Një bisedë me Xhevat Lloshin. Ç’thotë gjuhëtari i njohur për rreziqet ndaj shqipes. Fjalët e huaja dhe dygjuhësia në epokën e globalizimit. Detyra e mediave, shkollave, institucioneve. Pse gjuha standarde nuk e mpak, por e ruan dialektin, ashtu si ky pasuron standardin.
Nga Bashkim Koçi
Xhevat Lloshi ka lindur në Fier më 28 janar 1938. Shkollën e mesme e kreu në Korçë dhe më pas mbaroi fakultetin në UT për gjuën ruse. Falë rezultateve të shkëlqyera ai u përzgjodh për kualifikim pas universitar në Moskë. Në vitet 1980-’82 Xhevat Loshi ka qenë kryeredaktor i gazetës “Drita”, detyrë të cilën do ta linte për të punuar në Akademinë e Shkencave. Ai mori pjesë në përpunimin dhe redaktimin e pjesëve përkatëse të Fjalorit të sotëm të gjuhës shqipe, të botuar në vitin 1980. Është autor i shumë artikujve shkencorë, por libri më i plotë i Prof. Xhevat Lloshit është “Shqipja qysh u është dukur”. Ai në një legjislaturë ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Edhe pse ka dalë në pension, kurrë nuk ka hequr dorë nga puna shkencore për probleme të gjuhësisë. Deviza e Prof. Xhevat Lloshit është “Rro që të punosh”.
-Zoti Lloshi, në Kongresin e vitit 1972, i cili bëri njësimin e gjuhës shqipe, thuhet se janë bërë shkelje të rënda, duke “harruar” dialektin e gegërishtes, nën parullën “Një komb – një gjuhë letrare”. Cili është mendimi juaj?
-Shprehje të kësaj natyre i ndeshim në trajta të ndryshme, por e përbashkëta e tyre është se janë me burim emocional, ndërsa nga ana intelektuale janë me një mendësi të ngushtë e të prapambetur. Kudo në botë gjuhët që i quajmë të standardizuara nuk i shkelin dialektet, por ngrihen mbi rrënjët dhe pasurinë e tyre për të ndërtuar një gjuhë të shkruar me rol të pazëvendësueshëm për komunikimin publik, për arsimin dhe kulturën e një kombi. Këtë rol të shumëfishtë nuk mund ta luajë një dialekt dhe prandaj të gjitha dialektet e tjera, duke përfshirë në rastin tonë edhe toskërishten, natyrisht që do të mënjanohen për këtë rol, ndërsa do të vijojnë jetën e tyre në bashkësitë krahinore përkatëse dhe do të shfrytëzohen më tej jo vetëm si një minierë për pasurimin e gjuhës standarde, por edhe me role të tjera, veçanërisht për krijimtarinë artistike në letërsi, në këngë, në humor, në teatër, në filma, në gazetari, për ngjyrime historike.
Ndërkaq, në rastin e shqipes ndërhynte edhe një faktor i rëndësishëm historik e kombëtar. Për shkak të shtypjes së gjatë prej pushtuesve të huaj ishte penguar rëndë përpunimi shekullor i një gjuhe të shkruar për gjithë shqiptarët. Menjëherë pas Pavarësisë më 1912 shtrohej me forcë nevoja për një gjuhë të shtetit të ri shqiptar. Fare pak vjet më pas punoi Komisia Letrare në Shkodër, e cila me vetëdije të kthjellët bëri një hap të rëndësishëm për këtë gjuhë. Ideja e saj për një gjuhë standarde mbi bazën e të folmes së mesme, si një urë lidhëse ndërmjet dy kryedialekteve jo vetëm nuk u hodh poshtë, por u rimor dhe deri në mesin e shek. XX një variant me karakteristika kryesore të gegërishtes u përdor nga shteti shqiptar. Askush gjatë asaj periudhe nuk u çor siç bëjnë ca tipa sot, se “u bënë shkelje të rënda”, se “u harrua dialekti i toskërishtes” e më the të thashë. Nuk do të zgjatem më tej, sepse shumë herë të tjera kam folur e kam shkruar për këtë problematikë.
-Konstatohet se në përdorimin e gjuhës shqipe kanë depërtuar shumë huazime, shumë fjalë të huaja. Cila do të ishte këshilla juaj për t’i zëvendësuar ato me fjalë shqip?
