Nga: Kristo Mërtiri
Përmes kësaj përvëlime korriku jo të zakontë, kur edhe gjinkallat e kanë nisur herët ligjërimin e tyre, në Labinot Mal befas vërshuan ca “ujëvara” të vecanta me këngë dhe marshe patriotike partizane. Vendalinjtë iu bashkuan një grupi grash idealiste, pasardhëse veterani, të cilat ishin ngritur herët në kryeqytet dhe nisën udhëtimin drejt këtij fshati emërnderuar në histori. Atje ku 80 vite më parë, në zjarrin e Luftës Çlirimtare kundër pushtuesve dhe shërbëtorëve të tyre, u krijua Shtabi i Përgjithshëm dhe organizimi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Historia mban shënim. Ajo gjëmon e tregon në breza. Sistemet politike dhe pushtetet që vijnë e shkojnë, nuk e tjetërsojnë dot. Ish- luftëtarët dhe pasardhësit janë gjallë. Lufta politike pa moral (djathtas e majtas), historikisht ka dështuar përballë përpjekjeve antikombëtare për t’u hequr me çdo cmim gurët e themelit ngjarjeve të mëdha që vendosën fatet e mëmëdheut të robëruar. Kështu do të ndodhë në cdo kohë e në cdo regjim. A mund të zhduken këngët partizane, që tashmë janë bërë pasuri e patundshme e trashëgimisë shpirtërore të popullit? Kurrë! Gjatë Pluralizmit rrumpallë dolën edhe ca myteberë “namusqarë” që thartuan gjuhën e buzët. Madje edhe namatisën deri nëpër media si magjistarë të dhembshur, tamam sikur do të përzinin ndonjë sëmundje të rëndë a fatkeqësi. Por pacipëria nuk vonon, del shpejt mbi ujë. Se populli i thjeshtë di ta vecojë mirë grurin nga egjra, namusqarin nga sharlatani. Aq më tepër kur kërkon të shtrembërosh trashë historinë tonë kapak-kuqe. Propaganda e shthurur djathtiste, partiake e ulërake vetëm për vota, për pak kohë nëpërmjet mercenarëve kusuremëdhenj arriti t’i fshijë nga ekranet filmat, këngët, dokumentarët, emisionet etj. Dhe u përhap e sundoi tallavaja nëpër disko e sheshe, në fushata elektorale, motivet surrogate që corodisin e shastisin ndërgjegjen kulturore tek të rinj e të rritur. Po ç’tregoi 10 Korriku në Labinot Mal ?
Se këngët e popullit luftëtar për Liri e Demokraci të vërtetë, gjallojnë në cdo stinë politike. Ato nuk i ndalon dot askush. As me Ligj e as me Kanun ! Se kanë brenda prushin e Shqipërisë së Re pa shtypës e të shtypur, kanë gjakun dhe jetën në lule të jetës të mijëra djemve e vajzave të nënave, kanë shpirtin e pashuar liridashës të një populli që nuk ta dhuron kollaj këngën, vallen, melodinë. Komiteti i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ-it të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit”, tashmë ka fituar një përvojë të artë jo dosido. Flokëbardhët idealistë si bora mbi male dhe larg cdo interesi të vockël privat, nuk harrojnë. Në 20 Korrik është një ditë e veçantë. Është Dita e Veteranit ! Ditë e gëzuar. Plot emocione. Dhe me zemrat plot. Për pak çaste lihen mënjënë hallet e marazet. 66 vite kështu. Nderohen të vdekur e të gjallë. Veprimtarë vullnetarë të rrallë, njerëz të kulluar që punojnë pa zhurmë e bujë dhe nuk sulmojnë kurrë për poste e kolltuqe. Të thjeshtë si e vërteta. Mirëpo atje, në Labinot Mal mes grave nga Tirana, hyri edhe një grua me emrin Sabrie, 81 vjece. Sa herë që hidhte vështrimin nga Shtëpia Muze e parikonstruktuar ende(?), sikur e rrethonte një trishtim i natyrshëm. Nga të rrallat që nuk heshti përballë qëndrimeve vandale të individëve të cartallosur dhe të verbuar nga rrezet euforike të kapitalizmit shqiptar. As bërtiti, as brohoriti, as mallkoi e as sokëlliti. U përpoq të ruante relike origjinale. Por ajo ruan ende edhe një bust jo të vogël të Enverit, Komisarit Politik të Shtabit të Përgjithshëm etj. Askush nuk e shan apo ta fyejë këtë grua sedërqare, fjalëkursyer e plot ideale në fshatin historik. Ujërat e turbullta po pastrohen e kthjellohen. Aty nuk e thua dot atë llafin e mençur: Në fshatin e të marrëve, i urti është i çmendur !
