Nga Aristotel Mici
Gurin e rëndë të vdekurit ia venë, po i gjalli e mban.
Jakov Xoxa
(shprehje e marrë nga romani ‘Lumi i Vdekur.)
Citime në vend të hyrjes
Në asnjë vepër tjetër nuk jepet aq pikëllueshëm drama e fshatarit pa tokë, vuajtjet e e emigrantëve kosovarë, mashtrimet e tregëtareve, arroganca e bejlerëve, sa te kryevepra e J. Xoxës `Lumi i Vdekur`
Naum Prifti
Jakovi i ka dhënë letërsisë shqiptare të parin roman-epope, me nivele, që deri atëherë nuk e kish arrirë romani shqiptar.
Nasho Jorgaqi
Jakov Xoxa nga Fieri, në fushën dikur me këneta e mushkonja të Myzeqesë, dënoi shfrytëzimin e fshatarësisë së varfër nga bejlerët mizorë në veprën `Lumi i Vdekur`. Ky roman është një nga veprat e rralla të kohës me merita artistike.
R.Elsie
`Lumi i Vdekur` hapi shtigje për zhvillimin e romanit të ri shqiptar, bëri thyerje në traditën e deriatëherëshme romansore shqiptare. – Sh. Islamaj .
*****
Për herë të parë emrin e Jakov Xoxës e kam gjetur ne librin e gramatikës të Prof. K. Cipos, kur isha në shkollën unike rreth vitit 1949. Autori i librit kishte zgjedhur një fragment nga novella e Jakovit “Përsheshi i Paput” dhe e kishte vendosur ne faqet e kapitullit të sintaksës duke e titulluar “Kallci i ri”[1]
Duke lexuar atë pjesëz gati një gjysmë faqe, më ra në sy ne një herë gjuha e rrjedhëshme, me fjalë të figurëshme, që lidheshin bukur. Nga përsëritjet e leximit me qëllim mësimor në atë kohë shkollore, më kanë mbetur në mendje edhe sot e kësaj dite fjalët e atij fragmenti: ”Ujët e lumit merrte tatëpjetë duke kënduar e murmuritur mbi zajet që kishte zbritur nga mali dhe kur e kur kthente kokën pas, andej, bërrylave, ku mezhda e ngritur dy bojë e ca njeriu, s’i bënte udhë”. Sado që isha në moshën e adoleshencës, më bënte përshtypje fakti që autori i librit të gramatikës kishte marrë nga një novelë e Jakovit një fragment për kapitullin e sintaksës. Kurioziteti im rritej, tek shikoja se “Kallci i ri” i Jakovit qe vendosur pas një pjesë të Shollohovit “Janari” nga Tokat e Çara”(me përkthim të S.Cacit) dhe pastaj ndiqej nga “Deti”(fragment nga Kënga e Skifterit) të M. Gorkit, përkthyer nga L.Kodra, si dhe “Fshati në mëngjez” prej romanit “Kasollja” të V. B. Ibanez, me përkthimin e F.Nolit, dhe kur po thuajse, mungonin firma të tjera nga letërsia. Dihet se çdo libër gramatike nuk është antologji, ku përfaqësohen shkrimtarët me veprat e tyre, po, sidoqoftë, për zgjedhjen e një fragmenti prej krijimit artistik të një autori të ri, siç ish Jakovi atëherë, kjo gjë ish shenjë vlerësimi që do të gëzonte çdo shkrimtar për fillimet e veta, aq më tepër të ndodheshe midis firmave letrare të njohura.. Dhe gjellitja letrare nuk qe bërë nga një përpilues i zakoshëm tekstesh mësimore, po prej një personaliteti të gjuhësisë, nga një linguist i shquar me kulturë të gjërë klasike dhe moderne, nga Prof. Cipo me emër të dëgjuar. Thënë ndryshe, Prof. Cipo qe lajmëtari i parë që pohoi se letrave shqiptare u kishte ardhur një firmë e re.
Në klasën e tretë unike që korespondon me klasën e tetë sot, do ta gjeja Jakov Xoxën përsëri, po kësaj radhe në librin e antologjisë, ku qe përfshirë novela “Kurorat e Masar Beut”. Unë dhe nxënësit e tjerë të klasës, tek shikonim emrin e tij në faqet e librit, na dukej krejt fierak, dhe kjo për arsyen se edhe nje mësues i shkollës unike, Xoxi Xoxa, mbiemrin e tij kishte. Po këtë hamendje na e bëri të vërtetë mësuesi ynë i pasionuar, i gjuhës, i ndjeri Llaqi Kola, i cili, para se të niste komentin letrar, na tha që “autori i kësaj pjese të leximit është nga Fieri dhe se para shumë vjetësh e kam pasur nxënës në shkollën fillore; po tani ai studjon për lëtërsi në Sofje të Bullgarisë.”
Në këtë rast, për ta konkretizuar dhe për ta bërë më interesant mësimin, mësuesi u përpoq ta “dramatizonte” novelën… pra bëri ndarje rolesh. Një nxënës caktohej të lexonte fjalët e autorit, i dyti luante rolin e Masar Beut, i treti luante për një partizan fshatar që quhej Selim, kurse një vajze iu dha roli i dados së Masar Beut. Duke ndjekur këte orë mësimi të “dramatizuar”, ne si nxënës , ndjenim edhe një krenari që nga qyteti ynë i vogël kishte dalë një njeri që shkruante novela të bukura aq mirë, sa të futeshin edhe në librin e antologjisë shkollore. Atë kohë gjithnjë e më shumë kureshtja më shtynte të dija se si do të ishte ky shkrimtar.
