Nga Prof. Aleko Miho*
Shumë mirënjohje Shoqatës Kulturore Atdhetare ‘Labëria’ për kujtimin dhe nderimin e Prof. Lekë Gjiknurit. Është një Titull plotësisht i merituar! E them këtë me shumë bindje, dhe në emër të gjithë kolegëve të mi me të cilët profesori ka ndarë një pjesë të mirë të jetës së tij. Faleminderit dhe familjarëve për ftesën për të marrë pjesë në këtë Ceremoni. U ndjeva vërtet shumë i nderuar!
Me Profesorin u njoha herët, në vitet 1980-të, kur isha student në Universitetin e Romës. Ai erdhi për shkëmbim përvoje për disa muaj, bashkë me kolegun tjetër të Biologjisë, Profesor Stefo Kongjikën. Ku më shumë se jashtë shetit mund të njohësh jo vetëm intelektin, por dhe gjithë karakterin e një njeriu! Profesori dallohesh si shumë kërkues, për të marrë gjithshka që ishte e mundur për mëkëmbjen e degës së varfër të Biologjisë, të Muzeut të Shkencave, për programet mësimore, për mbledhjen e literaturës dhe shumë përvoja të tjera. Ishte i madh, dua të them shumë i rëndë, fondi i literaturës shkencore (libra, artikuj etj.), që Profesori transportoi për në Shqipëri në atë kohë. Më pas ajo nuk i vlejti vetëm atij në punën mësimore dhe kërkimore, por shumë kolegëve të tjerë, dhe sidomos shumë të rinjve. Por jo vetëm kaq, Profesori dallohej për ndershmëri të pashoqe, por edhe si njeri shumë i drejtpërdrejtë, shumë i hapur, dhe shumë kritik ndaj sjelljeve dhe dukurive që nuk shkonin, jo vetëm mes nesh, por sidomos në një sistem tjetër nga ai i yni në Shqipëri.
Pas vitit 1985, kur unë fillova punë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës kemi ndjekur thuajse një rrugëtim të përbashkët deri në çastet e fundit të Jetës së Tij. Na bashkonte objekti ynë kërkimor i vlerësimit të biodiversitetit ujor, unë nga ana botanike dhe Profesori nga ana zoologjike. Por jo vetëm, na bashkonin edhe bindjet dhe dëshira e përbashkët për progresin e Biologjisë, si në mësimdhënie dhe në kërkim, por jo vetëm kaq edhe në mbrojtjen e natyrës dhe cilësisë së mjedisit. Sa për grishje, nuk mund të mos përmend këtu përpjekjet pafund të Profesorit, për të penguar planet e asaj kohe për të përdorur për vaditje ujërat e Liqenit të Madh të PK të Lurës. Guxoi dhe shkoi për këtë deri te KM i kohës, Adil Çarçani, dhe ja mundi. Ky plan djallëzor nuk u zbatua! Për ironinë e kohës që vijoi më pas, ky ujë në të njëjtin kanal të shëmtuar të asaj kohe, përdoret sot për dy HEC-et e vegjël që u ndërtuan pak vite më parë në Fushë Lurë, duke sfiduar gjithë kërkesat ekologjike të funksionit të këtij Parku elitar për gjithë Ballkanin!
Profesori ishte një shkencëtar i vërtetë, me shumë integritet, shumë i apasionuar dhe shumë luftarak në përmbushjen e objektivave në mësimdhënie, në kërkim dhe në veprimtarinë shoqërore. Një burim i vërtetë frymëzimi dhe inkurajimi edhe për shumë nga ne të rinjtë në atë kohë. Ishte njohës i mirë i botës invertebrore të gjithë bregdetit shqiptar. Ajo që sot dihet për ekinodermatët e gjithë bregdetit vjen nga gjetjet e Profesorit. Ishte një punë jo e lehtë, por e mundshme për një person që vinte nga Bregu, i cili ishte edhe një zhytës i shkëlqyer. Ishte ndër të parët që ka bërë kërkime në det, madje dhe filmimet e para të botës nënujore detare shqiptare. Një pjesë e mirë e fondit që ka sot Muzeu i Shkencave të Natyrës, duke filluar nga skeleti i balenës, peshqve, ekinodermatëve, shpendëve, insekteve etj. janë kontribut i drejtëpërdrejtë i profesorit dhe kolegëve të tij të asaj kohe.