Pas çdo beteje, pas çdo partizani të rënë, ngrihej kënga kushtrim. Konkretisht, atë të shumënjohurën “Ju kish lindur Nëna/ Për një Botë të Re,/ Lule more trima/ Që ratë për Atdhe !/ Mitati me Mustafanë dhe Veizi tre…”, unë e mësova vite më parë burimin. E mësova te “Rruga e Durrësit”. Te ish partizania trime, marrësja e këngës në Mavrovë para trupave të mbuluar me Flamur. Ia mori Parashqevi Shehu plot drithërimë e pikëllimë. Bashkë me Share Thanasin nga Bënca e Tepelenës. Dhe ligjërimi hyri e mbeti në histori. Jo vetëm në Labëri. Brez pas brezi. E ka thënë bukur Fan Noli :”ne nuk e ç’pikmë patriotizmin, por e gjetmë” në këto male e fusha, në këtë Shqipërizën tonë ku cdo grusht dheu pikon gjak e sakrifica. Përfytyroni Hakiun borizan nga Mallakastra në Tendën e Qypit ku luftohej edhe trup me trup, bajonetë më bajonetë. Tingujt kushtrimtarë të bories nuk u ndërprenë edhe kur nga gryka e saj rridhte gjak i ngrohtë nga fyti i plagosur !…”Namusqarëve” të telikosur mbase u duken përralla, por heroizmi popullor gjëmon e do të gjëmojë. Sidomos te pasardhësit e veteranëve dhe familjet e dëshmorëve. Labinot Mali dëgjoi e përshëndeti me zemër Vera Qirkon(bashkënxënëse e Pedagogjikes “Pandeli Sotiri”, vajza dinjitoze e Lunxhërisë plot lezete); Sofie Parangoni(shoqen tonë veprimtare të veçantë, bijën e Myzeqesë që nuk iu nda punës dhe këngës, organizatës së Veteranëve; Anila Gjokorecin e papërtuar të viteve studentore; dibranen Flora Agolli; flautisten e mrekullueshme Parashqevi Lefter Çipën; Ruzhdie Hasulën, Kryetaren e palodhur të Veteranëve librazhdas; Mira Dobin etj. Nga Vlora e Flamurit Kuq e Zi, erdhi e u ngjit në këtë memorial të rrallë të LANC edhe Fuat Kokalla. Foli e këndoi labçe, bashkë me 93 vjecarin e papërkulur nga mosha, me Profesor Hulusi Hakon, Veli Myftarin, Kastriot Hadërin etj. Bashkë me bijën vendase, Hatixhe Tenën, administratoren e njësisë bashkiake. Po ku ishin arratisur vallë mediat lokale e qëndrore ? Apo vazhdojnë të shullëhen nën hijen e Rrapit të Bezistanit a brënda Unazës së Tiranës?! Lajme të tilla të gëzuara e larg partive politike, larg dosjeve e sallave gjyqësore, larg vilave luksoze të ndërtuara me “rrogën” e shtetit, namusqarëve të mediave elektronike dhe të shkruara që rrinë me orë të tëra gati përditë duke pritur të ngujuar me mikrofona ne duar deputetë, politikanë e qeveritarë të parfumosur, u ngrysen vetullat e u shtrembërohen buzët !…
Pasardhësit e luftëtarëve të Lirisë mbajnë gjallë idealet, frymën e atdhetarisë së pashoqe, dashurinë pa kushte për këto troje të shenjta. “Moj Luftë e Dytë Botërore/ Të bukur trima që more,/ Një mga një me dorë i zgjodhe !”. Ç’u bënë 19 partizanët e parë të Korit të Ushtrisë Nacionalclirimtare në Lavdar të Oparit ? Nuk u promovua nga Gaqo Avrazi nëpër skena e salla mondane, me kostume farfuritës e papionë në grykë dhe as në stadium e bulevarde pompoze. Atje, përmes erës së barutit dhe përballë topit e mortajës jetëmarrëse, nga gjokset djaloshare shpërthente “Himni i Flamurit”, “Bashkohu shok me ne në Çetë”; “Kuq është kur lind e perëndon”, “Partizani në Luftë po shkonte” etj. etj. kushtrime që dridhnin edhe gurin e drurin. Asnjë me nota partiake e kulpërake. Asnjë politizim…Se Shqipëria po digjej e shkrumbohej: Duheshin shporrur pushtuesit dhe tradhëtarët ! Po pse jo, edhe kënga partizane e shtonte guximin, trimërinë. Nuk ishte kohë diskosh e tallavaje, me pasarela e big