Në 200-vjetorin e Pavaresisë greke
Nga Gazmend Shpuza
(Athinë 1879-1882)
Veprimtaria e Lidhjes së Prizrenit u mbështet fuqishëm nga diaspora historike, arbërore-shqiptare, në Itali dhe në Greqi, nga arbëreshët dhe arvanitët. Midis tyre shkëlqen figura e Anastas Kullurit (i njohur Kullurioti), i cili luftoi me kurajo për një Shqipëri të lirë e të bashkuar, duke iu kundërvënë sunduesve osmanë dhe politikave antishqiptare evropiane dhe ballkanike, përfshijë dhe atë greke pa ndaluar përpjekjet për hedhjen e urave të shëndosha të miqësisë midis shqiptarëve dhe ballkanasve, veçanërisht me grekët.
Anastas Kulluri, i lindur në Athinë rreth vitit 1820 vinte nga një familje me prej ardhje nga ishulli i Salaminës (Kulluri), I ati, Jani, pjesëmarrës i shquar i revolucionit greki u vra heroikisht në betejën e Athinës më 1825. Për rininë e tij dihet jo shumë. Një bamirës amerikan mblodhi mjaft jetimë në kohën e kryengritjes greke, midis të cilëve edhe Anastasin e vogël, të cilët i çoi në Amerikë. Prej andej u kthye në moshë të re. Studimet universitare i kreu në Itali.
Më 1978 veprimtatia e atdhetarit të mirënjohur martir Anastas Kullurit u bë gjerësisht e njohur në kuadër të veprimeve shkencore e botuese kushtuar 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Gazetari i mirënjohur Zihni Reso mbajti një kumtese në Konferencën Shkencore të organizuar me atë rast në Tiranë, botoi një artikull frengjisht (L’ activite d’ A. Kullurioti dans son journal «La Voix de Γ Albanie», durant les annes de la Ligue de Prizren, Studia Albanica, 2,1978) dhe pas dy vjetësh dhe librin “Anastas Kullurioti dhe gazeta «Zeri i Shqiperise» 1879-1880, Sh. B. “8 nëntori”, Tirane 1981. Viteve të fundit Prof. Filip Liço i ka dhënë një vend të gjerë figurës së arvanitit të madh Anastas Kulluri në punimet e tij kushtuar historisë se marrëdhënieve shqiptaro-greke.
Pas themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, A. Kulluri del në skenën publicistike të Athinës me një formim fililogjik dhe historik për tu lakmuar me botimin e gazetës “I Foni tis Allvanias”, i vetmi organ shtypi shqiptar, në gjuhën greke, kushtuar tërësisht mbrojtjes së të drejtave të kombit shqiptar. Ai delte pas përpjekjeve mjaft të suksesshme të Pashko Vasë Shkodranit dhe të Sami Fashërit për të shfrytëzuar në interes të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare faqet e gazetës austriake “Mesager de Vien”dhe asaj osmane “Tercuman-i shark”.
E përjavshmja “I foni tis alvanias” u botua në Athinë prej 29 shtatorit 1879 deri më 23 gusht 1880 me një ndërprerje prej dy muajsh (22 mars 1880-24 maj 1880), gjithësej 40 numra. Pezullimi e sidomos mbyllja e saj u bë nga censura greke për shkak, se botuesi mbrojti pa hezitim dhe me shumë kurajo të drejtat legjitime të popullit të vet, lirinë dhe pavarësinë e tij, çka ishte në kundërshtim me synimet e “Megali Idesë” (Idesë së Madhe), ideologjia shoviniste e Patrikanës dhe e qeverisë greke.
Kulluri mendoi ta vazhdonte botimin e gazetës në Bukuresht, duke shpresuar te mbështetja e kolonisë shqiptare e atjeshme e përbërë nga mërgimtarë, kryesisht të besimit ortodoks, të ardhur prej vilajeteve të Janinës dhe të Manastirit. Projekti nuk u realizua. Nuk ka dyshim që politika shtetërore dhe fetare e Athinës dhe e Fanarit punuan shumë që projekti i ridaljes së gazetës “I foni tis alvanias” të mos realizohej edhe jashtë Greqisë.
Në veprimtarinë e tij politike në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare Anastas Kulluri nisej nga dashuria e pakufishme për vëllezërit e gjakut, për atdheun e të parëve të tij. Në faqet e gazetës së tij ai botoi greqisht të plotë manifestin e Lidhjes së Prizrenit “E vërteta për Shqipërinë dhe shqiptarët” të Pashko Vasës, si dhe veprën e Camille Paganel (1797-1859) “Historia e Skënderbeut ose turqit dhe të krishterët në shekullin e XV”. Nër këtë rrugë atdhetari arvanit e shndërroi gazetën e tij në tribunë luftarake për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të popullit shqiptar, i bindur, se qendra e luftës për shpëtimin e kombit shqiptar tani ishte brenda në Shqipëri.
Kulluri në të gjithë veprimtarinë e tij atdhetare frymëzohej nga idetë iluministe të kohës. Ai u shpreh me forcë kundër ndasive dhe dallimeve politike e fetare midis kombeve, midis të krishterit dhe muhamedanit, “barbarit” dhe të qytetëruarit, të varfërit dhe të pasurit, duke kërkuar barazinë midis kombeve.
- Kulluri përvetësoi programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe në gazetën e tij”I foni tis alvanias” shprehu me kurajo dhe vendosmëri aspiratat jetike të popullit shqiptar. Nga këto pozita ai iu kundërvu të gjithë armiqve të kombit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe qarqet shoviniste greke. Djali i dëshmorit i të revolucionit grek për pavarësinë e Greqisë demaskoi pa kompromis, mbështetur në argumente dhe në fakte historike të pakundërshtueshme, pretendimet dhe qendrimet e tyre të padrejta ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Zëri Shqipërisë” nën drejtimin e A. Kullurit u rreshtua krahas udhëheqjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në betejat e popullit të vet për njohjen e kombësisë shqiptare, për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe për bashkimin e trojeve shqiptare në një njësi të vetme administrative. Shtyllat e gazetës ‘I foni tis Alvanias” u angazhuan përkrah bashkëpatriotëve brenda Shqipërisë dhe jashtë saj me protestat kundër vendimeve arbitrare të Kongresit të Berlinit, kundër synimeve ekspansioniste të shteteve shoviniste fqinjë, si dhe kundër Portës së Lartë që kishte nxjerrë në ankand tokat shqiptare. Kjo gazetë luftoi si pak kush për një kulturë kombëtare shqiptare, për një Shqipëri autonome, bile edhe të pavarur:
“Qëllimi ynë, deklaronte Anastas Kulluri, më 19 janar 1880, është që të fitojmë të drejta lirie për shqiptarët, se atje ku ka liri, vetëqeverim dhe barazi qytetare, atje vijnë të gjithë të mirat e tjera. Këtë qëllim ka “I foni tis alvanias”, këtë synon edhe Lidhja Shqiptare.”. I vetëdijshëm për vështirësitë që do të ndeshte në veprën e tij atdhetare në mbrojtje të interesave të kombit shqiptar, tepër modest për kontributin e tij madhor, që po jepte ai personalisht, do të shkruante:“Nuk kemi pretendimin, se jemi të vetëm (njerëz) të përshtatshëm për një vepër të tillë të vështirë e gjigante. “I foni tis alvanias”, i dobët, jep vetëm disa sinjalizime dhe disa arsye bijëve të tjerë më të aftë dhe më të ditur të Shqipërisë, me qëllim që ata të vijnë në ndihmë të veprës së vështirë që u fillua.” Ai hyri në lidhje të ngushtë me mjaft atdhetarë të shquar të kohës si P. Vasa, Th. Mitko e të tjerë.
