Përpara të gjithë pjesëtarëve të Parlamentit, Presidenti i Francës Hollande tha se vendi është në Luftë pas sulmeve të së premtes në Paris dhe sipas tij, vendi nuk do të jetë përgjegjës thjesht për të përmbajtur kërcënimin e IS, por i angazhuar për ta shkatërruar atë.
“Franca është në luftë. Këta vrasës nuk përfaqësojnë qytetërimin. Franca zotohet jo vetëm të luftojë, por të shkatërrojë të ashtuquajturin ISIS dhe për këtë do të përshkallëzojmë sulmet në javët e ardhshme”, deklaroi Hollande.
Presidenti Francez tha se në ditët në vijim do të ketë një takim me Barack Obamën dhe Vladimir Putin, në lidhje me masat që do të meren për të luftuar ISIS. Hollande ka shtuar se Franca do të intensifikojë sulmet e saj drejt xhihadistëve dhe Shtetit Islamik. Hollande ka shtuar po aq se do të kërkojë edhe një mbledhje urgjente të Kombeve të Bashkuara për të adresuar çështjen e reagimit ndaj ISIS.
Siç ishte dhe paralajmëruar ditën e djeshme, Hollande shtroi kërkesën e tij drejt ligjbërësve për të shtrirë gjëndjen e emergjencës në vend për një periudhë prej 3 muajsh. Presidenti i ka kërkuar anëtarëve të kongresit që të ndryshojnë Kushtetutën e vendit, në mënyrë që ti jepet më shumë pushtet autoriteteve për të përjashtuar nga vendi më shpejt personat që përbëjnë rrezik për rendin publik
“Besoj se ne duhet të ndryshojmë Kushtetutën tonë, në mënyrë që t’i lejojmë vetes që të luftojmë në mënyrë më efiçente terrorizmin.” Tha Hollande.
Hollande: Të riforcojmë policinë, ushtrinë dhe sistemin gjyqësor
Në fjalën e tij përpara kongresit në Versajë, Hollande shtroi disa kërkesa, që sipas tij janë të nevojshme në kushtet ku ndodhet vendi. Presidenti tha se Franca do të rikthejë sigurinë dhe kapacitetet e saj mbrojtëse, të vitit 2007. Hollande theksoi “ është një përpjekje e konsiderueshme dhe qeveria është e gatshme të bëjë ç’është e mundur”
Kërkesat e Presidentit drejtuar Kongresit
5,000 forca policore shtesë për dy vitet e ardhshme
2,500 poste të reja brenda burgjeve të vendit dhe sistemit gjyqësor
1,000 veta personel shtesë për agjensitë e kufirit
Asnjë shkurtim i fondeve për ushtrinë deri në 2017
Resurse financiare shtesë për teknologji kompiuterike dhe informacioni për mbrojtjen