Diplomati Zef Mazi: Procesi po zvarritet qëllimisht! Korrupsioni dhe krimi, pengesat reale drejt BE-së!
INTERVISTOI: BEN ANDONI/ Me një eksperiencë të gjatë në diplomaci, negociata ndërkombëtare dhe çështje strategjike globale, Zef Mazi, ish-kryenegociator i Shqipërisë për Integrimin dhe ish-asistent i Posaçëm për Strategjinë i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore ndan analizën e tij mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, kuptimin real të procesit të negociatave, sfidat e drejtësisë, krimi dhe korrupsioni.
“E kam ndjekur debatin. Epiteti “grotesk” është karakterizim i kujdesshëm. Në marrëdhëniet me BE asgjë nuk është teknike, por vetëm politike. Edhe kur, në dukje, është teknike, nën të fshihen vetëm interesa politike dhe ekonomike të shteteve të BE. Raporti IBAR – Raporti i Vlerësimit i Kushtet/ Kërkesave të Ndërmjetme – u mbajt dy muaj në diskutim ndërmjet shteteve të BE. Disa shtete ishin dhe janë skeptike, disa më pak skeptike, një numër jo i madh ishin në favor të miratimit të raportit. Mbizotëronte arsyetimi se paraqitja e raportit ishte e parakohshme, pasi nuk ishin plotësuar kushtet e ndërmjetme. Përfundimisht, raporti u miratua pas dy muajsh, duke u ashpërsuar gjuha e krahasuar me draftin e muajit shkurt. Miratimi i raportit ka rëndësi të madhe politike. Me miratimin e tij, hapet rruga të ecet përpara me negociatat për mbylljen e një kapitulli, ose eventualisht, disa kapituj në Grup-kapitujt 1 – Themelorët.
Miratimi përbën një hap përpara, një fazë të re, ndërkohë që ka shumë punë substanciale për të bërë dhe kritere për të përmbushur në vijueshmëri deri në përmbushjen e kërkesave përmbyllëse. Formulimet e raportit e bëjnë më të lehtë për skeptikët të thonë nesër duhet edhe kjo, edhe ajo, etj.. Në 4-5 faqet e fundit shkruhet se për të arritur këtë duhen bërë 1,2,3,4,5 dhe mbyllet me, “Monitorimi i ecurisë në përqasjen dhe zbatimin e korpusit legjislativ të BE dhe standardeve përkatëse europiane do të vijojë gjatë gjithë negociatave… BE do i kushtojë vëmendje të posaçme monitorimit të gjithë çështjeve specifike të përmendura më lart për t’u siguruar që Shqipëria ka kapacitetet administrative, kapacitetet për të përmbushur përqasjen ligjore në të gjithë sektorët e këtij Grup-kapitujsh, si dhe ecurinë e mëtejshme në zbatimin dhe në veprimet konkrete për të siguruar përshtatshmërinë me ligjet, rregullat ose marrëveshjet. Duhet t’u kushtohet shqyrtim i veçantë lidhjeve midis Grupkapitullit aktual dhe Grup-kapitujve të tjerë të negociatave.
Vetëm në një stad të mëvonshëm mund të bëhet një vlerësim përfundimtar i përshtatshmërisë të legjislacionit të Shqipërisë me korpusin ligjor të BE dhe standardet përkatëse si dhe i pakaciteteve të tij zbatuese. BE fton Shqipërinë që të paraqesë rregullisht informacion të hollësishëm me shkrim tek Këshilli i Stabilizim Asocimit mbi ecurinë e zbatimit të korpusit ligjor të BE… Konferenca do duhet t’i kthehet këtij Grup-kapitujsh në një moment të përshtatshëm…”. Ecuria e procesit të integrimit me BE nuk duhet trajtuar as me eufori, me daulle dhe fjalë të mëdha, as me partizanllëk dhe as me negativitet pothuaj të plotë, ajo nuk është bardhezi. Integrimi kërkon përqasje me ekuilibrin dhe kujdesin e duhur duke vlerësuar realisht, saktë ecurinë dhe problematikat që duhen plotësuar”.
