Nga Edison Ypi
Dua të humb. Por s’po di se si, s’po di se ku. Është bërë keq për humbje. Kanë humbur humbjet. Kanë mbetur vetëm fitoret. Asnjë nuk humb. Të gjithë fitojnë. Njeriu ka nevojë edhe për humbje.
Te Sheshi Skënderbe, 21 Dhjetori, Zogu Zi, nuk humb dot për qamet. Atje ka nga ata që të njohin dhe i njeh. Humbja nuk bëhet me njohje, me muhabete, me dëngla. Humbja bëhet me heshtje, me harrim. Humbja është mos të njohi askush, mos të njohësh askend.
Duke kërkuar një vend për të humbur, që the ti, ju futa Astirit. Jo ditën. Natën. Nata e zezë është për futje dhe humbje. Dita e bardhë është për gjetje dhe fitore.
Ju futa tinëz. Nga një qoshe strategjike. Në rrëzë të asaj urës sapo hedh Lanën. Në stil kleptokratik. Si dora e hajdutit që rrëshqet ngadalë brenda xhepit të dudumit në autobuzin që të çon te stacioni i fundit, Humbja.
As njëqint metra më tutje, ku fillon xhungla e pallateve të reja, mu çfaq një degëzim si kërrabë. Bishti i kërrabës këtej nga u futa. Anonimitet i përsosur. Fillim premtues për humbje të sigurtë, të thellë. Vrava mendjen ku e kam parë këtë vend jo fort të ndriçuar, jo dhe aq të rregullt ? Dhe e gjeta. Kërraba e Astirit qè tamam si ca vende në Londër ku ka tabela: “Vehicles left at owner’s risk” ose “Here the police accept no responsibility for any loss or damage of cars.”. Me një dallimin kolosal. Në këtë qoshe të Astirit ka më tepër cars, por asnjë tabelë që flet për resposability, loss, demage, polic, polici.
Më në thellësi të xhepit prejnga depërtova Astirin, trotuarin e kanë zënë tre zezakë euforikë plot të qeshura dhe kufje në vesh. Afrohem i pyes cilët janë dhe nga vijnë. Mes të qeshurave mora vesh se vinin nga Nigeria, punonin nëpër grataçiela dhe supermrkata, ktheheshin nga ceremonia e fejesës së njërit prej tyre, atij me leshrat kokorithka dhe lëkurën si qymyri, me një elbasanllie më bjonde se dielli.
Te Astiri sheh dhe Piccadilly Circus, edhe Cambridge Square. Por atje kam frikë të vete. Atyre s’u afrohem. Atje ekziston rreziku të njoh dhe të më njohin, atje prishet magjia, humbet humbja, fiton fitorja.
Në një vend tjetër plot dyqanka dhe butika, Astiri duket si Athina në lagjen Plaka. Mungon vetëm kalldrëmi dhe “kalisperat” janë “mirëmbrëma”.
Hotele me disa yje.
Pa numurim restoranta të shtrenjtë, me menura si ta k’ënda.
Si dhe plot Fast Food-a, Hamburgera, Sandviça, Sufllaqa, ngrënie të shpejta, kullotje.
Në Astir gjithçka si e ka bota. Jo bota e tretë. Zoti mos e dhëntë. Bota e parë. Në Astir nuk ka endacakë, lypsa, zhulsa, homelessa.
Ja dy filipine me gëzofa. I pyes për ku po nxitojnë. Thonë se po shkojnë në një darkë me ca mikesha.
Te një vend pak më tutje, plot farmacira, berberë, vegla, pune, kancelerira, dyqane mishi, peshku, mbi 20 kazanë plehrash. Aty më ngriu gjaku. Thashë se rrëshqita nga humbja lavdiplotë te fitorja e turpshme. Më solli në vete një tjetër i zi që më parakaloi. Si shqiptar që jam, e preka te supi. Prit-prit, i thashë. Bëra pak muhabet me të ziun. Ishte nga Kameruni. Merrej me kompjutera, me softuera. E pyeta për kushtet e punës, jetesës, nëse ndjehej rehat apo fatkeq ? Tha: Not bad. Kaq desha. Kazanat e plehrave mu zhdukën nga pamja.
Në Astir gumëzhijnë të gjithë tipat, kallëpet, karakteret, gjinitë, racat. Por në Astir nuk sheh asnjë polic.
Po kalon një çift. Të veshur e të mbathur me rroba të bukura dhe këpucë të shtrenjta. Të larë sikur sapo kanë dalë nga lavatriçja. Të dy madhështorë. Ai kalë. Ajo pelë. Kujtova se ishin gjermanë, nordikë, a të paktën polakë. U gabova. Kur më kaluan pranë mësova se Ai ishte Odiseu nga Dibra, Ajo Penelopa nga Korça. Nuk i pyeta. Shqiptarve, emrat dhe origjinën ua gjej pa i pyetur. E kam atë talent. Kush ka udhëtuar me mua, fillimisht është mahnitur, pastaj është bindur. Më ka ndodhur qindra herë që ua kam gjetur emrat pa i pyetur. Kjo goca që sapo doli nga butiku, për shembull, quhet Fatmira. Ja ta pyes. U quajtka Fatbardha. Epo kaq pak më lejohet të gaboj. E kam nga torollepsja që shkakton humbja te Astiri.
Kur ndjeva se po të mos tregohesha i vëmendshëm, pas pak do gjendesha te Tour Eiffel-i, Madison Square, Duomo, Piccadilly, Trafagari, vende ku me siguri do humbja humbjen dhe mundimi për të humbur do më shkonte kot, një tu kthyer mbrapsht.
Pas grataçielave mahnitës, hoteleve si në Dubai, bankave hijerënda, zyrave që të zgjidhin çdo problem, dyqankave ku çdo mall kushton 1 Euro, aventurës për të humbur me sukses i erdhi fundi, gjumit zgjimi, ëndërrës realiteti, u hodha te Bulevardi Migjeni. Por rashë nga shiu në breshër. Edhe te Migjeni pafund shërbime, klinika, laboratore, fizioterapira, shërbime interneti, celulara, agjenci udhëtimi, agjenci imobiliare. Zoti e di si dola nga batërdia e restoranteve ku mund të hante bota, hoteleve ku mund të flinte Kina, ku të gjithë flisnin me zë të ulët, qeratë dhe çmimet e apartamenteve janë të ulëta, ku s’njoha askend dhe nuk më njohu askush, s’pashë asnjë polic, dhe ika nga kthetrat e Migjenit. Por halli se nga Poeti Migjeni dola te vrasësi Misto Mame. Është e bukur jeta. Sidomos humbja.