– Huazime gjuha shqipe ka marrë që në lashtësi dhe do të marrë edhe në ditët tona. Shqetësimi i sotëm është sepse ato po përdoren kur nuk është aspak e nevojshme ose kur shqipja i ka prej shekujsh. Fajin këtu e ka jo vetëm një rënie kulturore e përgjithshme që vërehet, por edhe moda, prirja qesharake për t’u dukur si i (e) kohës nëpërmjet të folurit. Për fajin e parë e quaj me vend të vë në dukje, se ata që imitojnë me shpejtësi gjuhët e huaja tregojnë nivelin e tyre të ulët. Njerëzit me formim të dobët kulturor, me prapambetje të zhvillimit intelektual ndikohen me lehtësi nga një gjuhë e huaj. Njerëzit me formim kulturor të shëndoshë nuk përgjunjen me kaq lehtësi. Huazimet e panevojshme janë shenjë majmunërie.
Për fajin e dytë, shihni ata dhe ato që deri në klasat e shkollave dhe në emisionet televizive nuk përmbahen dot pa thënë vazhdimisht “okej”, sikur nuk ka një varg mënyrash për të thënë shqip “mirë, bukur, në rregull, ashtu, po, sigurisht” etj. Vëruni veshin atyre që çdo ditë nga ekranet na rrëfejnë si të gatuajmë dhe se si thonë: “Do të realizojmë një sallatë”!! Çfarë shqipeje është kjo: “indikator monitorimi për performancë”? Përse shkruajnë edhe në dokumentet zyrtare “Progres Raporti”? Si mund të mos bezdisesh kur një tyryfyçkë thotë nga ekrani: ”Aktrimi është kthyer në number one”? Por sidomos kini kujdes nga ata që ju thonë: “Ta adresojmë problemin”. Shqip shprehemi: e shtroj problemin, e shqyrtoj problemin, e trajtoj problemin, e zgjidh problemin e kështu më tej. Kurse ata që ju thonë se do ta adresojnë problemin as nuk do ta shqyrtojnë, as nuk do ta zgjidhin, por jua kanë dredhur, ju kanë mashtruar. Po përse kështu, do të pyesë dikush. Sepse kthejeni fjalinë ndryshe kur njeriu flet ndershmërisht dhe ju thotë: e kemi shqyrtuar problemin, e kemi zgjidhur problemin tuaj. Po çfarë feje kuptimi do të kishte fjalia: “E kemi adresuar problemin tuaj”?
Këshilla ime kryesore është, që modëndjekësit dhe të paditurit le të njohin më mirë pasuritë e shqipes e përgjithësisht të kulturohen. Më trazohet barku, kur dëgjoj dikë, që në televizor thotë “inshurancë”, sikur nuk ka lexuar të paktën tabelat e shoqërive të sigurimit kudo nëpër qytet. Nuk është vendi këtu për të dhënë shembuj pa fund të këtyre rasteve huazimesh, madje edhe duke i përdorur gabim fjalët e gjuhëve të huaja. Por e njëjta gjë ndodh edhe me fjalët e shqipes. Nuk e di se çfarë epiteti t’i vësh një gruaje, e cila thotë në emision: “Vendosim ujë në tenxhere.” Kurrë nuk kanë thënë shqiptarët kështu, sepse uji nuk është send i ngurtë, rrjedhimisht, ne ujin e hedhim diku, e shtiem, e derdhim, e shtojmë e kështu më tej.
-Ndërkohë ka edhe terma ndërkombëtarë ose terma shkencorë që në një mënyrë apo në një tjetër po bëhen “shqiptare”. Meqë vendi ynë, ashtu si e gjithë bota është “ndërkombëtarizuar”, a ka hapësirë që këto fjalë të zëvendësohen me fjalë shqipe?
-Përgjigjja më e thjeshtë do të ishte se, natyrisht ka edhe hapësirë për zëvendësimin e disa termave. Megjithatë, do ta theksoj, se terminologjia përgjithësisht është punë e specialistëve dhe kudo në botë atë e përpunojnë dijetarët më të mirë të fushës përkatëse. Njëkohësisht, le të mbajmë parasysh se në kohën tonë fushat speciale zhvillohen pafundësisht dhe kërkojnë fjalët përkatëse, por gjithsesi ato mbeten në përdorim brenda një rrethi të kufizuar. Asnjë gjuhë në botë nuk është në gjendje ta përballojë vërshimin e diturive vetëm me fjalët e veta, duke u kufizuar me mjetet e veta. Edhe një gjuhë si gjermanishtja, me aftësi fjalëformimi të jashtëzakonshme, aq sa thonë që i ka fjalët me ngjitës nga të dy anët dhe mund të ndërtojë fjalë të përbëra pa kufi, nuk ka ndërmarrë përpjekje të zëvendësojë anglicizmat e domosdoshëm software dhe hardware.
