Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Guvernatori i BSH, Genti Sejko dhe përfaqësues të Misionit të FMN po zhvillojnë një konferencë për situatën ekonomike gjatë 6 muajve të parë të vitit 2022. Pavarësisht ndikimit të luftës në Ukrainë që ishte negativ, Ibrahimaj thotë se ekonomia pati performancë pozitive dhe solli ulje të papunësisë me 11.3%.
Lufta në Ukrainë, ndikim negative në ekonominë tonë. Por pavarësisht problemeve në pjesën tjetër të botës ekonomia shqiptare performoi pozitivisht. Në 3 mujorin e tretë ekonomia me ritme me të larta se 3 mujori i dytë.Gjatë gjysmës së parë të vitit, papunësia u ul me 11.3% ndërsa punësimi u rrit e 4.3% në krahasim me vitin e kaluar’- tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj u shpreh se inflacioni në vend është shkaktuar nga goditja e ofertës globale për disa mallra bazë. Ibrahimaj u shpreh se inflacioni në vendin tonë krahasuar me vendet e rajonit ka qenë ndjeshëm më i ulët. Ministrja nënvizoi se për këtë vit parashikohet që të ketë një nivel mesatar inflacioni nën nivelin 6.5%. Sa i takon vitit të ardhshëm, Ibrahimaj u shpreh se inflacioni do të jetë në rënie dhe parashikohet që në 2023 të jetë 3%.
‘Gjatë kësaj periudhe çështja kryesore ka qenë inflacioni i lartë i goditur nga oferta globale e disa mallrave bazë. Në vendin tonë krahasuar edhe me vendet e rajonit ka qenë ndjeshëm më i ulët. Vlerën më të lartë e ka pasur në muajin gusht me 8%. Ne parashikojmë që gjatë këtij viti të kemi një nivel mesatar inflacioni në nivelin 6.5. Ky është nxitur nga goditja e ofertës dhe besojmë se nuk ka baza të forta që të vazhdojë në rritje besojmë se gjatë vitit të ardhshëm do të ketë një reduktim të ndjeshëm të inflacionit. Parashikojmë një normë inflacioni në rënie me 3.6 %. Duke u mbyllur në dhjetor të vitit 2023 me 3%. Situata është në kontroll, mbetemi vigjilent për amonitozuar dhe jemi përgatitur për disa skenar alternativ. Gjatë periudhës janar gusht të ardhurat buxhetore janë rritur me 16%.’- u shpreh Ibrahimaj.
RAPORTIMI I PLOTË I MINISTRES:
Sic mund të jeni tashmë në dijeni, përgjatë rreth dy javëve të fundit, kemi pasur kenaqesine te kemi në Shqipëri ekipin e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili zhvillon misionin e radhës mbikqyrës, në kuadrin e Artikullit të Katërt të marrëveshjes së vendeve anëtare të FMN.
Tipikisht ky është një mision që ka për qëllim kryerjen e një analize të thelluar të ekonomisë dhe financave shqiptare, dhënien e një vlerësimi objektiv dhe të plotë mbi gjendjen dhe performancën e tyre, si dhe gjithashtu dhënien e rekomandimeve adekuate për politikat ekonomike apo elemente të tjerë specifikë. Pra, puna, gjetjet dhe rekomandimet e këtij misioni të Fondit Monetar Ndërkombëtar, janë mjaft të rëndësishëm jo vetëm për institucionet shqiptare që mbulojnë fushën e ekonomisë dhe financave, si Ministria e Financave dhe Ekonomisë apo Banka e Shqipërisë, e të tjerë, po pa dyshim është një pikë mjaft e rëndësishme reference edhe për të gjithë aktorët ekonomikë në tërësi.
Në përfundim të këtij misioni, së bashku me Shefen e Misionit, Znj. Sun dhe me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Z. Sejko kam kënaqësinë të mbajmë këtë konferencë të përbashkët për shtyp.
