Në atmosferën e zgjedhjeve parlamentare, kandidati i Partisë Socialiste në listën e hapur për Tiranën, z. Fatmir Xhafaj, ndan me lexuesit e “JAVANEWS” në një intervistë ekskluzive sfidat e kësaj gare, rivalitetin brenda dhe jashtë partisë, rrugëtimin drejt integrimit europian, rëndësinë e drejtësisë së reformuar dhe pritshmëritë për një mandat të ri. Z. Xhafaj – një nga figurat kyçe të reformës në drejtësi – prezanton gjithashtu pesë angazhimet e tij kryesore për zgjedhësit në garën e 11 Majit.
- Zoti Xhafaj, pas katër vitesh ndodheni sërish në të njëjtin vend dhe duke bërë të njëjtën gjë: një fushatë në listën e hapur të Tiranës. Ku ndryshojnë sipas jush të dyja garat dhe si e konsideroni këtë sfidë, në një moment kaq delikat për qeverisjen e majtë, në pushtet prej 12 vitesh?
Ndryshe nga gara e vitit 2021, ku mjaftonte të thyeje herësin për të dalë deputet, në këto zgjedhje konkurrenca është më e madhe pasi çdo votë vlen përtej kalimit të një pragu siç ishte në zgjedhjet e kaluara. Thënë kjo, gara në këto zgjedhje është ndryshe nga çdo tjetër, jo vetëm për shkak të sistemit të listave të hapura që vërtet i jep më shumë peshë votës së qytetarit, por edhe e bën garën pak më të ashpër se e mëparshmja për efekt rezultati.
Gjithsesi, nuk është hera e parë që përballem me një sistem që kërkon legjitimitet individual — kam garuar më parë edhe në sistemin mazhoritar, ku kandidati përballet drejtpërsëdrejti me kandidatin tjetër, ndaj njoh mirë logjikën e një gare që mbështetet mbi besimin personal dhe komunikimin ballë për ballë me zgjedhësin. Sot, çdo kandidat duhet të provojë vlerën e tij personalisht, përtej logos së partisë. Për mua, është një sfidë që e mirëpres, sepse më jep mundësinë të jem më afër njerëzve, të dëgjoj më shumë dhe të ofroj zgjidhje konkrete. E thënë ndryshe jam në habitatin tim politik e elektoral në këtë lloj gare.
Sigurisht që nuk është e lehtë të rikërkosh votën pas 12 vjetësh qeverisje në një vend si Shqipëria që ka kaluar një tranzicion të gjatë e të lodhshëm, me një zhvillim ekonomik e social në rritje pozitive vit pas viti por ende të brishtë, me një klimë politike tejet konfliktuale dhe me një klasë politike që prej 30 vitesh, një pjese të së cilës i ka munguar ndjeshëm llogaridhënia e përgjegjshmëria dhe sidomos gjykimi për përgjegjësit politike e ato ligjore.
Në këto rrethana pas 12 vitesh qeverisje të majtë, përgjegjësia është edhe më e madhe: duhet të dëshmojmë se dimë të rinovohemi, të reflektojmë edhe mbi gabimet, të përmirësohemi, të çojmë betejat tona deri në fund dhe të mbajmë fjalën e dhënë për përmbushjen e një misioni historik siç është integrimi në familjen e madhe europiane.
- Si do ta përshkruanit fushatën elektorale aktuale? Në njërën anë Sali Berisha që i ka kaluar 80 vitet dhe në anën tjetër një grup partish të reja që flasin edhe ato për krijim qeverish, zgjedhje të parakohshme etj?
