Një 44-vjeçar shqiptar këtë të mërkurë është futur nga selia e policisë Reutlingen në Gjermani në listën e “më të kërkuarve të Europës” nga Europol, pasi akuzohet për përfshirje në organizatë kriminale që vepronte në tregtimin e drogave të rënda.
Sipas policisë kriminale të rajonit Baden-Württemberg, Berti Dedja i njohur me nofkat “Berti” dhe “Schakal” është zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar dhe hetuesit kanë dyshime se ai mund të jetë fshehur në Belgjikë, Holandë, Itali ose Shqipëri.
Sipas të dhënave në faqen e “EUmostwnated”, Dedja prej vitit 2016, ka ushtruar një tregti profesionale të paligjshme droge, duke lëvizur kokainë dhe marihuanë nëpërmjet organizatës ku bëjnë pjesë edhe disa anëtarë të tjerë.
“Ai vepronte si kreu i bandës. Për transportin e drogës ka përdorur mjete të përgatitura enkas për këtë qëllim. Dedja ndodhet në arrati që prej vitit 2018. Ai akuzohet për krijimin e rrugëve të trafikut të lëndëve narkotike nëpërmjet një bande”, thuhet më tej në njoftim.
Ndër të tjera, 44-vjeçari akuzohet edhe për transport dhe shitje droge në rrethin Ostalb.Ndërkohë, prokuroria publike në Ellwangen është përgjegjëse kryesore për hetimin e çështjes “Dedja”.
Për ata që kanë informacion se ku ndodhet Dedja, Europol ka vendosur në dispozicion numrin e telefonit 0711/5401-3316. Gjithashtu në njoftim nënvizohet se “kush e ka parë apo ka pasur kontakt me të, mund t’i vendosë në dispozicion edhe të policisë në Stuttgart në 24 orë”.
/f.s