jetën, identitetin, etninë, gjuhën… etj., të cilat sipas këndvështrimit Abrahamit janë vullnet i Zotit, përbëjnë bazën teologjike e praktike të një dialogu të mirëfilltë, i cili do të zbuste dukshëm marrëdhëniet mes popujve në Ballkanin e përgjakur, e do ti vendosë politikanët para një presioni për krijim e një klime të re bashkëpunimi fqinjësor e rajonal. Klerikët nuk duhet të sillen si politikanë. Feja nuk është politike. Ajo që e bën më imediate këtë dialog është pjesëmarrja e shqiptarëve si luftëtarë të ISIS-it dhe serbëve të rreshtuar në ushtrinë e Asadit. Ky raport diametralisht i skajshëm mund t’i shtojë konfliktualitetit prezent në Ballkan një dimension të ri të rrezikshëm. Është koha qe komunitetet fetar të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre”.