“Mjekja që u bë politikane”, deputetja e PS në një rrëfim për politikën, mjekësinë dhe të ardhmen e Shqipërisë
Nga Fernada Cenko
Deputetja socialiste Edlira Bode, ka analizuar situatën e tensionuar politike në vend ku ka treguar optikën e saj mbi zhvillimet kryesore.
Ligjvënsia e majtë, shprehet se kjo gjendje është krijuar artificialisht si “raport justifikues” para rezultatit të zgjedhjeve vendore.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën “TemA”, ajo nuk e fsheh shqetësimin për protestuesit, ku thotë se pavarësisht bindjeve politike apo rrugën që kanë zgjedhur, ata janë shqiptarë.
E pyetur lidhur me gjendjen e shëndetësisë në vend, mjekja që u zgjodh deputete në zonën e Devollit, thotë se procesi për modernizimin e saj vazhdon duke renditur disa nga arritjet dhe sfidat në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë.
Znj. Bode, gjendemi në prag të zgjedhjeve vendore dhe situata politike në vend vijon të jetë e tensionuar. Ju si e shihni zgjidhjen për të dalë nga kjo gjendje?
Të jem e sinqertë me ju, ndjej shqetësim kur ma adresojnë këtë pyetje. Edhe pse është një situatë e tensionuar artificialisht, jo veç që ka terrorizuar shqiptarët, por po minon edhe ëndrrën tonë për ta ngritur flamurin kuq e zi në oborrin e Bashkimit Evropian. Me aq sa e kam ndjekur politikën, nuk di ndonjë rast tjetër në botë ku opozita proteston apo ka protestuar për të mos u zhvilluar zgjedhjet.
Gjykoj, se pseudo-kauza e liderit të opozitës jashtë parlamentit po pompohet pasi ai nuk ka më çfarë justifikimi të japë për humbjen e radhës e cila sinjalizohet nga çdo sondazh. Por ky është problemi i tyre dhe jo i yni. Shqetësimi im janë protestuesit që ndjekin urdhrat qorre të liderëve të opozitës, pasi edhe ata që i janë bashkuar aksionit guerrilas janë shqiptarë dhe natyrisht nuk mund të ndjehemi mirë kur i shohim të përleshen rrugëve të kryeqytetit.
–Po zgjidhja?
Nuk ka asnjë dyshim që zgjedhje do të ketë dhe ato do të mbahen në datën 30 Qershor. Jo sepse kështu do Partia Socialiste, por sepse kështu thotë Kushtetuta e vendit dhe minimumi kemi detyrim për ta respektuar. Përvoja tregon, që sa herë është eksperimentuar me shkeljen e saj, ka pasur kosto të madhe për shëndetin e demokracisë së vendit. Çdo parti është e lirë të zgjedhë nëse do të marrë ose jo pjesë në zgjedhje, por askush, individ apo parti qoftë, nuk ka të drejtën të pengojë zhvillimin e tyre.
Kërcënimet e aktorëve kryesorë të opozitës për ta penguar garën elektorale me metoda luftarake, duken të pakuptimta në sipërfaqe, por në thelb shërbejnë si mburoja për t’i shpëtuar drejtësisë së re. Kodi Zgjedhor, për të cilin edhe vetë PD është investuar për ta hartuar e miratuar, parashikon si vepër penale pengimin e zhvillimit të zgjedhjeve. Ata i dinë, nëse do jetë nevoja për t’i rikujtuar, data më e afërt do të jetë 30 Qershori ku institucionet do të bëjnë detyrën.
-Zonja Bode, natyrisht që secila palë ka pretendimet e saj, por pyetja ime është se si dilet nga kjo gjendje?
Në mjekësi, çdo lloj kure e vendosur nga mjeku për të sëmurin, nuk funksionon nëse edhe vetë pacienti nuk ka vullnetin për t’u shëruar. Ai zgjidhjen e sheh veç te karrigia e kryeministrit? Është e vërtetuar shkencërisht që një person nuk mund të shohë kurrë ëndrrën që sheh një tjetër. Dua të them me këtë, që për ëndrra jemi duke folur, ndaj dikush mbase duhet ta zgjojë Z. Basha.
