Të paktën 13 gra kanë fituar vende në këshillat bashkiake, në zgjedhjet e para të Arabisë Saudite në të cilat gratë patën të drejtën për të votuar dhe kandiduar.
Rezultatet paraprake të publikuara të dielën konfirmojnë fitoren e Salma bint Hizab al-Oteibi për një vend në këshillin bashkiak. Ajo është gruaja e parë që fiton në zgjedhje lokale, duke mundur shtatë burra dhe dy gra të tjera për një vend në këshillin e bashkiak të qytetit Madrakah, që ndodhet rreth 150 kilometra në veri të Mekës.
Faqet e internetit të lidhura me autoritetet shtetërore dhe agjencitë e pavarura të lajmeve tregojnë se votuesit në Arabinë Saudite mund të kenë zgjedhur deri në 17 gra në këshillat bashkiake, por rezlutatet përfundimtare ende nuk janë shpallur.
Sipas organizatës Human Rights Watch, rreth 900 nga afro 6,000 kandidatët që konkurruan për 2000 vende në zgjedhjet lokale ishin gra, pavarësisht vështirësive që ato patën gjatë fushatës dhe regjistrimit për të votuar. Grupi Human Rights Watch tha se distanca e largët e qendrave të regjistrimit të votuesve dhe nevoja për karta të identitetit me të cilat shumë gra nuk janë të pajisura kanë penguar procesin e zgjedhjeve./VOA