Intervistë me z. Ilir Çumani, Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë
– Vetëvrasjet në radhët e intelektualëve. Sa ndikon shoqëria apo mjedisi social?
Është një pyetje interesante që kërkon një analizë dhe debat të gjerë të natyrës socio – psiko – politike. Përse e them këtë!? Ngase, në pjesën më të madhe të rasteve, vetëvrasjet nuk mund të lidhen vetëm me faktorin social – ekonomik, por, edhe me atë politik, që në fakt, në shoqëritë e hapura dhe fluide, janë burimi dhe shkaku kryesor që e gjeneron këtë fenomen kaq të përhapur në kohët moderne. Sot, më shumë se kurrë, ankthi dhe pasiguria tek njerëzit është gjithmonë prezent dhe në shifra alarmante. Dihet se, pjesa më e ndjeshme e çdo shoqërie është shtresa e intelektualëve. Ajo e qëmton në substancë realitetin. Intelektualët, zhvillimin e një vendi e përjetojnë në mënyrë të qënësishme dhe analitike, plot nerv e racionalitet, vëzhgojnë në detaj çdo ndryshim pozitiv ose negativ, çdo fazë të rëndësishme të transformit shoqëror, kulturor, social dhe politik që në fund të fundit, të gjitha këto lidhen pazgjidhshmërisht me fatin e individit si qënie humane. Ndryshimet e gjithëanshme që ka përjetuar dhe përjeton shoqëria shqiptare në këtë periudhë të tejzgjatur të një tranzicioni kaotik, të shoqëruara me kriza të ricikluara që ende nuk po i dihet fundi, padyshim sollën pasoja të rënda sociale e psikologjike, me natyrë traumatike dhe kosto të lartë edhe për shtresën e intelektualëve. Ngase ata ishin viktima të pa imunizuara në këtë tranzicion allashqiptar, në betejën për të mbijetuar, në përpjekje për t’u përshtatur me këto ndryshme dhe për të gjetur veveten përmes profesioneve të tyre në realitetin e ri që ndante dy epoka: periudhën e ekonomisë së centralizuar me atë të tregut të lirë. Në këtë garë marramëndëse dhe të egër, pa rregulla loje, ku vendin e vlerave e zunë antivlerat dhe etja për pushtet e para, të parët që u përballën me refuzimin dhe përjashtimin social, me argumentin fyes si të “dalë jashtë mode”, ishin dhe janë intelektualët. Shumë prej tyre mbetën të papunë. Një pjesë e mirë emigruan për të mbijetuar. Padyshim, ky refuzim dhe mungesa e vëmëndjes e strukturave shtetërore, e politikës në veçanti, për ta mbështetur inteligjencën e vendit, e çoi një pjesë të saj në rrugë pa krye, drejt një stigme dhe margjinalizimi pa kthim. Mes veprimit dhe mosveprimit, mundësisë dhe pamundësisë, shumë intelektualë u gjendën në një rreth vicioz, në një konflikt të vazhdueshëm me vetveten, duke rënë pre e një depresioni kolektiv me pasoja të rënda dhe të parikuperueshme. Intelektualët janë pjesa më e vetëdijshme, më kreative, më e ndjeshme e një shoqërie. Ata kurrë nuk mund të pajtohen me dështimin, nuk mund të pranojnë neglizhimin dhe fyerjen. Të frustuar nga mjedisi i pavaforshëm shoqëror dhe nga mungesa e solidaritetit social, të prekur nga sindromi ankthioz për pasigurinë e së nesërmes, në disa raste, ata e mendojnë veten se janë pjesë e “tepërt” e shoqërisë, të “padobishëm” për vendin e tyre. Në këto rrethana, ndjehen të fyer, të poshtëruar dhe të pashpresë. Ata që janë më të dobët viktimizohen kollaj, e kanë më të lehtë ti drejtohen aktit ekstrem të vetvrasjes, duke menduar se kështu e kanë gjetur “varkën” e shpëtimit për të dalë nga situata dëshpëruese në të cilën ata ndodhen. Arsyet e vetëvrasjeve janë nga më të ndryshme. Shoqëria…? Po! Edhe ajo ka një pjesë të rëndësishme të përgjegjësisë, përmes modeleve që ofron në marëdhënie dhe socializimin me njëri – tjetrin. Sigurisht, mjedisi social ndikon shumë në modelimin ose jo të një marëdhënie të shëndoshë besimi, inkurajimi, optimizmi dhe mbështetjeje. Shpesh, njerëzit ballafaqohen me situata të vështira, që në dukje çmohen si të pazgjidhshme, të pakapërcyeshme. Këta individë, mbartin në vetvete probleme dhe drama të