Instituti i Mishit në Amerikën e Veriut ka reaguar ndaj një deklarate të Agjencisë Ndërkombëtare të Hulumtimit mbi Kancerin, IARC, që klasifikonte mishin e kuq dhe atë të përpunuar si “rreziqe” për kancer. Sipas institutit, kjo deklaratë anashkalon atë që dihet në përgjithësi për çështjen dhe shpërfill studime të shumta që tregojnë se midis konsumit të mishit dhe kancerit nuk ka asnjë lidhje, apo të tjera që surgjerojnë përfitimet shëndetësore nga një dietë e balancuar që përfshin edhe mishin.
Instituti i Mishit deklaron se, të dhënat shkencore tregojnë se kanceri është sëmundje tepër komplekse, që nuk shkaktohet kurrësesi nga ushqime të caktuara dhe se një dietë e balancuar dhe mënyrë jetese e shëndetshme janë thelbësore për të patur shëndet të mirë.
“Ishte e qartë ndërsa shihje mbledhjen e IARCsë që shumë prej pjesëmarrësve po synonin një përfundim të caktuar, pavarësisht të dhënave të vjetra, të dobëta dhe jo serioze”, tha doktoresha Betsy Booren, zv/drejtoreshë për Çështjet Shkencore në Institutin e Mishit të Amerikës së Veriut. “Ata kanë manipuluar të dhënat për të siguruar një përfundim tendencioz. Mishi i kuq dhe i përpunuar renditen ndër 940 agjentët që sipas IARC kanë njëfarë “rreziku” teorik. Vetëm një substancë kimike, e pranishme në pantallonat e yogas është deklaruar nga IARC se nuk shkakton kancer”, vazhdon më tej dr. Booren.
Sipas IARC, mund të jesh i/e qetë gjatë kursit të yogas, por mos e thith ajrin (Grupi 1 i kancerogjenëve), mos u ul pranë një dritareje ku hyn dielli (Grupi 1), mos apliko Aloe Vera nëse digjesh nga dielli (Grupi 2B), mos pi verë apo kafe (Grupi 1 dhe Grupi 2B), mos ha ushqime zgare (Grupi 2A) dhe nëse je një berber/parukiere apo ke punë me turne (të dyja Grupi 2A), është koha të ndërrosh karrierë. Panelit të IARC iu kërkua detyra e thjeshtë për të zbuluar rreziqe të mundshme që mishi mund të shkaktojë në sasi dhe në rrethana të caktuara, por nuk ju kërkua që të konsiderojë edhe përfitimet nga mishi, që janë më të mëdha se rreziqet e përmendura. Për shembull: vlerat ushqyese të mishit, apo komplikimet që organizmi ka nëse redukton më shumë sesa duhet, apo e shmang mishin nga dieta e përhershme.
“Ata që ushqehen sipas një diete mesdhetare hanë dyfishin e sasisë së rekomanduar të mishit të përpunuar. Por vende të tilla me dietë mesdhetare si Italia, Franca dhe Spanja kanë gjithashtu ndër popullsitë më jetëgjata në botë dhe me shëndet të shkëlqyer”, nënvizoi më tej dr. Booren.
Sipas saj, vendimi i IARC thjesht nuk mund të aplikohet tek shëndeti i njerëzve sepse merr në konsideratë vetëm një pjesëz të së tërës: riskun teorik. “Por risqet dhe përfitimet duhen analizuar së bashku përpara se t’u thuhet njerëzve çfarë të hanë, pinë, marrin frymë, apo ku të punojnë”, tha ajo.