Në mbështetje të kërkesave dhe të luftës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit A. Kulluriti u drejtohej shqiptarëve me thirrjet për bashkim e unitet: “Të krishterëve dhe muhamedanëve, që, në emër të atdheut, të rrokin armët dhe të luftojnë për tërësinë tokësore të tij dhe të dëbojnë armikun, i cili do të përpiqet të futet në të dhe ta aneksojë me dhunë…Çdo gjë varet prej vullnetit të palëkundur dhe veprimit vetëdashës të të gjithë shqiptarëve, muhamedanëve dhe të krishterëve, nëse dëshirojnë fitoren e autonomisë së tyre dhe prej direktivave dhe drejtimit të mirë të Lidhjes.” Dhe më poshtë ngrinte lart bashkimin dhe unitetin e të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, nën udhëheqjen e Lidhjes: Të krishterët u bashkuan me myslimanët në organizatën e Lidhjes “me të cilët janë të bashkuar me lidhje të pazgjidhshme gjaku, gjuhe dhe origjine, dhe të nxitur nga i njëjti interes i tërësisë tokësore dhe unitetit të Shqipërisë”.
Kulluriti paralajmëronte arvanitët dhe shqiptarët kudo ku ishin në diasporë: “Atyre shqiptarëve, që janë në Greqi ose të shpërndarë gjetiu, të cilët do të kapen si armiq dhe kundërshtarë të dëshirave e të kërkesave të Shqipërisë, domethënë (kundër) gjuhës, kombësisë dhe autonomisë së saj, do t’ua botojmë emrat e tyre për turp të përjetshëm, (duke marrë me vete) edhe mallkimin e atdheut të tyre; dhe, e kundërta, atyre që do të kontribuojnë së bashku me ne në luftën për emancipimin e saj, do t’ua shkruajmë emrat me gërma të arta për kujtim të përjetshëm dhe lavdinë e atdheut të tyre”.
Politikanë dhe emisarë grekë të kohës si dhe shtypi grek i Athinës dhe i Stambollit në vitet 1875- 1881 e trajtuan Lidhjen Shqiptare si një krijesë të Portës së Lartë. Kërkesat e saj për autonomi i paraqisnin vetëm si synime të disa bejlerëve dhe pashallarëve shqiptarë për të sunduar mbi të krishterët etj. Nisur nga këto pozita, qeveria greke, që para dhe sidomos pas formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mbajti një qëndrim antishqiptar, duke dëmtuar kështu edhe interesat e vetë popullit grek. A. Kulluri, theksonte, që qeveria e Athinës nuk arrinte të kuptonte që Shqipëria e lirë do të ishte një aleate e natyrshme dhe e nevojshme e Greqisë. Arvaniti A. Kulluri demaskonte gazetën “Iris” (Ylberi), e cila shkruante në një artikull të saj me titull “Shqiptarët”, se: “…kjo lidhje përbëhet nga disa bejlerë të zgjebosur, të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me tërësinë (e popullsisë) shqiptare.”
Edhe gazeta “Merimna” botonte një punim të A. Petridhit, i cili në konkluzionet e tij “gjeniale” pretendonte, se shqiptarët “nuk janë dakord midis tyre dhe ushqejnë një urrejtje të papajtueshme për njeri tjetrin, se nuk është e mundur të arrihet një unitet i tillë midis ortodoksëve dhe mysilmanëve sa të formojnë një bashkësi që të synojë në një qëllim të përbashkët etj. Te Petridhi, ironizonte Kulluri, nuk mungonin as kujdesi për të “mirën” e Shqipërisë. Duke iu drejtuar ortodoksëve shqiptarë, si patriotë të pastër, deklaronte edhe në emër të tyre, se “qëllimi ynë le të jetë çlirimi i Shqipërisë etj.” Ndërsa shqiptarët muhamedanë, konkludonte Kulluri, i duheshin si skllevër, për tu vënë nën sundim.
Ngritja e popullit shqiptar në luftë për afirmimin e tij si komb më vete, hidhte poshtë trillimet e diplomacisë evropiane, që e konsideronte Shqipërinë si një “shprehje gjeografike”, dhe teoritë e ndryshme shoviniste, që i quanin shqiptarët “turko-albanë”, “helleno-albanë”, etj.
“I foni tis Alvanias” polemizon dhe me gazetën “Elefteria”, e cila kishte botuar një punim të “studiuesit” Anton Jeorgjiu me titull: “Hellenopelazgë ose muhamedano-shqiptarë”. Ky autor, duke u nisur gjoja nga dëshira për të kundërshtuar disa ide të gabuara lidhur me ndjenjat e popullit shqiptar ndaj grekëve, si dhe ata që përpiqeshin të gjenin mjetet për çfarosjen e shqiptarëve, na del me tezën se: Gegët muhamedanë u shpërngulën prej turqëve nga Azia në vendin e shqiptarëve, të cilëve ua rrëmbyen tokat më pjellore”. Sipas këtij autori, Shqipëria banohej prej dy fiseve që gjithnjë qëndronin armiqësisht njeri kundrejt tjetrit. Toskët i quan të gjithë banorë fisnikë të vendit. Ai pretendon të vërtetojë me anë të historisë, se “shqiptarët domethënë Toskët “gjithnjë u bashkërreshtuan me grekët, (?) ndërsa shkodranët (ose gegët siç i quan ai më lart) gjithnjë me Turqinë ). “Qëllimet e këtij “albanalogu” janë të qarta, nënvizon autoprofesor Filip Liço: Mohimi i autoktonisë së Gegëve dhe përçarja e tyre me Toskët për realizimin e politikës aneksioniste të qarqeve shoviniste greke ndaj Shqipërisë. Në funksion të qëllimit për bashkimin jo vetëm të “Vorioepirit” por të të gjithë Shqipërisë me Greqinë, pati autorë grekë që e quanin të gabuar dhe jo reale “armiqësinë” midis Gegëve dhe Toskëve dhe pohonin disa të vërteta historike dhe disa virtyte të popullit shqiptar.