ndryshme njerëzore. Dikush vuan nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, një tjetër ka një konlikt të rëndë brenda familjes, një marëdhënie zhgënjimi dashurie… Një tjetër vuan dhimbjen e ndarjes nga jeta me njeriun më të dashur, apo humbjen e vendit të punës, etj. Në të tilla raste, për t’i lehtësuar sa më shumë këta njerëz që vuajnë brenda qënies së tyre, të gjithë së bashku duhet të përpiqemi që t’ju krijojmë një mikromjedis “terapeutik” psikosocial të favorshëm. Për këtë arsye, lypset domosdoshmërisht të funksionojnë mekanizmat e vullnetarizmit dhe të solidaritetit social, që synojnë normalizimin, përfshirjen dhe socializimin e tyre në mënyrë aktive dhe të shëndetshme në jetën komunitare. Mirëpo, në një klimë turravrapi për të kapur ritmin e kohës, ai, njeriu i “ndjeshëm solidar”, i përfshirë në jetën sociale kolektive të shoqërisë së dikurshme barazitiste, sot ka pësuar një metamorfozë të çuditshme socio – antropologjike, si në sjellje, ashtu edhe në marëdhënie e në veprime. Është bërë gjithmonë edhe më i padukshëm, i ftohtë, i pandjeshëm, individualist, egoist, ziliqarë, arrogant, zullumqar, hipokrit, intrigant, i pangopur, manjak, e ku ta di se çfarë… E nëse këta individë të dëshpëruar, nuk gjejnë në atë mikromjedisin e tyre social vëmëndjen e duhur, mbështetjen e nevojshme, solidaritetin, inkurajimin, por, përkundrazi, përballen në mënyrë të pamëshirëshme me paragjykime, thashetheme, fyerje, përbuzje, indiferentizmin dhe me përjashtimin social në kurriz të dinjitetit të tyre, atëherë të mos çuditemi kur dëgjojmë se “ai” apo “ajo” vrau veten. Në këtë kontekst, me bindje të plotë mund të them se, nuk kemi të bëjmë me vetëvrasje, por me vrasje. Këta njerëz fatkeq, janë viktima të pafajshëm të mjedisit ku jetojnë dhe asesi nuk dëshirojnë që të vrasin veten. Ata dëshmojnë me gjestin e tyre atë që ne si shoqëri bëjmë çdo ditë e çdo çast kundër jetës së tyre. Vrasësit e vërtetë jemi ne, dhe jo ata.
– Hipokrizia, të flasësh mirë për dikë, pas vdekjes, kur në fakt opinioni njeh të kundërtën e atij raporti? Çfarë ju vjen të thoni për kësi rastesh, që në çdo shoqëri ndodh besoj?
Ne shqiptarët jemi një komb i çudishëm. Jemi njerëz me sjellje të ekstremeve të mëdha. Shajmë shumë dhe lavdërojmë shumë. Duhemi shumë, por, edhe urrehemi për vdekje. E nxjerrim fjalën e mirë dhe të keqe nga goja pa limit, pa patur asnjë lloj kriteri të vlerësimit objektiv. Por, të flasësh “mirë” për dikë që sapo ka ndërruar jetë, kur në fakt, sa ka qenë gjallë nuk ke lënë baltë pa hedhur mbi të, duke e shpërndarë këtë baltë gjithandej, më fal por, e gjitha kjo është një marrëzi, është kulmi i hipokrizisë dhe i ligësisë që mund të ketë ai person që vetëm emrin NJERI nuk e meriton ta ketë. Në jetën tonë të përditshme, i ndeshim jo pak raste të kësaj natyre. Kur përballesh me situata të tilla hipokrizie që kthehen në tragjikomike, nuk të mbetet gjë tjetër veçse të thuash se, duhet të ngushëllohemi me vetveten, të ngrejmë kokën lartë në qiell dhe ti lutemi Zotit që të na mbaj sa më larg frymorëve të tillë, si në jetën tokësore, ashtu edhe në atë qiellore. Me këtë rast, më lejoni t’ju kujtoj këtyre personave disa vargje shumë kuptimplote, por, edhe filozofike të Dritëro Agollit, kur shkruan:
Kujdes me fjalën zonjëz me çantë,/Kujdes me fjalën dhe ti zotëri…/ Pushteti i fjalës është i veçantë,/ Gatuan male dhe kakërdhi. /Me fjalën rrjedhin përrenj me mjaltë,/ Pikojnë çezma me helm të zi,/ Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë,/ Kujdes me fjalën edhe ti zotëri! /Nga fjala humbën Judë e Pilatë,/ Strategë e mbretër me mbretëri,/ Kujdes me fjalën zonjëz me çantë,/ Kujdes me fjalën edhe ti zotëri./ Kur fjala nxirret nga buzët jashtë,/ Si dallëndyshja s’vjen në shtëpi./ Kujdes me fjalën, zonjëz me çantë,/ Kujdes me fjalën edhe ti zotëri…!
