Teatri Kombëtar ka reaguar në lidhje me ngjarjen që ndodhi në ambientet e këtij institucioni, ku drejtori Hervin Çuli është denoncuar për dhunë fizike nga gazetari i ABC News Eni Shehu.
Në një deklaratë drejtuar mediave, Teatri ka deklaruar se sjellja e Shehut nuk kishte asnjë lidhje me ushtrimin e profesionit të gazetarit, ndërsa pohohet se ai provokoi dhe shqetesoi me fjalë e batuta aktorët gjatë interpretimit.
Ja deklarata e TK
Aktorët që punojnë në kushte të vështira prej javësh, që derdhin gjithë pasionin e punën e tyre meritojnë vëmendje e respekt për këdo që vendos të ndjekë shfaqjen. Natyrisht që kushdo është i lirë të mos e pëlqejë shfaqjen dhe të largohet prej saj, pa shqetësuar të tjerët, pa shqetësuar aktorët. Nuk pengojmë asnjë gazetar të na ndjekë, madje e falenderojmë median për vëmendjen ndaj teatrit dhe aktorëve, i falenderojmë edhe kur na kritikojnë edhe kur na lavdërojmë, por profesioni i gazetarit nuk është justifikim për të prishur një profesion tjetër. Sjellja e zotit Shehu nuk kishte asnjë lidhje me ushtrimin e profesionit të gazetarit.
Përtej këtij episodi, të deformuar në disa rrjete sociale, të mbarsur me të pavërteta, i kërkojmë ndjesë publikut, falenderojmë aktorët që i rezistuan dhe e kapërcyen atë shqetësim duke e vazhduar deri në fund shfaqjen me talent, pasion e profesionalizëm. Ju presim me dashuri në të gjitha shfaqjet e “Tri motrave”, në Teatër Kombëtar!
REAGIMI I GAZETARIT
Gazetari i cili pretendon se është dhunuar nga Hervin Çuli ka reaguar duke hedhur poshtë zërat se ai ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike, ndërsa u shpreh se drejtori i Teatrit Kombëtar e kishte sulmuar si i çmendur. Me anë të një mesazhi në rrjetin social “Facebook” Shehu teksa ka falënderuar të gjithë miqtë dhe kolegët e tij për suportin ka pohuar se është i gatshëm që ti nënshtrohet dhe një testi droge.
“Miq, jam pa fjale nga guximi i drejtorit te TK, i cili mu sul si i çmendur duke me sulmuar dhe kërcënuar. Por, me shume jam i prekur nga dashuria dhe suporti qe me treguat të gjithë ju! Dikush me tha: Kjo ngjarje skandaloze do mbahet mend gjate ne historinë e Teatrit Kombëtar, si “gazetari i diplomuar aktor, qe u bë Stari e i vodhi shkëlqimin premierës së dështuar të drejtorit.” Faleminderit nga zemra! Ai ka shtuar më tej se “Miq, jam gati te bej testin e drogës… Poshtë poshtërsirat, lartë e drejta!”.