“Konfuzioni është luhatur nga njëra kohë te tjetra për arsye të ndryshme. Ai lidhet edhe me efektin e propagandës të madhe, të koordinuar, të makinerisë mediatike të kontrolluara nga shteti dhe të mungesat mjaft të ndjeshme të mediave profesionale, relativisht të pavarura dhe me integritet. Sipas raportimeve, mbështetja për këtë proces sot në Serbi ka rënë në afro 40 për qind. Mali i Zi ka ndryshim për disa arsye: angazhimi i BE për të thënë se nuk e ka harruar integrimin, ai është ende gjallë; Mali i Zi është i vogël, ka përbërje demografike delikate dhe bëhet kujdes që të shtyhet sa më shpejt drejt BE, prandaj BE miratoi edhe fillimin e procesit të përgatitjes të traktatit të hyrjes me Malin e Zi. Duhet të njihet se në vitin 2012 Mali i Zi ka hapur 33 kapituj me BE. Sot, pas 14 vitesh, ka mbyllur provizorisht vetëm 14 kapituj. Kjo e ka forcuar mjaft pozitën e tij të qartë si i pari në procesin e integrimit në BE. Maqedonia e Veriut ka problemet e veta politike, që lidhem dhe me ndryshime eventuale kushtetuese etj., dhe sikur ka mbetur në vend. Shkëputja e Shqipërisë nga Maqedonia ishte diçka e mirë dhe e merituar. Megjithatë, Shqipëria shoh se nuk arriti të sigurojë mbajtjen lidhur të saj me Malin e Zi. Ecuria drejt BE është lëvizje që duhet t’i shërbejë vetëm popullit shqiptar. Ajo është lëvizje jopartiake, gjithëpartiake, mbipartiake, e fokusuar tek shteti ligjor, siguria, të drejtat, pushteti lokal, komunitetet e forta, pavarësia ekonomike, transparenca, llogaridhënia dhe një e ardhme më e mirë për popullin dhe familjet shqiptare. Problemet me BE nuk zgjidhen nga fundi, por nga kreu, një nga një, për të arritur te fundi – hyrja në BE!”

Për Shqipërinë referohet si shqetësim i madh korrupsioni që tashmë kap nivele kritike, por edhe grupet kriminale dhe Drejtësia. Madje, kjo tashmë në kolaps të plotë, prej stokut të frikshëm të dosjeve të mbartura. Paradoksalisht jemi shumë më afër integrimit, të paktën nga narrativa qeveritare. A mund të na thoni, në dijeninë tuaj, mënyrën sesi i përcjell metodologjitë e integrimit BE-ja?
“Është e vërtetë, ngrihet në çdo raport, pasi ka shqetësim të madh, përbën pengesë të ndjeshme. Stoku i dosjeve të mbartura ka arritur në dhjetëra mijëra. Sesi do ecet është e paqartë, ndoshta e zymtë, pavarësisht narrativës. Metodologjia e Re e integrimit, që u miratua nga BE në vitin 2020, ishte krijim francez, tipik në përputhje me synimin e politikës të atij vendi ndaj zgjerimit të BE. U shkrua se ajo do forcojë drejtimin politik, do shpejtojë procesin, do ulë burokracinë. Kuptoj se ka ndodhur e kundërta: i gjithë procesi është ngadalësuar, burokracia është shtuar duke shkuar deri në udhëkryq strategjik të humbjes të plotë të kredibilitetit të BE: pyetja është – do apo nuk do BE që ky rajon të integrohet në BE. Kjo pyetje sot është krejt e justifikuar. Letra e kancelarit Merz për “integrim gradual” është fiasko e radhës. Është një ide e vjetër e hedhur nga Austria që më 2021. Nuk ka dhe nuk mund të ketë integrim gradual, sepse rrezikohet gjithçka, një nga stacionet e rrugës bëhet stacioni fundor dhe nuk hyn në BE. Traktati i BE, në Nenin 49, e përcakton qartë se cila është rruga, me çfarë kërkesash dhe kushtesh ecet në atë rrugë, duke filluar nga citimi i vlerave në Nenin 2 të Traktatit. Nuk ka rrugë tjetër: ose integrim të plotë, me të gjitha të drejtat, sipas përcaktimit të Traktatit të BE dhe Kritereve të Kopenhagenit, ose jo integrim! “Është pak shtatzënë” nuk ka, “ose është, ose nuk është shtatzënë”. Akrobaci të tilla të pahijshme synojnë, sipas meje, vetëm shtyrje të procesit deri në moshyrje në BE. Kështu e shoh letrën e Merz-it”.
