Diskriminimi dhe shndërrimi i grave në objekt seksi në Hollivud nuk është një fenomen i ri. Për dekada me radhë, sjelljet seksiste nga burra me pushtet në këtë industri u bënë pjesë e sistemit të yjeve hollivudiane; kjo qasje ka ndikuar edhe tek mënyra e rrëfimit të ngjarjeve në filma. Në pjesën e parë të një materiali me dy pjesë për pabarazinë gjinore, korrespondentja e Zërit të Amerikës Penelope Poulou, i hedh një vështrim stereotipeve seksiste në filmat e njohur, që kanë depërtuar në kulturën popullore të Amerikës.
Breza të tërë janë rritur me personazhin Pepe Le Pew, qelbësin këmbëngulës, në ndjekjen e përhershme të maces së bukur Penelope. Ky film vizatimor, fillimisht u shfaq në ekranet televizivë në vitin 1945 dhe konsiderohej si një film i këndshëm dhe romantik. Sot, ngacmimet e padëshiruara të Pepe Le Pew-s ngjajnë të bezdisshme dhe tregojnë për përshkrimin që u bëhej në filma personazheve femra, thotë profesoresha e gjuhës Lisa Koch.
“Femra portretizohej si një objekt seksual, si personazh pasiv, objekt i ngacmimeve dhe dhunës seksuale, si në rastin e Pepe Le Pew.” – thotë profesoresha e Universitetit “George Mason”, Lisa Koch.
Marrëdhënia e trazuar mes Rhett Butler-it dhe Scarlett O’ Harës në filmin epik të vitit 1939 “Gone with the Wind”, “Bashkë me Erën”, jepej nga Hollivudi si një marrëdhënie dashurie pasionante.
Por sot shikuesit dallojnë shenja të dhunës familjare në marrëdhënien mes dy personazheve kryesorë. Rhett Butler është ironik dhe donte ta kontrollonte Scarlett-in, e cila përshkruhet si një grua krenare, por kapriçioze dhe manipuluese. Lisa Koch thotë se romanet dhe personazhe të tilla kanë legjitimuar përmes kulturës popullore, imponimin e meshkujve:
“Në se fokusohemi tek Hollivudi, fakti që ai është një institucion i dominuar nga meshkujt, patjetër që lidhet me këtë lloj portretizimi të grave; sa më shumë gra skenariste dhe producente të ketë, aq më pak portretizime të tilla do kemi.”
Seksizmi dhe abuzimi seksual në skenar, reflektohet edhe prapa skenës, me ngacimimet dhe abuzimet seksuale ndaj aktoreve nga producentët dhe meshkuj të tjerë në institucionin e Hollivudit, thotë profesoresha e artit të kinematografisë dhe videos, Giovanna Chesler:
“Mund të keni lexuar për marrëveshjen mes Bertoluccit dhe Marlon Brandonit për aktoren në filmin Tangoja e fundit në Paris. Ata e dinin se gjatë xhirimit do të kishte një skenë përdhunimi, por ajo nuk e dinte. Pastaj kemi rastin e Hitchcock-ut, që i abuzonte të gjitha gratë psikologjikisht, sidomos ato që donin të intepretonin në filmat e tij.”
Në librin e saj biografik të vitit 2016, “Tippi Hendren: A Memoir”, Hendren, aktorja kryesore dhe frymëzimi i Hitchcock-ut në filmat e tij “The Birds” dhe “Marnie”, rrëfen për ngacimet dhe abuzimet seksuale ndaj saj nga regjisori i filmit. Hedren shkruan se kur ajo i refuzoi ngacimet seksuale, ai e kërcënoi se do t’ja prishte karrierën. Giovanna Chesler thotë se kjo kulturë e përhapur seksiste dhe kërcënimesh prodhoi persona si manjati i Hollvudit, Harvey Weinstein, i njohur për shfrytëzimin seksual të aktoreve:
“Ai ishte njeriu i Oscar-it. Ai i joshte të gjitha këto aktore me role që mund t’i jepnin çmimin Oscar. Me këtë shpresë, ato mendonin se po të merrnin këto role dhe me t’u bërë të suksesshme, ato nuk do të shfrytëzoheshin më seksualisht. Sa ironike është që për të arritur suksesin, atyre u duhej të pranonin abuzimet e tij seksuale.”- thotë profesorja.
Profesoresha Lisa Koch thotë se në fund të fundit, prirja që ka fuqizuar pabarazinë gjinore në Hollivud po ndryshon, ngaqë gjithmonë e më tepër, audienca, sidomos të rriturit, nuk po i pëlqejnë më skenarët tipikë të Hollivudit, me mesazhe seksiste.(VOA)
ma.me