“I fohni tis allvanias” hedh poshtë dhe pretendimet e një autori tjetër me pseudonimin “Ipirotis”, i cili kritikon ata që i quanin mohamedanët shqiptarë turkoalbanë. Ky i vetquajtur epirot këmbëngul, se “Albanët ose Shqiptarët (grekopelazgë) janë të tillë nga kombësia dhe mohamedanë nga feja.”. Ai kritikon memorandumin e avokatit Aravantinos, që paska shkaktuar ”një zemërim të madh te muhamedanët shqiptarë”: “Këta pasardhës të vërtetë të pelazgëve të Ilirisë greke e të Epirit (kuptohet pa diskutim i tëri grek-g.sh.) dhe farefisnorë të Grekëve i quajnë tradhtarë ata (grekë) që mendojnë qoftë edhe për ndarjen e thjeshtë të tyre prej Grekëve, me të cilët mendojnë se formojnë kombin e sotshëm grek”. S’ka ku të vejë më qartë. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë kombësi të tyre, ata prej origjine janë greko-pellazgë, pra janë pjesë përbërëse e kombit grek, nga i cili nuk dëshirojnë të shkëputen. “Pra, konkludon Ipirotis, krijimi i unitetit dhe i kombësisë shqiptare do të ishte sot njëlloj i pamundur si rilindja e pelazgëve mitologjikë ose i ilirëve në kohërat romake”.
Në të njëjtin front me Ipirotis-in vepronte edhe i ashtuquajturi “Plaku i Qifisjas”, i cili mbasi ngrinte hymne për rolin e arvanitëve të Greqisë në kryengritjen greke të 1821 dhe pranonte se në Greqi kishte 400.000 veta që flisnin akoma shqip, nxirrte konkluzionin se Greqia “përbën një komb greko-shqiptar”. Si pasojë, shqiptarët, që Plaku i Qifisjas i pagëzoi pelazgët, nuk janë gjë tjetër veçse grekë të pastër…kështu që nuk është e nevojshme të kenë kombësi tjetër, gjuhë dhe histori tjetër.”
Kundër këtyre mendimeve kinse shkencore, fantastike, ngriti zërin e tij të protestës m’u në mes të Athinës Anastas Kulluri, duke mbrojtur me argumente dhe me guxim ekzistencën e kombit shqiptar:
“Të gjithë kërkojnë ta shfarosin fisin shqiptar edhe me anën e shpatës, edhe me anën e kalemit dhe politikisht dhe gjeografikisht nuk dëshirojnë të ekzistojë ky komb…Asnjë nuk i paraqet shqiptarët si shqiptarë, por disa si pellazgë, të tjerë si grekopellazgë, të tjerë si mohamedanë shqiptarë dhe të tjerë ndryshe.” Përkundrejt orvajtjeve të tilla Kulluriti nga Salamina, i referohet dhe fjalëve te bashkëpunëtorit të gazetës Thimi Mitkos, të botuara më parë prej tij: “Nëse kundërshtarët e qëllimit shqiptar mendojnë për një përçarje të brendshme ose për një luftë civile midis muhamedanëve e të krishterëve, do të ishte mirë që të mos gënjehen kështu, gjersa ekziston midis tyre harmoni e madhe dhe një tolerancë shumë e madhe fetare, duke patur si parim të parë ndjenjën e atdheut.”
Shqiptarizmi a më mirë të themi shqiptaria gjen një jehonë të gjerë greqisht në faqet e gazetës shqiptare “I foni tis alvanias”, nëpërmjet shumë formave. Kështu, në një letër nga shqiptarët e Stambollit, të cilën e botoi Kulluri, midis të tjerave, thuhej: “O! sa e shtrenjtë dhe sa e shenjtë është për njeriun dashuria për atdheun!…Ne shqiptarët…nuk pushojmë së qeni gjithnjë të gjithë së bashku shqiptarë…Pra, asgjë (nuk është) më e shenjtë ndër shqiptarët sesa kombëtarizmi i tyre.” Dhe Kulluri, jo vetëm pohonte por dhe punonte pa u lodhur për qëllimin që i kishte vënë vetes: “Duam që të mos ketë Shqipëri vetëm në emër dhe në fantazi, por që në të vërtetë ekziston një e tillë e gjallë dhe që ka një zemër të madhe që rreh.”
Në të gjithë veprimtarinë e tij publiçistike Anastas Kulluri, edhe kur mbronte Lidhjen e Prizrenit ose unitetin e trojeve shqiptare, edhe kur polemizonte me pasuesit e “Idesë së Madhe” ose hidhte poshtë politikën antishqiptare të Fuqive të Mëdha, e tjerë, ka pasur si objektiv mbrojtjen e lashtësisë së popullit shqiptar dhe të unitetit të tij kombëtar. Ai demaskonte hapur qëndrimin antikombëtar të grekomanit K. Zhapa, i cili, jo vetëm nuk e pranoi propozimin e A. Kullurit që të ndihmonte Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, por e cilësoi veprën e Kullurit si përçarëse midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe “kërkon – shkruante Kulluri për Zhapën – të na largojë nga vepra e shenjtë që filluam, domethënë, të mbrojtjes së të drejtave të Shqipërisë dhe në përgjithësi të rilindjes së saj…për shkak se ne përpiqemi ta ndajmë Shqipërinë nga Greqia, ndërsa në realitet nuk ekziston një bashkim i tillë, por as që ka ekzistuar kurrë në histori… Shqiptarët dhe Grekët nuk janë një popull, janë, pra, të ndarë dhe nga emri, edhe nga gjuha, edhe nga kombësia e tyre”.
