Nga Prokuroria e Fierit ku ndodhet për të bërë kallëzim penal për shpërdorim detyre punonjësve përgjegjës që nuk e lejojnë të takohet me Erion Veliajn, Plarent Ndreca shpjegon se debati vijon që prej ditës së djeshme.
Deri më tani punonjësit i kanë thënë se kërkon të zhvillojë vizitë jashtë orarit zyrtar duke mohuar të drejtën e avokatit për t’u takuar në çdo kohë me klientin.
Ndreca shton se është kryebashkiaku Veliaj ai që e ka kërkuar, por deri më tani s’kanë pasur komunikim mes tyre.
“Justifikimi është sikur nuk ka personel, sikur ka një rregullore që ndalon hyrjen jashtë orarit zyrtar ndërkohë që iu komunikova që ka një ligj që duhet respektuar, përcakton shumë qartë që avokati, prokurori e gjyqtari hyjnë në çdo kohë. Bëmë një debat të vazhdueshëm që vijon nga dita e djeshme. Dje u bindën.
Qëndrova për rreth 20-30 minuta duke bërë diskutime me oficerin e rojes. Komunikonte me dikë, se di me kë. Kjo është shkelje e paprecedentë dhe absursde se unë nuk i marr leje as Drejtorisë së Burgjeve sepse është një e drejtë kushtetuese. Unë jam kërkuar nga klienti im për të qenë prezent sot. Kemi lënë një seancë intervistimi, komunikimi me njëri-tjetrin dhe kjo nuk mund të bëhet sipas axhendës së Drejtorisë së Burgjeve por sipas axhendës që ne kemi përcaktuar. Ky është një hap i panevojshëm. Unë s’kam ardhur as për ta eskaluar, as publikuar, as për të bërë kallëzim penal sepse do të shkaktojë pasoja pastaj në komunikimin me klientin. Akoma s’kam komunikuar. Jam ndaluar të komunikoj me të”, tha Ndreca.











