Rritja e temperaturave gjatë sezonit të verës shoqërohet me një shtim të ndjeshëm të rasteve të infeksioneve dhe irritimeve të syve, të favorizuara nga ekspozimi ndaj diellit, nxehtësisë, pluhurit, ujit të detit dhe pishinave, por edhe nga përdorimi i pakujdesshëm i kondicionerëve dhe mungesa e higjienës. Mjekët okulistë paralajmërojnë se simptoma si skuqja, djegia, kruajtja, lotimi apo sekrecionet nuk duhet të neglizhohen, pasi në shumë raste mund të jenë shenjë e një infeksioni bakterial ose viral që kërkon trajtim të specializuar.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, mjeku okulist Rubin Topi shpjegoi se gjatë verës krijohen kushtet ideale për shfaqjen e patologjive të syrit, pasi ndikojnë një sërë faktorësh mjedisorë.
“Gjithmonë stina e verës është e shoqëruar me patologjitë tipike, sepse është një kombinim i disa faktorëve. Në radhë të parë është nxehtësia e lartë, e cila shpesh kombinohet edhe me lagështirën, por edhe me faktorë atmosferikë si polenet, që bëhen shkak për alergjitë. Po ashtu kemi edhe kontaktin me ujin e pishinave dhe të detit. Ky kombinim faktorësh bën që të shtohen problemet me sytë”, u shpreh ai.
Sipas okulistit, temperaturat e larta ndikojnë drejtpërdrejt në avullimin e filmit mbrojtës të lotit, i cili ka një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e sipërfaqes së syrit nga bakteret dhe viruset. Ai theksoi se personat e moshuar janë ndër grupet më të rrezikuara, pasi mekanizmat mbrojtës të organizmit funksionojnë më ngadalë me kalimin e moshës.
“Loti nuk është vetëm ujë. Ai përmban enzima dhe elementë yndyrorë që prodhohen nga gjëndrat e kapakëve të syrit. Këto krijojnë atë që quhet filmi i lotit. Nxehtësia, por edhe përdorimi i kondicionerit, sidomos kur ajri drejtohet përballë syve, bëjnë që ky film të avullojë shumë shpejt, duke e lënë syrin më të pambrojtur. Grupmosha 65-70 vjeç e lart ka më shumë rrezik, sepse mekanizmat mbrojtës janë më të ngadalësuar. Pikërisht gjatë verës, kombinimi i nxehtësisë me lagështirën rrit mundësinë për infeksione bakteriale apo virale të syrit. Kur filmi i lotit mungon, sipërfaqja e syrit ekspozohet shumë më lehtë ndaj mikrobeve”, tha ai.
Një tjetër burim i shpeshtë i problemeve, sipas mjekut, janë pishinat, ku klori dhe faktorë të tjerë mund të shkaktojnë irritime dhe infeksione. Ai paralajmëroi se skuqja e syrit nuk duhet parë si një shqetësim i parëndësishëm, pasi në disa raste infeksioni mund të prekë kornenë dhe të ndikojë në cilësinë e shikimit.
“Personat që frekuentojnë pishinat paraqiten shpesh me skuqje, irritime dhe infeksione. Edhe pse pishinat kanë sisteme filtrimi dhe pastrimi, klori është një faktor irritues, ndërsa nuk përjashtohen as elementë të tjerë që mund të ndikojnë negativisht te sytë. Nëse infeksioni prek kornenë, mund të shfaqen komplikacione që ndikojnë në përqindjen e shikimit. Shikimi mund të bëhet më i turbullt, ndaj këto simptoma nuk duhen neglizhuar”, theksoi okulisti.
Rubin Topi u ndal veçanërisht te përdoruesit e lenteve të kontaktit, të cilët, sipas tij, kanë rrezik shumë më të lartë për zhvillimin e infeksioneve gjatë muajve të verës. Mjeku ngriti shqetësimin edhe për fenomenin e vetëmjekimit, duke paralajmëruar qytetarët të mos përdorin pika për sy pa u konsultuar me një okulist.
“Në asnjë mënyrë nuk rekomandojmë që të futeni në det apo në pishinë me lente kontakti. Lentet mbartin mikroorganizma dhe krijojnë një terren që favorizon infeksionet. Edhe fërkimi i syve menjëherë pasi dilni nga uji e rrit më tej këtë rrezik. Maksimumi mund të përdoret një lot artificial pa konservant, sepse ai është neutral. Por përdorimi i pikave me antibiotik apo kortizon pa rekomandimin e mjekut është një gabim serioz. Ka raste kur pacienti ka një infeksion viral të syrit dhe preparati me kortizon, në vend që ta përmirësojë gjendjen, e përkeqëson atë. Është njësoj sikur të hedhësh benzinë mbi një vatër zjarri – infeksioni vetëm sa shtohet”, shpjegoi Topi.
Në fund, okulisti u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë verës, duke shmangur vetëmjekimin dhe duke kërkuar ndihmë profesionale sapo të shfaqen simptomat e para.
“Këshilla ime kryesore është të mos hyni asnjëherë në det apo pishinë me lente kontakti. Të mos neglizhoni vizitën te mjeku okulist dhe të mos merrni mjekime pa u vizituar më parë. Gjithashtu, mos e drejtoni kondicionerin drejt syve, përdorni syze dielli dhe, nëse keni qerpikë fals, mos e zhysni kokën në ujë, pasi ngjitësi mund të shkaktojë irritime të forta. Nuk bëhet shaka me shëndetin e syve”, përfundoi ai.











