Ndërprerjet në furnizimet me naftë nga Lindja e Mesme pritet të intensifikohen gjatë muajit prill dhe të fillojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë evropiane. Paralajmërimi vjen nga kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), Fatih Birol.
Sipas tij, mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka kufizuar ndjeshëm furnizimet globale me energji, ndërsa më shumë se 12 milionë fuçi naftë janë humbur që nga fillimi i konfliktit SHBA-Izrael me Iranin. Kjo situatë është përkeqësuar nga sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe kufizimet në transportin detar në rajon.
Birol theksoi se humbjet e naftës gjatë prillit pritet të jenë dy herë më të larta se në mars, ndërsa paralelisht po ndikohet edhe furnizimi me Gaz Natyror të Lëngshëm (LNG).
“Kjo do të reflektohet përmes rritjes së inflacionit dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike në shumë vende,” u shpreh ai gjatë një podcasti me Nikolai Tangen, kreun e fondit sovran të pasurisë së Norvegjisë.
Ndikimi do të shtrihet në Evropë
Sipas IEA-s, efektet e krizës janë ndjerë fillimisht në vendet aziatike, por shumë shpejt pritet të përfshijnë edhe Evropën. Kjo për shkak se një pjesë e furnizimeve të mbërritura në mars ishin kontraktuar para përshkallëzimit të konfliktit.
“Po e shohim këtë në Azi, por shumë shpejt, në prill ose maj, do të vijë edhe në Evropë,” paralajmëroi Birol.
Problemet më të mëdha lidhen me mungesën e karburantit për avionë dhe naftës, të cilat konsiderohen thelbësore për ekonominë dhe transportin.
Masa emergjente dhe paralajmërim për krizë të thellë
Ai bëri të ditur gjithashtu se vendet anëtare të IEA-s po shqyrtojnë lirimin e mëtejshëm të rezervave strategjike, pasi më herët është rënë dakord për çlirimin e një sasie rekord prej 400 milionë fuçi nafte.
Birol e cilësoi situatën si një nga më të rëndat në historinë moderne, duke e krahasuar me krizat e naftës të viteve 1973 dhe 1979, si dhe me pasojat energjetike të luftës në Ukrainë në vitin 2022.
Sipas tij, rreth 40 objekte infrastrukturore dhe energjetike në Lindjen e Mesme janë dëmtuar që nga fillimi i konfliktit, ndërsa rikuperimi i tyre do të kërkojë kohë.
“Po shkojmë drejt një përçarjeje të madhe, ndoshta më të madhes në histori deri më tani,” përfundoi ai.











