Një automjet për çdo dy shqiptarë… me popullsinë nga njëra anë në tkurrje dhe importin e makinave në zgjerim, raporti po shkon drejt barazimit. Në një kohë që numri i automjeteve që lëvizin në rrugët e vendit po arrin në 1.1 milionë, importet nuk po kanë të ndalur. Vetëm në tre muajt e parë të vitit u sollën nga jashtë mbi 22 mijë automjete, niveli më i lartë i shënuar ndonjëherë.
“Gjatë muajve të parë të vitit kemi vënë re një kërkesë të qëndrueshme dhe në rritje për automjete të importuara, kryesisht të përdorura. Kjo lidhet si me nevojën për mjete më të përballueshme për qytetarët, ashtu edhe me zgjerimin e ofertës nga tregjet ndërkombëtare, të cilat po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme për importuesit shqiptarë.”, tha Ardis Biba, importues automjetesh.
Gati 9 mijë kilometra distancë gjeografike, një treg aspak tradicional referuar historisë… sot Korea e Jugut është kthyer në burimin kryesor nga ku shqiptarët importojnë makina. Shteti në Azinë Lindore renditet i pari, duke lënë pas edhe Italinë, Gjermaninë, Kinën apo Zvicrën në drejtim të importeve të automjeteve. Deri në fund të marsit, prej andej u sollën dhe u regjistruan 5 mijë e 312 makina.
“Një zhvillim interesant është zhvendosja e burimeve nga tregjet tradicionale drejt vendeve që më parë nuk kanë qenë shumë të pranishme në këtë sektor. Kjo tregon një diversifikim të furnizimit dhe një përshtatje të tregut me çmimet dhe kushtet që ofrojnë këto vende.”, tha Biba.
Të dhënat nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor tregojnë se pjesa më e madhe e automjeteve të importuara në harkun janar–mars ishin “Volkswagen”, ndjekur nga “Mercedes-Benz”, “Audi”, “BYD” dhe “Hyundai”. Më pas renditen marka si “Toyota”, “Ford”, “BMW”, “Opel”, “Hyundai” dhe “Fiat”.
“Po ashtu, zgjedhjet e konsumatorëve po orientohen gjithnjë e më shumë drejt makinave që ofrojnë ekonomi në përdorim, duke marrë parasysh jo vetëm çmimin e blerjes, por edhe kostot e mirëmbajtjes dhe sidomos konsumin e karburantit në një periudhë kur çmimet mbeten të ndjeshme.”, tha Biba.
Të dhënat tregojnë se 87 për qind e makinave që u regjistruan për herë të parë në janar–mars ishin me naftë, benzinë apo gaz, çmimi i të cilave u shtrenjtua ndjeshëm në mars.











