Në muajin e fundit ai ka udhëtuar në Rusi, Turqi dhe Izrael, dhe, sipas informacioneve të siguruara nga “Financial Times”, biznesmeni rus është takuar dy herë në Kiev me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili javë më parë i bëri thirrje Perëndimit që të heqë sanksionet ndaj ish-pronarit të Chelsea, në mënyrë që ai të lehtësojë bisedimet e paqes me Kremlinin.
Pikërisht, një nga informacionet e fundit për miliarderin rus ka të bëjë me takimin që ai pati me delegacionin ukrainas ditë më parë. Në të, siç publikonte “Wall Street Journal”, ai dhe dy anëtarë të delegacionit ukrainas shfaqën shenja të “helmimit me agjentë kimikë”. Kremlini deklaroi se Abramovich nuk është një anëtar zyrtar i delegacionit rus që negocion me Ukrainën, por vepron si një lloj ndërlidhësi.
Nga ana tjetër, në një nga bisedimet e fundit me delegacionin ukrainas, Abramovich preku edhe çështjen e korridorëve humanitarë në Mariupol, një nga qytetet e rrethuar dhe të sulmuar më shumë nga trupat ruse. Sipas mediave të sipërpërmendura, Kievi mendon se Roman Abramovich po impenjohet si ndërmjetës vetëm sepse e sheh si mundësi unike që të rimarrë pasuritë që iu konfiksuan me fillimin e ofensivës ushtarake në Ukrainë.
Një muaj më parë, Roman Abramovichit iu ngrinë asetet në Mbretërinë e Bashkuar, duke u larguar edhe nga klubi i futbollit Chelsea. Ndërkohë që në të njëjtën kohë iu ndalua kryerja e transaksioneve financiare me kompani dhe individë britanikë. Gjithashtu, pasi u përfshi në listën e të sanksionuarve nga BE-ja, Brukseli ia ndaloi hyrjen në çdo vend anëtar të organizatës, pergatiti BW.