Jeta e tij i përngjan një mali që ka bazë, por dhe majë. Ai e arriti kulmin e tij, sepse Arkiva e filmit të ish-Kinostudios mban qindra regjistrime të tij, dokumentarë e kino-zhurnale, ndeshje futbolli dhe reportazhe jashtë shtetit, histori të bujshme në vitet ’50-’70.
Por preku dhe bazën, kur nga operatori i parë i udhëheqjes u dënua për agjitacion e propagandë e vuajti dënimin 6 muaj në Spaç. Ky është Dhimitër Lala, 87-vjeçari që sot rron me pension minatori e askush nuk u kujtua për t’i dhënë një pension shtetëror të posaçëm këtij njeriu, që luftoi për çlirimin e vendit që në moshën 13-vjeçare, që ka një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e kinematografisë shqiptare dhe së fundmi një njeriu që ka vuajtur në Spaç, dhunën e egër të regjimit komunist.
Në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Dhimitër Lala rrëfen historinë e jetës së tij dhe detajet shumë interesante e të pathëna më parë për takimin e Enverit me Hrushovin dhe Mehmet Shehut me Çu En Lain.
Kur keni lindur?
Kam lindur në qytetin e Pogradecit më 2 tetor 1931. Fëmijërinë e shkollimin e kam kaluar në këtë qytet të bukur buzë liqenit. Edhe më vonë, kur ika nga Pogradeci, kthehesha vazhdimisht. Lashë aty nënën, babanë, dy vëllezër e dy motra.
Pse ikët nga Pogradeci?
Në fshat erdhi brigada e IV dhe unë u bashkova me to, dola partizan. Morëm rrugën për të çliruar veriun e vendit e më pas çliruam Tiranën.
Ju ishit fare i vogël në ato kohë, ishte e vështirë për ju?
Jo përkundrazi, në atë kohë u bë si modë që djem e vajza të vegjël iu bashkuan Lëvizjes Nacional Çlirimtare. Për aftësi në luftë mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”. Pas lufte ndoqa shkollën Skënderbej e isha nga nxënësit e parë në shkollën ushtarake. Në vitin 1949 ndoqa studimet e larta për oficer dhe u diplomova. Punova pak vite në këtë zanat deri në nëntor 1953 e pastaj më kaluan te Kinostudio Shqipëria e Re.
Pse ju kaluan në Kinostudio?
Ushtria ka një gjë që po të jesh karrierist ecën, ndërsa unë kisha më shumë lidhje me artin e bëra luftë të madhe që u çmobilizova. Nuk kisha prirje për ushtarak, sepse duhej të ishe strikt për të qenë i tillë, duhej të ishe i disiplinuar.
Po çfarë detyre ju dhanë në Kinostudio?
Fillimisht më lanë përgjegjës të kinemave dhe shumë shpejt ndihmës operator. Artin e doja shumë, e ndjeja veten shumë mirë mes artistëve. Pata fat që të njihja e sigurisht të më mësonte çdo gjë rreth kamerës Hamdi Ferhatin, operatorin e parë shqiptar. Veç tij një ndihmesë të madhe më dha dhe Mandi Koçi.
Kur e përdore kamerën për herë të parë?
Nuk e harroj ende atë moment kur gjatë inaugurimit të argjinaturës së Gjadrit në vitin 1956, Hamdi Ferhati më zgjati kamerën dhe më tha: Filmo! Po fluturoja nga gëzimi. Si asistent operator punova dhe në filmin e parë artistik shqiptar, filmin e Hysen Hakanit “Fëmijët e saj”.
Kur kaluar te dokumentarët?
Në vitin 1958 kalova përfundimisht te kronika e dokumentarët.
Ju pëlqente zanati i ri?
Sigurisht shumë. I kam rënë kryq e tërthor Shqipërisë time e nuk kam lënë cep pa filmuar. Po kështu kam qenë prezent në shumë takime ndërkombëtare e kam filmuar dhjetëra personalitete të botës që vizituan Shqipërinë në vitet 50-60 nga Hrushovi te Çu En Lai si dhe shumë udhëtime jashtë shtetit për të bërë dokumentarë nga Kina në Irlandën e Veriut.
Na tregoni ndonjë detaj të udhëheqësit të asaj kohe, Enverit?