Ka një zbutje të zërave për Rusinë në BE, ndërkohë që po punohet për kanale të tjera ndërmjetësimi për fundin e luftës me Ukrainën dhe të ardhmen. Deri ku mendoni se mund të arrihet në lidhje me ta?
“E shoh disi ndryshe. Për vite Rusia u mundua të evitonte që konflikti me Ukrainën të kthehet në konflikt NATO-Rusi. Ndoshta mesazhi në Kinë nuk ka qenë çfarë do të bëjë Rusia, por çfarë ka evituar të bëjë Rusia deri tani dhe që mendon ta bëjë. Në këto katër plus vite shumëçka ka ndryshuar, përfshirë krejt përqasjen në këtë “lojë” të madhe. Periudha “Rusia luan blofin” nuk është më e qëndrueshme. Realiteti flet për diçka shumë ndryshe dhe serioze. Ka përshkallëzim: për shembull, fillimisht NATO mohoi se hapësira ajrore e vendeve të saj përdorej për të sulmuar Rusinë; pastaj argumentoi se drone ukrainase nuk kishin leje të hynin dhe të jenë në hapësirën ajrore të NATO-s; më pas dronet nga ato hapësira u lëshuan; ministri i Mbrojtjes i Lituanisë të vockël flet për sulm në Kaliningrad, ndërsa kryeministri suedez thotë se NATO duhet të ndihmoje Ukrainën që t’i orientojë sulmet në “drejtimin e duhur”.
Kjo pakujdesi e skajshme, iluzore, nëse vazhdon, do ndezë luftë botërore. Kur sulmet e mbështetura nga Perëndimi shkojnë në thellësi të territorit rus, tregon se çfarë është zgjedhur të bëhet. Kjo duhet absolutisht ndalur. Është prishur kredibiliteti, kur ndodh kjo, diplomacia prishet së bashku me të. Në rast se kritikohen udhëheqësit më jopopullorë në Euvropë, etiketimi vjen fluturimthi – kukulla e Putinit. Kjo bëhet për të mbytur kritikën. Për shembull, Merz mbështeti gjenocidin në Gaza, tha se Izraeli “po bën punën e pisët” për ne me Iranin, provokon deri aty sa, bashkë me Macron dhe Starmer, po çojnë Europën në luftë me Rusinë. Njihet se sistemet e “guidimit” të raketave dhe dronëve ukrainase janë gjermane, raketat janë angleze, objektivat vijnë nga satelitët; vlerësohet gjerësisht se po deindustrializohet Gjermania, po i merret fryma lirisë të fjalës dhe demokracisë, po ndiqet penalisht opozita kryesore dhe zërat kundër në Gjermani, dhe jo vetëm, ndërkohë që Merz synon të ndërtojë ushtrinë më të madhe në Europë. Sikur ndiqet një model mbarëeuropian sjelljeje, sepse kritikat karakterizohen si “propagandë ruse që bëjnë tradhtarët”.
Fatkeqësisht, ka efekt, se popullsitë janë indoktrinuar të thonë “janë papagaj putiniste, janë zhul i Kremlinit, është propagandë ruse” dhe broçkulla të ngjashme sa herë që ndryshon narrativa e luftës. Asnjë nuk ndodh në boshllëk, thotë një shprehje latine. Duhen bërë bashkë piklat që të duket më e qartë pamja. Operacioni i ndryshimit të regjimit në Ukrainë, me synim të transformonte vendin nga partner rus në platformë e vijës të parë kundër Rusisë, ishte shkaku që nxiti luftën në vitin 2014. Aty filloi kthimi tek roli i mëparshëm i konfrontimit të Rusisë, ndërkohë që epokës të hegjemonisë gradualisht i ka ardhur fundi. Sot është e dukshme ekuilibri me ishhegjemoninë kolektive perëndimore. Faktikisht ka dalë dhe po rritet një botë multipolare, çka nxjerr në pah se po humb baza e arsyetimit të ekzistencës të asaj hegjemonie. Prandaj drejtues europianë duan të rikthejnë dhe të rivendosin objektivin e parë: të përmbahet Rusia, duke ruajtur hegjemoninë me çdo kusht. Kjo nuk ka të ardhme, se bazohet te narrativa fals se Rusia synon të rivendosë Bashkimin Sovjetik dhe jo të ekuilibrojë zgjerimin e NATO dhe ndërhyrjen ushtarake. Por, shpërndarja e forcës ka ndryshuar, qëndrimet e SHBA janë të lexueshme, SHBA nuk do të luajë lojën e narrativave false të drejtuesve europianë. Nuk mund të mbahet më gjatë dominimi strategjik hegjemonist njëkohësisht në Europë, në Lindjen e Mesme, në Euro-Azi dhe Azisë Lindore etj., praktikisht ndaj dhe kundër Kinës.