*
* *
Pak muaj më vonë emri i Jakov Xoxës do të më shfaqej në Shkodër, ku kisha vajtur për të ndjekur shkollën e mesme. Kjo ndodhi një të shtunë mbasdite, kur kishim liridalje nga konvikti. Më kishte hipur në kokë që të bëja xhiro me biçikletë, si për t’u dëfryer e për të çlodhur mendjen. Po ecja me nxitim për të arritur një minutë e më parë tek vndi, ku jepeshinm biçikleta me qera. Kur po kaloja para një librarie të vogël pranë lulishtes karshi Kafes së Madhe, më zunë sytë në vitrinën ndanë rrugës një libër bojë rozë me titullin “Novela”, kurse sipër ishte emri i autorit, Jakov Xoxa. Ndalova. Hyra në librari. Mora librin në duar, dhe, duke e shfletuar, ndërrova mendje. Me aq pak lekë sa kisha më mirë mendova të blija librin, se sa te merrja biçikletë me qera. Ashtu bëra. Bleva librin edhe me atë ndër duar, u ula te një stol brenda lulishtes edhe nisa të lexoja. E fillova me novelën “Frika e xha Llukanit”. Nuk më shqiteshin sytë nga libri. Po më dukej sikur ishja në Fier, sikur endesha rrugëve të fshatit e mblidhja ftonj tok me kushurinjtë e mi. Kur e mbarova atë novelë, u ngrita nga stoli i lulishtes dhe shkova drejt e në konvikt, ku kishin dalë po thuajse të gjithë. Kishin mbetur më të zellshmit. Njeri nga ata që shquante për vullnet dhe përpikmëri ishte edhe shoku im i klasës Fatmir Agalliu, i cili, sa më pa librin me novela të Jakovit, u bë kurioz dhe kërkoi ta çfletonte. Fatmiri[2], që qysh atëherë ishte shumë i dhënë pas mësimeve të gjuhes shqipe, tek po lexonte, deshi të nënvizonim dy fraza, që atij iu dukën interesante, me qëllim që të mos na dilnin nga kujtesa. Dhe sot e kësaj dite ruhen në libër nenvizimet nga dora e tij:”Atë natë Frosina e ndjeu veten pendë”. “Ajo e bëri zemrën gur dhe u fut brenda.
– E merr me mend pse i bëra me vijzë më të errët fjalët “pendë” dhe “gur”? – më pyeti Fatmiri.
– Jo, – i thashë,- mbas nga që do të jenë dukur fjali të bukura.
– Në radhë të parë, – u dëgjua ai, – për kallëzoren predikative. A të kujtohet si e sqaron Profesor Cipua në kapitullin e mësimeve të sintaksës?
– Përkufizimin nuk më kujtohet, – iu përgjegja, – po gjithësesi më vjen në mend shprehja “mos e bëj mizën buall”.
– Ja pra, që e ditke, pse the që nuk më kujtohet kallëzorja predikative, që këtu tek këto novela të Jakov Xoxës e kemi të dukshme në disa raste.
Duke e parë Fatmirin aq të interesuar, i thashë që ta merrte ai librin dhe ta lexonte para meje.
- Jo, ore, – tha, – ky qenka i lirë, po shkoj ta blej vetë.
Dhe ashtu ai u nis me një herë drejt librarisë, kurse unë mbeta në sallën e stuidimit. Ndër kohë, i ndodhur vetëm, hapa librin dhe fillova të lexoja novelën “Prërsheshi i Paput”.
Kur kishja vajtur nga gjysma e novelës, hyjnë në sallë të studimit dy shokët e mi të ngushtë: Llazar Moja dhe Kostandin Boçova, të cilët kishin takuar Fatmirin gjat rrugës dhe prej tij kishin marrë vesh se kishja blerë librin me novela të Jakov Xoxës, porse vetë Fatmiri nuk pati gjetur asnjë kopje dhe qe nisur ta merrte në bibliotekë.
Ndërkaq aroma e çajit të luleblirit nisi te shperndahej nga kuzhina në oborr, gjë që na shtoi oreksin për të ngrënë darkë. Duke pritur të binte zilja për t’u futur në mencë, ne, si ishim ashtu grumbulluar, filluam një këngë popullore, që e drejtonte me violinën e tij Kostandin Boçova:
A e mban mend moj Viti,
Kur losnim me arra?
Fusharakja, fusharakja,
Vajza Semanjakja.
Në mbarim të këngës ia mbrrijti Fatmiri, që as në bibliotekë nuk e kishte gjetur librin me novela të Jakovit
- Mos kij merak, – i thashë ngadalë, – ky nuk është voluminoz. Ja, merre lexoje ti përpara.
Të nesërmen, në darkë, Fatmiri ma ktheu librin, ku kishte bërë ça vijëzime fare te lehta. Nga ato nënvizime ai kishte zgjedhur dhe i kishte shkruar në nje fletore tre shprehje të veçanta, që të tërhiqnin vemendje nga ana gjuhësore në përgjmithësi, po në veçanti nga ana sintaktike:
“Më të mirë se xha Lipi, për punë druri, nuk gjeje të rrihje dhenë.”
“Mallakastëriotët nisën t’ia hiqnin fillin.”
“Plaku ndehu veshët big dhe hapi sytë katër”.
- Dëgjo, – më tha mua, – duke komentuar për anën gramatikore të novelave, ky libër është fare i lehtë për t’u kuptuar, po nuk është i lehtë gjithnjë, për t’u analizuar, nga ana sintaktike.
Dhe kur pa që unë nuk ishja shumë i përqendruar në fjalën e tij, vazhdoi:
- Ja si do t’i merrje ti nga ana e sintaksës fjalët që unë i kam nënvizuar me laps:
(“Të rrahësh dhenë …..t’ia hiqnin fillin…. Ndehu veshët big….hapi sytë katër”.)