– Partia Socialiste ka prezantuar kandidatët e saj. Nën optikën tuaj, a kanë qenë këta kandidatët e duhur apo PS duhet të kishte kryer disa gara të brendshme për të dalë në konkluzione?
Ne në Devoll jemi një skuadër që natyrisht, mes tetë propozimeve nga strukturat e Partisë Socialiste, zgjodhëm lojtarin më të mirë për zgjedhjet e 30 Qershorit. Një pjesë e kandidatëve të PS janë kryebashkiakë që e kanë provuar suksesin e tyre në drejtimin e bashkive.
Pjesa tjetër janë përzgjedhur përmes propozimeve nga strukturat e PS, konsultimeve me grupime të ndryshme profesionistësh e grupe interesi dhe testimeve në lidhje me mbështetjen që ata gëzojnë në komunitetet. Personalisht nuk kam marrë përsipër kurrë t’i bëj vettingun askujt, por i besoj anëtarësisë së Partisë Socialiste e cila ka zgjedhur përfaqësuesit e saj më të denjë për garën elektorale.
– Ju përfaqësoni zonën e Devollit në parlament, zonë kjo e cila padyshim nuk i ka shpëtuar problemeve të realitetit shqiptar. Cilat do të ishin sugjerimet tuaja për qeverinë “Rama” për t’i pasur më shumë në fokus?
Në Devoll gjenden zona që janë perla të natyrës, trashëgimi e pasur arkeologjike, historike dhe kulturore, produkte bujqësore e blegtorale dhe gatime tradicionale të mrekullueshme, si dhe padyshim njerëz punëtore e shumë mikpritës. Të gjitha këto e bëjnë një krahinë me potencial fantastik për turizëm e agro-turizëm. Disa investime konkrete natyrisht që janë bërë, por padyshim dëshirat e mia në raport me mundësitë janë më të mëdha.
-Si e shihni prespektivën, pasi shohim që qyteti në raport me fshatin ka një diferencë të madhe?
Edhe pse në aktivitetin tim jam përpjekur t’i shmangem “ping-pongut” politik, mund të them se nga pushteti vendor ka pasur mungesë të bashkëpunimit që fatkeqësisht është reflektuar negativisht te qytetarët. Përmes strukturave, kam kërkuar investime në infrastrukturë dhe mirëmenaxhim, por drejtuesit vendorë kanë qenë totalisht të “shurdhët”.
Rikostruktimi i një çerdheje apo kopshti, rigjenerimi i një fasade, pastrimi i një kanali, sistemimi i rrugëve të parcelave, vendosja e koshave të mbeturinave, rikonstruktimi i ambulancave, janë disa nga përtacëritë që të bien në sy dhe natyrisht qytetarët kanë të drejtë të revoltohen. Gjithsesi, unë nuk do tërhiqem për të thënë fjalën time pasi kjo është pika kryesore e kontratës që Partia Socialiste ka bërë me qytetarët.
-Ju jeni mjeke me profesion, sa e ka ndihmuar profesioni juaj punën si ligjvënëse?
E kam nisur rrugëtimin politik jo pa mëdyshje e jo pa dhimbje, sepse nënkuptonte lënien mënjanë të angazhimit profesional në mjekësi. Unë kam studiuar në Fakultetin e Mjekësië në Tiranë dhe më pas kam kryer specializimin në Itali. Kam shërbyer si Mjeke Familjeje në zonën time të Devollit, por edhe si Mjeke Specialiste në Spitalin Rajonal të Korҫës. E përbashkëta e dy profesioneve, në gjykimin tim, është pikërisht të qenit në shërbim të njerëzve.
Gjatë këtyre dy viteve, si deputete anëtare e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, kam qenë pjesë e hartimit, diskutimit dhe më pas miratimit në seanca plenare të marrëveshjeve dhe ligjeve që shërojnë plagë sociale.
-Përmendët komisionin e çështjeve sociale dhe shëndetësisë, mund të dimë se cila ka qenë puna juaj?
