Autoritetet e Rusisë thanë se kanë ndaluar dy punonjës të centralit bërthamor ukrainas të Zaporizhjas, ku luftimet, sipas zyrtarëve ndërkombëtarë, mund të çojnë në një incident bërthamor.
Punonjësit e ndaluar “kanë kaluar informacione për vendndodhjen e trupave ruse dhe pajisjeve në territorin e centralit”, tha Garda Kombëtare ruse më 24 gusht.
Në këtë deklaratë nuk u ofruan dëshmi për këto pretendime e as detaje të tjera. Zyrtarët ukrainas ende nuk kanë komentuar për këtë ngjarje.
Centrali i Zaporizhjas është nën kontrollin rus prej 4 marsit, pak kohë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt. Inxhinierët ukrainas janë lejuar që të vazhdojnë të operojnë me centralin, nën mbikëqyrjen ruse.
Garda Kombëtare e Rusisë është një forcë e brendshme policore dhe ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Pjesëtarë të kësaj force janë të dislokuar në pjesë të pushtuara të Ukrainës.
Po ashtu, një person tjetër është arrestuar në centralin e Zaporizhjas nën dyshimin se u ka dhënë informacione forcave të armatosura ukrainase për lëvizjen e pajisjeve ushtarake ruse në këtë rajon, u tha në deklaratë.
Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë. Javëve të fundit ka pasur luftime midis forcave ruse dhe ukrainase, gjë që ka rritur shqetësimet për ndonjë fatkeqësi bërthamore.
Si Ukraina, ashtu edhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime të centralit./ Marrë nga REL
/e.d