Vëmendja jonë është e mira të përqendrohet te ajo pjesë e termave, që dalin të pranishme edhe në të folurit e përditshëm. Kam disa vjet që rrekem të nxis institucione shtetërore për të ngritur një grup pune, i cili të sistemojë termat e elektronikës dhe të kompjuterit. Hapi i parë është pikërisht sistemimi i gjithë fushës, pastaj të shihet se çfarë mund të bëhet më tej, sipas parimit që e kam shtjelluar disa herë: shqipja – një gjuhë e hapur dhe dinamike. Në këtë punë ka shumë rëndësi edhe të përcaktohet cila do të jetë trajta normative gjithashtu për termat e huaj, që nuk shqipërohen, për shembull, si do t’i mbajmë më tej dy fjalët e mësipërme që sapo përmenda të kompjuterit.
-Shenjë e civilizimit të një populli është se si sillet ai me gjuhën e tij. Është detyrë e tij që ta ruajë dhe ta kultivojë atë si vlerë kulturore dhe si tipar identiteti. Cili është mendimi juaj, këshilla që jepni lidhur me këtë çështje?
-Në radhë të parë mua do të më pëlqente të flisja për shenjat e qytetërimit dhe për lëvrimin si vlerë kulturore, domethënë duke mënjanuar dy huazime. Por sa për thelbin e pyetjes, më lejoni ta shmang në këtë rast termin e përgjithshëm “populli”, sepse ai përbëhet nga shtresa të ndryshme. Uroj që me kohë gjendja të përmirësohet rrënjësisht, por tashti për tashti do të pranojmë se ka një shtresë të gjerë, e cila e përdor shqipen me atë nivel të ulët që ka dhe ndonjëherë as që e kupton si çështje kulture dhe identiteti. Këtë dallim e bëj, që ta drejtojmë gishtin tek ato qarqe, të cilat e kanë për detyrë të merren me veprimtaritë e lidhura me përdorimin publik të gjuhës. Shtypi, media, politikanët, ligjvënësit, punonjësit e administratës, studiuesit le të mos e shpërfillin rolin që kanë për mbajtjen e një niveli të lartë kulturor nga ana gjuhësore. Në ditët tona shtrohen kërkesa të mëdha për përkthyesit, sepse nëpërmjet prodhimeve të tyre të dobëta po cenohet jo pak gjuha shqipe. Gjithashtu nuk e kam fjalën vetëm për përkthimet e letërsisë artistike, që ua zvjerdhin shijen krijimeve të thesareve botërore dhe më pëlqen, që për këtë anë ka mjaft zëra me kërkesa të drejta. Puna është se përkthimet janë pjesë e pandarë dhe e përditshme në shumë fusha të jetës sot, që nga lajmet e shtypit e deri te tekstet universitare, që nga ligjet e deri te udhëzimet për përdorimin e pajisjeve shtëpiake. Është pranuar tashmë, se lexuesit tërhiqen nga botimet historike, biografike, publicistike e kështu me radhë. Mirëpo nëse dikur kishte etje të vërtetë për të lexuar, për shembull, S. Frojdin, sot ai është aq i shtrembëruar shqip, saqë nuk i ndjellin më lexuesit librat e tij, të cilët (pavarësisht nga qëndrimi që mund të kemi ndaj teorive të tij) janë shkruar në origjinal me një stil tërheqës.
Nuk do të zgjatem për atë qark njerëzish, që e ka këtë fushë si detyrë të punës së përditshme, domethënë për mësuesit e pedagogët, mbasi kjo kërkon trajtime të gjera e të vazhdueshme.
-Gjuha shqipe ka aq pasuri fjalësh, është plot gjallëri e jetë. Ky është një konstatim i Gjergj Fishtës, i cili inkurajon se mund të përkthehen në të klasikët e çdo kombi, e çdo kohe. Qëndron për ju ky inkurajim, Profesor?
– Nuk është konstatim vetëm i Gj. Fishtës, zëri i të cilit pa dyshim ka peshë të madhe. Nuk do të përmend emra të tjerë, sepse kohët e fundit kam botuar një libër me titullin: Shqipja qysh u është dukur? Sa e ëmbël, sa e bukur! Çfarë kanë thënë e çfarë kanë kënduar për gjuhën shqipe. Të gjithë këta zëra shqiptarësh dhe të huajsh jo vetëm janë zemërdhënës, por edhe mbështeten nga arritjet e deritashme; mjafton të shkoni në një panair të librit dhe të shihni larminë e emrave të autorëve që nga klasikët e lashtësisë deri te zhurmëmëdhenjtë e ditëve tona.