Ç’është e vërteta unë isha shumë i shpejtë në xhirim dhe nuk i lodhja udhëheqësit, jo drita, jo prisni pak, ndaj ata më kishin të preferuarin e tyre. Enver Hoxha më shihte me një sy shumë simpatik. Më kujtohet një herë kur kishim ndaluar në “Ujin e ftohtë” në Tepelenë për mëngjes. Ai ishte me Nexhmijen, bashkëshorten e tij. Unë isha duke xhiruar e ai më thirri; Dhimitër eja këtu, ulu ha me ne. Unë mbeta, e i thashë jo, faleminderit shumë, por kam ngrënë. Fati im në atë moment erdhi Shefqet Peçi ato u ngritën për ta takuar e ai u ul me ta, ndërsa unë ika. Por Enveri ishte i vëmendshëm. Ai thirri komandant Prodanin dhe i tha të merrte një letër dhe mbështolli të gjitha çfarë ishin mbi tryezë e m’i solli mua për të ngrënë.
Po me personalitetet e huaja, ndonjë detaj nga bisedat “sekrete” të tyre me Enver Hoxhën?
Kur erdhi Hrushovi unë isha i pari që pata kontakt se u ngjita deri te avioni. Kur udhëheqësi sovjetik zbriti shkallët e u takua me Enverin i tha në vesh; Sa të jem unë këtu mos e zër me gojë Titon… Ndërsa po ju tregoj dhe një moment interesant që më ka mbetur në mend. Kur isha në Kinë me Mehmet Shehun, unë si operator hyja 10 minuta para në sallën e takimit e bëja plane, kur dëgjoj Mehmetin që i thotë Çu En Lait: Neve ata që tradhtojnë marksizëm- leninizmin ia japin plumbin ballit… Ndërsa përgjigjja e udhëheqësit kinez më befasoi, ai ia ktheu; Koka nuk është lakër, e kjo nuk është mënyra e duhur. Merrini ata që janë kundra, çojini në një vilë në fshat jepini veprat e Maos dhe Enverit dhe ata të lexojnë, e ndryshojnë mendim.
Në vitin 1971 u transferuat në Televizionin Shqiptar, Pse?
Televizionin donin ta fuqizonin dhe mua, Endri Kekon e Kristaq Dhamon na kaluan për të dhënë përvojën tonë. Kristaqi me Endrin u kthyen ndërsa unë mbeta deri në vitin 1974. Do të kisha vijuar edhe më tej, sikur të mos më vinte lapsi i kuq i partisë, i cili në kuadër të arrestimeve në TVSH gjeti rastin të më shkarkojë nga puna. Në prill 1975 më hoqën dhe nga partia, ndërsa më 12 tetor 1976 më arrestuan.
Pse ju akuzuan?
Fillimisht bëra 7 muaj hetuesi dhe më dënuan 6 vjet për agjitacion e propagandë, vite, të cilat i bëra të plota.
Po burgu si ishte për ju?
Situata ishte shumë e vështirë. Spaçi ka qenë kampi më i tmerrshëm pasi të burgosurit punonin në minierë 8 orë. Unë s’kisha ndihmë nga familja pasi 6 vjet nuk më erdhi njeri për të më parë e më duhej të punoja e të merrja ndonjë lekë për të blerë ndonjë gjë në dyqan.
Keni takuar ndonjë personalitet në Spaç?
Po kam pasur Maks Velon, Spartak Ngjelën, Fatos Lubonjën… Fatosi ka qenë trim i madh. Nuk pranonte të punonte në minierë e i thoshte; Unë jam i dënuar politik, pse duhet të punoj, ndërsa ata e rrihnin e fusnin në birucë, por ai prap nuk dorëzohej.
Ju jeni shprehur se në burg nuk kishte heronj, por spiunë e provokatorë, në fakt, si ishte situata?
Kur isha në kampin ordiner në Tiranë, shihja ca fytyra të verdha të strukur, e pyeta njërin; Çfarë kanë këta që rrinë kështu? E ai më shpjegoi që ose i dalin dëshmitar në gjyq ndonjërit ose i rekrutojnë për t’i lënë në qeli me të burgosur politikë për t’i spiunuar. Dhe mua më ndodhi. Kur më çuan në Spaç më lanë në birucë me një djalë të ri e unë sa shkova e përshëndeta e po i bëja muhabet kur mu kujtua po ajo fytyrë e verdhë e i thashë vetëm: Kujdes Dhimitër. E pyeta: Për çfarë ke rënë në burg? Ai më tha se e kishin burgosur pse kishte dëgjuar Radio Londrën. Aty e kapa që po gënjente se Radio e Amerikës po që dëgjohej, por Londra jo. Kur më thirrën për të shkuar te hetuesi, unë vesha këpucët dhe pashë dhe pozicionin ku i kishte vënë ai. Kur u ktheva pashë që ato kishin lëvizur, nuk ishin më në të njëjtin vend, pra e kishin thirrur dhe atë.