Janë shumë fitoret për të cilat ndjehem krenare për këto 2 vjet, por si më kryesoret mund t’ju përmend: Marrëveshjen për njohjen e pensioneve të emigrantëve, atë për ngritjen e një Task-force Mjekësore Rajonale, ligjin për luftën kundër dhunës në marrëdhëniet familjare, ligjin për ndalimin e përdorimit të alkoolit dhe pijeve energjike nga të miturit, ligjin për strehimin social, atë për nxitjen e punësimit, apo së fundmi ndryshimet në ligjin për kujdesin shëndetësor në Shqipëri.
Nga njëra anë, të qenit mjeke me profesion, me përvojë studimi e pune në një vend të Bashkimit Evropian, më ka ndihmuar qoftë për të kuptuar siç duhet, qoftë për të bërë ndërhyrje që shpresoj dhe besoj se kanë qenë të drejta ose në
drejtimin e duhur. Nga ana tjetër, pikërisht ky kontribut, më ka hequr çdo mëdyshje të fillimit dhe i ka dhënë kuptim angazhimit tim politik.
-Si mjeke, çfarë komenti keni për gjendjen e shëndetësisë në vend? Çfarë ju thonë pacientët kur i takoni?
Preferoj që në këtë sektor të flas si mjeke dhe jo si politikane. Kur u ktheva nga studimet, mund t’ju them se shërbimi shëndetësor në qarkun e Korçës dukej si të ishim në kohë lufte. Mjafton t’ju them se elementarisht mungonte shiringa dhe alkoli, pastaj mungesat e tjera mund t’i merrni me mend. Që nga ajo kohë, gjërat kanë ndryshuar edhe pse unë mendoj se puna për një shëndetësi bashkëkohore nuk do të përfundojë kurrë.
Ky proces vazhdon dhe sot janë kryer investime të shkëlqyera në infrastrukturë në të gjitha nivelet: qendra shëndetësore, spitale bashkiake, spitale rajonale apo spitale terciare. Janë ngritur dhe po zbatohen programe që lidhen me shëndetin publik dhe parandalimin e sëmundjeve. Është përmirësuar furnizimi me medikamente dhe materiale mjekësore, me vëmendje më të madhe tek patologjitë kronike apo të rënda si ato tumorale. Është investuar në mënyrë të veçantë për shëndetin e gruas dhe atë riprodhues. Një ndërhyrje, spektakolare në gjykimin tim, me efekt shëndetësor e social ka qenë bonusi i bebes.
-Por ama sërish ka mjaft ankesa…
Natyrisht, por siç ju thashë është një proces gjithnjë në vazhdim. Unë gjykoj se rikonstruktimi total i institucioneve shëndetësore i përngjan trajtimit të një sëmundje e cila mjekohet me kujdes ditë pas dite deri në shërimin e saj. Ne vijojmë ta kurojmë me përgjegjësi deri sa të shkojmë te rezultatet që i kemi premtuar qytetarëve. Për secilën nga pikat që ju fola më lart mund t’ju sjell dhe shpjegoj shembuj konkretë. Stacioni më i fundit ishin ndryshimet në Ligjin për Kujdesin Shëndetësor në RSH, të cilat përpiqen të fotografojnë shëndetësinë ku duam të arrijmë dhe do të sjellin, jam e bindur, ndryshim të thellë e cilësor të shërbimit shëndetësor.
Unë mund t’ju them edhe stacionin e radhës do të jenë disa ndryshime në kodin penal që kanë të bëjnë edhe me ushtrimin e profesionit të mjekut e me profesionistët e shëndetit në përgjithësi, si dhe ndryshime në ligjin për ndalimin e duhanpirjes në mjedise të mbyllura. Padyshim që pakënaqësi do të ketë dhe unë i mirëkuptoj pasi edhe vetë ne kritikojmë veten shpesh herë. Por ama, krahas tyre duhet thënë se as pacientët nuk e fshehin që sot kemi një mjekësi më të mirë se dje dhe se nesër do ta kemi më të mirë se sot. Unë kam besim dhe do punoj për ta përmbushur.
TemA Javore