Atëherë unë, që nuk ishja në gramatikë më i zoti nga Fatmiri, i thashë se këto lloj shprehjesh do të ishte më mirë t’ia tregojmë ndonjë profresori, se sa të gjykonim vetë si në tym.
Dhe ashtu vendosëm. Të nesërmen, në kohën e pushimit të madh, midis orëve mësimore, gjetëm rastin dhe u takuam me professor Jup Kastratin. Ai ishte ende i ri në moshë dhe i gatshëm në kmomunikime me nxënësit.
Pasi na dëgjoi dhe, pasi pa shenimet tona dhe vizimet në libër, na përgëzoi për leximin e vemendshëm të novelave të Jakovit, i cili, sipas tij, po dilte në letërsi me një stil origjinal. Pastaj, pasi dëgjoi shqetësimin tonë lidhur me analizën gramatikore – sintaktike të disa frazave në faqet e novelave, profesori na sqaroi duke na thënë: “Dëgjoni, djema, këto shprhje nuk mund të merren veçmas, si me thanë të shkoquna, sepse janë idioma”. Dhe, kur profesori e kuptoi se fjala “idiomë” ishte një koncept jo aq i qarte për ne, shtoi: “Idioma asht thanie me ndërtim të ngurosun, kuptimi i së cilës nuk del prej marrjes veçmas të çdo fjale, po nga përngjitja njiherit e të tana fjalëve në kuptimësinë e tyne. Çdo gjuhë ka idiomat e saj, të cilat nuk përkthehen fjalë për fjalë në gjuhët e tjera. Kështu ka edhe gjuha jonë shqipe. Fjala vjen: “Atij i ranë më qafë” … kjo asht idiomë. Po kështu janë idioma tek novelat e Jakov Xoxes shprehjet që keni nënvizuar ju: “Të rrahësh dhenë…t’ia hiqnin fillin…ndehu veshët big”
Ra zilja e mësimit dhe ne u ndamë me professor Jupin duke qënë më të sqaruar për ato raste shprehjesh tek novelat e Jakov Xoxës.
*
* *
Po kërshëria ime për ta njohur nga afër Jakov Xoxën rrinte herë pas here e zgjuar deri sa u dha rasti tre vjet më vonë, që do ta shikoja konkretisht dhe do ta dëgjoja direkt, kur ai erdhi në gjimnazin e Shkodrës tok me dramaturgun Kolë Jakova. Atëherë Jakovi sapo qe larguar nga Instituti i Shkencave dhe qe emëruar redaktor për “Tribunën Letrare”, që dilte si fletë e brendshme e gazetës “Zëri i Rinisë”. Dukej njeri i qetë, me trup mesatar, me sy të zgjuar. Shumë i rregullt në veshje dhe në krehje, i vemendshëm në bisedime dhe me etikë qytetare. Fliste nga dale dhe fjalët e rëndësishme i theksonte në mënyrë të veçantë.
Në tubimin e organizuar me letrarët e rinj të shkollës Jakovi foli për mundësitë e bashkëpunimit me të gjithë ata që kishin dëshirë të dërgonin shkrimet e tyre tek “Tribuna Letrare”, që do të ishte një mundësi e prezantimit fillestar për talentet e reja. Më pastaj ai sqaroi disa çështje, që kishin të bënin me procesin e krijimtarisë letrare .Të gjithë pjesëmarrësit dëgjonin me vemendje, se e kuptonin që kishin të bënin jo vetëm me një gazetar, po më shumë me një person, i cili fliste me kompetencë për artin e fjalës.. Si pedaog i lëndës së teorisë së letërsisë në fakultet, Jakovi shtjelloi bukur koncepte teorike për procesin e krijimit, duke e ilustruar fjalën e tij edhe me shëmbuj nga vepra të ndryshme letrare. Në mënyrë të vaçant ai theksoi të kuptuarit e stilit dhe të individualitetit krijues të autorit, po ashtu ndriçoi konceptin rreth subjektit letrar, elementëve të subjektit dhe të kompozicionit. Në bisedën e tij tërheqëse i dha rëndësi edhe kuptimit të fabulës në subjekt, a po thëne ndryshë, intrigës letrare, “të fshehtës”, që rrit kuriozitetin e lexuesit tok me dramacitetin e veprimit. Duke folur për poezinë lirike ai kërkoi që ajo të jëtë e vetëvetishme, spontane, mundsësisht të marrë diçka nga mushti i këngëve popullore. “Sillni në mendje para të gjithave poezinë “Voji i Bylbilit” të Ndre Mjedës, vargjet e kësaj poezije shkasin aq vetiu, ose “Fjalët e Qiriirit” të Naim Frashërit, po kështu elgjija për Luigj Gurakuqin e Fan Nolit”.
Në mbarim të atij takimi letrar, tok më Dhori Qiriazin iu afruam, i dhamë të njohur dhe shkëmbyem mendime.. Kur e mori vesh që ishim nga krahinat jugore të vendit, mbaj mënd që na tha: “Është fat për ju që po studjoni këtu në Shkodër, ku ekziston një traditë e herëshme letrare, kulturore dhë folklorike. Qysh në kohë të herëshme Shkodra është e shquar për nivelin intelektual. Nuk është e rastit që në këtë qytet ka një theatër profesinist, po ka edhe një bibliotekë të pasur, ku ju mund të gjeni libra që të zgjeroni njohuritë që merrni brenda orës së misimit të letërsisë. Para të gjithëve mësoni nga shkrimet e Migjenit. Mësoni nga intuita e tij për të vëzhguar realitëtin; si i pasqyronte ai pamjet e jetës së përditshme, duke i kthyer ato në realitet artistik. Edhe në gjuhë…. të mos mbeteni fare krahinor; të zgjdhni fjalë edhe nga e folmja shkodrane, fjalë të atilla që mund të tikngëllojnë bukur dhe natytëshëm në shkrimët tuaja si janë fjalët “zana”, “shtojzavalle”, “shtrjegull” “i tretun”, “ranishte” “teposhte”, me qëllim që edhe leksiku juaj të pasurohët, po edhe dialektet të ndikojnë te njeri tjetri për gjuhën e përbashkët letrare”. U ndamë me Jakovin atë mbas dite duke i dhënë shkrimet tona, Dhori i dha disa vjersha lirike kurse unë nje tregim.