– Holger Pederseni, një nga gjuhëtarët më të shquar të shekullit XX dhe profesor në Universitetin e Kopenhagës, është marrë edhe me studimin e gjuhës shqipe. “Ajo është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur – ka thënë ai – që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar.” Diçka më shumë për këtë studiues të shquar.
-Këto fjalë janë marrë nga shkrimi i tij “Gjuha shqipe”, botuar më 1917 te “Ylli i mëngjesit”. Ishte një gjuhëtar danez (lindi më 1867), i cili me të mbaruar shkëlqyeshëm Universitetin e Kopenhagës më 1891, vajti për një ekspeditë në Korfuz dhe në Mursi mes shqiptarëve. Shtysa për këtë nuk ka qenë thjesht studimore, sepse ai kishte edhe respekt për kombet e vogla, siç e ka dëshmuar në artikullin “Kombet e vegjëlë dhe gjuhësia” botuar më 1903 në “Kalendarin kombiar.” Me t’u kthyer nga ekspedita nisi botimin e një vargu artikujsh pikërisht për shqipen: për historinë e saj, për etimologji shqipe, për tingullin “l” të shqipes – të gjitha më 1894. Një vit më pas nxori përmbledhjen e pasur me folklor Tekste shqipe me një fjalorth, për të vazhduar edhe gjysmë shekulli të tërë me punime të tjera. Me rastin e pesëdhjetëvjetorit të vdekjes së Naimit, e ftuan të merrte pjesë, por për shkak të moshës nuk erdhi në Tiranë, e megjithatë dërgoi një shkrim, i cili është botuar i përkthyer shqip më 2000. Ai e vuri në vend veçantinë e shqipes, duke vërtetuar se disa dukuri që quheshin të huazuara, në të vërtetë ishin zhvillime të saj. Është shprehur edhe për alfabetin e shqipes lidhur me Kongresin e Manastirit dhe e ka vlerësuar shtypin shqiptar të kohës, duke bashkëpunuar me të. Bëhet një listë e gjatë gjuhësh, për të cilat ai e ka çuar përpara dijen gjuhësore, ndërsa për ne është me shumë interes, që ka dhënë krahasime të shqipes me disa prej tyre. Vepra e tij e vëllimshme Zbulimi i gjuhës, botuar danisht më 1924, përkthyer anglisht më 1931, jo vetëm mbetet edhe sot një libër që lexohet me ëndje, por edhe ka jo pak faqe kushtuar posaçërisht shqipes sonë.
Por edhe shqiptarët i janë përgjigjur me nderim vëmendjes së tij shkencore dhe simpatisë për ta. Qysh më 1900 “Kalendari i maleve” ka shkruar për jetën e tij; “Bashkimi” në Shkodër më 1910 ka dhënë njoftime biografike, ndërsa kur vdiq më 1953 menjëherë A. Xhuvani ka shkruar për të që të informohej përgjithësisht publiku. Më 1980 Idriz Ajeti ka botuar një artikull, që mbetet më i ploti shqip deri më sot.
– Studiuesi tjetër nga Çekia, Jokli, që gjithë veprimtarinë e tij e zhvilloi në Vjenë, ka një thënie që të mahnit: “Ka një mjet, – shkruan ai, – me anën e të cilit kërkimtari është në gjendje ta ndriçojë deri diku muzgun e fillimeve të popullit shqiptar dhe të hyjë në kohën, që shtrihet përtej dëshmive historike. Këtë mjet e jep gjuhësia.” Ai ka qenë mik i ngushtë me E. Çabejn, por edhe me figura të tjera të shquara. Sa ka shërbyer për ju, studiuesit shqiptarë, kjo këshillë e Joklit, profesor?
