Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi takimin elektoral në njësinë nr. 7 në Tiranë, përpara qindra simpatizantëve. Takimi u çel me prezantimin e programit të PDIU-së për pushtetin vendor, të hartuar nga një grup studiuesish të rinj që kanë përfunduar në universitete prestigjoze të huaja gradat shkencore.
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se PDIU është tashmë një parti mbarëkombëtare dhe e madhe, e cila ka afruar në gjirin e saj çdo shqiptar patriot.
“Unë jam i bindur se me mbështetjen tuaj, duke na dhënë forcë, ne do të kemi një rezultat spektakolar në të gjithë Tiranën dhe në të gjithë Shqipërinë. Unë jam i bindur për këtë prej asaj që shoh çdo ditë, sepse ne e kemi kapërcyer tashmë idenë e partisë së vogël, idenë e partisë së çështjes çame. Sot, ne jemi parti e të gjithë shqiptarëve nga Dibra, Kukësi, Tropoja, Konispoli e kudo që ka dhe rreh zemër shqiptari. ”, tha Idrizi.
PDIU kandidon në Tiranë me një listë të plotë për anëtarë të Këshillit Bashkiak. Lista kryesohet nga Vjollca Braho dhe Arjan Çukaj.