Përpara se të vijoj me një ekspoze të shkurtër të zhvillimeve dhe te prespektivës afat-mesme ekonomike dhe të financave publike, dua së pari të falenderoj nga ana ime, si dhe në emër të stafit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomise, znj. Sun dhe të gjithë pjesëtarët e ekipit të misionit të FMN, për këtë bashkëpunim me shumë vlerë dhe për për diskutimet profesionale që kemi patur bashkërisht gjatë këtyre dy javëve të misionit.
Më pas fjala do ti kalojë Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Z.Sejko duke vijuar me Shefen e Misionit të FMN-së, zonjës Yan Sun, për të ndarë pikëpamjet e tyre. Me tej me kënaqësi ne të tre, do t’ju përgjigjemi pyetjeve që janë me interes për median dhe publikun.
Zhvillimet e fundit ekonomike
- Goditja globale nga kahu i ofertës për furzimin me energji dhe mallrat të tjerë bazë, shkaktuar nga fillimi i luftës në Ukrainë, sigurisht që ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë ndikim negativ edhe në ekonominë tonë.
- Megjithatë, deri më tani, ekonomia e ka përballuar relativisht mirë edhe këtë goditje, veçanërisht duke e parë atë në kontekstin e problemeve që po kalon pjesa dërrmuese e ekonomive në botë.
- Rritja ekonomike për gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë në 4.2%, e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi dhe investimet, si dhe kërkesa e huaj neto. Nga pikëpamja e ofertës agregate, rritja gjatë gjysmës së parë ka qenë me bazë të gjerë, ku pothuajse të gjithë sektorët kryesorë të ofertës kanë performuar me rritje pozitive.
- Papunësia gjatë gjysmës së parë të vitit u ul më tej në 11.3%, ndërkohë që punësimi u rrit me rreth 4.3% nga viti në vit.
- Lidhur me zhvillimet në pozicionin e jashtëm, gjatë gjysmës së parë të këtij viti (2022) deficiti i llogarisë korente u ngushtua me rreth 10% nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fortë të eksporteve të mallrave dhe shërbimeve si dhe të remitancave. Gjithashtu një rritje prej rreth 35% është shënuar edhe në flukset hyrëse të IHD-ve. Kursi i këmbimit të lekut kundrejt valutave kryesore në përgjithësi ka qenë mjaft i qëndrueshëm, ndërkohë që luhatja (zhvlerësimi ose mbiçmimi) ndaj monedhave të ndryshme ka reflektuar kryesisht konjukturat ndërkombëtare të tregut valutor. Aktualisht, leku është nënçmuar ndaj dollarit amerikan me rreth 8% dhe është mbiçmuar ndaj euros me rreth 4% që nga fundi i vitit të kaluar.
- Në tremujorin e tretë (ku zhvillohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit turistik), duke gjykuar nga treguesit e tërthortë të disponueshëm, ekonomia mund të ketë performuar me një ritëm rritjeje konsiderueshëm më të lartë se tremujori i dytë dhe ndoshta ritëm pak më të ulët se sa në tremujorin e parë.
- Duhet të shohim se si do të zhvillohet tremujori i katërt. Pritjet për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt mbeten të rrethuara nga pasiguri më të larta, kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet ekonomike ndërkombëtare. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë për tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura, gërryerjes së të ardhurave reale prej inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare.
- Prandaj, për sa i përket rritjes ekonomike të pritshme për të gjithë vitin 2022, ne (Ministria e Financave) e kemi rishikuar disi për lart projeksionin tonë në 3.7%, nga 3.2% që parashikonim në fillim të luftës.
- Për sa i përket rritjes ekonomike për vitin e ardhshëm, ne kemi rishikuar për poshtë parashikimin tonë të skenarit bazë në 2.6%, nga 3.9% që kishim më parë. Megjithatë, nëse ndodh skenari i një “recesioni të plotë” të një pjese të ekonomive kryesore të BE-së (pra, jo vetëm thejshtë “një recesion teknik”, i cili është faktorizuar tashmë në skenarin tonë bazë), ndoshta rritja vitin e ardhshëm mund të jetë më e ulët se 2%. Në të njëjtën kohë ka edhe risqe pozitive që mund të çojnë në një rritje prej mbi 3%, ndonëse deri më tani balanca totale e risqeve anon më tepër në kahun e poshtëm. Ndërkohë, mendojmë se gjasat për një recesion të ekonomisë sonë gjatë vitit të ardhshëm, aktualisht duken shumë të ulëta, edhe nëse një pjesë e ekonomive të BE-së apo edhe më gjerë do hynin në një recesion të plotë. Megjithatë, ne jemi vigjilentë për çdo skenar dhe kemi plane alternative përshtatje edhe në rast të përballjes me skenarë pesimistë.