Një vit më vonë, si për koincidencë, Jakov Xoxën do ta kishja pedagogun e teorisë së letërsisë në Institutin e Lartë Pedagogjik. (Atëherë nuk qe themeluar ende Universiteti i Tiranës).
Një herë, në intervalin e një konsultimi, gjeta momentin ta takoja, tek shkallët e Institutit dhe të flisja sado pak. Jakovit i pëlqeu bashkëbisedimi i shkurtër që kish të bënte me kuriozitetet e mia për novelat e tij të para, për personazhet realë dhe të fantazuar, me subjekte nga Fieri dhe Myzeqeja dhe më tha ta vazhdonim bisedën edhe pas konsultimit.
Në mbarim të leksionit u takuam edhe udhëtuam tok prej Institutit, që atëherë ndodhej te godina para maternitetit, ku tani eshtë Fakulteti i Shkencave të Natyrës, dhe ecëm dejt trotuarit deri te Sheshi Skënderbej. Për gjatë udhës më pyeti edhe për familjen, dhe, kur mori vesh për konfliktin e fisit tonë me Vrionasit u bë shumë kurioz dhe më tha se do të vinte për vizitë në fshat, në Shën-Pjetër.
*
* *
Ishte një mesditë e gushtit të vitit 1955. Po studjoja historinë e letërsisë së vjetër shqipe të hartuar nga Ziaudin Kodra, kur më vijnë në dritaren e dhomës përdhese fëmijë të kushurinjëve e më thonë se ka ardhur një mik nga Tirana dhe të kërkon. Dola jashtë dhe më vajti mëndja se duhej të ishte Jakovi, meqë me kish dhënë fjalën. Dhe vërtetë ai qe. Po më priste duke mbajtur në duar një biçikletë.
- Paske gjetur kalë të shpejtë, – i thashë.
- Është biçikleta e Lil Beles, -m’u përgjegj. – Më bëri nder.
Pasi mbështetëm biçikletën në trungun e një fiku, Jakovi më tha:
- More , po si nuk më tregove, kur u takuam në Institut, se më kishje nisur dikur një tregim në redaksi? M’u duk e papritur, kur pashë emrin tënd dhe titiullin e tregimit “Subash Pallamari”.
- Tregimin nuk ua kam nisur me postë,- iu përgjegja,- po ua kam dhënë në Shkodër, kur erdhët dhe organizuat një takim me letrarët e rinj në gjimnaz.
- Ke të drejtë, – më tha,- ka më shumë se një vit.. Gjatë kësaj kohe kam grumbulluar mjaftë shkrime nga studentët e shkollave të mesme dhe të Fakultetit të Letërsisë.. I kam sistemuar në dosje dhe po bëj një seleksionim. Në këtë proces pune hasa edhe tregimin tënd, i cili më pëlqeu dhe në një të ardhme do të botohet. Po mos harro se “Tribuna Letrare” si faqe e brendshme e gazetës del një herë në dy javë, kështu që siç kuptohet për tregimet nuk ka shumë sipërfaqe. Është ndryshe me poezitë. Me që ra fjala për shkrimet që jam duke përzgjedhur, desha të them gjithashtu se këto krijime, pasi të shaptilografohen, do të përmblidhen në një dispencë, e cila do të shërbejë si bazë për një seminar me letrarët e rinj, që do të mbahet nga fillimi i vitit të ardhshëm; mbase dhe në muajin shkurt. Kjo dispencë do t’u dërgohet gjithë autorëve të rinj. Po ti mos prit sa të të arrijë me postë. Kur të vish në Tiranë për provimet e sesionit të dimrit në janar, kthehu edhe nga redaksia e gazetës dhe merre vetë përmbledhjen me shkrime që të fitosh kohë për t’u njohur me materialin.
Ishte akoma vapë gushti, prandaj e pëlqyem të rrinim jashtë dhe u ulëm tek dy stola dërrase që ishin vendosur nën hijen e shelkut në oborr, ku dëgjoheshin mijëra cicërima të harabelave tok me këngën e pandërprerë të gjinkallave. Aroma e lule tatullave ne mezhden e gardhi e bënte edhe më të këndshem qendrimin përjashta .
Ndërkohë nëna ime, dukë parë se dikush kishte ardhur e po bisedonte me mua në oborr, doli nga shtëpia dhe, kur erdhi pranë nesh, te hija e shelkut, unë i thashë se “miku ka ardhur nga Tirana, është shkrimtar dhe e kam profesor në Institut, e quajnë Jakov Xoxa.”
Atëherë nëna i dha dorën dukë thënë:
“Mirësenaerdhe! Dhe të qoftë e mbarë ardhja që bëre dëri këtu ! Me sa dëgjova nga djali, mos jeni nga dera e Xoxallarëve.
- Po- u dëgjua Jakovi- i biri i xha Nasit.
Pastaj nëna m’u drejtua mua: “Po ti më mirë thuaj se e kemi mikun nga Fieri dhe jo nga Tirana. Me Xoxallarët kemi njohje të vjetra, sidomos me avokat Zoin.”
II
Sigurisht, në ato vite, ardhja në fshat e një intelektuali prej Tirane, dhe aq më tepër e një profesori nga Instituti i Lartë, ishte një vizitë e rrallë që nëna e priti me nderim.