Sigurisht vitet e moshës kanë rëndësi, por më shumë se mosha në vetvehte përcaktuese është vjetërsia në qëllime, në qasje dhe në veprime. Berisha ka kohë që ska çfarë jep më në politikë dhe do duhej shumë kohë më parë t’i hapte rrugën të rinjve në PD, sigurisht jo atyre që i ka bërë si matrioshkat e tij politike. Kjo është arsyeja kryesore që prej kohësh, përballë kemi një opozitë të fragmentuar dhe politikisht të falimentuar në tranzicionin e saj empatik, ku bashkëjetojnë figura të konsumuara të cilat kanë provuar të kundërtën e shtetndërtimit – shkatërrimin. Për ta synimi i vetëm është mbijetesa personale në politikë, dhe jo interesi kombëtar dhe shërbimi ndaj vendit – por i vetes së tyre. Madje ata nuk kujdesen më as edhe për ndonjë makiazh të ri estetik. Jam i keqardhur kur shoh disa nga këta të “rinjtë” e PD që në diskursin publik edhe në këtë garë elektorale janë kopje e shëmtuar e politikës së vjetër të lidershipit të tyre politik. Jo vetëm nuk thonë e sjellin gjë të re, por gjithë betejën e tyre e kanë bazuar mbi shpifjen për kundërshtarin dhe se kush të bëjë më shumë pis në mjedisin elektoral. E kjo sjell që retorika e PD-së, me pak përjashtime, vazhdon të na rikthejë në të shkuarën e mbrapsht, duke risjellë kujtimet e një periudhe që shqiptarët duan ta lënë pas.
Është gjë pozitive konkurimi i partive të reja kur ato sjellin ide, debat e energji të reja në mjedisin politik e elektoral. Nga sa kam mundur të shoh në media se në terren kjo gjë duket shumë pak, fatkeqësisht edhe disa nga subjektet e “reja” janë pjesërisht reflektim i asaj kulture dhe modeli të vjetër politik, duke dështuar të sjellin një frymë të re. Rrjedhimisht këto forca të reja nuk kanë mundur të krijojnë para e gjatë kësaj fushate një identitet të qartë apo një vizion të besueshëm që i përgjigjet sfidave të kohës.
Personalisht, edhe pse e shoh me keqardhje situatën aktuale, besoj se një opozitë e fortë por konstruktive është thelbësore për një demokraci të shëndetshme.
- Në harkun e një jave në Shqipëri do të mbahen zgjedhjet dhe një Samit i rëndësishëm evropian. A mendoni se kjo është një metaforë e momentit aktual mes nesh dhe Bashkimit Evropian? Si qëndrojnë këto dy ngjarje në rrafshin e politikës tonë të brendshme dhe vetë datës 11 maj?
Nuk mendoj se duhet parë si metaforë ky përkim ngjarjesh. Samiti në Tiranë është tregues i qartë i rolit të ri të Shqipërisë dhe diplomacisë sonë në arenën ndërkombëtare, ku padyshim kjo është nga ato gjërat ku Edi Rama ka një meritë personale që i duhet njohur e vlerësuar. Nga ana tjetër zgjedhjet, standardet dhe rezultati i tyre janë mesazhe të rëndësishme për ti dhënë vlerë dhe pasur përfitim nga ky Samit.
Gjithashtu kjo përputhje nuk është rastësi, por një sinjal dhe dëshmi e qartë se rruga jonë është e lidhur ngushtë me projektin europian. Është një rrugë e ndërtuar me mund, vullnet dhe përkushtim, përgjatë tri mandateve tona qeverisëse ku sigurisht proceset reformatore, përfshirë reformën historike në drejtësi, janë një garanci për përmbushjen e këtij misioni kombëtar.
Ndaj, zgjedhjet e 11 majit dhe Samiti i Komitetit Politik Evropian që zhvillohet për herë të parë në ballkan, e jo rastësisht në Shqipëri, janë dy momente historike që reflektojnë e synojnë prag-përmbushjen e aspiratave tona për një Shqipëri më të drejtë, më të zhvilluar dhe të integruar në Bashkimin Evropian.
Për ne, integrimi nuk është thjesht një objektiv politik, por një kauz mbarë kombëtare, një proces që kërkon vazhdimësinë dhe konsolidimin e reformave të thella dhe angazhim të përditshëm në përputhje me kriteret e vendosura në rekomandimet e BE-së. Kjo javë është një provë për të gjithë: për politikën, për institucionet dhe për vet qytetarët.
- Çfarë përshtypjesh keni deri tani nga fushata? Si ka qenë raporti me kolegët e tjerë socialistë, sidomos me ata të listës së hapur? A mendoni se rivaliteti dhe gara në terren ka tejkaluar ndonjë vijë të kuqe?
