Ekskluzive/ Intervistë me publicistin e njohur Dragan Janjiç, një nga zërat e pavarur të medias serbe dhe njëri prej personazheve të pakompleksuar në kohën e luftërave në ish-Jugosllavi. Si e shikon ai tensionin mes dy vendeve tona, rolin e shoqërisë civile, cili e fryn të gjithën këtë tollovi, dhe si e mendon të ardhmen mes dy vendeve tona…
Intervistoi Ben Andoni
Për publicistin e njohur serb Janjiç e gjithë situata e para-ndeshjes Shqipëri-Serbi e ka një emër dhe ky quhet tension artificial, krijuar prej nacionalistëve të dy vendeve, por kjo nuk do të thotë asgjë. Procesi i negocimeve të Serbisë me Kosovën e ka zbutur shumë gjendjen e marrëdhënieve dhe me Shqipërinë, por megjithatë nacionalistët janë të prirur të prishin gjithçka. “Mua më duket se incidentet për të cilat bëhet fjalë janë shprehje e pafuqisë së qarqeve nacionaliste në të dy vendet tona për të kundërshtuar procesin e frymëzuar dhe inkurajuar për negociatat prej Uashingtonit dhe Brukselit. Kuptohet se autoritetet tona incidente të tilla nuk i mbështesin, por i trajtojnë ato me një dozë të mirëkuptimit, nga frika se reagime të ashpra mund t’i dëmtojnë ato politikisht”, thotë ai për Javaneës.
Mendon se Shqipëria ka një rol të madh për çështjen e Kosovës sepse nuk është vetëm një vëzhguese por nga ana tjetër edhe një frymëzuese pozitive. Problemi mbeten situata të tilla mes dy vendeve dhe si ndeshja duhet të kalojë pa incidente…
Pse është gjithnjë e tensionuar gjuha mes dy vendeve tona para ngjarjeve si kjo në sport apo edhe nga deklaratat rutinë të politikanëve kohë e pa kohë?
“Marrëdhëniet politike dhe ekonomike midis Serbisë dhe Shqipërisë, të para objektivisht, janë përmirësuar. Për këtë ndikon edhe progresi i negociatave të realizuara mes Kosovës dhe Serbisë. Në sajë të procesit negociues problemet nga e kaluara e largët dhe këto të fundit janë kapërcyer ngadalë, por kjo nuk do të thotë se ato janë zgjidhur në thelbin e tyre. Në rrethana të tilla një ngjarje relativisht e vogël, e tillë si kjo e ndeshjeve të futbollit, lehtësisht mund të të shërbejë si një “valvul” për të shpërthyer emocionet negative.
Mua më duket se incidentet për të cilat bëhet fjalë përbëjnë shprehje të pafuqisë së qarqeve nacionaliste në të dy vendet për të kundërshtuar procesin e frymëzuar dhe inkurajuar për negociatat e Uashingtonit dhe Brukselit. Kuptohet se autoritetet incidente të tilla nuk i mbështesin, por i trajtojnë me një dozë të mirëkuptimit nga frika se reagime të ashpra mund t’i dëmtojnë ato politikisht.
E parë formalisht, të dy vendet nuk kanë probleme kufiri apo shqetësime të ngjashme dhe kjo e lehtëson disi dialogun politik. Nga ky këndvështrim, nuk ka asnjë arsye për provokim të motivuar politikisht në ngjarjet sportive. Por mes tyre është Kosova për të cilën si shqiptarët por edhe serbët i lidhin emocione shumë të forta dhe nacionalistët në të dy vendet e trajtojnë atë si një territor të shtetit të tyre kombëtar.
Prandaj, ndodhi edhe ajo me dronin me një hartë të “Shqipërisë së Madhe” në stadiumin në Beograd që shkaktoi një stuhi të emocioneve që tani janë të transmetuara edhe në ngjarjet e tjera sportive”.
Cili është roli i shoqërive civile të ndërsjella në zbutjen e gjuhës së urrejtjes?
“Shoqëria civile në të vërtetë mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm në tejkalimin e problemeve politike, veçanërisht ato që mund të jenë të lidhura me ngjyrat e emocionet të forta nacionaliste. Shoqëria civile shërben në këtë kuadër për të treguar me veprimet e tyre që njerëzit mund dhe duhet të jetojnë më mirë, mund të punojnë së bashku, pavarësisht mosmarrëveshjeve. Shoqëria civile gjithashtu duhet të tregojë se ashtu si në politikë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare thelbësore për të punuar mbi problemet është tejkalimi i tyre dhe se asnjëherë nuk ka zgjidhje të shpejtë dhe definitive”.
Si e parashikoni bashkëpunimin midis vendeve tona në të ardhmen?
(Unë kam parasysh fjalimin që kryeministri ynë bëri pro pranimit të Kosovës në OKB, apo atë që Kosova do të ketë zhvillime pas ngritjen e Tribunalit Speciale dhe me shpresë pranimit në UNESCO)
“Zhvillimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Shqipërisë në një shkallë të lartë do të varen nga progresi i negociatave mbi Kosovën. Dhe në atë masë, të cilën Beogradi dhe Prishtina reciprokisht do të zgjidhin problemet, ashtu edhe marrëdhëniet mes Tiranës dhe Beogradit do të lulëzojnë. Një gjë duhet ta mbajmë mirë parasysh se Shqipëria nuk është vetëm një vëzhguese, por edhe (megjithëse e tërthortë) pjesëmarrëse në procesin e negociatave dhe se veprimet e saj mund të ndikojnë në zhvillimin e këtij procesi. Perspektivat janë që në të ardhmen të krijohet një bazament i fortë, në mënyrë që elitat politike të vendeve tona të arrijnë të kuptojnë detyrën historike që qëndron para tyre”.
Cili është Dragan Janjiç
Dragan Janjiç ka lindur më 1955 dhe me gazetari është marrë që nga fundi i viteve ’70 të shekullit të shkuar, kur edhe mbaroi Fakultetin e Filozofisë në Beograd. Është iniciatori i parëserb prej shoqërisë civile që u mor me organizimin e një sindikate gazetarësh të pavarur, e cilaq kulmoi me projektin e agjencisë BETA, zëri i vetëm alternativ në kohën e luftrave të ish-Jugosllavisë. Atje ai ishte kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës deri në vitin 2000. Tani është zëvendës-kryeredaktor i “Politika”, organizimit më të vjetër mediatik në Serbi