Te Profesori gërshetohej përvoja lindore në mësimdhënie si ish student në Bullgari, me atë perëndimore nga vizitat e shumta në Perëndim. Por edhe gjeneza e tij familjare, si biri i një mësuesi, gjithashtu, shumë të nderuar për mua që kam patur fatin ta njihja nga afër. Profesori ishte edhe një lektor i shkëlqyer i zoologjisë. Ta kishte ënda t’i dëgjoje ligjëratat me studentët apo në takime të ndryshme shkencore. Ishte shumë kërkues në mësimdhënie. Studentët vërtet e kishin frikë kur dilnin para tij në provim, por edhe e admironin shumë njëkohësisht. Shumë nga bazat e programeve të Biologjisë sot, të laboratorëve dhe praktikave në terren janë padiskutim falë përpjekjeve të profesor Lekës dhe kolegëve të asaj kohe. Falë përpjekjeve të Profesorit u hap në atë kohë dega 5-vjeçare e Biologjisë. Shumë nga këta të diplomuar të asaj kohe janë sot ekspertë plot autoritet në poste të ndryshme me rëndësi për vendin. U themelua drejtimi kërkimor i Hidrobiologjisë, dhe lënda përkatëse me studentët. Profesori ishte hartues i teksteve mësimore shumë të mira, si për Zoologjinë Invertebrore, Biologjinë e Përgjithshme, Hidrobiologjinë, por dhe disa teksteve me karakater informues dhe ndërgjegjësues për arsimin parauniversitar. Disa prej tyre u përdorën në hapësirën mbarëshqiptare edhe shumë vite më vonë që Profesori u nda nga jeta. Për natyrën humane të tij dhe tonën dua të rrëfej këtu se në ato vite na është dashur të mblidhemi të grupuar në javët e edukimit ushtarak. Profesori binte në sy për shkeljen e kërkesave për uniformën, por ne e mbajmë mend me mall për gjallërinë që u jepte pasditeve kulturore-artistike me studentët në repartin e Mamurrasit.
Pas viteve 1990-të, ndryshimi i sistemit pati shumë pështjellime në gjithë hallkat e zhvillimit të vendit, përfshirë dhe arsimin e lartë, dhe të gjithë shoqërinë në përgjithësi. Mbetet admirues qëndrimi i patundur i Profesorit në këto trazira të asaj kohe, si në ndjekjen me konsekuencë të mësimit, por edhe në gjithë karakterin e tij luftarak dhe qytetar në mbrojtje të mjedisit dhe pasurive të natyrës. Për hir të vërtetës pasuritë tona natyrore pas ndryshimit të sistemit mbetën të pambrojtura, nën egërsinë e më të fortit, kjo për pyjet, për bregdetin, për zonat e mbrojtura, dhe sidomos për botën e egër të tyre. Me Profesorin në krye, pas viteve 1990-të themeluam menjëherë shoqatën ‘Për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri’. Profesor Leka mbeti Kryetar i Komitetit Drejtues thuajse deri në fund të jetës. E famshmja PPNEA, e cila vazhdon të jetë edhe sot si qendër mjedisore, në atë kohë ishte vërtetë një front i gjerë ekspertësh universitarë dhe më gjerë, plot dëshirë dhe pasion për të bërë ç’është e mundur për të ruajtur vlerat e natyrës sonë dhe botën e gjallë në to nga babëzia e tranzicionit. Si sekretar i asaj shoqate kam shpërndarë me dhjetra e dhjetra dëshmi anëtarësimi, thjesht sa për të treguar atmosferën e atyre viteve. Sëbashku me Profesorin kemi marrë pjesë në shumë veprimtari ndërgjegjësimi, ekspertizë mjedisore, dhe veprime konkrete në funksion të mbrojtjes së natyrës, institucionalizimit të saj nga vendimmarrja, plotësimin me ligjshmërinë e duhur etj. Sot ka shumë qendra mjedisore aktive, por të gjitha sëbashku nuk kanë forcën e Shoqatës sonë të atyre viteve, dhe për hir të së vërtetës shumë pak u dëgjohet zëri edhe nga vendimmarrja sot!
