Turistët gjermanë po interesohen gjithnjë e më shumë për vendin tonë. Grupe të organizuara kanë mbërritur sot në Durrës, duke vizituar monumentet kryesore historike dhe kulturore, si Kulla Veneciane dhe Amfiteatri Antik.
Turistët janë akomoduar në hotel Melia dhe shprehen se për Shqipërinë dinin pak gjëra.
“Kemi ardhur sot në Durrës, ishim në Tiranë dhe Berat. Na pëlqen këtu. Po rritet interesi i gjermanëve për të vizituar vendin tuaj dhe me këtë rast edhe ne do bëjmë pak reklamë për miqtë tanë”, u shpreh një turistë.
Pasi kanë parë amfiteatrin, turistët janë interesuar rreth zbulimeve të reja në këtë monument kulture dhe theksojnë investimet e mëtejshme për zbulimin e plotë të tij.
“Është e rëndësishme që të investohet më shumë këtu, të jepen fonde dhe nëse do hyni në BE, besoj se do ketë më shumë fonde nga ne. Këtu duhet investuar, jo të shkojnë fondet për luftëra”, deklaroi një tjetër.
Endri Nderjaku, guidë turistike, thotë se gjithnjë e më shumë turistët gjermanisht-folës po e vizitojnë vendin tonë, ndërsa shton se megjithë mangësitë, turizmi po zhvillohet dita-ditës.
Ajo që turistët vlerësojnë më shumë në vendin tonë vazhdon të jetë mikpritja dhe gatimet tradicionale.











