Mbi 1 mijë ushtarakë që kanë fituar gjyqet mbi pensionet e parakohshme ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore duhet të kthejnë mbrapsht paratë që kanë marrë nga vendimet e formës së prerë. Nëpërmjet një vendimi unifikues, Gjykata e Lartë ka rrëzuar vendimet që kanë shpallur fitues të proceseve gjyqësore ushtarakët e si pasojë këta të fundit duhet të dorëzojnë 2-37 milionë lekë të vjetra.
Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, Thoma Konduri, president i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë tregon se me daljen e vendimit të Zaganjorit, të vitit 2016, ushtarakët që i kapi ky vendim janë të detyruar të kthejnë paratë. Sipas tij ISSH bën shkelje pasi nuk zbaton vendimin sipas ligjit (mbahen deri në 20% të pensionit suplementar) por i mbajnë ushtarakut në masën 100% pensionin suplementar.
Konduri thekson se ka patur raste ku ushtarakëve iu janë mbajtur para edhe nga pensioni i pleqërisë deri në 50% të tij. Më tej ai shton se rritja e pensioneve me 2.8% për ushtarakët është qesharak e kërkon që të bëhen korrigjimet pasi ka një diskriminim mes ushtarakëve që kanë dalë në pension para 31 dhjetorit të 2014-ës me ata që kanë dalë në janar në vitin 2015.
A janë të kënaqur ushtarakët nga rritja e pensionit me 2.8%?
Deri më tani nuk kemi ndonjë premtim për shtesë pensioni e këtu bëhet fjalë për mijëra ushtarakë në lirim që kanë shkëputur marrëdhëniet aktive nga ushtria. Vetëm vendimi që është marrë në korrik për indeksimin e pensioneve me 2.8% e kjo shtesë varionte sipas masës së pensionit, por një rritje e papërfillshme me 7-9 mijë lekë të vjetra. Kjo rritje na duket qesharake në krahasim me atë që ne kemi kërkuar e vazhdojmë të kërkojmë.
Cilat janë kërkesat tuaja drejtuar instancave përkatëse?
Ne kërkojmë që të bëhen korrigjimet pasi ka një diskriminim mes ushtarakëve që kanë dalë në pension para 31 dhjetorit të 2014-ës me ata që kanë dalë në janar në vitin 2015. Në të njëjtat kushte, dalja në pension me vetëm një ditë i diferencon ushtarakët me një masë pensioni prej 100 mijë lekësh të vjetra. Ne kërkojmë që të ngushtohet diferenca e pensionit që merr një i liruar para 2014-ës me ushtarakët e liruar pas 2015-ës.
Gjithashtu, kërkojmë shfuqizimin total të aktit normativ numër 5 që konsiston në uljen e vlerës së pensioneve, nga 1800 lekë në vetëm 12000 lekë të reja. Deri në dhjetor të 2014-ës ligji vendoste një tavan për pensionet, në bazë të së cilit një ushtarak i liruar nuk mund të merrte më shumë se dy pensione bazë. Një pension bazë është 12500 lekë të reja; edhe pse pensioni sipas llogaritjeve mund të shkonte më tepër, nuk kishe të drejtë të shpërbleheshe më shumë se 25000 lekë të reja. Ndërkohë, për të gjithë të liruarit pas janarit të vitit 2015-të, ky ligj nuk zbatohej më.
Si mund t’i jepet një zgjidhje situatës dhe a keni bërë ndonjë kërkesë në lidhje me këtë problematikë pranë instancave përkatëse?
Kjo mund të rregullohet vetëm nëpërmjet indeksimit të diferencuar. Bëhet fjalë për diferenca para dhe pas 2015-ës, që variojnë me 60, 70 e deri në 150 mijë lekë të vjetra, diferencë mes masave të pensionit. Duhet të indeksohet pensioni me një vlerë më të madhe për ata që kanë dalë në pension para 2014-ës me ata që kanë dalë në 2015-ën. Në këtë mënyrë do të ngushtohet “gërshëra”. Kemi bërë një kërkesë për ta zgjidhur këtë problematikë, por strukturat e qeverisë nuk e pranojnë dhe e kanë deklaruar hapur këtë gjë. Kemi biseduar edhe me përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe na kanë thënë që nuk mund të realizohet ky ngushtim diferencimi.
Sa variojnë masat e parave që duhet të rikthejnë ushtarakët dhe sa persona preken nga ky vendim?
Në bazë të vendimit të gjykatave administrative të gjithë ushtarakët që kanë pasur dosjen në Gjykatën e Lartë duhet të kthejnë paratë që kanë fituar me të drejtë. Më specifikisht bëhet fjalë për mbi 1 mijë ushtarakë që kanë fituar gjyqet lidhur me pensionet e parakohshme ndaj Institutit të Sigurimeve Shoqërore me vendime të formës së prerë e më tej ISSH ka apeluar në Gjykatën e Lartë.