E vërteta historike mbi lashtësinë e shqiptarëve, si dhe përpjekjet e tyre për t’u njohur si një komb më vete, argumentohen në faqet e gazetës “I foni tis alvanias”, veç të tjerash, edhe me fjalët e Pashko Vasës: “Sipas mënyrës sonë të përmendurit, shqiptarët ose muhamedanët, ose të krishterë ortodoksë e katolikë, janë dhe do të jenë ata që kanë qenë para tridhjetë shekujsh, populli më i lashtë i Evropës, raca që u përzie më pak se të gjitha racat e tjera, racë, e cila, me anë të një fenomeni të admirueshëm…mundi të rezistonte kundër kohës, e cila shkatërron edhe të transformon…(Shqipëria) është atdheu ynë dhe ne dëshirojmë ta shohim atë të lumtur dhe të bashkuar…”
Anastas Kulluri ka argumentuar kërkesën për autonominë e Shqipërisë dhe, madje, dhe atë për pavarësinë si realisht të mundshme gjatë viteve të Krizës Lindore 1875-1881. Kërkesën për pavarësinë kombëtare të Shqipërisë ai e parashtroi që në fillim të veprimtarisë së tij politike. Në krye të çdo numri të gazetës ai botonte parullën kryesore: “Duam një Shqipëri të bashkuar e të pavarur”
Megjithatë, Kulluri krahas dëshirës për pavarësi parashtronte njëkohësisht dhe atë për autonomi: “Shqiptarët nuk kërkojnë gjëra të paarsyeshme. Kërkojnë të fitojnë lirinë e tyre dhe autonominë e tyre.” Për përparimin e Shqipërisë, shkruante Kulluri, duhet të formohet një qeveri shqiptare me burra të ditur e të moralshëm, por që të bëhet kjo është mëse e nevojshme “të shpallet pavarësia dhe autonomia e Shqipërisë.” Përballë qendrimeve armiqsore të Fuqive të Mëdha ndaj cështjes shqiptare në 15 numrat e fundit të gazetës parulla e saj kryesore ishte: “Synojmë në unifikimin dhe autonominë e Shqipërisë”. Kërkesën kryesore të Lidhjes së Prizrenit ai e shprehu dhe në vargje në një vjershë të gjatë me titull “Për Shqipërinë dhe Shqiptarët”, në gjuhën shqipe me alfabetin grek: “Ju o shqiptarë nëse doni/nga i huaji të shpëtoni/Duhet që të vëzhgoni/Kombin tuaj të ndërtoni/Pas të veni lefterinë (lirinë)/Edhe vetëligjësinë (vetëqeverimin)”
“I foni tis Allvania” bashkoi zërin e vet me protestat që kishin shpërthyer anë e kënd trojeve shqiptare”, kundër vendimeve të Kongresit të Berlinit për “copëtimin dhe dhënien e Shqipërisë nën kombësi të ndryshme.” Për këtë arsye “shqiptarët u ngritën si një trup i vetëm kundër këtij akti të padrejtë e të poshtër”. Këtu është fjala, sqaronte më tej Kulluri “nëse shqiptarët si shqiptarë ose si pelazgë kanë të drejtë të kenë ato (toka) që posedojnë, ose të ndahen dhe të zhduken, duke u bërë disa malazezë, të tjerë serbë dhe të tjerë diçka tjetër” Me të tjerë autori, sipas profesor Filip Liços, nënkuptonte grekët.
Shqiptarët u bashkuan nën udhëheqjen e Lidhjes për të fituar me çdo kusht lirinë e tyre. Kulluri, përballë “paturpësisë diplomatike” të Evropës dhe vendimit “të paarsyeshëm” të Kongresit të Berlinit, shprehte bindjen, se Shqipëria e tyre ishte e vendosur të mos lejonte copëtimin e saj. Mbi të gjitha populli shqiptar do të mbronte “autonominë e tij dhe kombësinë e tij me çdo sakrificë”.
I frymëzuar nga idetë demokratike e përparimtare Kulluri u dëshmua një luftëtar vendosur kundër politikave të Fuqive të Mëdha dhe për barazinë midis kombeve të mëdhenj e të vegjël. Në një kryeartikull me titull “Fuqitë e Mëdha”, ai hodhi poshtë slloganët e fuqive imperialiste për barazi dhe humanizëm, demaskoi pa mëshirë vendimet e këtyre Fuqive në Kongresin e Berlinit për copëtimin e Shqipërisë, që u treguan kaq dorëlëshuara me tokat e të tjerëve dhe nuk u treguan bujare në çlirimin dhe emancipimin e popujve që ata vetë i mbanin të skllavëruar. Kulluri ua grisi maskën të gjithë shteteve imperialiste si: Anglisë që shtypte popullin e Irlandës, 150 milionë indianë etj; Rusisë cariste që shtypte 40 kombësi, Austrisë që duhej t’u jepte lirinë 10 kombësive të nënshtruara prej saj etj. Ishin pikërisht këto shtete imperialiste që mbillnin farën e grindjeve në mes të popujve ballkanas. Ishte pikërisht Kongresi i Berlinit ai që hodhi mollën e sherrit midis kombësive të vogla, në bazë të parimit imperialist “përça e sundo” dhe që ndërmori veprën mizore të copëtimit të Shqipërisë.
Prandaj Kulluri u bënte thirrje shqiptarëve që të mos besonin në diplomacinë e Fuqive të Mëdha, por të bashkoheshin të gjithë për mbrojtjen dhe çlirimin e atdheut të tyre nga robëria osmane, duke u mbështetur në forcat e veta.
Me të njëjtën forcë Kulluri denoncoi edhe politikën e Portës së Lartë, që i vinte në ankand tokat shqiptare. “Porta e Lartë nuk ka asnjë të drejtë t’i shesë shqiptarët…” dhe “nuk ka interes t’i lidhë duart e shqiptarëve, por as edhe shqiptarët heroikë nuk do të pranojnë të kryqëzojnë në një mënyrë pasive duart e tyre dhe të mbeten spektatorë të paemocionuar ose vullnetarisht të dorëzohen në skllavërinë e kombësive të vogla.”
Fitorja e bujshme e forcave ushtarake të Lidhjes në mbrojtje të Plavës dhe të Gucisë patën një jehonë të gjerë në faqet e gazetës “I foni tis alvanias”. Këto shkrime, plot frymëzim patriotik, inkurajonin dhe nxitnin patriotët shqiptarë për të mbrojtur me trimëri Shqipërinë e tyre të dashur.
Pas kësaj fitoreje Kulluri do të vjershëronte: “Shof, miq shqiptarë, qielli të vetëtijë \Dhe dëgjoj burinë e luftës të ushtojë,\ Qëndresën tënde shof, o Atdheu im i dashur, \Dhe fëmitë e shpërndarë që dëshiron t’i bashkosh.”
“I foni tis alvanias” iu kundërvu dizinformimeve të disa organeve shoviniste të Athinës si “Paligjenesia”, “Proia”, zëdhënëse të qarqeve të atëhershme qeveritare të Athinës, si dhe “Neollogos” të Stambollit lidhur me luftën e shqiptarëve për mbrojtjen e Plavës dhe të Gucisë. Sipas tyre, ato “juridikisht” ishin pjesë të Malit të Zi dhe rezistenca e shqiptarëve nuk paska qenë luftë patriotike por rebelim kundër Cetinës. Prandaj Anastas Kulluri theksonte: “Heronjtë shqiptarë janë të vendosur që të mos lejojnë copëtimin e atdheut të tyre dhe bërjen e tij pre e Malit të Zi mikroskopik.”
Kulluri u ngrit gjithashtu dhe mbrojti me shumë kurajo pa asnjë rezervë dhe me argumente viset jugore të Shqipërisë, të cilat me rekomandimet e Kongresit të Berlinit parashikoheshin t’i jepeshin Greqisë. Përkundrejt pretendimeve të Athinës arvaniti Anastas Kulluri argumentonte, se Epiri i takonte Shqipërisë jo thjesht për faktin se vilajeti i Janinës, sipas ndarjes administrative osmane, përbëhej në shumicë prej popullsisë shqiptare. “Shqipëria, shkruante ai, konsiderohet sot një dhe e pandarë prej kufijve të Serbisë e të Malit të Zi e gjer në Prevezë dhe të krahinave që ndodhen pranë (këtyre kufijve), duke përfshirë edhe vetë Epirin, i cili nuk mund të shkëputet nga Shqipëria tjetër.”
