Humbja e Shqipërisë, mediat daneze: “Portugalia i jep një dorë Danimarkës”
Duke qenë se Shqipëria dhe Danimarka janë pretendente për vendin e dytë, mediat daneze i kanë kushtuar rëndësi përballjes të së hënës mes Portugalisë dhe kuqezinjve.
Prestigjozja daneze “Ekstra Bladet” në shkrimin me titull me, “Portugalia i jep një dorë Danimarkës”, shkruan se me këtë rezultat përfiton shumë edhe Danimarka, ndërsa vë në dukje se ndeshja e tyre me Portugalinë do të jetë si finale. Sipas gazetës daneze skuadra e Olsen po kalon një moment negativ pasi në dy ndeshjet e fundit nuk arriti të shënonte asnjë gol dhe tani është e detyruar të luajë një 90 minutësh vendimtar.
Ndërsa e përditshmja tjetër “Jyllands-Posten” i kushton një hapësirë të madhe fitores së Portugalisë duke veçuar Etrit Berishën si një nga më të mirët në fushën e lojës. Ndërkohë, në faqen e internetit, televizioni TV2 bën lojë fjalësh me titullin: “Ndihmë e shpejtë për Danimarkën, Portugalia fiton në kohën shtesë kundër Shqipërisë”, duke shtuar se luzitanët arritën të gjejnë tre pikëshin ashtu si në “Telia Parken” vetëm në fundin e takimit, duke kryesuar me 15 pikë, të ndjekur nga Danimarka me 12 dhe Shqipëria me 11.