Nga Ilva Tare/
Në 21 Janar të vitit 2011 kam qenë duke komentuar drejtpërsëdrejti në Ora Neës, për aq sa mund të shihej nga pamjet filmike ngjarjet dramatike të zhvilluara në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, ku u vrarë katër qytetarë dhe u plagosën dhjetra të tjerë, mes tyre edhe policë. Në ato momente paqartësia e dinamikës së ngjarjeve në raportimet mediatike ishte e justifikuar. Pesë vjet më pas pafuqia për të ndëshkuar përgjegjësit e vërtetë është e pafalshme.
Në këto pesë vite familjarët kanë kërkuar drejtësi. Partitë kanë qëndruar në llogoret e tyre duke u mbrojtur politikisht. Ndësa drejtësia ka bërë atë që bën më mirë një sistem i korruptuar dhe deformuar qëllimisht. Dënon, amniston, shtyn afatet, nuk gjykon ose më keq akoma nuk vepron fare. Të gjitha këto ndodhin teksa pritet të reformohet drejtësia, po nga e njëjta elitë politike që e ka emëruar dhe përdorur trupën përbërëse të saj.
Pesë vjet më pas opozita është në pushtet por deklarohet ende si e pafuqishme për të garantuar drejtësidhënien për katër viktimat e 21 Janarit. Partia e atëhershme në pushtet sot në opozitë, vazhdon të akuzojë për grusht shteti organizatorët e protestës, pa kërkuar të paktën falje për të vrarët dhe familjet e tyre, pasi ndëshkimin penal duhet ta kishte bërë drejtësia.
Shqiptarët trajtohen sërish si spektatorë të një teatri absurd, të cilët ndjehën të atrofizuar për shkak të keqpërdorimit të udhëheqësve të tyre. Shija e hidhur e nëpërkëmbjes së dinjitetit qytetar në këtë vend është përforcuar me kalimin e viteve. Të qëndruarit në vendnumëro, pa shpresë dhe pa besim tek e ardhmja e ka kthyer Shqipërinë në vendin ku kronikat televizive mund të transmetohen të pandryshuara vit pas viti. Ngjarjet, aktorët, faktorët dhe viktimat janë të njëjtët.
Ky është fati I shqiptarëve, pasi vendet e tjera të rajonit janë disa hapa më përpara në shtetbërje, në demokracinë funksionale dhe në integrimin europian. Ndjesia se në këtë vend nuk janë pengmarrë vetëm reformat, por edhe ardhmja është ulëritëse. Porse edhe sot, ulëritësit nuk ishin të prekurit e drejtpërdrejtë nga ky fat i keq.
Pesë vjet më parë, e tronditur nga kthimi I Shqipërisë në lajmet e para të titujve botërore për një tjetër ngjarje dramatike, rendisja arsyet përse qytetarët e këtij vendi nuk e meritonin atë fat. Pesë vjet më pas arsyet janë të njëjtat që nga kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme, nevoja për drejtësi, beteja kundër konrrupsionit dhe shpresa për ndëshkueshmëri.