Në botë shumëpolare, SHBA nuk mund të jetë kudo e pranishme, prandaj, ajo do i kthehet Hemisferës Perëndimore dhe Azisë Lindore. Po të kishte Europa drejtues largpamës kombëtarë, ata duhet të ishin adaptuar me shpërndarjen e re të forcës duke i dhënë fund kësaj lufte, duke bërë paqe me Rusinë, duke vendosur një kuadër, një arkitekturë të përbashkët të sigurisë pan-Europiane, që shpëton edhe Ukrainën, duke e hequr atë nga linja e parë e konfrontimit në një Europe të rindare dhe duke diversifikuar lidhjet ekonomike. Por fatkeqësisht Europa nuk ka drejtues kombëtarë largpamës, të aftë të mendojnë strategjikisht, por ka që mendojnë se armët janë ato që bëjnë paqe. Kjo nuk vërtetohet as edhe një grimë nga realiteti. Klasa politike drejtuese europiane vazhdon të mbetet e ngulitur në narrativat rusofobe, sponsorisuar kryesisht nga balltikët ekstremë, dhe nga disa në Europë, në politika që intensifikojnë konfrontimin dhe zgjasin konfliktin. Thellë-thellë, kemi të bëjmë me qëndrime dhe simpati fals përballë përgjegjësisë reale. Përgjegjësia morale reale është të kontribuosh konkretisht për zgjidhje, jo të nxitësh vijimin e luftës, të ulesh të bisedosh, të kuptosh mirë problemin, mendimin, shqetësimin dhe pozicionin e tjetrit, të ulesh aq herë sa është e nevojshme për të arritur marrëveshje, jo të dëgjosh dhe flasësh broçkulla. Si është vepruar deri tani, duke anatemuar, sharë, pa u takuar, pa biseduar, duke injoruar çdo shqetësim të tjetrit, nuk është rruga përpara”.
A janë të tepërta dhe pak të ekzagjëruara apelet ose “këshillat” e qeverisë shqiptare drejtuar BE-së në disa aspekte, përfshirë edhe Rusinë? Publiku është shumë konfuz sa u përket politikave amerikane. Ndërkohë që luhatjet dhe qëndrimet e administratës “Trump” dhe vetë presidentit amerikan e bëjnë të vështirë çdo parashikim. A mendon se po ndryshon diçka në Iran apo regjimi thjesht “e bleu” me gjak e raketa mbijetesën e vet?
“Po përpiqem shkurt: nga konflikti i mbytjes të anijes “Lusitania” (false flag, me të cilin Anglia synonte të armiqësonte SHBA me Gjermaninë dhe të thithte SHBA në luftë, dhe Lufta e Parë Botërore, tek konfliktet e sotme me Iranin, Rusinë dhe Kinën, në qendër kanë pasur interesa ekonomike dhe strategji gjeopolitike. Luftërat nuk fillojnë spontanisht, ato përgatiten, përfshirë kohë më parë me propagandë. Historikisht luftërat janë ndezur mbi pretendime false, ndërkohë që motivet gjeopolitike dhe ekonomike kanë qenë të fshehura. Rol veçanërisht kyç kanë luajtur bankat qendrore, qendrat e fuqive imperiale, sistemet e kontrolluara financiare. Të besosh se lufta aktuale kundër Iranit është e lidhur me programin bërthamor të Iranit, thjesht do të thotë të biesh në grackën e propagandës. Njerëzit masivisht nuk duan luftë. Kjo është arsyeja përse bëhen fushata propagandistike, ka ngjarje shokuese, përhapen imazhe të armikut të rrezikshëm, përpunohen dhe përhapen narrativa emocionale, të gjitha për të orientuar lëvizjet e popujve dhe të politikës drejt luftës. Harrohet se përplasje të vogla, të izoluara, realisht mund të provokojnë qëllimisht konflikte globale. Format e reja që po dalin për kontroll të centralizuar mund të jenë në gjendje të përhapen dhe të zënë vend nën pretekstin e luftës. Marrëveshja e shumëfolur SHBA-Iran, me ndërmjetësinë e Pakistanit, nuk duket se do përfundohet, se paku sot për sot. Ka një periudhe 60-ditore armëpushimi, apo mossulmimi. Koha ka treguar se nuk është respektuar aspak, por është prishur që ditën e parë të nënshkrimit.