Fushata ka qenë intensive dhe dinamike, me shumë energji dhe përfshirje të qytetarëve. Personalisht jam kujdesur që në veprimtarinë time me kolegët të jem sa më korrekt, duke e orientuar aktivitetin tim elektoral në një konkurim idesh, përvojash dhe angazhimesh personale në komunikimin tim me qytetarët. Ky është i vetmi fokus imi në këto momente.
Të jem i sinqertë më qëllon që të shoh e të dëgjoj për disa veprime të ndonjë kandidati ndër ne që është duke bërë të pamundurën e me çdo mjet për të bërë sa më shumë vota qoftë edhe duke shkelur disa parime etike dhe më vjen keq për ta. Thjesht kanë gjetur rrugën e gabuar për veten dhe për ekipin – sipas meje. I keqardhur të them se nuk kanë kuptuar gjë dhe as kanë nxjerrë ndonjë mësim nga çfarë ka ndodhur e është duke ndodhur në këtë vend.
Për mua, gara është një mundësi për të nxitur më shumë ide dhe për të rritur standardet e përfaqësimit. Dhe siç u shpreha dhe më lartë, besoj se kjo mënyrë e re e kandidimit na nxit dhe motivon për të qenë më të përgjegjshëm dhe më të afërt me zgjedhësit. Shpresoj shumë që kjo të shërbejë e tillë edhe nesër gjatë ushtrimit të mandatit të përfaqësimit.
- Ndërkohë që Berisha mblodhi të gjithë besnikët në lista të mbyllura, Rama bëri të kundërtën. Senatorët në fushëbetejë, të rinjtë në katet e sipërme të listave. Si ju duket kjo qasje?
Nuk mund të ishte ndryshe. Jemi dy forca krejt të ndryshme, ne qasje e filozofi dhe kryesorja luftojmë për dy objektiva të ndryshëm në këtë garë elektorale.
Qasja e Partisë Socialiste për të hapur listat dhe për të futur në garë figura me përvojë, por edhe të rinj, është një shenjë e maturimit politik. Personalisht e prisja, pasi kjo është bërë publike shumë kohë më parë, e për më tepër që personalisht këtë ushtrim e kam kryer disa here përgjatë betejave të mia zgjedhore. Kjo, mendoj se i jep mundësi çdo kandidati të provojë veten dhe të fitojë besimin e qytetarëve. Për mua, është një model që nxit konkurimin e brendshëm, legjitimon individin dhe rrit përgjegjësinë e kandidatit nesër për llogaridhënie në shërbimin e tij parlamentar. Ndryshe nga listat e mbyllura, ku gjithçka vendoset nga lart, lista e hapur është një sfidë reale për secilin prej nesh.
- Ka pasur në muajt e fundit shumë debate që kanë prekur drejtësinë e re, sidomos pas arrestimit të kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj. Megjithëse momenti është i papërshtatshëm për shkak të fushatës, si i keni përjetuar këto debate, në cilësinë e drejtuesit kryesor të reformës në drejtësi?
Edhe unë mendoj si ju në këtë gjë. Besoj se është moment i papërshtatshëm për një diskutim të tillë pasi nuk duhet ta përfshijmë debatin për çështet e drejtësisë në debatin e madh elektoral që funksionon me një logjik e qëllim krejt të ndryshëm. Gjithsesi në respekt të pyetjes tuaj më duhet t’ju them se i mbetem fort ides se çdo debat konstruktiv qoftë edhe kritik për reformën në drejtësi dhe institucionet e reja të drejtësisë është mëse i mirëpirtur dhe i dobishëm kur udhëhiqet nga arsyeja e shëndoshë dhe qëllimi pozitiv për të përmirësuar e konsoliduar atë në standardet më të mira europiane. E kundërta do të ishte me efekte negative, gjë që e kemi provuar në të shkuarën.