Në mbështetje të pohimit të tij botuesi i gazetës “I foni tis Allvanias” në Athinë i referohej dijetarit të mirënjohur grek nga Janina, Athanasios Psalidhas, i cili, përsa i takonte shtrirjes së Shqipërisë dhe kufijve të saj, pat shkruar: “Ndërsa Shqipëria kufizohet nga lindja me Maqedoninë e poshtme dhe Thesalinë; nga veriu me Bosnjën e Serbinë; nga perëndimi me detin Jon dhe nga jugu me gjirin Ambraqik… Shqipëria në kohën e vjetër formonte dy provinca ose mbretëri, atë të Epirit dhe të Ilirisë”.
Mbi këto argumente të cilat vështirë që mund të kundërshtoheshin aso kohe, të paktën, Kulluri theksonte: “shqiptarët sot si shqiptarë dhe jo si pellazgë, zotërojnë dhe kanë të drejtë të zotërojnë ato që zotërojnë, si të gjitha kombet, krahinat që u përkasin atyre, dhe se grekët që u vendosën në Epir janë kolonë (të ardhur) si shqiptarët në Greqi dhe këtë na e mëson historia”. Edhe Athanasios Psalidhas e konfirmonte këtë të vërtetë: “Në Shqipëri , shkruante ai, domethënë në Epir, ndodhen edhe shumë grekë kolonë”. Sigurisht, si Psalidha, ashtu edhe Kulluri, nënvizon studiuesi prof. Filip Liço, mbështeteshin në shumë burime greke lidhur me kolonizimin e pjesës juglindore të Epirit nga grekët.
Në faqet e gazetës”I fonitis Allvanias” gjetën jehonë të gjerë të gjitha aksionet diplomatike dhe politike të shqiptarëve në mbrojtje të krahinave Jugore të Shqipërisë si: veprimtaria e delegacionit shqiptar, me Abdyl Frashërin dhe Mehmed Ali Vrionin, në Evropë për të mbrojtur të drejtat e kombit shqiptar; përpjekjet e tre të deleguarve të Athinës që u dërguan në Evropë për të neutralizuar veprimtarinë e delegacionit shqiptar; mbledhja e madhe e shqiptarëve të Paramithisë, Filatit dhe Margëlliçit më 2 korrik 1880, e cila vendosi që të bëhej një rezistencë me të gjitha mjetet kundër aneksimit nga ana e Greqisë e territoreve shqiptare në bazë të rekomandimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit; mbledhja e komisionit greko-turk në Prevezë lidhur me kufijtë greko-turke dhe kundërshtimi i delegatëve të Lidhjes Shqiptare, etj.
Përkundrejt pretendimeve greke mbi Epirin të mbështetura në praninë e kolonëve grekë në këtë trevë Kulluri parashtron qëndrimin e drejt e tejet korrekt të shqiptarëve lidhur me kufijtë. Në artikullin e tij të argumentuar me titull “Për cilin shkak do të luftojnë shqiptarët!” ai, pasi demaskonte qarqet shoviniste greke, shprehte bindjen se shqiptarët nuk kishin ndonjë interes që të luftonin kundër grekëve, as edhe kërkonin që të pushtonin Atikën, Beotinë, Argolidën, Korinthin, Hydrën, Specen dhe krahinat e tjera që banoheshin prej shqiptarëve, se ne mendojmë që të dyja këto kombësi duhet të jetojnë në marrëdhënie miqësore dhe të fqinjësisë së mirë etj.
Anastas Kulluri, ashtu si edhe rilindasit e tjerë, e vlerësoi gjuhën shqipe në dy aspekte kryesore: E para, si argument bindës të lashtësisë së kombit shqiptar në truallin ballkanik dhe, e dyta, të aftësisë së saj për ngritjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, si një armë e fuqishme për një të ardhme të përparuar e të ndritur.
Në mendimin shkencor të Anastas Kullurit gjuha shqipe vendoset drejt në trungun e gjuhëve indoevropiane. “Gjuha shqipe, shkruante ai, bën pjesë në degën e të quajturave gjuhë indoevropiane. Është gjuhë shumë e lashtë, sa i lashtë është edhe kombi që e flet atë.”
Mjaft mendime interesante janë shprehur në punimet e Kullurit mbi lidhjet e gjuhës së një kombi me karakterin e kombit që e flet atë. Sipas tij, gjuha pasqyron karakterin e një kombi, ashtu si edhe karakteri i atij kombi pasqyrohet me anën e gjuhës së tij; kështu që kombi dhe gjuha janë të pandara midis tyre. Pra, siç është kombi e tillë është edhe gjuha e tij edhe siç është gjuha e tij është edhe kombi.” Gjuha shqipe, theksonte ai, është burrërore, siç është burrëror edhe karakteri i shqiptarëve që e flasin atë.”
Në veprën e vet Kulluri ka stigmatizuar përpjekjet antishqiptare të qarqeve shoviniste greke, të Athinës dhe të Patrikanës së Fanarit, si dhe të Portës së Lartë për t’i mohuar popullit shqiptar deri dhe të drejtën e arsimimit në gjuhën amtare.
Në këtë fushatë antishqiptare u përfshi edhe metropoliti i Gjirokastrës, Anthimi, i cili me anën e një qarkoreje mallkonte shqiptarët që kërkonin të arsimoheshin në gjuhën e tyre amtare dhe të krijonin, sipas tij, çështje shqiptare atje ku nuk ekzistonin shqiptarët. A. Kulluri, duke denoncuar ndërhyrjen e Patrikanës së Fanarit në çështjet e kombit shqiptar, theksonte midis të tjerave, se “mos mendon Kisha e Madhe se duke qenë dikush kristian ortodoks e humbet logjikën dhe rëndësinë e tij, se humbet vlerën e tij politike dhe të drejtat e tij njerëzore?” Midis shkrimeve me frymë përçmuese ndaj gjuhës shqipe “I foni tis alvanias” hidhte poshtë sulmet e gazetës “Nea Ellas” kundër Anastas Kullurit dhe Panajot Kupitorit, si dhe artikullin e gazetës “Merimna”, që bashkohej me qarkoren e Anthimit kundër shkrimit të gjuhës shqipe; shkrimin e gazetës “Paligjenesia”, që shprehte shqetësimet e shovinistëve dhe grekomanëve për përpjekjet e shqiptarëve për shkollën shqipe, si dhe mjaft artikuj e komente shoviniste të gazetës “Neollogos” të Stambollit. Gazeta shqiptare e Athinës polemizonte me mendimet e gabuara të një autori anglez Makdauel, i cili duke spekulluar mbi ndarjet midis dialekteve toskë dhe gegë, konkludonte se “gjersa nuk ekziston një gjuhë unike nuk ekziston as entiteti i kombësisë.