Çështja e uranit të pasuruar, apo e mospasurimit, kthimit të tij tek një vend tjetër, nuk është në rendin e ditës, sot për sot, nuk është diskutuar, pavarësisht nga narrativat rreth saj. Ngushtica e Hormuzit nuk ishte e mbyllur para se të sulmohej Irani, ajo u mbyll vetëm pas sulmit izraelito-amerikan. Sot nuk është mbyllur, një numër anijesh kalojnë pasi plotësojnë disa kërkesa dhe bëjnë tarifat përkatëse të tranzitimit dhe të sigurisë. Moskalimi i anijeve u bllokua kryesisht edhe nga Shoqëritë e mëdha të Sigurimit të Anijeve që refuzuan t’i sigurojnë ato. Ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për një paqe më të qëndrueshme, të përhershme, disa kërkesa të Iranit janë të palëvizshme, si kthimi i pasurive financiare të bllokuara, heqja e sanksioneve, mospërdorimi i Gjirit si platformë për të sulmuar Iranin asnjë herë tjetër. Në këto 80 vite e këtej, koha ka dëshmuar për mashtrime dhe shpresa boshe. Pak ditë më parë Trump deklaroi në True Social se “marrëveshja është gjerësisht negociuar. Aktualisht po negociohen aspekte përfundimtare dhe hollësi dhe do njoftohet se shpejti. Ngushtica e Hormuzit do të hapet”. Iranianët e shohin ndryshe, agjencitë e tyre raportojnë se është i pavërtetë pretendimi i Trumpit për Ngushticën e Hormuzit se ajo do kthehet në gjendjen e mëparshme. Ajo do mbetet nën kontrrolin e Iranit nëse do arrihet marrëveshje. Irani është dakord të rrisë numrin e anijeve që kalojnë në ngushticë në nivelet e paraluftës, që nuk do të thotë “kalim i lirë” si ishte para luftës.
Administrimi i ngushticës, përcaktimi i rrugëve, orët e kalimit, mënyra e kalimit si dhe lëshimi i lejeve do mbeten ekskluzivisht nën kontrollin dhe diskrecionin e Iranit. Çka dëgjohet ndryshe është larg realitetit. Arabia Saudite raportohet se ka hedhur idenë e një pakti mosagresioni me Iranin. Kjo erdhi pas thyerjes të shtresave mbrojtëse të mbrojtjes ajrore dhe detare amerikane gjatë javëve të para të luftës që filloi më 28 shkurt. Arabia Saudite, në heshtje, po shqyrton një marrëveshje rajonale sipas modelit të Kartës të Helsinkit: bashkëpunim ekonomik, garanci për sigurinë dhe stabilitet pa një shtet “perandorak” që dikton rregullat. Nëse vërtetohet, kjo do thotë se sauditët pranojnë arkitekturë të re sigurie, që njeh rolin e Iranit në rajon dhe po hedhin vështrimin në drejtim tjetër, përfshirë çka përmban për sigurinë e saj marrëveshja strategjike me Pakistanin. Çështja kyç sot është a mundet diplomacia të mbushë hapësirën e fundit bosh para se i gjithë rajoni të rrëshqasë në konfrontim shumë më të gjerë. Pakistani luan rol qendror. Marshalli pakistanez Asim Munir përfundoi para disa ditësh misionin e tij të dytë të takimeve të larta në Iran, përfshirë me persona të rrethit të brendshëm të Liderit Suprem. Ministri i Jashtëm pakistanez Mohsin Naqvi është aktivisht i përfshirë në lehtësimin e mekanizmave ditorë të komunikimeve dierkte Iran-SHBA dhe koordinimin. Pakistani duket se është i vetmi vend që mban njëkohësisht funksionet e kanaleve të besimit me Teheranin, Pekinin, Dohan, Riadin, Abu Dabin dhe me ndërmjetësit afër Uashingtonit.
