“Investimet e huaja direkte janë prioriteti i prioriteteve tona“, kështu ka deklaruar kryeministri Rama gjatë një takimi me 300 biznese të huaja në Tiranë në Konferencën e Dhomave të Tregtisë.
Kryeministri Edi Rama ka inkurajuar investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri duke u thënë se vendi ynë është i sigurt për të bërë biznes, pavarësisht asaj që thuhet në media.
Rama tha se për çdo ekonomi, por veçanërisht për ekonominë tonë investimet e huaja direkte janë jetike.
“Pavarësisht se çfarë thuhet në frëngjitë e medias, Shqipëria vend i sigurt për të bërë biznes, sidomos në turizëm”, tha Rama.
Kryeministri këshilloi investitorët që as të mos takojnë gazetarë dhe as të mos lexojnë gazeta.
“Kështu që me sugjerimin që kush ka ardhur sot ti gëzohet këtij vendi të bekuar dhe kaq të bukur, dhe më këshillën miqësore që as mos takoni gazetarë dhe as mos lexoni gazeta, sepse ju pengojnë në gjithë aparatin tretës, ju uroj mirëseardhjen, dhe ju siguroj se kush investon sot në Shqipëri, nuk do të pendohet kurrë nesër, dhe kush ngurron sot, nesër do të thotë si ka mundësi që ma morën radhën këta të tjerët. Ky është momenti për t’i dhënë vetes shtytjen për të investuar në Shqipëri.”
Kryeministri deklaroi se krahasur me 4 vjet më parë, sot kemi 50 mijë biznese më shumë. Sipas kryeministrit, modeli i ri ekonomik nuk bazohet te bumi i ndërtimit dhe remitancat, por tek investimet që gjenerojnë të ardhura
“Sot kemi 50 mijë biznese më shumë se katër vjet më parë. Po zhvillojmë një model të ri ekonomik, jo i bazuar tek bumi i ndërtimeve dhe remitancat, por tek investimet që gjenerojnë të ardhura”, deklaroi Rama
Kryeministri numëroi lehtësitë që qeveria ka krijuar për sipërmarrësit
“Sot nuk kemi më një administratë që mund të jetë problem për sipërmarrjen për shkak të arbitrariteti apo ushtrimit brutal të firmës dhe vulës, apo injorancës mbresëlënëse që e karakterizonte deri pak vite më parë. Sot kemi edhe një ministre shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes. Në pak javë të qeverisë janë 49 raste që po trajtohen nga ministrja për rastet kur sipërmarrjet kanë probleme me administratën apo shtetin“, deklaroi Rama
javanews/a.ç