Le të mos flasim, theksonte Kulluri, për fisnikërinë dhe origjinën e gjuhëve, sepse një komb, si kombi i lashtë shqiptar, nuk është e mundur të çmësojë shqipen dhe të mësojë greqishten.
Në veprën e Kullurit dënohen përpjekjet e Patrikanës për hapjen e shkollave greke në krahinat shqiptare dhe për greqizimin e shqiptarëve. Ndërsa fjalët e korrespondentit të gazetës “Paligjenesia” drejtuar shqiptarëve që të shpëtojnë kombësinë e tyre, duke bashkëvepruar me grekët, i quan tableta të sheqerosura të politikës greke, sepse në to dënohen Ibrahim Dragoti dhe patriotët e tjerë shqiptarë, që kërkonin të kulturoheshin me gjuhën e tyre amtare. Me krenari shqiptare, theksonte Kulluri, vepruan anëtarët e këshillit të shkollës së Labovës së Madhe që i mbyllën dyert konsullit grek Somaqis-it, si dhe banorët e Zagorisë që kërkuan nga autoritetet turke hapjen e shkollave shqipe në krahinën e tyre.
Pra, nuk është e lehtë, konkludonte Kulluri, që një komb i tërë, nga më të lashtët e Ballkanit, të mohojë vetekzistencën dhe individualitetin e tij, të heqë dorë nga gjuha e tij amtare dhe të kërkojë një tjetër; përkundrazi, është më lehtë që ta kultivojë atë dhe ta ngrejë më lart. Kështu edhe shqiptarët mund të formojnë një gjuhë burrnore, tingëlluese dhe elegante, ashtu siç është edhe karakteri i tyre i fortë, burrëror dhe liridashës.
Sipas pikëpamjeve gjuhësore të Kullurit, edhe gjuha shqipe ka të njëjtin elasticitet, fjalëformim dhe fuqi sintetike si edhe greqishtja dhe, duke u kultivuar, mund të bëhet e pasur dhe me aftësi shprehëse të qartë e të gjallë. Ajo ka 34 gërma, dhjetë më shumë se greqishtja përveç ks dhe ps, ka shtatë zanore, sistemi i saj i diftongëve edhe ky gjithashtu është shumë i pasur dhe me një shqiptim të veçantë.
Edhe për çështjen e alfabetit shqip Kulluri mbajti një qëndrim të arsyeshëm. Pavarësisht që ai ishte në favor të alfabetit grek, shprehu me qartësinë më të madhe nevojën e njësimit të alfabetit për gjuhën shqipe. Le të publikohen, shkruante ai, alfabetet e ndryshme dhe arsimi i popullit shqiptar le të bëhet me atë alfabet, i cili do të vërtetohet në praktikë se është më i përshtatshëm dhe më i mirë.
Platforma arsimore-kulturore e Kullurit ishte sa e thellë aq edhe e gjerë. Ai pothuajse nuk la ndonjë problem të kësaj sfere pa e trajtuar dhe pa dhënë mendimin e tij për përparimin dhe lulëzimin e arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Në kërkesat e tij më të domosdoshme përfshiheshin: hapja e shkollave, me këtë nënkuptonte shkolla fillore të ciklit të ulët dhe të lartë, në të gjithë Shqipërinë, si dhe ngritja e dy a tre gjimnazeve dhe të një universiteti shqiptar në pjesën qendrore të Shqipërisë; botimi i disa gazetave; grumbullimi i shumë fjalëve nga gjiri i popullit për botimin e një fjalori shqip; mbledhja me kujdes e këngëve popullore, e legjendave historike, e miteve dhe e proverbave me qëllim që të ruheshin këta thesarë tepër të çmuar të kombit shqiptar.
Shqiptarët, përsëriste me gëzim Kulluri ynë, “nuk kanë nevojë për kujdestarë dhe ndihmë të huaj.” Asnjë nuk mundet të ndalojë rrjedhën dhe vrullin e një populli të tërë, që ka etje për arsim dhe kulturë. Ai shprehte besimin se shqiptarët shumë shpejt “do ta bënin gjuhën e tyre të respektuar që ta kishin zili”.
Nga sa u parashtrua më sipër del qartë se programi i A. Kullurit për një kulturë kombëtare shqiptare ka qenë i argumentuar sa i gjerë aq dhe i thellë, ai i shërbente emancipimit të plotë të kombit shqiptar.
Një problem me rëndësi te i cili u ndalua arvaniti Anastas Kulluri ishte lidhja e aleancës shqiptaro-greke. Në gazetën “I foni tis alvanias”, që në faqen e parë, ai botonte moton e dytë të të gazetës: “Qeveria e Greqisë detyrohet dhe e ka për borxh të ndihmojë Shqipërinë për të fituar autonominë dhe pavarësinë e saj dhe, për më tepër, të lidhë aleancë mbrojtëse e sulmuese me bijtë, e saj shpirtmëdhenj”.
Me pjesën e parë të kësaj parulle Kulluri, siç del edhe nga komentet e botuara prej tij, i kujtonte qeverisë së Athinës kontributin shumë të rëndësishëm të arvanitëve në kryengritjen greke të vitit 1821 për fitoren e pavarësisë nga zgjedha osmane.
Çështjen e aleancës shqiptare-greke Kulluri e trajtoi në mjaft shkrime të tij. Ai nxiti mjaft herë qeverinë greke që të pranonte propozimet e shqiptarëve sesa të synonte në copëtimin e atdheut të tyre. “Greqia, theksonte ai, në qoftëse, duke shprehur simpatinë ndaj shqiptarëve, do t’i ndihmonte ata për të fituar lirinë e tyre, do të siguronte miqtë dhe aleatët më të fuqishëm” dhe “Greqia, duke lidhur aleancën me Shqipërinë, mund të shpëtojë këtë pjesë të gadishullit Ilirik (Ballkanin) Shqipërinë dhe Greqinë.” Pra, aleancën shqiptare-greke ai e shikonte si një forcë reale për shpëtimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Greqisë si nga zgjedha osmane, ashtu dhe nga rreziku i ekspansionit të monarkive sllave të Ballkanit të përkrahura nga Rusia. Megjithëse Shqipëria, shkruante ai, nuk është zyrtarisht aleate e Greqisë, në realitet është e tillë sepse edhe duke qenë vetëm “derdh edhe sot gjakun e saj heroik për atdheun kundër përroit të rrëmbyeshëm sllav, që kërcënon jo vetëm Shqipërinë, këtë kështjellë të Greqisë, por edhe vetë Greqinë”.