Ndërkohë njihet se Pakistani koordinon veprimet me Kinën. Po aq e rëndësishme është e rritja e shpejtë e rezistencës rajonale ndaj një përshkallëzimi tjetër ushtarak nga ana e SHBA. Shtetet e Gjirit dhe Pakistani raportohet se e kanë paralajmëruar Uashingtonin direkt se janë kundër operacioneve të reja ushtarake. Kjo nuk bazohet te simpatia ideologjike ndaj Teheranit, por nga rreziku i destabilizimit të pakontrollueshëm rajonal, që do ketë impakt të madh në infrastrukturën e Gjirit, në energji, rrugët detare, uzinat e shkripërimit dhe tregjet globale të naftës. Ekonomisë botërore, nëse rifillon lufta me Iranin, do i hiqen nga tregu 25 milionë fuçi nafte në ditë. Kjo do të thotë se rezervat strategjike të shteteve do mbarojnë brenda tre muajve. Ndërkohë, ose nuk njihet, ose bëhet sikur harrohet se Irani, Persia e lashtë, nuk është as Siria, as Iraku, as Afganistani, por është një shtet komb real, me 93 milin banorë, me histori, qytetërim, kulturë 7 mijë vjeçare dhe me kontribute madhore te njerëzimi. Në të njëjtën kohë, raportohet se Irani nuk operon më nga pozita të dobësuara që ishte në fillimet e luftës, se infrastruktura e raketave është rivendosur gjerësisht, kapacitetet detare janë rishpërndarë dhe forcuar, strukturat komanduese janë stabilizuar. Vlerësimet aktuale sugjerojnë se Irani posedon 70 për qind të kapaciteteve të raketave dhe ka rivendosur funksionalitetin operativ të rreth 30 nga 33 pika raketash strategjike që ka në afërsi të Ngushticës të Hormuzit. Kina dhe Rusia, në heshtje, e kanë fuqizuar qëndrueshmërinë e Iranit pa ndërhyrë hapur në konflikt. Mbështetja kineze përfshin teknologji dypërdorimëshe, mbështetje satelitore, komponentë dronësh dhe raketash, integrim me BeiDou dhe ndihmë indirekte përmes kanaleve të mbyllura. Rusia duket se i jep informacion zbulimi dhe e përditëson strategjikisht”.
Putini vizitoi Kinën. Momenti është mjaft domethënës. Keni koment çfarë mund të ketë dalë nga ai takim dyditor? Kina është faktor tejet i madh në gjeopolitikën ndërkombëtare. Po Shqipëria ku shkon me qëndrimet e saj, si i sheh, edhe simbolikisht?
“Kjo pyetje kërkon përgjigje të gjatë. Aq sa lejohet në një intervistë, përmbledhur, si e shikoj unë: partneriteti Kinë-Rusi drejton integrimin Euro-Aziatik, drejton struktura të rëndësishme, si BRICS (që nuk është në gjendje të mirë për shkak të sabotimit nga brenda të Indisë dhe Emirateve) dhe Organizata e Bashkëpunimit e Shangait. Xi dhe Putin miratuan zyrtarisht dhe po shtyjnë ecjen përpara drejt multipolaritetit dhe një sistemi të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kjo u përcaktua në një Deklarate të firmosur, vulosur dhe shpallur publikisht gjatë vizitës së Putinit në Pekin. Ka rëndësi shumë të madhe kur dy drejtues të fuqive globale vendosin ravijëzimin e së ardhmes gjeopolitike për shumicën e njerëzimit. Kujtoj se, kur Xi përcillej nga Putini në fund të vizitës të tij në Moske në 2023, Xi i tha Putinit: “Tani po ndodhin ndryshime që nuk janë parë në 100 vjet”. Ata ranë dakord se së bashku po i shtyjnë përpara këto ndryshime. Disa nga pikat thelbësore që duhen shënuar: Policentrizmi: kanë dështuar përpjekjet e një numri shtetesh për të menaxhuar vetëm çështjet globale, për t’i imponuar interesat e tyre gjithë botës dhe kufizuar zhvillimin sovran të vendeve të tjera në frymën e epokës koloniale.
Ligji i Xhunglës: normat bazë të njohura universalisht të së drejtës ndërkombëtare shkelen rregullisht (…), ekziston rreziku i fragmentizimit brenda komunitetit ndërkombëtar dhe kthim te ligji i xhunglës.