Është shumë e gabuar një qasje që e dëgjoj gjithnjë e më shpesh në debatin publik e reflektuar në shprehje të tilla si SPAK po godet brenda PS, pse spo godet më fort te PD, si ndjeheni ju me goditjet brenda forcës suaj politike etj të tilla. Të jemi të qartë, SPAK nuk godet brenda PS dhe as ndonjë partie tjetër. Nuk janë partitë politike dhe lufta politike subjekt dhe qëllim i misionit të tyre. Ajo është një strukturë e posaçme të cilën kushtetuta e ka ndërtuar për një funksion të posaçëm ligjor: luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta zyrtarësh, pavarësisht parkatësisë partiake, krahinës apo ngjyrës politike që përfaqësojnë. Kushtetuta e detyron atë të qëndroj jashtë subjekteve politike dhe të mos përfshihet në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye në problemet e tyre të brendshme dhe në emocionet politike e elektorale. Kjo do të ishte një gjë e gabuar dhe e ndëshkueshme.
Është fakt i pranuar tashmë se reforma në drejtësi ka sjellë një standard dhe dimension të ri përgjegjshmërie në shoqëri, por dhe në politikë nëse doni ta konsideroni kështu. Edhe debatet e fundit tregojnë se askush nuk është më mbi ligjin dhe se institucionet e reja po funksionojnë. Ndër to padyshim që SPAK është një model i mirë suksesi. Këto institucione i kanë dhënë një goditje të fortë fenomenit të pandëshkueshmërisë. Gjithashtu në vlerësimin tim ka rritur ndjeshmërinë për integritetin, transparencën dhe vetëpërmirësimin institucional. Është një sinjal që reforma në drejtësi po jep rezultat. Ne të gjithë duhet të kujdesemi që këto hapa pozitive të forcohen, që kjo qasje e shëndetshme të konsolidohet në kulturën tonë politike, institucionale e shoqërore pasi kjo do ta bëjë shtetin dhe vet shoqërinë tonë më të drejtë dhe më me integritet.
Ndërsa për sa i përket Erionit, ndjej të them që jam i keqardhur për atë që ka ndodhur, si nga pikëpamja njerëzore, po ashtu si koleg e bashkëpunëtor. Personalisht, qendrimin tim e kam dhënë për këtë çështje.
- Çfarë pamje do të kishte një mandat i katërt qeverisës për Partinë Socialiste? Cilat janë objektivat kryesorë, përtej atij të integrimit, që do të donit të shihnit të realizuara në katër vitet e ardhshme në rast fitoreje?
Do të jetë një mandat i vështirë, shumë i vështirë, por që në thelb ecuria e tij do të përcaktohet nga vetë PS dhe qeverisja e saj. Për ne ka shumë gjëra për të reflektuar e përmirësuar në këtë mandat të ri besimi.
Nga ana tjetër dhe objektivat tona krahasuar me opozitën janë krejt të ndryshme. PD e vetdijshme për humbjen e sigurtë synon thjesht të ruaj dominimin në opozitë, të ketë peshën e një pakice bllokuese ndaj qeverisjes sonë gjë që nuk mund të realizohej ndryshe veçse përmes një liste të mbyllur me dominancë fanatikësh politikë. Ky sistem ja mundëson këtë gjë.
Ndërsa ne si PS synojmë të zgjerojmë bazën elektorale për të marrë sa më shumë mandate, për të pasur një qeverisje të qëndrueshme dhe për të mundësuar e lehtësuar procesin legjislativ të nevojshëm në përmbushje të angazhimeve të marra në procesin e negocimit dhe realizimit të objektivit tonë madhor Shqipëria2030 në BE.
- Cilat janë objektivat kryesorë, përtej atij të integrimit, që do të donit të shihnit të realizuara në katër vitet e ardhshme në rast fitoreje?
Mandati i katërt do të duhet të jetë mandati i konsolidimit të reformave të nisura, veçanërisht i asaj në drejtësi, e cila përbën edhe kauzën kryesore të jetës sime politike. Drejtësia, mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit, janë disa prej shtyllave kryesore të një shteti modern dhe me standarde, të cilat gjenden në çdo grup-kapitull të negociatave, përmbushja e të cilave do t’i japi Shqipërisë dritën jeshile për integrimin e shumëpritur në Bashkimin Evropian.
Po përveç programit tonë politik, që është busulla orientuese e këtij rrugëtimi të pakthyeshëm për vendin, si në çdo proces zgjedhor, kam ndarë me zgjedhësit e mi dhe disa prioritete si kandidat që më obligojnë për një angazhim personal karshi votuesit dhe qytetarëve për një mandat të ri në shërbim të tyre. Këtë angazhim 5-pikësh e konsideroj thelbësor për të kontribuar aktivisht dhe çuar përpara disa prej sfidave më të rëndësishme të shoqërisë sonë.