– Rasti i shkrimtares dhe gazetares në profesion, Arlinda Canaj la t’i nënkuptoje këto rrethana. Çfarë i mungon ende shoqërisë sonë për të qenë më e hapur në mendimet e saj?
Ç’farë i mungon shoqërisë…!? Po e them shkurt: Kemi defiçite të mëdha të vlerave humane. Kemi shterrim e tharje të idealeve dhe aspiratave njerëzore. Shoqëria jonë ka një nevojë të ngutshme sot. Ajo duhet të ndërrmarë një aksion të madh mbarëkombëtar për humanizimin e vetvetes. Kjo është një një imperativ që vjen si një kërkesë e kohës. Padyshim, rasti fatkeq i Arlindës, sinjifikon në mënyrën më shembullore dhe autentike ato çka thashë më sipër. Vetë Arlinda ishte viktima e radhës e mjedisit ku jetoi në një shoqëri të denatyruar dhe artifice nga pikpamja humane, e varfëruar nga hierakia e vlerave dhe aspiratave që duhet të mbarti një shoqëri e civilizuar. Me Arlindën kam patur një miqësi prej 30 vitesh, qysh nga koha kur ajo studionte për gazetari në Universitetin e Tiranës. Punoi disa kohë si kryeredaktore e revistës “Integrim”, botim i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. E them me bindje të plotë se, asnjëherë në jetën time nuk kam ndeshur një njeri ku të bashkohen të gjitha cilësitë e mira dhe vyrtytet e larta njerëzore. Në karakterin e saj të butë dhe të brishtë flinte një mirësi e dëlirë, përtej limiteve që ka një qënie humane. E them këtë, sepse edhe kur ajo përballej jo rrallë herë me individë të paskrupull, destruktiv e ziliqar që xhelozoheshin nga talenti i saj, edhe kur e pengonin dhe e dëmtonin pafundësisht në përpjekjen e saj për mbijetesë, Arlinda kurrë nuk u përgjigj me të njëjta mjete. Përkundrazi! Edhe pse i përkiste besimit musliman, ajo me një përulësi kristiane i mëshironte dhe i falte mëkatarët e saj duke e mbajtur veten gjithmonë në paqe. Ishte një intelektuale e kualitetit të lartë, një krijuese e talentuar dhe plotë sqimë, që punoi me mish e me shpirt si gazetare dhe shkrimtare me një mision dhe qëllim të lartë fisnik, për një shoqëri më të drejtë, më humane, më të përparuar. Luftoi me stoicizëm, herë me punë dhe herë pa punë, duke u përballë si grua për të drejtat e saj me një shoqëri egoiste e maskiliste, kundër dhunës së vajzave dhe grave të nëpërkëmbura. U përpoq e vetme në sfidën e saj mëmësore në luftë me mbijetesën, për të nxjerrë me djersë dhe me ndershmëri bukën e gojës, duke u përkujdesur në mirërritjen dhe edukimin e dy fëmijëve të saj të mrekullueshëm. Të gjitha betejat i bëri e vetme, pa patur ndihmën e askujt, pa kërkuar ndihmën e askujt, larg syrit dhe vëmëndjes të të gjithëve, ngase nuk e pëlqente mëshirën, nuk i pëlqente qarramanët. Askush nuk e morri vesh se ç’farë dhimbjesh përjetonte në jetën e saj ajo grua e mirë dhe e mençur, ç’farë brengash morri me vete pa fjalë dhe pa zë…!? Por, një gjë e di me siguri: ne, të gjallët e përkohëshëm, shokët dhe miqtë e saj, nëse do të ishim treguar më pak egoistë, më pak indiferentë ndaj saj duke i ofruar pak, fare pak vëmëndje e ngrohtësi, mesiguri ajo do t’ia dilte. Po, Arlinda do t’ia dilte…/b.an/javanews.al