…dhe një rrugëtim nga lart-poshtë dhe anasjelltas
Nga Lorenc Vangjeli
Ina Rama, ish-prokurore e përgjithshme e Republikës ka një shkresë të lumtur gjyqësore në xhep. Një vendim gjykatësish që e lejojnë atë të rikthehet në gjykatë. Në po atë shkallë të sistemit prej nga ajo u largua vite më parë për t’u ulur në karrigen e numrin një të akuzës publike. Duket se nuk ka ndodhur asgjë për t’u shënuar dhe ky mund të ishte fare mirë një lajm i thjeshtë, kurioz apo vetëm një gjysëm lajmi, por në Shqipëri, vlera dhe rëndësia e akteve – sidomos kur ato janë gjyqësore – shumëfishohet në mënyrë të frikshme. Dhe tregojnë një realitet tërësisht larg standarteve të zakonshme edhe ligjore, edhe “evropiane”, edhe qytetare e morale.
Fati i Ina Ramës është mishërimi i fatit të një zyrtari të lartë publik në Shqipëri. Që varet nga shumë gjëra dhe më së paku nga merita e tij vetjake. Kur e votuan për prokurore të përgjithshme, Rama ishte një gjyqtare e panjohur që vinte nga Durrësi. Askush nuk dinte me detaje karrierën e saj në të shkuarën dhe ishin shumë të paktë njerëzit që do të vinin bast apo do të hidhnin fall për të ardhmen e saj. E bëri vetëm një njeri, i cili atëherë kishte në dorë që të ndërtonte të ardhmen e shumëkujt në këtë vend. Sepse ishte vetë e ardhmja e tyre. Sali Berisha sapo kishte ekzekutuar me një proces të dyshimtë ish-prokurorin Dhori Sollaku dhe i nevojitej një figurë tjetër që ta zëvendësonte. Rama i plotësonte në mënyrë të përkryer të gjitha pritshmëritë e tij të momentit dhe përballë një publiku tërësisht sipërfaqësor, ajo ishte një zgjidhje ku e ku më e mirë se paraardhësi i saj. Kaq i duhej në momentin e parë Doktorit, kontrasti me çfarë hoqi e çfarë solli dhe kaq morri tetë vjet më parë, në vitin e largët 2007. Kjo ishte dhe arsyeja që duke ftuar edhe socialistët që të votonin për atë kandidaturë, Doktori e quajti Ramën Silvia Konti. Pa ditur se në Shqipëri asgjë nuk është e përhershme; sidomos në politikë, edhe dashuria, edhe urrejtja është tmerrësisht e përkohshme.
Vetëm një vit një pas Silvia e dikurshme u bë e “bezdisur” me hetimin për rrugën Durrës – Kukës dhe e mbushi me vrer gotën e urrejtjes me hetimin për tragjedinë e Gërdecit. Ina u bë armike personale për Doktorin njëlloj si dhe Edi, kryetari i opozitës së dikurshme me të cilin ajo ndante të njëjtin mbiemër, mbas tragjedisë tjetër të ekzekutimit pa gjyq të katër opozitarëve në bulevard.
Ishte toleruar për hetimet që kishte bërë për dy djemtë e PD-së, qoftë për rrugën, qoftë për Gërdeciin, por nuk mund të tolerohej për hetimin e tretë që do ta çonte deri tek zyra e atit të tyre.
Ajo duhej ekzekutuar njëlloj si Sollaku dhe gjithë prokurorët e tjerë të përgjithshëm në Shqipëri. Për Ramën pati vetëm një diferencë; ju shkurtua me ligj mandati dhe nuk e falën hakmarrjen ndaj saj edhe mbas vitesh të tëra largimi.
Në thelb, prokuroria e përgjithshme në drejtimin e Ina Ramës ishte më shumë perceptim. Ajo fitoi përgjithësisht simpatinë e publikut për shkak të antipatisë së hapur që demonstronte për të vetë Doktori. Publiku e përkrahte për një mijë e një arsye. Duke nisur që me faktin se dukej si e përzgjedhura e amerikanëve e duke mos mbaruar me faktin se ishte një zonjë e re dhe e hijshme që ishte prezantuar mirë në një intervistë të egër me Blendi fevziun në Opinion.
Fati i mëpasshëm i Inës ishte i ndryshëm nga ai i Edit që ndan rastësisht të njëjtin mbiemër me të. Ina mbeti papunë, kurse Edi u bë kryeministër. Dhe kur Ina Rama kërkonte me gojën e një ministri të Edi Ramës, të propozuar në atë post nga Ilir Meta, vendin e duhur të punës për të, Bujar Nishani, me vend pune president republike, e refuzonte për arsyet e atij që e kishte propozuar për atë vend pune. Duke dhënë një nga shembujt e tjerë ulëritës të sjelljes ndaj nëpunësit të lartë publik. I cili ka pak për të zgjedhur përballë politikës. Ina Ramën e rrëzoi, për shembull, Gjin Gjoni në mbledhjen e KLD-së. Gjini tha se ajo duhej të konkuronte për të qenë gjykatëse. Kështu e lexonte ai ligjin.
E gjitha kjo është një histori njerëzore dhe politike. Nesër, me të gjitha gjasat pa postin e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani do të jetë një i papunë luksi. Njëlloj si Bamir Topi para tij. Apo dhe Moisiu dhe Meidani, që kanë qenë nëpunësit më të lartë në piramidën e shtetit shqiptar. Në të njëjtën mënyrë, pothuaj cilido nga ministrat e sotëm, mund të ketë të njëjtin fat. Trajektorja e tyre mund të jetë fatale. Nga vështrimi i errësuar i xhamave me ngjyrë dhe sediljet e lëkurta të Jaguar-ëve që po ju përgatisin, në mes të rrugës si të papunë. Në Shqipëri, shkëlqimi i pushtetit është verbues, por është tmerrësisht i përkohshëm. Distanca nga maja e tij deri përdhe është fare e shkurtër dhe bëhet për një çast të vetëm. Njëlloj rruga e anasjelltë kur dikush që në një vend normal do ta kishte të vështirë të ishte qoftë edhe specialist i thjeshtë në një zyrë të administatës, ngrihet nga dheu e postohet direkt në majat e pushtetit politik. Aty ku duket si e drejtë hyjnore që sediljet e makinës të jenë lëkurë e cilësisë së parë, edhe nëse të ndenjurat e kanë njohur fare pak bidenë në të shkuarën. Ndaj vendimi gjyqësor me emrin e Ina Ramës nuk është firmosur vetëm për të. Ai është vetëm rasti i lumtur i një individi, por nuk është e thënë të jetë njëlloj për të gjithë. Sepse kjo është një botë e anasjelltë. Sidomos bota politike shqiptare që është kaq e përkohshme.