Nga Elton Qyno
Vrasja në 29 dhjetor 2018 e tre personave në zonën e Bradasheshit, ka nxjerrë detaje të reja jo vetëm mbi emrat e autorëve që kanë marrë pjesë në këtë krim të trefishtë, por edhe mbi mënyrën e sjelljes së tyre pas krimit të rëndë.
Vetëm një ditë pas kryerjes së krimit të trefishtë, organizatori dhe financuesi i masakrës së Bradasheshit, Franc Çopja, ka shkuar në banesën e familjes së të ndjerit Enea Alibej, për t’i pirë kafen e ngushëllimit.
Në formë ngushëllimi dhe solidarizimi, Franc Çopja, pasi ka pirë kafen në banesën e familjes Alibej, i ka hedhur 50 euro. Të paktën kështu del në komunikemet e zhvilluara në “SKY” nga vetë protagonisti i kësaj ngjarje, Franc Çopja.
Njësoj si anëtarët e grupit “Bajri” në Shkodër shkuan për ngushëllim tek shoku i tyre Gjin Boriçi, që e kishin vrarë një ditë më parë. Në këto komunikime tregohen me detaje sjellja e këtij personi dhe situate e rëndë që kishte ndodhur në familjen Alibej.
Ndërkohë gjatë hetimeve të kryera nga SPAK, është arritur të ndërtohet linja piramindale e funksionimit të këtij grupi kriminal, ku në nivel drejtues dhe financues qëndrojnë, Hajdar Bako dhe Franc Çopja.
Ndërsa organizatori i vrasjeve është Mikael Qosja ose siç njihet ndryshe në Elbasan si “Kel Kamami”.
Kurse krahu i armatosur dhe njësia e zjarrit që vepronte në teren për llogari të organizatës “Çopja” ishte Talo Çela me grupin e tij të përbërë nga vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhiaj, Altin Ndoci, Dashnor Dumani, Dorian Shkoza, Altin Kamami, Maksim Koçi, Flobenc Meçe, Eljo Bitri, Guri Biba, Emiljano Ramazani, Ervis Daka, Abedin Mama, Arzen Mama, Fatos Gosa etj.