Je rikthyer ndonjëherë në Spaç?
Po kam shkuar pas viteve ’90, me një fotograf për të bërë një ekspozitë.
Me kë bënit shoqëri?
Shoqëria duhej zgjedhur mirë aty, sepse 70 për qind ishin të rekrutuar nga operativët dhe spiunonin. Ne ishim nja 4 vetë nga Tirana që rrinim bashkë.
Po vitet pas burgut si ishin?
Kur u lirova nga burgu punova te uzina Dajti, punëtor ngarkim shkarkimi, 3 vjet prej aty në “Misto Mame” po punëtor ngarkim-shkarkimi deri sa në 1987 dola në pension.
I kërkuat ndihmë Enver hoxhës kur ju burgosën?
Jo, jo, jo…
Po sot si jetoni, jeni afro 87 vjeç?
Jetoj me pensionin tim. Unë marr pension minatori se punova në Spaç e më ka rënë 16 mijë lekë në muaj.
Si është një ditë e juaja?
Po rri në shtëpi me gruan shumicën e kohës. Ndonjëherë dal për kafe me ndonjë shok. Një djalë e kam në Zvicër, ndërsa tjetri më vdiq para tre vjetësh.
Kanë thënë për Dhimitër Lala
Ylli Pepo
Dhimitër Lalën e kam njohur nga afër në vitin 1971, kur së bashku me tre kolegë të shquar erdhën në TVSH, i cili sapo hidhte hapat e parë drejt profesionalizmit. Ai ishte një profesionist. Më shumë se çdo fjalë flasin filmat që ruhen në arkiva e që përbëjnë një thesar të madh për breza të tërë.
Elvira Diamanti
Falë punës e kontributit të tij të çmuar, në Arkiv kemi pamje të rralla, të cilat kanë vlera të mëdha artistike, historike e dokumentare.
Flori Slatina
Dhimitër Lala është artist që ka krijuar vlera në kinematografinë shqiptare, që ka dhënë kontribute të pamohueshme e të çmuara.
Endri Keko
Kam bashkëpunuar me të shumë herë dhe e çmoj për forcën dhe energjinë si askënd tjetër nga operatorët e kinokronikës, ndaj nuk hezitova ditët e para të shkurtit 1966 t’i propozoja të shkonim në një udhëtim të gjatë.
Dritëro Agolli
“Vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është”. Kjo thënie e lashtë, do të përshtatej edhe për kronikat e dokumentarët kinematografikë dhe televizive të operatorit të talentuar Dhimitër Lala, njërit nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.
Vladimir Marko
Dhimitër Lala është një personalitet në artin e magjishëm të kinematografisë dhe padyshim një nga pionierët e parë. Ai ka qenë mësuesi im i parë drejt fotografisë, më ka mësuar kamerën dhe lojën brilante të imazhit e të dritës.
Bujar Kapexhiu
Kronikat e filmat dokumentarë janë skeduar në Arkivin Shtetëror si dëshmitarë të një pune të madhe e të palodhur të këtij kineasti të talentuar. Ai meriton të kujtohet, të vlerësohet dhe të falënderohet për kontributin e tij të shquar në kinematografi.
Pirro Milkani
Më shumë se kushdo tjetër për Lalën, flasin ato mijëra metra filma kronikalë e dokumentarë që realizoi dora e tij.
Mevlan Shanaj
Njohja e gjatë me të më ka ngulitur në mendje se ky njeri është shembulli i pasionit për punën dhe, nëse do të doja të portretizoja një kineast punëtor, nuk do të kërkoja model tjetër.
http://www.gsh.al/2018/01/12/dhimiter-lala-porosia-e-hrushovit-per-enver-hoxhen-kineasti-cu-en-lai-befasoi-si-iu-pergjigj-mehmet-shehut/