“Gëzohem, vazhdoi të fliste ajo që djali di të mbaj lidhje me njerëz të ditur e të mirë . Ashtu si i thonë një fjale , nga i dituri dhe nga i vuajturi ke çfarë të mësosh gjithnjë”.
Duke parë se jashtë në hije ishte bukur, nëna nuk kërkoi të qendronim brënda shtëpisë me një hërë sipas zakonit; ajo na la të vazhdonim bisedën që kishim nisur dhe pas pak minutash na solli me një tabaka dy gota me dhallë të freskët tundësi.
Ndërkohë, nëna vuri shkarpa të thatë të vatra me tulla jashtë shtëpisë, aty prane, tek hija e atij shelku, ndezi zjarrë me to dhe nisi të përgatiste vezë të skuqura me djathë të bardhë.
Kur ishim duke ngrënë atë drekë të shpejtë, Jakovi iu drejtua nënës tek po zjente xhezvenë e kafesë.
– Si e mban mend zotrote shpërnguljen e fisit nga Griza?
– Më tepër se shpërngulje, ikja jonë ishte dëbim. Na dëbuan në mënyrë të pamëshirëshme,- iu përgjegj nëna, duke afruar shkarpat te urat e zjarrit.
– Po si ndodhi? Për çfarë arsye?
– Në të vërtetë inati i beut filloi me kthimin e tim shoqi, Çaçit, nga kurbeti.. Ai kur erdhi nga Amerika, solli me vete ca para, dhe për çudi edhe një makinë shkrimi.
Atëherë, beu, me të marrë vesh, na erdhi gjoja për urim dhe i tha tim shoqi se fisi i Micallarëve i detyrohej atij për hakën e të tretave për dy vjet, që ishin të padhëna ende..
-Vërtëtë nuk ia kishit dhënë ?
-Ia jepnin, po nuk i mbushej syri qehajajit. Është pak, thoshte, e kini fshehur misrin dhe grurin .
– Po kishte fakte për atë që thoshte.
-Aspak. Qehajai fliste në tym. E treta dilte me pakicë, sepse pak u prodhua. Ishte koha e Luftës së Madhe. Austriakët erdhën që andej nga veriu; ushtarët e Italisë së Parë nga Vlora…..dhe bënin luftë midis tyre. Mjaftë të ruaje kokën; lëre më pastaj atë sëmundjen e keqe të gripit spanjoll. Gjysma e njerzëve të fisit vdiqën. Po ata nuk donin të dinin as për këtë mynxyrë as beu, as qehajai. Dhe kështu, kur erdhi Çaçi me ato para gjithë mundime, ia behën ata, siç thashë. Në fillim i kërkuan makinën e shkrimit për një avokat të tyren. Po nuk u mjaftuan me aq. “Mos harro”, ngulnin këmbë: “kemi dy vjet pa të tretë.”
“-More zotërinj, – ua ktheu Petua, një kushuri, – me ato para që na solli Çaçi, lamë borxhët , që qenë marrë nëpër miq, tani shpirti ka mbetur.”
- Po nuk na dhatë hakën, nuk do t’i keni mirë punët, – u hakërrua qehajai.
Në ato kohë Çaçi qe përzierë edhe me fanolistat. E kishte njohur Fan Nolin qysh në Amerikë. Një më dy dhe fliste për të. Pastaj u lidh edhe me ata të “Bashkimit”. Mirëpo më vonë, kur Fan Noli ra dhe iku, beu ngriti zërin edhe tha: “Më mirë një bujk më pak, se sa një kokëlartë më shumë. …. Nuk të lintë beu të çoje kokë sipër, ja, fjala vjen të ngrije oxhak në vend të baxhasë.
- Dhe, atëherë, nga kërcënimi i beut, ju ikët me një hërë.- pyeti Jakovi.
- Nuk shkuleshim kollaj ne, Micallarët ishin fisi i madh. Gjithë djemtë kishin armë. Po me gjithë atë, ishte koha e bejlerëve. Ata bënin ligjin se kishin qeverinë me vete. Pastaj, duhet thënë se armiqësia e beut me fisin e Micallarëve ishte e vjetër. Shumë e shumë vite para se unë të futesha nuse në këtë derë….Me të dëgjuar e kam se mëria kishte nisur qysh kur qe djegur një pjesë e kashtës së kënetës së Grizës. Po për këtë sherr, që u kthye në hasmëri, më mirë pyesni xha Kolin, sepse ai e ka më të qartë se sa unë. Dhe ashtu, ta ngas llafin, beu na kishte si halë në sy, sidomos kur guxuam të bënim oxhak në vend të baxhas. Ditën e Pashkës së Madhe na dërgoi lajmin që brenda muajit të largohëshim nga Griza. Dhe, kur pa se fisi nuk kishte sy për të lëvizur, beu vendosi të vriste burrat duke u zënë pusi. Ashtu mendoi dhe ashtu bëri. Si kohë më të përshtatshme atëherë gjeti një ditë të martë, që ishte dita e pazarit në Fier.