brother, me makina luksoze e histori rozë, me “luizër” ku rrotullohet gati përditë media e handakosur. Ishte kohë e vërtetë heroizmi përballë robërisë së Atdheut. Ishte kohë Lufte për një Botë të Re…E shikoni Bujarin që këndon nën tingujt e flautit ? Kënga për “Velo Partizanin” ndezi zemrat e fëmijëve të atij fshati malor. Janë vërsnikë me Heroin e Popullit, Çelo Sinanin e pavdekshëm. Këngët e vargjet për atë djalë Labërie nuk do shterojnë asnjëherë. Ashtu si Gurra e famshme e Picarit. Ndërsa trimi i mencur Mehmet Shehu e shkroi me dorën e vet “Marshi i Brigadës së Parë Sulmuese Partizane”. 25 vite më vonë, e mësova dhe e këndova edhe unë me shokë, si ushtarë në atë Brigadë këmbësorie që mbante emrin e saj (Ruaj ende të papublikuara shënime e kujtime nga një marshim dimri në gjurmët e saj, rrëfime të Dalan Memush Kallaratit, komisarit të dashur që më riktheu(me korrespondencë) në bangat e shkollës Pedagogjike. i ndrittë shpirti atje ku prehet !). Dje bisedova në telefon me Dragon zemërbehar që po shkon drejt shekullit, vëllai i mikut tonë të vecantë Isak Shehut të paharruar në Tepelenë, Memaliaj, Durrës e Tiranë. Djemtë e xha Reshatit që populli e zgjodhi delegat në Kongresin e Përmetit, djem që ishin dhe mbetën model shoqërie e miqësie, përparimi e qytetarie. Bashkë me Fizionin që i shëmbëllente shumë. Kujtuam Asaf Dragotin, Halil Vasjarin dhe Zenel Shehun që pagoi padrejtësisht ca të pabëra. Ndërsa Rebaniu i mirë e “shpirt njeriu” ka lënë gjurmë të pastra në cdo fshat e krahinë…
Duke ndjekur këngët partizane të grave nga kryeqyteti në Labinot Mal, përpara më feksin qindra vajzat luftëtare antinazifashiste që me zërin dhe duart e tyre shëronin edhe plagë shokësh pas betejave. Ndërsa kompozitorja e vërtetë e mjaft këngëve të Lirisë, Dhora Leka e papërsëritshme derdhte në një letër mbi torbën me fishekë pentagramet e zgjimit dhe të kushtrimit popullor. Por…u plagos rëndë 12 vite pas Çlirimit, në Konferencën e Tiranës(1956). Vecse këngët e saj mbetën. Kur isha student në vitin e dytë të Degës së Gazetarisë, nga Kolë Jakova mësova edhe autorin e këngës për Heronjtë e Vigut. A e dini kush e ngriti dhe e këndoi i pari këngën ? Ishte vetë partizani e rapsodi popullor Gjok Deda, vëllai i Heroit të Popullit, Ndoc Deda ! Historia vërshon e do të gurgullojë edhe në këngë e ligjërime… Por sot, në Muzeun Historik Kombëtar, në Ditën e Veteranit, këngët partizane shpërthejnë krejt natyrshëm. Se pasardhësit dinjitozë nuk janë buzëlarë e as namusqarë të çoroditur nga fishekzjarret marramendëse të pluralizmit apo nga shkarravinat neofashiste. Namusqarët harrojnë se kjo Shqipëri e lirë i ka themelet te LANÇ. Djallëzitë për ta lidhur vetëm me kohën që erdhi më vonë, nuk janë vetëm përcudnime. Amaneti i dëshmorëve nuk tretet kurrë, deri sa të ketë Shqipëri ! Dhe jo më kot u ndala te ai Kori i grave në Labinot Mal. Ashtu pa qibër e salltanete, në lëndinën e avllisë së Bahollëve të shquar. Jehona e një grupi këngëtarësh nga Gorë-Opari derdh në Shkumbin dhimbje, krenari e dashuri për Margarita e Kristaq Tutulanin…Dikush me të drejtë na citoi shkrimtarin e madh Ismail Kadare :”…Asnjë lidhje me tiraninë e ardhshme s’mund të kishin djemtë idealistë, e aq më pak vajzat partizane, një dukuri e paparë asnjëherë në historinë shqiptare, kur mijëra vajza në moshë fare të re, kryesisht nga qytetet, rendën nëpër male me shpresën se po i sillnin dritë vendit të tyre”.