Lufta në Lindjen e Mesme ka shkaktuar një rënie me 89% të tranziteve ditore në Ngushticën e Hormuzit brenda pak muajsh. Para bllokimit, nga aty kalonte 37% e naftës botërore të transportuar me rrugë detare dhe 28% e gazit të naftës të lëngshëm (LPG), por edhe 19% e gazit natyror të lëngshëm dhe produkteve të rafinuara. Këtë e tregon raporti i ri “Port Infographics”, i realizuar nga Assoporti dhe SRM, qendra studimore e grupit Intesa Sanpaolo. Analiza kujton se afro 1 mijë anije rezultojnë të bllokuara në Gjirin Persik, me mallra të transportuara me vlerë të vlerësuar në 23.7 miliardë dollarë, me pasoja në zinxhirët globalë të furnizimit.
“Analizat që kemi kryer, falë bashkëpunimit të fortë me Assoporti, nxjerrin në pah vlerën strategjike të korridoreve kryesore detare për ekonominë globale”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i SRM, Massimo Deandreis.
“Këtë e shohim përmes tensioneve gjeopolitike dhe ndërprerjeve që po prekin Hormuzin, si edhe efekteve që ato sjellin në zinxhirët e furnizimit, kostot logjistike dhe organizimin e trafikut ndërkombëtar detar dhe energjetik. Pavarësisht situatës së përgjithshme, të dhënat tregojnë se Mesdheu ruan një rol strategjik global dhe Italia mund të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në ekuilibrat e rinj logjistikë”, shtoi ai.
Sipas medias iraniane “Irib”, gjatë 24 orëve të fundit vetëm një supertanker ka kaluar në Ngushticën e Hormuzit dhe këtë e ka bërë me lejen e Marinës iraniane.
Bëhet fjalë për “Agios Fanourios I”, një supertanker (VLCC) i ngarkuar me naftë irakiane dhe me destinacion portin Nghi Son në Vietnam, që ndodhet aktualisht në Gjirin e Omanit. Më herët ishte raportuar se anija, me flamur maltez, kishte kaluar ngushticën duke fikur sistemet e lokalizimit për të shmangur sulmet iraniane. Sipas asaj që raportoi sot “Tasnim”, anija e kaloi korridorin në koordinim me Iranin.
Takimi në Oman për Hormuzin
Të hënën, më 11 maj, ministri i Jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, priti në Muscat sekretarin e përgjithshëm të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), Arsenio Dominguez. Të dy zhvilluan një bisedë mbi sfidat aktuale të lundrimit detar në rajon dhe veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit. Gjatë takimit, Albusaidi ritheksoi nevojën për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të respektojnë sovranitetin e shteteve mbi ujërat e tyre territoriale.
Dominguez vlerësoi bashkëpunimin me Omanin dhe shprehu kënaqësi për konsultimet në vijim, duke mbështetur zbatimin e iniciativës humanitare të nisur nga IMO për mbështetjen e tankerëve të naftës që aktualisht ndodhen të bllokuar në Gjirin Persik.
Në kërkim të rrugëve alternative
Kriza në Lindjen e Mesme po ridizenjon rrugët tregtare. Portet që ndodhen në perëndim të Ngushticës së Hormuzit, si Jebel Ali dhe Dammam, nuk furnizohen më nga deti, por vetëm në rrugë tokësore ose përmes shërbimeve të kombinuara det-tokë nga Aqaba, Xheda, Egjipti apo direkt nga Turqia.
Ndërkohë, porte të tjera që para luftës konsideroheshin më pak të rëndësishme, si Fujairah dhe sidomos Khorfakkan, u kanë lejuar Emirateve të Bashkuara Arabe të vijojnë tregtinë, edhe pse të dyja ndodhen në një zonë të rrezikuar.
Porti i Fujairah ndodhet rreth 70 milje detare (afërsisht 130 kilometra) jashtë Ngushticës së Hormuzit dhe rreth 130 kilometra në lindje të Dubait. Ai është terminali i naftësjellësit Habshan-Fujairah, i njohur edhe si naftësjellësi i Abu Dhabit. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë nisur ta përdorin atë për të kapërcyer bllokimin e Hormuzit.
Nuk është e qartë sa naftë transportohet aktualisht përmes këtij naftësjellësi. Megjithatë, eksportet e naftës nga Fujairah duket se janë rritur gjatë muajit të fundit, duke arritur një mesatare prej 1.62 milionë fuçi në ditë në mars, krahasuar me 1.17 milionë fuçi në ditë në shkurt, sipas analistit të Kpler, Johannes Rauball, për agjencinë Reuters.
Siç kujtoi Guido Olimpio në “Corriere della Sera”, nuk është rastësi që së fundmi disa sulme iraniane kanë goditur impiantet e naftës në Fujairah, pika fundore e gazsjellësit që përbën të vetmen alternativë ndaj Hormuzit, së bashku me naftësjellësin Lindje-Perëndim, që lidh fushat saudite të naftës në lindje me portin Yanbu në Detin e Kuq.
Arabia Saudite synon Detin e Kuq
Edhe Arabia Saudite po studion alternativa për të kapërcyer bllokimin e Hormuzit. Në veçanti, pas reduktimit të projektit të megaqytetit futuristik Neom, Arabia Saudite po promovon portin e Neom si një nyje lidhëse mes Gjirit, Europës dhe Afrikës.
Ajo po fokusohet gjithnjë e më shumë te bregdeti i saj në Detin e Kuq si dalje kryesore tregtare. Pas mbylljes së Hormuzit, Arabia Saudite ka arritur të devijojë një pjesë të konsiderueshme të naftës së saj drejt Detit të Kuq përmes East-West Pipeline, naftësjellësi i ndërtuar gjatë luftës Iran-Irak në vitet ’80.
Sipas të dhënave të Kpler, eksportet nga porti i Yanbu janë katërfishuar që nga shkurti, duke kaluar mbi 29 milionë fuçi në javë në fillim të prillit. Për të ulur rrezikun e sulmeve të reja në Detin e Kuq, veçanërisht në Ngushticën Bab el-Mandeb, sauditet në fund të prillit rifilluan negociatat me Houthit jemenas./CorrieredellaSera