Arkitekturë e Re e Sigurisë: Është e domosdoshme t’u kushtohet vëmendja e duhur shqetësimeve të gjitha vendeve në fushën e sigurisë, të fokusohesh te bashkëpunimi për çështjet e sigurisë, të hedhësh poshtë konfrontimin dhe strategjitë e “vetëm unë të fitoj, t’i të humbasësh”, të kundërshtohet ekspansioni i aleancave ushtarake, luftërave hibride dhe atyre përmes të tretëve, dhe të promovohet krijimi i arkitekturës të përditësuar, të balancuar, efektive dhe të qëndrueshme e sigurisë globale dhe rajonale (…) është e papranueshme që t’u imponohesh shteteve sovrane që të abandonojnë neutralitetin e tyre. (Kjo e fundit është çfarë Moska i propozoi Uashingtonit dhe NATO më 17 dhjetor 2021. Mospërgjigjja, injorimi, precipitoi në luftën në Ukrainë pas dy muajsh kur u mësua edhe se planifikohej një “blitzkrieg” në Donbas.
Hegjemonia: Hegjemonia nuk është e papranueshme dhe duhet të ndalohet/të mos lejohet. Asnjë shtet apo grup shtetesh nuk duhet të kontrollojnë çështjet ndërkombëtare, fatin e vendeve të tjera, ose të monopolizojnë mundësitë për zhvillim.
Kombet e Bashkuara: Është e domosdoshme të forcohet roli i multilateralizmit si mjeti parësor për të trajtuar sfidat e shumëfishta dhe komplekse globale dhe të ndalet dobësimi i Kombeve të Bashkuara. Kjo duhet të çojë në “reformimin e Kombeve të Bashkuara”.
Pika 4 e Deklaratës: Diversiteti global i qytetërimeve dhe vlerave është thelbi i çështjes. Ajo thotë: “Sistemi shpirtëror dhe moral i çdo qytetërimi nuk mund të konsiderohet eksepsional ose superior ndaj të tjerëve. Të gjitha vendet duhet t’i përmbahen mendimit të qytetërimeve të bazuar në barazi, shkëmbim reciprok të përvojave dhe dialogut dhe, së bashku duhet të forcojnë respektin e ndërsjellë, mirëkuptimin, besimin dhe shkëmbimet midis kombësive dhe qytetërimeve të ndryshme, të promovojnë mirëkuptimin e ndërsjellë dhe miqësinë ndërmjet popujve të gjithë vendeve dhe të mbrojnë diversitetin e kulturave dhe qytetërimeve”. Thellësia, gjerësia dhe objekti i kësaj deklarate të përbashkët del mbi gjithçka tjetër në atë vizitë. Ndërkohë, nuk ka pasur rrjedhje për çka u bisedua për dy orë në grup informal fare të ngushtë, 3+3, midis Xi dhe Putinit. Menu-ia mendohet se ka pasur luftën për të tretë në Ukrainë, që në fakt është luftë RusiNATO dhe përdoret Ukraina, luftën në Iran dhe vlerësimi e përkrahjes të tyre për Iranin, Rruga Veriore Detare/Rruga e Mëndafshtë e Arktikut, Iniciativa Rripi dhe Rruga (Lindje-Perëndim), dedollarizimi i ekonomisë globale, vlerësimin i bilancit tregtar Rusi-Kinë që tani operon me juan dhe rubla, BRICS, e ardhmja e Forcës të Gazsjellësit Siberia 2, Ngushtica e Hormuzit, aspekte të Ngushticës të Malakës dhe idesë të vjetër për bllokimin e saj për të përmbajtur Kinën etj.. Në këtë gamë të gjerë çështjesh të mëdha mjaft delikate gjeostrategjike të ravijëzimeve të reja ndërkombëtare, Shqipëria e vogël, modeste, pa peshë dhe forcë, është e udhës të tregohet shumë e matur në deklarata dhe qëndrime publike, si dhe në ato jopublike. Kjo nuk do të thotë aspak të rishikohen pozicionet e saj strategjike që janë përcaktuar dhe vendosur prej dekadash. Kujdesi i nevojshëm, i balancuar, i mirëmenduar, me dinjitet dhe integritet, edhe pse me dimension të vogël, të bën të respektuar, të vlerësuar dhe është vetëm në të mirë të vendit dhe kombit tonë”./Gazeta Panorama