Ja një shembull: Në ato vite kemi ndërmarrë shumë vizita sëbashku me Profesorin dhe shumë kolegë të tjerë, vendas dhe të huaj për të mbledhur të dhënat e duhura për shpalljen e mbrojtjes së rajonit të Ohër-Prespës, një tjetër zonë elitare ballkanike e vendit tonë. Parku Ndërkombëtar i Prespës, Pejizazhi i Mbrojtur i Pogradecit, njëkohësisht dhe Rezervë e Biosferës, janë arritje të përpjekjeve të atyre viteve. Kjo punë u bë më pas shëmbull edhe për vlerësimin dhe shpalljen e shumë ZM-ve të tjera në vend (Divjakë-Karavasta, Shkodër-Bunë-Velipojë, Kune-Vain, Butrint-Ksamil, Hotovë-Dangëlli, Vjosë-Nartë, Sazan-Karaburun etj.). Dhe të më besoni që në atë kohë të udhëtoje nëpër zona të tilla kishte shumë aventurë brenda, duke filluar nga rrugët e këqia, te hotelet dhe restorantet tepër modeste, shto dhe marrinë e 1997-ës. Në ato vite, por dhe në shumë vite të punës sonë të përbashkët në terren me kolegë dhe studentë na është dashur, p.sh. të shtyjmë makinën nëpër ngricën e Qafë Thanës dhe të Galiçiçës, të ndajmë bashkë dhomat e fjetjes në Korçë, Pogradec, Sarandë, Vlorë, Divjakë etj., të djersijmë, por dhe të shijojmë njëkohësisht.
Profesori ishte njeri i terrenit, por dhe shumë i gjallë dhe shumë dinjitoz, edhe në marrdhëniet me të huajt. Ishte me shumë kurajo në përdorimin e gjuhës së huaj, në prezantime në ngjarje ndërkombëtare, në njohjen dhe mbështetjen për anëtarësimin e Shqipërisë pak të njohur në shumë organizma mjedisore ndërkombëtare. Në gjithë veprimtarinë e tij ishte shumë aktiv dhe në politikën e vendit, gjithmonë konsekuent me të majtën, por gjithmonë kritik ndaj asaj që nuk shkonte, majtas dhe djathas politikës. Në vitet e fundit të jetës ne e kemi ende të gjallë qasjen e tij kritike si Kryetar i Grupit Parlamentar për çështjet e mjedisit. Ishte një sjellje shumë inkurajuese dhe shpresëdhënëse edhe për ne kolegët e tjerë të tij jo të angazhuar në politikë. Edhe këtu dua të ndaj sot ndjesinë time se Profesori nuk do ndjehej fort mirë me atë që ndodhi më pas me natyrën shqiptare, me prerjen në masë të pyjeve, me shfrytëzimin e paskrupullt të bregdetit, me pushtimin e tokës së bukës, me urbanizmin dhe betonimin e skajshëm të qyteteve tona, me ndërtimet brenda zonave të mbrojtura, resorte, HEC-e etj.; me siguri nuk do ndjehej fort mirë me HEC-et e Valbonës, të Kurorës së Lurës, etj.
Mund të vazhdoja të flisja gjatë për këtë Koleg të nderuar, idhull diturie, shprese, guximi dhe qytetarie, jo vetëm për ne si kolegë në universitet, por për breza të tërë studentësh që kanë kaluar nga dora e tij. Këtë vit mbushen dy dekada që nuk është mes nesh, nga ndarja e parakohshme. Na mungon jo vetëm neve, familjes, por gjithë shoqërisë sonë! Qoftë i paharruar kujtimi dhe vepra Tij! Gjithmonë uroj që të gjithë ne dhe vetë forca politike që Profesori përfaqësonte ta kenë si burim frymëzimi për sjelljen sot ndaj natyrës dhe burimeve natyrore! Edhe një herë dua të felenderoj organizatorët për këtë gjest qytetar, dhe me këtë rast t’i uroj Bashkëshortes së Profesorit ‘Jetë të Gjatë!’, dhe gjithë familjarëve, të dashurve dhe gjithë të pranishmve në Ceremoninë në Vlorë jetë dhe shëndet!
*Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. e-mail: aleko.miho@fshn.edu.al