- Natyrisht, çështja kryesore makroekonomike gjatë kësaj periudhe edhe për ekonominë tonë, si pothuajse kudo tjetër, ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja në ofertën globale të disa mallrave bazë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët.
- Inflacioni mesatar për periudhën janar-gusht ka qenë 6.1%, me vlerën më të lartë në muajin gusht 8%. (Besoj më vonë gjatë ditës së sotme duhet të publikohet nga INSTAT inflacioni edhe për muajin shtator). Ne presim që inflacioni mesatar për të gjithë vitin 2022 të jetë rreth 6.5%. Megjithatë, duhet të shohim se si do të zhvillohet kriza energjetike pan-evropiane përgjatë këtij dimri.
- Ne konstatojmë se ky inflacion i lartë është sigurisht i nxitur kryesisht nga goditja e ofertës dhe besojmë se deri më tani nuk ka baza të forta ë që mund të çojnë në vazhdimësinë e këtyre niveleve të larta të inflacionit në të ardhmen, madje edhe në të ardhmen e afërt që prej vitit tjetër.
- Ne si Ministri e Financave dhe Ekonomisë besojmë se gjasat më të larta janë që inflacioni të ulet ndjeshëm gjatë vitit të ardhshëm, veçanërisht nëse një pjesë e Evropës do të hyjë në recension, qoftë recension teknik apo i plotë. Në skenarin tonë bazë ne (Ministria e Financave) parashikojmë një normë mesatare inflacioni prej 3.6% për vitin e ardhshëm, me një tendencë rënëse gjatë vitit dhe duke arritur në rreth 3% në fund të 2023. Megjithatë, kjo është vetëm pikëpamja jonë për inflacionin dhe sigurisht institucione të ndryshme kanë pikëpamje të ndryshme për këtë çështje dhe mendoj se si Fondi Mometar Ndërkombëtar, ashtu edhe Banka e Shqipërisë do të ndajnë pikëpamjet e tyre për këtë “temë të ditës”.
Situata aktuale e financave publike
- Për sa i përket zhvillimeve të financave publike, situata deri më tani është plotësisht nën kontroll dhe ne mbetemi mjaft vigjilentë për ta monitoruar në vazhdimësi dhe për të parashikuar probleme të ndryshme që mund të dalin dhe për të përgatitur skenarë alternativë përshtatjeje përpara se ato të ndodhin.
- Gjatë periudhës janar-gusht, të ardhurat buxhetore janë rritur me rreth 16% krahasuar me vitin e kaluar dhe rreth 0.4% kundrejt planit. Gjithashtu, referuar të dhënave operative, edhe të ardhurat në muajin shtator kanë vijuar të rriten rreth këtyre niveleve. Sigurisht, një pjesë e kësaj performance të tillë të lartë të të ardhurave i atribuohet efektit të rritjes së përgjithshme të çmimeve. Megjithatë, si rritja relativisht e fortë ekonomike, ashtu edhe përmirësimet administrative në mbledhjen e taksave kanë qenë gjithashtu faktorë të rëndësishëm përcaktues të performancës së të ardhurave.
- Deri më tani, buxheti vazhdon të operojë me një suficit të përgjithshëm fiskal dhe stoku i likuiditetit të qeverisë është mjaft i bollshëm dhe mjaftueshëm për të vazhduar një ekzekutim krejt normal të buxhetit të këtij viti, si dhe të vitit të ardhshëm, dhe kjo jo vetëm në skenarin tonë bazë por edhe në rastet e ndodhjes së skenarëve pesimistë afat-shkurtër.
