Një bandë e trafikimit ndërkombëtar të kanabisit dhe heroinës është shkatërruar nga policia greke. Media fqinje teksa bëjnë të ditur se lënda narkotike vinte nga Shqipëria, raportojnë se 8 anëtarët e kësaj bande janë identifikuar, ndërkohë që 3 prej tyre po mbahen në qendrat e paraburgimit.
Po ashtu thuhet se vlera e sekuestruar nga policia është rreth 300,000 euro. Mediat greke bëjnë të ditur se drejtuesi i këtij rrjeti ishte një shqiptar, i cili siguronte drogën në vendlindje dhe koordinonte transportin e saj drejt Greqisë. Ndërkohë, 5 shqiptarë të tjerë merreshin më transportin dhe importimin e ngarkesës në territorin grek. Policia bëri me dije se pjesë e grupit në fjalë ishte dhe një grua shqiptare dhe një greke. Hetimi për këtë grup trafiku nisën më 18 mars kur u ndalua një prej anëtarëve të kësaj bande.
Mësohet se në sediljen e automjetit të tij u gjet një paketë kërpi e papërpunuar që peshonte një kilogram e 100 gramë, ndërsa në shtëpi iu konfiskuan kanabis i papërpunuar me peshë 750 gram, 32 pilula droge dhe një peshore elektronike. Një anëtar tjetër i organizatës u arrestua më 24 mars, ndërsa në makinën e tij u gjetën 16 pako heroinë që peshonin gjithsej 8 kilogramë dhe 13 pako kërp të papërpunuar që peshonin gjithsej 13 kilogramë e 950 gramë.
/b.h











