Në tryezën qeveritare ku u bë një panoramë e progresit të Shqipërisë në negociata me Bashkimin Europian, kryeministri Edi Rama e vuri theksin tek domosdoshmëria e modernizimit të prokurimeve publike si një nga kushtet kryesore në këtë proces.
Ai nënvizoi se puna e nisur për modernizimin e prokurimeve me inteligjencën artificiale duhet të vazhdojë, duke theksuar se ky objektiv duhet të jetë realizuar deri në vitin 2027, kur qeveria synon të ketë mbyllur edhe procesin e negociatave.
“Ajo që bie në sy është domosdoshmëria për të kaluar nga një progres i kufizuar, në një progres të mirë te prokurimi publik, ku ne kemi bërë një progres të madh, por nuk jemi ende në kornizën e progresit të mirë, që do të thotë edhe plotësim i këtij aspekti si pjesë e kushteve. Është e rëndësishme që puna e nisur për modernizimin e mëtejshëm të prokurimit publik me inteligjencën artificiale duhet të vazhdojë dhe kurorëzimi i saj do të na çojë në një nivel krejt tjetër dhe do na bëjë një vend shembull në këtë aspekt. Kjo duhet t’i përkasë kësaj kornize kohore, brenda kalendarit të negociatave dhe 2027 duhet të na gjejë me këtë objektiv të realizuar”, theksoi Rama.
Procesin e integrimit europian, kreu i qeverisë e cilësoi si një transformim historik për shtetin shqiptar. Ai shtoi se ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë, rrit profesionalizmin dhe siguron luftën kundër korrupsionit.
“Ajo që vlen më shumë në këtë proces, përtej kalimit të një reformë dhe pastaj miratimit të masës ose reformës në Bruksel, është që ky proces rrit në mënyrë thelbësore kapacitete institucionale të vendit. Procesi ka një dobi të jashtëzakonshme dhe është i pazëvendësueshëm me asnjë tjetër sepse shpesh herë tendenca është që të shihet anëtarësimi në BE në mënyrë të sipërfaqshme dhe të mos kuptohet që ky proces është historik për faktin se transformon shtetin shqiptar dhe i jep institucioneve një fuqi dhe kapacitet për të vepruar që nuk e kanë pasur kurrë.
Kjo sjellë edhe forcim të rendit ligjor në të gjitha aspektet, jo thjeshtë në aspektin e ushtrimit të pushtetit të çdo institucioni në funksion të zbatimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve. Ky proces konsolidon institucionet e drejtësisë dhe do të duhet të rrisin profesionalizmin, paanshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve të tyre. Ky proces siguron luftën kundër korrupsionit si një luftë që zhvillohet edhe në frontin e moderniziomit të transformimit institucional dhe realizimit të një kapaciteti të të gjithë shtetit për ta parandaluar korrupsionin, veprimtari që realizohet në mungesë të kanaleve të sigurta institucionale që garantojnë shërbime të shpejta dhe cilësore”, u shpreh kryeministri.











