Serafina një vajzë transgjinore, ndan në një intervistë me Hstoria Ime detaje nga jeta e saj të cilën e quan “të ndarë midis dy botëve“. Ajo tregon për paragjykimet dhe diskriminim nga bashkëmoshatarët dhe mësuesit në moshë të vogël që e detyruan të braktisë shkollën, marrëdhënien e vështirë me familjen gjatë adoleshencës, rastet e dhunimit nga policia dhe vështirësitë e gjetjes së një pune të qëndrueshme. Por flet edhe për raportin e mirë sot me prindërit apo dëshirën për t’iu rikthyer shkollës si Serafina. Në fund, ajo ndan me ne një mesazh për familjarët e personave LGBTI dhe për vetë komunitetin.
Si do ta përshkruaje jetën e një personi trans në Shqipëri?
Një jetë të dyfishtë… Shqetësimi im kryesor është që zgjohem në mëngjes dhe nuk e shoh veten femër. Dua ta shoh çdo ditë veten me paruke, të dal në mëngjes e lyer, e veshur si dua unë. Të harxhon, të konsumon çdo ditë shpirtin fakti që nuk jam femër. Më pëlqen më shumë personaliteti Serafina, dua të jem gjithmonë kështu.
Kur e ke kuptuar se je Serafina?
Qëkur kam qenë në kopësht ndoshta, që atëhere e kam ndjerë paragjykimin se nuk jam si të tjerët. Nuk e dija se çfarë mund të isha, nuk e përshkruaja dot veten, nuk kisha dëgjuar kurrë për LGBT. E ndieja veten shumë ndryshe, midis dy botëve, mashkullit dhe femrës.
Si ka qenë marrëdhënia jote më familjen? A mban mend ndonjë moment kur ti ke dal hapur me një nga personat e familjes?
Me motrën kam qenë shumë i lidhur, gjithmonë shprehesha me të. Shiko i them, siç ke ti të dashur çun ashtu kam dhe unë të dashur çun… në fillim u mërzit që unë ia pranova. Pastaj ka qenë marrëdhënia më e mirë, kemi filluar të bëhemi më të fortë. Ndoshta dhe ajo e ka ditur gjithmonë për identitetin tim. Kemi qenë shumë të lidhur dhe kemi quajtur dhe ende e quajmë veten motra, jo motër e vëlla.
Pastaj nga familja kam pasur mamin krah të djathtë, më mbronte dhe akoma më mbron shumë. Mendoj se do të më mbrojë gjithmonë. Babi ka qenë shumë paragjykues në fillimet e mia, në kohët e adoleshencës. Më pas duke parë që fëmija sido që të jetë, nuk hidhet poshtë, mbi të gjitha që këto janë preferenca krejtësisht normale, unë ky jam nuk mund të ndryshoj. Ata më kanë përkrahur shumë pasi e kuptonin që unë kisha nevojë për mbështetje dhe dashuri të madhe. Edhe e kanë bërë… Ata janë heronj, motiv për mua.. Asnjëherë nuk e kisha menduar se mund të pranohesha nga familja, e shikoja si gjë të pamundur këtu në Shqipëri që të pranohesh nga familja, sidomos nga një baba që vjen nga një fis me mentalitet shumë të mbyllur, nga Shkodra dhe nuk prisja që të më pranonin. Mendoja gjërat më të këqija të botës, përveç se të pranimit.
Ka qenë shumë moment i vështirë kur më merrnin, më kërcënonin të afërmit e mi se ‘‘po nuk të vrau yt atë do të të vrasim ne, na ke marrë fytyrën…‘‘. Ka qenë babi im që është përballlur vetë me ata duke i thënë se ‘‘ai është fëmija im dhe nuk iu takon fare ta paragjykoni‘‘.
Bota e jashtme më paragjykon por familja më mbron shumë, të paktën ma heq atë si të thuash paragjykimin e të jashtmëve, duke qenë se më japin shumë dashuri.
Po përsa i përket shkollës? Si i ke pasur marrëdhëniet me bashkëmoshatarët e tu në shkollë?
Të them të drejtën kam qenë një natyrë shumë e mbyllur në vetvete për shkak të paragjykimeve. Në 10 vite, bashkë me vitin e parë gjimnaz që kam lënë përgjysmë, nuk kam pasur asnjë shok apo shoqe. Shikoja që kishim djem të tjerë si unë femëror, por nuk mund tju afrohesha pasi do të më paragjykonin akoma dhe më shumë. Gjatë gjithë kohës kam qenë vetëm. Deri në 9-vjeçare e kam shtyrë se kam pasur dhe motrën që më mbështeste në shkollë, ajo është një vit më e madhe se unë.
Kur hyra në gjimnaz, vitin e parë e lashë se nuk mund të përballoja paragjykimet. Edhe pse kisha mbështetëse mësuesen kujdestare, ishin shumë të tjerë që më paragjykonin, do doja që të paktën zyshat të ishin pak më të afrueshme. Ka pasur zënka në shkollë, ofendime në rrethin shoqëror, të bëjnë të ndihesh shumë inferior. Të mërzitet jo vetëm shkolla, por çfarëdolloj gjëje tjetër. Edhe familja të mërzitet kur ti paragjykohesh. Ndaj dhashë dorëheqjen nga shkolla.
Do të doje t’i riktheheshe shkollës?
Do doja ti rikthehesha shkollës, si Serafina do të doja shumë… Më nevojitet shumë ajo shkollë, më është nevojitur gjithmonë. Vetëm nga paragjykimet nuk ia kam dalë dot që ta mbaroj deri në fund. Nuk e përballoja dot… Më duhej të përballoja ose dhimbjen dhe shkollën, ose të lija shkollën e të isha pak më mirë.
Si e mendon jetën tënde në të ardhmen? Cilat janë ëndrrat e tua?
Do doja shumë që e gjithë jeta ime të ishte këtu në Shqipëri. Do doja, por nuk mundem sepse edhe sikur të të jepen mundësitë e punësimit, shkollimit që ti të jetosh një jetë më të mirë, janë paragjykimet që nuk të lënë ta jetosh këtë jetë. Unë dua një marrëdhënie në çift, dua një vend pune si Serafina, këtu nuk më mundësohen dot këto dëshira dhe do kërkoj diku jashtë ndoshta.
Çfarë mesazhi ke për personat që janë pjesë e komunitetit ose ata persona që janë ende inside “the closet” si i thonë, që nuk kanë pasur mundësi që ta shprehin hapur siç po flet ti që ndihen ndryshe?
Unë jam ndjerë i paragjykuar edhe më përpara dhe tani, pra gjatë gjithë jetës. Njëlloj si trans apo kur nuk kisha bërë „coming out“. Duhet të dalin, ta pranojnë veten ashtu siç janë dhe aspak të ndryshojnë jetën e tyre për shkak të mamit, babit, apo duke marrë në qafë një jetë të dikujt tjetër duke u shtirur dhe mbi të gjitha jetën e vet, që nuk do të jenë të lumtur asnjëherë.
Të paktën familja të jetë ajo baza e fortë që ne të na mbështesi. Po s’patëm familjen do të ndihemi plotësisht vetëm. Të paktën kur kemi familjen që na mbështet dhe të na thotë ti nuk je vetëm këtu, jemi ne për ty, do bëjmë çdo gjë për ty dhe mos u mërzit për ato çfarë thonë njerëzit jashtë sepse ne të kuptojmë dhe e dimë shumë mire se kush je ti dhe përkundrazi nuk duhet të mërzitesh.
ma.me