Aleanca shqiptare-greke nuk u nënshkrua për faj të qeverisë së atëhershme greke. Në këtë kanë ndikuar faktorë të brëndshëm dhe të jashtëm. Greqia atëhere ishte e dobët ushtarakisht e ekonomikisht dhe partitë kryesore politike që përfaqësoheshin në qeverinë e koalicionit, nuk ishin të një mendimi për luftën kundër Turqisë, shumica ishte për neutralitet dhe vetëm një fraksion i vogël ishte në favor të luftës. Por faktori kryesor i brendshëm për mosnënshkrimin e aleancës shqiptare-greke ishte aspirata e pasuesve të “Idesë së Madhe” për aneksimin, të paktën, të Shqipërisë së Jugut nga Greqia.
Nëse në vitet 60-të të shek. XIX Greqia dhe Serbia, me bisedimet e vitit 1861 dhe me traktatin e Vësllaut, që u nënshkrua më 1867, ranë dakord që ta ndanin Shqipërinë midis tyre, tani më 1877, politikanët e Athinës mendonin se erdhi koha që e gjithë Shqipëria të bashkohej politikisht me Greqinë. Për bashkimin politik të Shqipërisë me Greqinë u shprehën qartë dhe hapur përfaqësuesit grekë në bisedimet e Janinës dhe të Stambollit. Ideja për një bashkim të tillë përshkonte të gjitha botimet, artikujt, thirrjet etj. që u shkruan dhe iu drejtuan popullit shqiptar nga shovinistët grekë në vitet 1878-1881, siç janë, p.sh., “O Ethnikos Dhesmos” (Lidhja Kombëtare) ,“To Paron qe to mellon tis Allvanias” (E Tashmja dhe e Ardhmja e Shqipërisë) etj.
Në dështimin e bisedimeve shqiptare-greke për lidhjen e kësaj aleance ndikoi negativisht edhe presioni i diplomacisë imperialiste angleze dhe franceze mbi qeverinë greke që të mbante neutralitet ndaj Portës së Lartë, duke i premtuar se në kongresin e ardhshëm do t’i plotësoheshin Greqisë pretendimet e saj territoriale ndaj Turqisë.
Anastas Kulluri, duke luftuar kundër “Idesë së Madhe” greke, kundërshtonte me forcë bashkimin e Shqipërisë me Greqinë. “Por nuk dëshirojnë, theksonte ai, që këta (shqiptarët) të përfshihen tek hellenismoi, sepse panë se do të humbisnin kombësinë e tyre, gjuhën e tyre, zakonet dhe doket e tyre.” Më pas ai do të shkruante: “Shqipëria nuk kërkon që të ndërrojë sunduesit, por fatin.” Kulluri, duke qenë në dijeni se qeveria greke i kishte hedhur poshtë propozimet e shqiptarëve për lidhjen e aleancës kundër Turqisë, i nxiste ata që të kishin guxim sepse edhe midis grekëve ekzistonin zemra të pastra e patriotike,”të cilat në zërin tuaj të parë ndaj kërkesave tuaja të ligjshme, do të shpejtojnë që t’ju ndihmojnë. Midis këtyre zërave realist ishte gazeta greke “To Mellon” (“E Ardhmja”). Në numrin e saj 1790/1, midis të tjerave shkruhej, se në Greqi nuk mendojnë të gjithë si qeveria e tyre.” Prandaj edhe Kulluri i kundërvihej tezës së gabuar të qarqeve shoviniste greke se: “Athina nuk ka gjë të përbashkët me Prizrenin”.
Në gjysmën e dytë të shek. XIX u hodh ideja e krijimit të një Federate Ballkanike. Për këtë kanë folur edhe njerëz përparimtarë, të cilët dëshironin që Ballkani të pushonte së qeni fuçi baruti për interesat e fuqive imperialiste, por edhe politikanë të ndryshëm grekë e serbë, të cilët mendonin ta përdornin këtë federatë për realizimin e “Idesë së Madhe” greke dhe të “Naçertanijes” serbe.
Anastas Kulluri, një nga përfaqësuesit më të denjë të kësaj ideje, pranonte se mund të krijohej një “Federatë Lindore Ndërshtetërore.” Porse ai mendonte se në këtë federatë çdo shtet, duke përfshirë edhe shtetin shqiptar që do krijohej, të ruante kombësinë e tij, gjuhën dhe ligjet e tij etj. “Jemi pasues të sistemeve politike federative autonome (dhe) të pavarura në Lindje, me fjalë të tjera predikojnë vetëqeverisjen e kombeve dhe qeverisjen e vendit me anë të vendit (të vet).”
Por në praktikë nuk u morën masa konkrete për krijimin e një federate të tillë ballkanike, siç e përfytyronte A. Kulluri. Për krijimin e një federate shqiptare-greke, duke filluar që nga vitet 60 të shek. XIX u shprehën edhe disa nga rilindasit tanë dhe arbëreshë të Italisë si: Mitko, Brandi, De Rada, Kamarda etj. kjo ide u hodh edhe gjatë Krizës Lindore 1875-1881. Kulluri, për të mënjanuar rrezikun sllav, nuk e përjashtonte formimin e një federate të tillë. Në një artikull drejtuar gazetës “I foni tis alvanias”, i nënshkruar me inicialet Dh.K.H., mbasi flitej mbi karakterin e shqiptarëve, i cili është krejtësisht i kundërt me atë të italianëve dhe të grekëve, trajtohej edhe çështja e federatës shqiptare-greke. “Nuk kundërshojmë absolutisht, thuhej në këtë artikull, koalicionin e ngushtë federativ me Greqinë-ndoshta të vetmin mjet shpëtimtar të ekzistencës së të dy këtyre popujve – por luftojmë asimilimin përfundimtar dhe zhdukjen e shqiptarizmit.” Kulluri luftoi kundër konceptit shovinist të të gjithë atyre politikanëve, që formimin e federatës shqiptare-greke e shikonin si mjet e rrugë për zhdukjen e shqiptarizmit. Kështu p.sh., ai, duke kritikuar tezën e gazetës “Iris” lidhur me Federatat Ballkanike, shkruante se: “…ajo (Iris) me federatat kupton bashkime politike dhe jo federata vetëqeverisëse”. Ndërsa organi “Nea Ellas” (Greqia e Re) pohonte qartë: “Vetëm kur Greqia, mbasi do të vijë në veten e saj, do organizohet politikisht dhe ushtarakisht dhe do t’u imponojë kundërshtarëve të saj respektin dhe të predikojë të drejtat e saj historike, të plota dhe të pacunguara mbi Gadishullin e Ballkanit, vetëm atëhere mund të bëhet fjalë për një “Federatë Lindore mbrojtjeje”. Pra, pasi sipas saj, të realizoheshin megasynimet e “Idesë së Madhe” greke, vetëm atëhere mund të bisedohej për krijimin e ndonjë federatë me karakter mbrojtës, sigurisht nën udhëheqjen e Greqisë. Pra, ajo larg koceptimit që kishin rilindasit tanë si Anastas Kulluri, Abdyl Frashëri e tj.