Atë dit im shoq Çaçi dhe kushuriri i tij, Petro, u nisën kaluar për në qytet, po ecnin si për ditë pazari. Atyre nuk u shkonte në mend se tek kthesa e Mbyetit, tek një vend që i thonë Çesma e Shën-Kollit”, poshtë kodrës, tek ca blaca të mëdha me ferra dhe marina, i ligiu, një njeri i beut iu kishte zënë pusi. Kur burrat iu afruan kthesës kaluar, duke u llafosur qetë- qetë midis tyre, i ligu, ai vrasësi, qëlloi dy herë. Petron e kapi plumbi në zemër dhe ra për tokë i vilanosur, kurse im shoq, Çaçi, që nuk e zuri plumbi, u hodh nga kali, nxori revolen dhë u sul vringthi nga vrasësi, duke qëlluar drejt tij, po ai u zhduk në shkorretë.. Ishte ditë pazari dhe tërë kalimtarët dhe pazarasit u grumbulluan për rreth të vrarit, ndanë rrugës. U bë zhurmë e madhe; dhe ashtu përmes asaj berihaje Peton e vrarë e sollën në shtëpi me qerre të lyer me gjak. Ditën e varrimit , tok me vajet, u nxor e u këndua edhe një këngë me “oi”, nga gratë, dhe me kaba nga burrat::
Të vranë, Peto të vranë,
Të vrau beu me qehajanë.
Në Mbyet ç’ta zunë pusinë,
Tek Çezm’ e Shën-Kollit,
Tek blacat me marinë.
Ditë pazari, u muar vesh,
Ç’u bë në Grizë Godolesh.
Shkrepi dyfeku për t’ vrarë,
Për të vrarë një grizar .
* * *
Ndër kohë Jakovi hapi bllokun e shenimeve dhe shkroi shpejt e shpejt fjalë dhe fjali që i interesonin, duke pyetur përsëri:
– -Dhe pas kësaj ngjarje të dhimbshme, beu vazhdoi t’u binte më qafë?
-.Për ca javë beu nuk u ndje, po në mbarim të gushtit, na vjen një lajmëtar nga komunia më një shkresë në dorë, një bazmata, që ua dorëzoi burrave . Me anë të asaj karte të vulosur, si bazmata, nga kryetari i komunes jepej urdhëri që të largoheshim një orë e më parë dhe t’ia linim të lirë oborrin edhe tokën të zotit të çifligut. Po ne, gjene, nuk po luanim, nuk na benin këmbët të lëviznim. Dhe ku do të shkonim?… Ku të mbyteshim…… Ishim shtëpi e madhe me shumë fëmijë të mbetur jetim që nga koha e Gripit Spanjoll. Nuk kaloi dhe shumë kohë dhe në fillim të vjeshtës së parë një mëngjes, u çuditëm kur pamë qehallarët dhe xhandarët, që kishin sjellë me vete edhe ça argatë me shkallë dhe sqeparë.
- Keni shkelur urdhërin e komunës, na thanë. Meqënëse nuk u larguat vetë, po u dëbojmë ne, folën ata si më hakërrim. Vunë shkallet e drunjta nga jashtë dhe urdhëruan argatët që të hipnin lartë e të na hiqnin çatinë. Nuk kishim se çfarë të bënim. Nuk i bihej murit me kokë. Bejlerët e kishin marrë përsëri fuqinë. Kjo u duk qysh kur pazarin e Fierit, që tregëtarët në kohën e Fan Noli e shpunë në Bishanak, bejlerët e hoqën dhe e vunë brenda trojeve të tyre siç pati qenë para Fan Nolit.
– Me lotë në sy ngarkuam qerret dhe kuajtë edhe u nisëm për në Fier. Në fillim na hapi oborrin dhe shtëpinë një mik i Çaçit, Tonç Bufi. Ku u sajuam e qëndruam për javë të tëra.
Po për këtë kohë nuk është për t’u harruar ajo që bëri Nëna e Mdhe, e veja e Petos së vrarë. Atë e quanin Urani, po djemtë e thërrisnin Gjyshe Maja. E vrerosur nga gjëma që na gjeti, ajo, Nëna e Madhe, një ditë nuk e mbajti veten; e ndërkryer nga gjëma e vrasjes dhe e dëbimit , na merr bastunin e të shoqit dhe vendosi të shkonte tek sarajet e beut dhe ta takonte atë dhe t’i fliste sy më sy. “Mos shko tek beu, i thanë djemtë, se ai do të vrasë”. Le të më vrasë, tha, turpi i tij do të jetë. Nuk më dhimbet më jeta. “Çfarë do të ndreqësh tani, o Gjyshe Maja?” E pyesnin çunat. Asgjë, u tha ajo, vetëm do ta nëm sy më sy. Zoti që është lart shikon, mënon, po nuk harron. Tha ato fjalë dhe mori udhen drejt sarajeve. Po djemtë nuk e lanë vetëm. Dikush mori një çfurk druri, dikush çomange gjuetije dhe i shkuan asaj pas. Vajti atëherë Nëna e Madhe dhe trokiti te porta e rëndë. Pas pak, u hap një derë dhe doli qehajai.
- Çfarë kërkon ? – i foli si nëpër dhëmb.
- Dua të takohem me beun , – i tha .
Qehajai atë çast hodhi shikimin nga çunat dhe e pyeti Nënën e Madhe se ç’ donin ata djemtë prapa saj.
- Ata janë në merak se mos rrëzohem unë dhe, po të bie, të më marrin hopa dhe të me shpjenë në shtëpi..
- Do të presësh ca aty, sa të vete dhe të lajmëroj beun, – foli si me inat qehajai , duke mbyllur derën me panxhë.
Më kot po priste Nëna e Madhe t’i hapej dera përsëri. Beu nuk po dukej të zbriste shkallët që të shpinin në oborr. Po, megjithatë, ai doli në ballkonin e katit të dytë dhe iu drejtua prej andej nga lartë Nënës së Madhe, duke shikuar edhe djemtë për rreth saj:
- Për se ke ardhur? Çfarë kërkon?