– Duke e thjeshtuar tablonë, do të thosha se katër emra gjuhëtarësh të huaj e përbëjnë vijën e pandërprerë të diturisë për shqipen: F. Bopi, G. Majeri, H. Pederseni dhe N. Jokli, ndërsa E. Çabeji është nxënësi dhe vazhduesi më i shquar i gjurmës së tyre. Mendimi i Joklit lidhet me një pohim të njohur: historia e një populli nis me shkrimin për të; periudha përpara dokumentimit shkrimor quhet parahistori. Ndërkaq, studimi i thellë shkencor i gjuhës është në gjendje të japë një përfytyrim edhe për parahistorinë. Do të sjell një shembull të thjeshtë. Dijetarët patën ndërtuar në formë hipoteze se si duhej të kishte qenë trajta e fjalës për dardhën mjaft kohë përpara se të dëshmohej me shkrim. Dhe me të vërtetë disa kohë më pas u zbulua një shkrim, në të cilin dëshmohej ajo fjalë pikërisht siç ishte rindërtimi hipotetik. Kjo vërtetoi se gjuhësia është një shkencë e përpiktë. Meqë shqipja dëshmohet mjaft vonë me shkrim, atëhere sigurisht që do ta pranojmë si udhërrëfyese këshillën e Joklit. Gjuhëtarët tanë më të mirë kanë ecur në këtë hulli dhe kanë sjellë ndihmesa të reja. Natyrisht, kushdo ka të drejtën të tregojë përrallën e vet, se shqipja është gjuha e parë e botës, se pellazgët kanë qenë populli më i parë europian e kështu më tej, ndërsa unë mendimin tim e kam dhënë në librin e vogël Periudhat historike të shqipes. (2013)
Si shembull konkret po sjell terminologjinë e krishterë në gjuhën shqipe. Pjesa e hershme e saj është me prejardhje latine. Nga kjo pikënisje gjuhësore do të themi, se krishterimi te ne ka ardhur nga Perëndimi dhe jo nga Jugu, jo greqisht. Krishterimi na ka ardhur nga shek. IV; vetëm më pas u shtri ndikimi bizantin me rrjedhoja edhe gjuhësore. Nga fundi i shek. V kanë nisur ndërtimet paleokristiane, prandaj arkeologët të mos kërkojnë gjurmë kishash në truallin tonë para shek. IV. Krishterimi bizantin arriti të ndërtonte kisha të stilit të vet deri në Veri të Shqipërisë, prandaj arkeologët le të mos kërkojnë kisha të ritit katolik përpara shek. XII. Shtresa e hershme latine ka qenë kaq e ngulitur, rrjedhimisht, saqë terminologjia greke nuk e zëvendësoi dot as për një mijë vjet.
– “E mjera shqipe, ç’i punojnë e s’ka gjuhë të ankohet!” – do të thoshte dikur Tajar Zavalani mbi bastardimin e shqipes. Keni ndonjë opinion rreth kësaj, çka po ndodh dhe si mund t’i pritet revanshi; mendoni se duhet të veprohet me ligj të posaçëm?
– Përveç T. Zavalanit, unë do të përmendja një autor më të hershëm, Frang Bardhin, i cili për herë të parë e ka përdorur këtë fjalë për rastin e shqipes më 1635: “gjuhën tonë, që po bdaret e po bastardohet”. Po edhe njëqind vjet më parë Filip Shiroka ka thurur vjershën “Si po prishet gjuha shqype?” Pasi tregon, se si një i ri na vjen nga Italia dhe “Kur flet shqip, asht çud me e ndi, gjysë për gjysë tue e përzi me fjalë të gjuhëve të hueja”, e përfundon:
“E kshtu gjuha po shemtohet, Dhe kshtu kombi po mjerohet.”
Gjithsesi, ankesat e zakonshme unë do të parapëlqeja që jo vetëm ta mprihnin ndjeshmërinë te cilido për përdorimin e mirë të shqipes, por edhe të shoqëroheshin me shembuj të arritjeve të mira dhe me këshilla konkrete se si të kapërcehen mangësitë.
Sa për një ligj të posaçëm, besoj se nevojitet një punë e madhe, në të cilën kanë pjesën e vet me peshë edhe mediat, që të rritet së pari prestigji i gjuhës standarde. Të ngulitim bindjen, se gjuha standarde është një variant i shqipes dhe zgërdheshjet kundër saj janë një qëndrim i ulët kundrejt gjithë shqipes. Gjuha shqipe është një tërësi variantesh historike, gjeografike, shoqërore e deri individuale. Sulmi kundër secilit variant është goditje kundër tërësisë së saj; kjo është njësoj sikur të thuash që akëcili po gjakos vetëm një gjymtyrë të trupit të një njeriu, po nuk e ka me gjithë trupin e tij.
-Duke lexuar autorët që shkruajnë mirë mësohesh të flasësh mirë – ka thënë Volteri. Cili është komenti juaj, nëse kemi parasysh këtu autorët dhe lexuesin shqiptar?