- Siç e dini, në rishikimet e buxhetit 2022 që kemi bërë gjatë këtij viti, nga njëra anë kemi krijuar hapësirë fiskale për të akomoduar elementë të ndryshëm për të zbutur ndikimin e krizës për aspekte të ndryshme sociale dhe ekonomike, si p.sh. alokimi e paketave të ndryshme të ndihmës sociale për pjesët e shoqërisë më në nevojë, alokimin e fondeve (tejet të larta duhet thënë) për mbështetjen e sektorit energjetik për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike si për konsumatorët familjarë ashtu edhe për bizneset e vogla, alokimin e fondeve për kompensimin pjesërisht të rritjeve në kostot kryesore për punimet e investimeve publike, etj.
- Por ndërkohë, nga ana tjetër dhe mjaft më e rëndësishe do thoja, ne kemi qenë mjaft të vendosur për të ruajtur të pa cënuar qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetin makroekonomik të vendit. Në rishikimin më të fundit të buxhetit (në korrik), kemi ulur limitin fillestar ligjor të deficitit fiskal me gati 1% të PBB-së, nga 5% në 4.1% të PBB-së.
- Në vlerësimet tona të fundit, sipas skenarit tonë bazë, presim që deficiti i përgjithshëm fiskal për të gjithë vitin 2022 të jetë edhe më i ulët se kufiri ligjor i rishikuar, ndoshta në rreth 3.3 – 3.5 për qind të PBB-së.
- Ne presim që me shumë gjasa borxhi publik të bjerë nën nivelin prej 70% të PBB-së deri në fund të këtij viti nga 73.2% që ishte një vit më parë, duke vazhduar kështu qartësisht trajektoren rënëse të rifilluar që nga viti i kaluar.
Politika fiskale afatmesme
- Për sa i përket objektivave kryesore të politikës fiskale, sigurisht që ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për vazhdimin e konsolidimit fiskal, duke synuar uljen e vazhdueshme të raportit të borxhit publik ndaj PBB-së, në përputhje të plotë me rregullat fiskalë të frenimit të borxhit. Gjithashtu, synojmë të kalojmë sërish në një balancë primare pozitive duke filluar që nga viti i ardhshëm (2023), ndërkohë që nga viti 2024 e në vazhdim, balanca primare pozitive bëhet detyrim ligjor, pasi fillon zbatimi i rregullit të ri fiskal që bën ligjërisht të detyrueshme arritjen e një balance primare positive nga viti 2024 e në vijim.
- Ne besojmë se ky objektiv kryesor i politikës fiskale bëhet edhe më kritik dhe është në më të mirën e interesit publik, veçanërisht në këtë kontekst të ri makroekonomik global, krejt i ndryshëm nga ai i goditjes nga pandemia, i ardhur prej goditjes së ofertës globale dhe rreziqeve të reja të lidhura, duke përfshirë këtu edhe pasigurinë e lartë që rrethon perspektivën e kushteve financiare globale në të ardhmen e afërt dhe afatmesme.
- Por patjetër në të njëjtën kohë, dhe brenda kufijve që na lejon hapësira fiskale, ne gjithashtu mbetemi plotësisht të përkushtuar për të zbutur sa më shumë të jetë e mundur ndikimin e kësaj krize në shoqërinë tonë, vecanërisht në shtresst më vulnerabël të shoqërisë.
- Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka dorëzuar tashmë në Këshillin e Ministrave project-buxhetin e vitit 2023 dhe gjatë ditës së sotme qeveria do ta shqyrtojë dhe më tej miratojë këtë project-buxhet, i cili më tej do t’I paraqitet për shqyrtim Kuvendit. Kështu që besoj patjetër në ditët në vijim ju do të informoheni për elementët dhe shifrat konkrete të buxhetit të vitit të ardhshëm.
Unë do të ndalem këtu dhe duke ju falenderuar per vemendjen, dua ti kaloj fjalen Guvernatorit dhe më pas Shefes të Misionit.