Ish-ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj ka reaguar publikisht pas vendimit të Gjykatës për të mos qëndruar në të ashtuquajturin “kafaz sigurie” gjatë seancave gjyqësore, duke e cilësuar këtë vendim si një hap të rëndësishëm për garantimin e një procesi të rregullt ligjor.
Në deklaratën e tij, Beqaj thekson se siguria në gjykatë është e domosdoshme, por nuk mund të përdoret si arsye për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes dhe komunikimin efektiv me avokatin, duke ngritur shqetësime mbi cenimin e parimit të “barazisë së armëve” në procesin penal.
DEKLARATA:
Në cilësinë e përfaqësuesit të Z. Ilir Beqaj dhe me porosi të tij, më poshtë deklarata e tij publike:
Vendimi i sotëm i Gjykatës që unë, në procedimin penal për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikale, të mos qëndroj në “kafazin e sigurisë” por në sallën e gjyqit, ka një rëndësi që shkon përtej interesit tim vetjak në lidhje me çështjen.
Ky vendim rikujton një parim elementar: atë që në sallën e gjyqit autoriteti vendimmarrës është Gjykata. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe çdo strukturë tjetër sigurie kanë vetëm detyrimin që të zbatojnë vendimet e Gjykatës.
Siguria në gjykatë është e nevojshme. Por siguria nuk mund të përdoret si arsye automatike për të kufizuar të drejtën e mbrojtjes, komunikimin me avokatin dhe pjesëmarrjen reale në proces.
Deklarimet e disa prokurorëve se qëndrimi në kafaz sigurie “nuk pengon mbrojtjen efektive” bien ndesh me realitetin praktik. Mbrojtja efektive nuk bëhet me leje të avokatit për t’u afruar tek xhami dhe për të komunikuar pak minuta, nuk bëhet me komunikim të ndërprerë, nuk bëhet as me distancë fizike, me pengesa akustike dhe vizuale, apo përmes një dritareje të vogël (60 cm me 20 cm) që nuk mundëson konsultim normal dhe konfidencial.
Pamjet flasin vetë. Komunikimi real mes avokatit dhe të pandehurit ndodh zakonisht para fillimit të seancës ose gjatë pushimeve. Gjatë seancës, çdo ndërhyrje, sqarim apo konsultim i menjëhershëm bëhet i vështirë, i varur nga leja e gjykatës dhe jo nga nevoja e mbrojtjes.
Në një proces penal, i akuzuari nuk është spektator pas xhamit apo pas hekurave. Ai është subjekt procedural. Ka të drejtë të dëgjojë, të kuptojë, të reagojë, të këshillohet me mbrojtësin dhe të marrë pjesë në mënyrë reale në gjykimin që zhvillohet ndaj tij.
Barazia e armëve nuk është formulë teorike. Ajo matet në sallën e gjyqit. A ka mbrojtja mundësi reale të veprojë në të njëjtat kushte procedurale me akuzën? Nëse prokurori komunikon lirshëm me dosjen, kolegët dhe argumentin e tij, ndërsa i akuzuari dhe avokati komunikojnë me pengesa fizike e procedurale, atëherë barazia e armëve cenohet.
Prandaj vendimi i Gjykatës është mëse i drejtë dhe shumë i rëndësishëm. Ai nuk është privilegj. Është zbatim i standardeve të procesit të rregullt ligjor, i së drejtës për mbrojtje efektive dhe i parimit se çdo masë sigurie duhet të jetë e domosdoshme, proporcionale dhe e motivuar konkretisht.
Siguria nuk mund të jetë fasadë për kufizimin e mbrojtjes. Dhe kafazi nuk duhet të jetë normalitet procedural.