- Nuk të kërkoj gjë, po jam këtu që të të them se Zoti atje lart, shikon, mënon, po nuk harron. A i sheh këta djem jetim dhe pa strehë? Ja kështu
mbetsh dhe ti o zot, kështu me trastë krahu, që kur të të vërsulen qentë e të rrotullohesh, t’u biesh, të të këputet gjalmi i torbës e të përndahen kotheret e bukës e t’i hanë zagarët![3]
Nëna ime, sado që nuk trembej nga bestytnitë, ajo prap i ruhej ”syrit të keq” dhe mallkimit , prandaj dhe shtoi një ide të saj: “Sot kanë dalë ca djemuri që thonë se nuk ka Zot. Mirëpo ja që mallkimin e Nënës së Madhe të fisit e dëgjoi Zoti. Pas shumë vjetësh, …do ti që beu i humbi çifliqet edhe sarajet. Ngeli si i thonë fjalës me gisht në gojë; dhe ashtu, i pazoti për çdo lloj pune, ai e gjeti më të udhës të lypte.” Dhe për çudinë tone, një herë, Nëna e Madhe, megjithëse qe plakur shumë, sa që ecte me bastun, një ditë pazari, i zunë sytë beun me trastë në dorë duke lypur . Atëherë ajo e la inatin mënjanë, bëri kryq me shikim nga qielli, duke thënë: “Mëshiroje, o Zot, se nuk dua ta shoh më keq” .
Ndër kaq, Jakovi, i tërhequr dhe më shumë nga ngjarja, mori fjalën dhe shtoi nga ana e tij: “Kjo Nëna e Mdhe, a po Gjyshe Maja, më sjell në mendje nje grua tjetër guximtare nga Myzeqeja. Më kujtohet se kur ishja ende i ri, shkoja në avokatinë e Zoi Xoxes, ku lexoja dhe koleksionin e “Gazetës Zyrtare”. Një herë në atë gazetë më zunë syte një njoftim të padëgjuar ndonjëherë. Botohej një thirrje e gjyqit paqtues se ”kërkohej një grua e ve nga fshati Pishë i Levanit të Fierit, grua, e cila, pasi kishte kundërshtuar tagrambledhësin e pat qëlluar atë, dhe ishte larguar në drejtim të paditur, duke marrë me vete edhe fëmijët e saj. Kjo grua e ve quhej Pulie Spiro Pali ….. Që të dyja këto raste tregojnë se edhe gratë e Myzeqesë kanë protestuar kundër dhunës dhe shfrytëzimit.”
Dhe pastaj, pasi bëri këtë krahasim, Jakovi pyeti nënën përsëri:
– Po duke qenë se ishit të strehuar ashtu, në një farë mënyre në Fier, si vendosët edhe erdhët pikërisht këtu, në Shën-Pjetër ? -Shkak për ardhjen tonë këtu në këte vend qe njohja e Çaçit me ca shokë kurbeti qysh nga koha kur ishin ne Amerikë. Ata, me t’u kthyer në Fier nga mërgimi, filluan të merreshin me tregëtira; kishin dhe ortakëri midis tyre dhe u pati ecur ekonomia, kishin bërë prokopi. Dhe këta, ortakët, i thanë Çaçit:”Ti nuk ke fëmijë të rritur, po ke plot nipër; ….nipa që duan punë. Për të ndihmuar fisin tuaj, …a nuk do të ishte mirë të bënim një marrëveshje? Në Shën-Pjetër ne kemi gjetur një shtëpi të madhe dykatëshe, që ka disa dhoma dhe konakë edhe oborr të gjërë. Shtëpia që të mbahet do njerëz, kurse ju doni shtëpi. Vendosuni atje, ku ne duam të bëjmë një si fermë, një si bujqësi alla amerikane, me që atje ka hapesira për kullota. Në këto mera[4] gjysëm kënetore do të rrisim kuaj dhe derra, se i kërkon tregu i jashtëm. “Ne do t’u japim “mall” me“hakë” “për gjysëm”; pra “krerët tona”, kurse “prodhi” në mes. Kjo ide u pëlqye nga të gjithë dhe fisi vendosi të ngulitej këtu, në Shën-Pjëtër..
Ashtu u krijua mundësia që gjithë fisi të grumbullohej tek kjo shtëpi e madhe dykatëshe. Nuk u sqarua atëherë se kush e kishte ndërtuar a po shitur godinën. Vetëm se ne mësuam se këtu ishin trojet e Mingajve , të cilët qenë larguar kohë më parë në Vlorë. Në do të dish, këtu, në këtë truall e në këtë shtëpi ka lindur edhe Jani Minga, për të cilin thonë se u bë njeri shumë i ditur. Për këtë arsye toka jonë dhe sot e kësaj dite quhet “Minga”, ose Arat e Minges .
Kështu, në fillim puna po ecte mirë. Kuajt kishin hapësirë dhe u shtuan e u bënë tufa si gjysëm të egër. Kishin plot mera, hanin truskë dhe çole që nga Vija e Ngjalës në kënetë dhe deri në bëset [5]e Povelçës. Ishte vërtetë një kullotë kënetore, dhe kishte lloj lloj barërash të egra që rriteshin vetiu dhe kuajt i hanin e u bënë si të hasdisur. Kuajt e rinj, mëzenjte, u bënë aq të egër, sa nuk i kapje dot. Ndonjë herë thërriteshin pelarë të zotë ciganë, arixhinj, që ishin mjeshtra për zënien e kuajve të egër. Ata dinin të përdornin leqe të mëdhënj për këtë punë. Në fillim ne gëzonim, sepse na dukej që punët në këtë lloj ferme po ecnin mirë dhe shpresonim se e kishim lënë pas varfërinë. Ditë e natë, gjithë fisi gëzonte; të mëdhenj e të vegjël mendjen dhe sytë i kishin te kafshët dhe gjëja e gjallë, tek bagëtia, se si i thonë asaj fjalës së moçme që gjëja e gjallë të mban gjallë.