Si pasojë, edhe për krijimin e një federate shqiptare-greke Kulluri u detyrua të mbante rezerva. Kjo duket qartë në kushtin që ai vinte për krijimin e saj: “më parë duhet të shpallet autonomia dhe pavarësia e Shqipërisë, thoshte Kulluri, dhe pastaj të mendojmë për lidhjen ose federimin me Greqinë”. Dhe më poshtë ai shtonte: “Ne kërkojmë dhe synojmë lidhjen federative me vëllezërit tanë shqiptarë, kur ata të emancipohen.” Kuptohet nga sundimi osman.
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nga ushtritë osmane dhe në kushtet e tërheqjes së përkohshme të lëvizjes revolucionare shqiptare, në mbledhjen për formimin e Lidhjes “Vëllezërit shqiptarë”, më 4 qershor 1883, Kulluri, duke pasur gjithnjë parasysh synimet e “Idesë së Madhe”, do të parashtrojë kushtet e mëposhtme për pjesëmarrjen e Shqipërisë në një federatë shqiptare-greke:
- Nuk mund të federohet një popull që ende nuk është i lirë. Më parë populli shqiptar duhet të fitojë lirinë dhe pastaj është ai që do të vendosë të federohet ose jo.
- Populli shqiptar duhet të hyjë në federatë me pushtet të barabartë, si aleat dhe jo si shërbëtor dhe i nënshtruar.
- Populli shqiptar duhet të hyjë në federatë me dëshirën e vet dhe i armatosur gjer në dhëmbë.
- Populli shqiptar, ashtu si do të hyjë lirisht në federatën shqiptare-greke, po kështu lirisht mund edhe të largohet, sepse lidhja politike ose bashkëpunimi politik do të thotë kooperim politik dhe kur i propozohet njërit e drejta e kooperimit, vetëkuptohet se ai ka edhe të drejtën e shkëputjes, se përndryshe, propozimi do të ishte një mashtrim.
Po qeveritarët e atëhershëm të Athinës nuk e kanë parë me syrin realist as Rilindjen Kombëtare shqiptare dhe as marrëdhëniet shqiptare-greke. Prandaj edhe Kulluri u solidarizua me mendimin e Jeronim de Radës, i cili e dënoi tani formimin e një federate shqiptare-greke. Në një koment të tij De Rada, mbasi kritikonte sjelljen barbare të konsullit grek, Somaqi, në Gjirokastër kundër Anastas Kullurit, që kishte vajtur atëhere në Shqipëri për njohjen e saj nga afër dhe për të shpërndarë abetaren të përpiluar prej tij, shkruante, midis të tjerave: “Edhe vetëm kjo (është fjala për incidentin kundër Kullurit) është e mjaftueshme që të hidhet poshtë nga mendja e çdo shqiptari çdo ide për federatë me grekët, nëse akoma ndonjë e inkurajon një ide të tillë. Por dëshironim që Evropa të ketë parasysh këtë mësymje të tërbuar të grekëve kundër zgjimit të ndjenjës kombëtare të shqiptarëve.” Kulluri, nga ana e tij, do të shkruante “Qeveria greke, nuk njeh shqiptarë dhe Shqipëri, por kërkon t’i gëlltitë ata si peshk”. Politikanët grekë të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e lanë veten të ndikohen shumë prej “panhelenizmit, i cili ndoshta beson se është e mundur të asimilojë në të racën shqiptare, të cilën pesëdhjetë shekuj, sipas fjalëve të një historiani, nuk mundën ta ulin sadopak personalitetin e saj”.
Denoncimi i qëndrimit të qeverisë së atëhershme të Athinës nga Mitko, De Rada, Kulluri etj. qartëson shkakun përse nuk mund të realizohej një federatë shqiptare-greke, e cila, në kushtet e barazisë reciproke dhe të njohjes së sovranitetit të kombit shqiptar, do të ishte në atë kohë një faktor pozitiv në mbrojtje të interesave kombëtare të të dy popujve fqinjë, të popullit shqiptar dhe atij grek.
Kështu, për shkaqet e lartpërmendura as aleanca shqiptare-greke, dhe as federata shqiptare-greke nuk u realizuan.
Anastas Kulluri ka qenë një njeri përparimtar, një iluminist revolucionar. Vepra e tij përshkohet fund e krye nga idealet e larta të barazisë midis kombeve dhe popujve të mëdhenj e të vegjël. Ai mbrojti në mënyrë të veçantë e me trimëri të rrallë të drejtat e kombit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e tij, organizatën e tij luftarake Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, luftën kundër sunduesve osmanë e kundër politikës së Fuqive të Mëdha, si dhe kundër lakmive të shteteve shoviniste fqinjë. Kulluri ka një meritë të veçantë, që nuk ra në grackën e Magali Idesë shoviniste greke, që ishte një ide reaksionare, që drejtohej jo vetëm kundër Shqipërisë. e popujve të tjerë të Ballkanit, por edhe kundër vetë popullit grek, dhe u bë një flamurtar i flakët i miqësisë midis popullit shqiptar dhe popullit grek. Ai luftoi pa pushim për lidhjen e një aleance shqiptare-greke kundër armikut të përbashkët, mbi bazën e njohjes së kombit shqiptar, të lirisë dhe të sovranitetit të tij.
Por këto qëllime fisnike dhe mendime përparimtare të Anastas Kullurit nuk mund të priteshin që të gjenin të paktën mirëkuptimin e qarqeve kulturore të Athinës. Përkundrazi ai pësoi ndjekjet e qarqeve shoviniste fetare dhe shtetërore greke të asaj kohe, ai edhe u persekutua prej tyre.
Më në fund, duhet pranuar se Anastas Kulluri renditet denjësisht midis rilindësve shqiptarë më të ndritur të epokës së lavdishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Anastas Kulluri u lidh ngusht me mjaft rilindas shqiptarë si: P. Vasën, Th. Mitkon, Jeronim de Radën, S. Dinen etj., disa punime të të cilëve u pasqyruan gjerësisht në faqet e gazetës, që ai drejtonte. Kulluri shkroi një Abetar Arbëror, një fjalor shqip-greqisht, si dhe dy broshura me titull “Allvanika Parerga” (Shtojca shqiptare), në të cilat trajtoi probleme të kulturës kombëtare shqiptare, si dhe emancipimin e popullit shqiptar nëpërmjet gjuhës së tij amtare.
Vepra e Kullurit është vlerësuar shumë nga patriotët shqiptarë të kohës dhe të viteve të mëvonshme. Kështu, gazeta “Shqipëria” e Sofjes, në nr. 4, datë 31 maj 1897, shkruante: “të kuptojë njeriu se sa kurajo të madhe kishte (A. Kulluri), sa mik i së vërtetës ishte dhe sa e madhe ishte puna që bëri ky, duhet më parë ta dijë që grekët atëhere qenë shumë fanatikë për punëra kombi… Kulluri atehërë u përpoq shumë si trimi brenda në “kthizë të Greqisë për Kombin Shqiptar… Qe njeri me zemër të madhe, me mëndje të lartë dhe karakter të fortë.”