Me daljen e vendimit të Zaganjorit, të vitit 2016, ushtarakët që i kapi ky vendim janë të detyruar të kthejnë paratë. ISSH bën sërish shkelje pasi nuk zbaton vendimin sipas ligjit (mbahen deri në 20% të pensionit suplementar), por i mbajnë ushtarakut në masën 100% pensionin suplementar, duke shkelur rëndë ligjin. Kemi kërkuar që të verifikohen këto shkelje të ligjit por deri më tani nuk është vënë dorë.
Procesi i kthimit të lekëve ka nisur e përveç pensionit suplementar, ka patur raste ku ushtarakëve iu janë mbajtur para edhe nga pensioni i pleqërisë deri në 50% të tij. Pra, mbi 100 mijë lekë të vjetra ushtarakëve iu mbahen nga shteti. Pra, vetë gjykatësit, kanë marrë dy vendime e kanë mbajtur dy qëndrime për të njëjtën çështje e kjo ngelet në ndërgjegjen e tyre. Vlera e parave që duhet të kthejë një person varion nga 2-37 milionë lekë të vjetra.
Sa të kënaqur janë ushtarakët në lirim apo ata që kanë dalë në pension me masën e pensionit?
Ashtu si shpjegova, vetë ligji që ka dalë pas 2015-ës, i diferencon pensionistët dhe krijon pakënaqësi. Kërkojmë indeksim të diferencuar. Kështu që instancat përgjegjëse
Sa zbatohet statusi i ushtarakut në vendin tonë?
Statusin e kemi, por nuk po gjen zbatim. Kemi vite që flasim për zbatimin e statusit të ushtarakut, por mesa duket qeveria dhe institucionet përkatëse nuk duan të zbatohet statusi e ne jemi lodhur tashmë. Statusi ka mbi 18 nene që iu japin të drejta apo detyra, ushtarakëve që kanë ndërprerë karrierën, e në këto vite nuk ka asnjë VKM apo udhëzim që të hapi rrugën e zbatimit të neneve përkatëse. Vetëm për nenin 35 janë bërë 7 ligje që kanë kundërshtuar njëri-tjetrin dhe 4 vendime të Gjykatës Kushtetuese si dhe një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë. Si mund të zbatohen kur qeveria nuk nxjerr vendim për këto nene e kur ministria nuk nxjerr udhëzime, e për këtë nuk po mban asnjë përgjegjësi as administrative, as morale, dhe as ligjore. Nuk zbatohen ligjet, sëmundje që ka filluar që në 1991-in. Qëndrimi ndaj ne që kemi dalë në pension demotivon edhe ushtarakët që janë në detyrë. Shumë nga elementët e Statusit kanë nevojë vetëm për mirënjohje të kontributit të ushtarakëve dhe respekt për ta pas ndërprerjes së karrierës.
Cilat janë kërkesat e ushtarakëve në lirim ndaj shtetit shqiptar?
Ka një sërë kërkesash ndër të cilat mund të përmendim: nxjerrja e VKM për transferimin e shërbimeve të spitalit ushtarak, për ceremonialin mortor të ushtarakëve që ndahen nga jeta; nxjerrja e urdhrit të Ministrit të Mbrojtjes për t’i dhënë të drejtë të gjithë ushtarakëve të vendit, në rezervë, në lirim a në pension që të frekuentojnë shtëpitë e pushimit të ushtarakëve, pasi në të shumtën e rasteve bllokohen nga civilë që nuk kanë kurrfarë lidhje me ushtrinë. Gjithashtu, bazuar në nenin 42, ushtaraku ka të drejtë të marrë pjesë në të gjitha ceremonitë festive apo përkujtimore, por Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm apo komandat rajonale nuk kanë protokoll për këtë.
Kërkesat
Ne kërkojmë që të bëhen korrigjimet pasi ka një diskriminim mes ushtarakëve që kanë dalë në pension para 31 dhjetorit të 2014-ës me ata që kanë dalë në janar në vitin 2015. Në të njëjtat kushte, dalja në pension me vetëm një ditë i diferencon ushtarakët me një masë pensioni prej 100 mijë lekësh të vjetra. Ne kërkojmë që të ngushtohet diferenca e pensionit që merr një i liruar para 2014-ës me ushtarakët e liruar pas 2015-ës. Gjithashtu, kërkojmë shfuqizimin total të aktit normativ numër 5 që konsiston në uljen e vlerës së pensioneve, nga 1800 lekë në vetëm 12000 lekë të reja.
Statusi i ushtarakut
Statusin e kemi, por nuk po gjen zbatim. Kemi vite që flasim për zbatimin e statusit të ushtarakut, por mesa duket qeveria dhe institucionet përkatëse nuk duan të zbatohet statusi e ne jemi lodhur tashmë. Statusi ka mbi 18 nene që iu japin të drejta apo detyra, ushtarakëve që kanë ndërprerë karrierën, e në këto vite nuk ka asnjë VKM apo udhëzim që të hapi rrugën e zbatimit të neneve përkatëse. /Gsh.al/