Mirëpo kënaqësia jonë se po shpëtonim nga skamja nuk zgjati dhe aq. Përpjekja e
tyxharëve ortakë që të fitonin sa më shumë e të shpenzonin sa më pak, nuk doli për mbarë. Kuajt dhe kafshët e tjera vërtetë u shtuan për disa vjet, se qenë me dimra të butë, nuk pati dëmtime. Mirë po na qëlloi që një vit dimri na doli tmërrsisht i keq. U bënë kallkan gjithë kullotat. Fryjti ajo era e fraqit që vjen nga Elbasani, që të merrte shpirtin. Pushonte fraqi, edhe thoshnim ne se po ikte dimri, po jo, dimri nuk tundej, do të bënte të tijën; fillonte smoreci, një erë edhe më e ftohtë. Në ato netë me acar kuajt donin kasolle, donin çati, donin ushqim, donin tagji .Kështu që në atë dimmër të egër, ca nga mungesa e kasolleve edhe ca nga pa ushqimi kuajt i zuri tartakuti. Mëkat nga zoti, shumica e kuajve ngordhi nëpër mera në mes të cingrimës.
Në ato rrethana tyxharët ortakë e panë të udhës ta prishnin marrëveshjen , të merrnin gjënë e gjallë të tyre, dhe ne, gjithë fisi, të mbeteshim pa bukë e pa dhallë.
- Dhe, si jetuat pastaj? Si e përballuat jëtën? – Pyeti i bërë kurioz Jakovi, që e ndiqte ngjarjen me vëmendje.
- Shpëtimtarja e fisit tonë atëherë u bë kamina….. Shën-Pjëtra nga ana e kënetës është e rrëthuar nga toka shëllirë, kërkërishte, vende trokë, që nuk prodhojnë asnjë gjë. Po këto lloj dherash, ama, kanë një të mirë, se janë argjil e gjallë, argjil e pastër, “tallabak”, që bëjnë një baltë të përsosur për qeramidhe. Im shoq, në atë kohë, gjeti një usta, që bëntë shtëmba balte, po që ishte edhe mjeshtër për kaminë. E solli këtu që t’u mësonte djemëve si të ngrinin kaminë. Brenda një muaj ai ua dha atyre zanatin. Kurse ne nga ana jonë i dhamë një mës peshqesh. Kështu djemtë filluam të prodhojnë mijëra tulla dhe qeramidhe. Me to nxirrnim bukën e gojës. Shkëmbenim mall me mall. Jepnim dy mijë tulla, fjala vjen, për një kuintal misër ose grurë. Ishim të vetmit që ngritëm kaminë në këto anë dhe prandaj nuk na ngeleshin pa shitur Po edhe kjo punë nuk doli për mbarë. Duhej paguar shqopa, lënda djegëse, pa le taksat, që dilnin më shumë se sa fitim. Me një fjalë iknim nga varfëria në varfëri. Ngelëm përsëri, në udhë kryq., si i thonë fjalës.
Kështu e mbylli fjalën nëna atë pas dreke, tek pinim nga dalë filxhanët e kafesë. Lidhur me këto episode si dhe këngën e mësipërme të asj kohe, Jakovi do të shkruante dhe do të komentonte me shokët e kolegët e tij. Siç tregon shkrimtari dhe studjuesi i mirënjohur Prof. Nasho Jorgaqi në librin e vet me kujtime, kur flet për një nga takimet me Jakovin, ai shkruan: “ Kësaj radhe m’u duk krejt ndryshe, gati i ngazëllyer, kur, sapo u ulëm, më tha: “Më në fund, u zgjidh lëmshi. E gjeta ngjarjen maja!” Unë akoma nuk po e kuptoja se për çfarë e kish fjalën konkretisht, sepse vetë togfjalëshi më tingëllonte i paqartë. Vetëm kur më shpjegoi, mora vesh se kish gjetur më në fund ngjarjen që do të lidhte lëndën e mbledhur e do ta ngjizte veprën. Si vjen puna,- më tha,- njoha rastësisht një mësues nga Shën Pjetra. Nuk di në se e njeh, se edhe ai shkruan. Aristotel Mici e quajnë. Më ftoi bile edhe në shtëpinë e tij në fshat, ku u takova me të ëmën.. Ajo ishte një arkiv i gjallë. Këtë e kuptova kur u shtruam në muhabet. Familja e tyre kishte një histori sa dramatike, aq dhe heroike. Ishte historia e një familjeje myzeqare, vrarë e gjakosur me bejlerët, për të cilët këndohet edhe këngë, gjë e rrallë kjo në këto anë, ku shtypja dhe padrejtësia ishte ulur këmbëkryq. Fisi i Micallarëvë është nga Griza, por armiqësia me bejlerët e shpërnguli prej andej dhe i solli në Shën Pjetër. Nuk e ke idenë se sa u gëzova nga gjithësa më treguan. Gati sa n uk thirra :”eureka”[6]
Pjesa e pare (Vijon)
[1] K. Cipo ”Gramatika e Gjuhes Shqipe”, f.271, Tiranë,1949
[2] Fatmir Agalliu (1933-1998) edhe ne fakultetin e gjuhës dhe të letërsisë do të ishte një student i pasionuar pas gramatikës. Kur mbaroi Universitetin, atë e mbajtën pedagog. Me studimet e tij në fushën e gjuhësisë ai arriti të bëhej doktor i shkencave filologjike.
[3] Këto fjalë të Nënës së Madhe Jakovi do t’i vendoste si nje leitmotiv në krye të faqes së parë të romanit “Lumi i Vdekur”.
[4] Fjala “mera” do të thotë kullotë
[5] Bëset, jane kodra me rërë, duna, ose pirgje të formuara nga valët e detit gjat shekujve dikur.
[6] N. Jorgaqi, “Koha e kutimeve”, OMBRA GVG, Tiranë,2011, f..367