Gjykata Speciale pa dhënë asnjë shpjegim, e ka detyruar ish-zëdhënësin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Jakup Krasniqin që ta heqë kollaren para nisjes së seancës.
Këtë çështje e ngriti që nga mëngjesi avokatja Alagendra Venkateswari, e cila u ankua se pse po detyrohet klienti i saj ta heqë kravatën që e ka vendosur edhe herë të tjera.
Pas një pushimi të zgjatur, trupi gjykues nuk e ka adresuar në publik shqetësimin e mbrojtjes së Jakup Krasniqit për detyrimin për heqje të kravatës.
Ndërkohë sot ka ardhur edhe reagimi nga deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu
Gjykatë speciale, institucion i themeluar në Kuvend të Kosovës me ligje e Kushtetutë të Kosovës, ua ndalon shqiptarëve me hy në institucione të veta me një kollare me shqiponjë.
Se kjo gjykatë është politike dihet botërisht por heshtja e institucioneve tona ndaj këtyre sjelljeve raciste është e papranueshme.
Bacës Jakup veç munden me ia mar të ligat se ai me shokët e tij të idealit shqiponjën e kanë në zemër, por ku jemi ne si Kuvend e si Qeveri, si parti politike, si Organizata Joqeveritare, ku jemi ne si komb qe nuk ngrihemi në këmbë kur ca “gjyqtarë” të shitur shkelin mbi krenarinë tonë dhe drejtësinë e përbaltin për portofol personal.
Ku jemi ne, kur atyre luftëtarëve u shkelën të drejtat njerëzore, kur manipulohen e kërcënohen dëshmitarët që nuk bëhen vegla të kësaj gjykate, ku jemi ne kur me dokumenta serbe nxirren verdikte në emër të popullit????
Në realitet, çfarë mund të presim nga një qeveri dhe një pjesë e opozitës që deponuan dosje në favor të themelimit të kësaj gjykate.
Çfarë mund të presim nga një klasë politike e çoroditur deri në palcë????
As edhe një gjë!
Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me vrasje, tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi në periudhën 1998–1999.
Për këto krime të pretenduara, ZPS-ja pretendon se katër pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm ishin në dijeni ose kanë pasur arsye të jenë në dijeni.
Ata akuzohen edhe për pjesëmarrje direkte në frikësim, marrje në pyetje dhe keqtrajtim të të ndaluarve nëpër qendra ndalimi.
Akuzat i kanë mohuar në tërësi Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi, e po ashtu edhe mbrojtësit e tyre.
/a.r