Humanizmi anglez: Ndihmohet shkollimi i shqiptarit nga Kosova
Dy motra janë duke i ndihmuar një të riu nga Kosova për të përfunduar studimet në Britani të Madhe. Ato po shpresojnë që të grumbullojnë 3300 funte për të paguar tarifat shkollore të Astrit Bunjakut, që është në vitin e fundit në Richmond American University në Londër.
Astriti kishte shkuar në Grimsby në moshën 16-vjeçare, me nota të shkëlqyeshme në Kosovë. ai menjëherë nisi të punonte atje. Në moshën 18-vjeçare filloi nisi studimet për Marrëdhënie Ndërkombëtare, ku u ndihmua nga një amerikan. Pas një viti akademik fitoi çmimin “David Ross” që vlerëson të arriturat akademike dhe që njëkohësisht i mundësoi vijimin edhe të një viti pa probleme financiare.
Gjithsesi, dy vitet e fundit ai kishte probleme të mëdha. Meqë Kosova nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, ai nuk mundet të sigurojë përkrahjen siç munden qytetarët nga Evropa. E, familja e tij në Kosovë nuk ka kushte të mira, raporton “grimsbytelegraph”, transmeton koha.net.
Astriti po mundohet që me punë të arrijë të përfundojë studimet, por atij i lejohen vetëm dhjetë orë punë në javë.
Pam Borrill dhe Val Collier, që e njohën Astritin përmes miqve të tyre, janë duke u munduar që ta ndihmojnë.
“Ai me të vërtetë e meriton t’i ndihmojmë. Është xhentëlmen, djalë i dashur, nga një familje e dashur”, thotë Pam, që jeton në Cleethorpes. “Jemi shumë të vendosura në këtë. Mendojmë se atij i duhet një shans”.
Astritit i është ofruar një vend pune në Kosovë. Ai po kërkohet nga një firmë kosovare, por punën do ta nisë me kusht që të përfundojë me sukses studimet në dhjetor.
“Nëse nuk i përfundon studimet, humb i gjithë mundi”, ka shtuar Pam. “Astriti është një djalë shumë i motivuar, i sjellshëm, që punon shumë dhe lufton kundrejt shumë vështirësive. Andaj, është qenësore për të që të ndihmohet financiarisht sa më shpejt që të jetë e mundur, që ai të jetë i pavarur dhe t’i ndihmojmë familjes së tij”, ka thënë Val.
Ato kanë hapur një fondacion ku po presin donacione për t’i ndihmuar Astritit në përfundimin e studimeve dhe në nisjen e karrierës.