-Ky është një udhëzim i pakundërshtueshëm. Madje unë do të shtoja diçka, që ndoshta duket në kundërshtim me prirjet e sotme. E quaj të vyeshme, që edhe të mësohen përmendsh vjersha ose copa të shkurtra proze nga mjeshtër të shqipes. Këto përbëjnë një pasuri të brendshme të rrënjosur, e cila edhe na shtyn ta ngremë ligjërimin tonë, edhe shërben si ledh kundër zvetënimit të mendimeve e të fjalëve. Do ta quaja detyrë të Ministrisë së Arsimit, që të përcaktonte një numër të vogël vjershash e fragmentesh, të cilat çdo nxënës shkolle do të duhej t’i dinte përmendsh. Nuk e përfytyroj dot një bashkatdhetar, i cili nuk i ka në mendje fjalët “Ti, Shqipëri, më ep nder . . .”
– “Zot! Jepu shqiptarëve vullnet dhe logjikë që të flasin shqip të paktën kur janë në Shqipëri. Se, siç kanë zënën disa, shpejt a vonë do ta bëjnë atdheun babiloni gjuhësh, ku s’do të marrë vesh qeni të zonë.” Këtë alarm e ka dhënë Nonda Bulka shumë vite, madje dekada më parë. A ju duket aktuale kjo thirrje, a po rrezikojmë ne, shqiptarët, “ta bëjmë atdheun Babiloni” gjuhësh, nëse kemi parasysh emigracionin, nëse kemi parasysh hapjen e vendit me botën?
– Me përjashtim të një gjysme shekulli, Shqipëria ka qenë kurdoherë e hapur. Ndoshta do t’u duket e çuditshme disave, por po e pohoj, se nën sundimin e disa perandorive varg Ballkani ka qenë i hapur për shumë popullsi e shumë gjuhë dhe si pasojë, kishte një pamje me mjaft pakica të ngatërruara brenda popujve me tjetër gjuhë. Kështu shpjegohen huazimet që nga koha e grekëve të lashtë e deri te turqizmat ballkanike, pa përmendur konfliktet politike e territoriale. Kështu shpjegohet edhe përhapja e shqiptarëve në diasporë, për shembull, deri te kolonia e mëparshme në Egjipt. Sot të njëjtën gjendje po e përftojnë globalizimi dhe emigracioni për shkak të lehtësisë së krijuar nga transporti detar dhe ajror. Në pjesën e tyre më të madhe shqiptarët po bëhen dhe do të jenë dygjuhësh. Mjafton të përmend kushtin, që e kanë shumë vende për emigrantët, se duhet ta japin provim gjuhën e vendit. Por edhe shteti ynë e ka për detyrë të interesohet që të kenë shkolla shqipe bashkatdhetarët tanë jashtë vendit dhe të mos mbetet vetëm duke thënë se pakica greke i ka shkollat në Shqipëri. Shumësia e gjuhëve nuk është mjerim, por pasurim.
Nga ana tjetër, mund të duket e papritur, por shqipja do të mbahet e fortë në qoftë se shqiptarët do t’i mësojnë më mirë gjuhët e huaja. Sipas legjendës, Perëndia e shpërbëri gjuhën e vetme që të mos ndërtohej Kulla e Babelit. Mirëpo nuk i kishte vajtur mendja, se njerëzit, qysh kur e kafshuan mollën e ndaluar, ishin bërë të zgjuar dhe mund të mësonin shumë mirë gjuhët e njëri-tjetrit. Nuk ka asnjë shqetësim për një rrëmujë Babilonie edhe në Shqipëri, në rast se e përvetësojmë mirë shqipen dhe e mësojmë mirë gjuhën e huaj. Ata që i zotërojnë keq gjuhët huaja, ata na ngarkojnë me huazime të panevojshme. Ata ose ato që i zotërojnë keq gjuhët e huaja janë pre e majmunërisë gjuhësore. Shumë gjuhë do të thotë shumë kultura dhe vetëm kur njeh kultura të tjera e vlerëson më mirë amtaren. Dua ta mbyll me një përgjithësim prej përgjigjeve të mësipërme: vëmendja për shqipen nuk është thjesht punë e një lënde shkollore ose e ndreqjes së gabimeve drejtshkrimore, por është thirrje për identitetin kombëtar, i cili pranohet dhe mbrohet gjithashtu nga Europa e Bashkuar, ku synojmë të bëhemi pjesë e përhershme./dita/a.k