Së pari, prioriteti im kryesor lidhet me domosdoshmërinë jetike për konsolidimin e Reformës në Drejtësi. Kjo është një betejë që duhet çuar deri në fund, sepse drejtësia është themeli i çdo shoqërie demokratike. Reforma kërkon vazhdimësi, vendosmëri dhe bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve të reja të drejtësisë, por dhe atyre shtetërore, duke ruajtur themelet kushtetuese të projektit të reformës në drejtësi dhe reflektuar më mirë në rekomandimet e Bashkimit Evropian për të arritur standarde europiane në drejtësi. Qëllimi është të garantojmë një sistem të pavarur, efikas dhe të besueshëm, ku integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve të jetë i padiskutueshëm dhe ku qytetarët të kenë akses të barabartë dhe të shpejtë në drejtësi.
Së dyti, është angazhimi për vazhdimësinë e projektit parlamentar për një qeverisje më të mirë përmes përpjekjeve të pandërprera për parandalimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit edhe në funksion të ambicies sonë të madhe – Shqipëria 2030 në BE! Një administratë publike e përgjegjshme dhe transparente është thelbësore për besimin e qytetarëve. Kjo nënkupton kontrolle të thelluara, monitorim të vazhdueshëm, rritje të llogaridhënies dhe masa të rrepta ndëshkuese ndaj çdo shkeljeje të ligjit. Për mua, ndjenja e përgjegjësisë dhe profesionalizmi i çdo punonjësi publik janë të panegociueshme.
Së treti, një tjetër angazhim i imi për këtë mandat është reformimi dhe mbështetja për profesionet e lira me fokus avokatin, ndërmjetësimin, noterin, përmbarimin e të tjerë, si mekanizma të rëndësishme me ndikim në cilësin e përfaqësimit dhe mbrojtjes së interesave, lirive dhe të drejtave të qytetarëve! Këto kategori kanë nevojë për një vëmëndje të shtuar, ndaj synoj të angazhohem në përmirësimin e kuadrit rregullator, të lehtësojmë procedurat dhe të konsolidojmë bazën fiskale, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e tyre profesional dhe ekonomik. Kjo do të thotë më shumë mbrojtje ligjore, më shumë mundësi dhe më shumë dinjitet për këto profesione dhe profesionistët e rinj të këtyre fushave.
Së katërti, mbështetja për të rinjtë dhe familjet e reja është një tjetër shtyllë e angazhimeve të mia publike. Besoj se e ardhmja ndërtohet mbi investimin tek brezi i ri përmes promovimit të gjeneratave të reja në politik dhe karrierën profesionale, me fokus mbështetjen ligjore dhe financiare për familjet e reja! Ndaj do të punojmë për krijimin e programeve konkrete si nisma për “Garancinë Rinore” që garantojnë punësim, arsim cilësor dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Kjo përfshin edhe mbështetje financiare për familjet e reja, përmes mbështetjes për krijimin e “Fondit Social për Familjet e Reja” që synon të ofrojë më shumë siguri dhe perspektivë në vendin e tyre.
Së pesti, kujdesi për “moshën e artë” është një angazhim që e ndjej thellësisht dhe si pjesë të detyrimit shoqëror e veçanërisht të politikës ndaj kësaj grupmoshe. Të moshuarit tanë meritojnë më shumë se premtime; ata meritojnë mbështetje të prekshme, përmes advokimit për nisma për fonde solidare dhe një kuadri ligjor të posaçëm për moshërim me dinjitet! Gjithashtu ne duhet ti ofrojmë atyre mundësi për të kontribuar aktivisht në komunitet, duke vlerësuar përvojën dhe aftësitë e tyre. Kjo është mënyra më e mirë për të treguar respekt dhe mirënjohje për sakrificat e tyre.
Për mua, angazhimi politik ka kuptim vetëm kur shoqërohet me rezultate konkrete dhe me përgjegjësi të plotë ndaj qytetarëve.