Nga Andrea Danglli
Donald Lu u betua si Ambasador i SHBA-ve në Shqipëri më 17 dhjetor 2014, ku që në prezantimin e parë përmes një video-mesazhi do të zotohej për të mbështetur ndërtimin dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Pak kush do ta mendonte se misioni i tij diplomatik do të ishte ndryshe nga paraardhësit e tij të cilët pavarësisht kontributit, kanë ardhur dhe kanë ikur pa lënë ndonjë gjurmë të madhe që sot vlen të kujtohet.
Thënë më troç askush nuk e mendoi se 50 vjeçari amerikan do të zhvishte kostumin diplomatik për t’u përballur seriozisht në një luftë “jetë a vdekje” me të ashtë quajturit “peshq të mëdhenj”.
Të paktën ky është interpretimi kryesor që mund t’i bëhet deklaratave të tij të guximshme dhe të vendosura për “luftë” me baronët e drogës, për lidhjet e krimit me politikën, për klanet mafioze dhe kryesorja për pallatin e shitur të drejtësisë.
Këtë mendim mbase pati edhe Sali Berisha, një prej figurave më dominuese në jetën politike në vend gjatë 27 viteve të tranzicionit.
Ish-kryeministri vjen nga një marrëdhënie e gjatë dhe e fortë me sistemin e drejtësisë ku shpesh është përfolur për kontroll, akuzuar për presion dhe faktuar për lidhje të drejtpërdrejta me prokurorë dhe gjykatës.
Edhe pse ka pasur mjaftueshëm akuza dhe prova të sjella nga aktorë të ndryshëm, kurrë nuk ka nisur një hetim për t’i vërtetuar institucionalisht dhe më pas për ta ndjekur penalisht.
Madje nuk ekziston e protokolluar asnjë tentativë nga Prokuroria e Përgjithshme për ta marrë në pyetje lidhur me ndonjë ngjarje të caktuar gjatë qeverisjes së tij.
“Drejtësia” do të ishte një nga pikat më të nxehta të raportit dy palësh Lu-Berisha, ku herë do të shtyheshin dhe herë do të tërhiqeshin.
Ideja që reforma në drejtësi do të mund të hidhte dritë edhe mbi dosjet e varrosura të qeverisë “Berisha”, do të sillte një ngërç bashkëpunimi për implementimin.
Duke shtuar këtu edhe frikën nga shembulli rumun ku ish-kryeministri Adrian Nastase (që qeverisi nga vitet 2001 -2004) ishte i pari “peshk i madh “ që ra në rrjetën e reformës në drejtësi. Të gjitha këto sollën një konfrontim të heshtur mes Berishës dhe ambasadorit Donald Lu.
Lufta për (pa)drejtësi
“Shtetet e Bashkuara kanë marrë një angazhim përpara popullit shqiptar për të monitoruar në çdo hap zbatimin e reformës në drejtësi. Asnjë përpjekje për të na frikësuar apo për të minuar procesin e reformës, nuk do na pengojë që të sigurojmë që ajo do të jetë e suksesshme për të parandaluar manipulim politik dhe korrupsion në gjyqësor. Ky është një premtim!” Me këto fjalë ambasadori Donald Lu garantoi shqiptarët më 3 shkurt 2017 për vazhdimin e implementimit të reformës në drejtësi.
Investimi i gjatë, i vazhdueshëm dhe me kosto të lartë, shpesh herë është parë nga opozitarët e djeshëm dhe të sotëm si një dështim i madh.
Një prej tyre ka qenë edhe ish-kryeministri Sali Berisha i cili dukshëm nuk ka dashur që t’i dalin nga kontrolli njerëzit e drejtësisë.
Mungesa e vullnetit të forcave politike duke sjellë shpesh herë edhe krizë artificiale, nxiti ambasadorin Lu të trokasë shpesh herë në dyert e partive politike.
Sa i përket kahut të djathtë, ai zgjodhi të trokasë në zyrën e Berishës për t’i marrë pëlqimin për themelimin e një drejtësie të pavarur nga politika.
Shumë individë e paragjykuan këtë lëvizje të ambasadorit amerikan si një dështim të reformës në drejtësi duke e parë me skepticizëm implementimin e pavarur të saj.
Sakaq përgjatë të gjithë zinxhirit të procesit dy pyetje janë ngritur në “selinë blu”: Pse ambasadori takon ish-liderin Berisha më shumë se liderin aktual Basha?
Kjo solli edhe spekulimet e para për seriozitetin e reformës ç’ka ngjallte dyshime të forta për një kontroll të mundshëm nga ana e ish-kryeministrit demokrat.
Më vonë, në një kohë kur Washingtoni dhe Brukseli prisnin fakte konkrete në zbatim të reformës, Berisha nxitoi të shpallë dështimin e saj ku akuzonte kreun e qeverisë Edi Rama si përgjegjës.
Sipas tij ai kishte vendosur shtetin në shërbim të mafjas dhe narko-trafikut.
Por diplomati amerikan u tregua i kujdesshëm që të risjellë edhe njëherë në vëmendje se reforma në drejtësi nuk ka vdekur, duke shtuar se ajo që ka vdekur është mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë siç kanë bërë deri më sot.
“Shqiptarët presin me padurim për drejtësi dhe politikanët kanë frikë. Disa politikanë kanë thënë së fundmi se reforma në drejtësi ka vdekur. Ajo nuk ka vdekur por mundësia që politikanët e fuqishëm të kontrollojnë dhe manipulojnë sistemin e drejtësisë është pothuajse e vdekur,” u shpreh Lu.
Lu guvernator apo ambasador?
Ka gjithmonë një preceptim pas çdo deklarate të diplomatit Lu: Është guvernator apo ambasador?
Në fakt, një pyetje e tillë shtrohet sa herë që të huajt përpiqen të kryejnë atë që ne nuk e bëjmë dot apo thënë më drejt nuk na intereson ta bëjmë.
Në një demokraci delikate dhe me pushtete të ndërlidhura dhe të kontrolluara nga njëra-tjetra, opinioni publik do t’i japë besushmëri më shumë atij apo asaj që dëshmon se është më i interesuar për progresin e vendit.
Ndaj më shumë se sa politika, diplomati Lu ka fituar besushmërinë e njerëzve të cilët e cilësojnë si njeriun më të shqetësuar për të ardhmen e vendit.
Por më të friksuar për këtë pushtet të fituar janë figurat e vjetra të politikës.
Ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë të dhënë më 4 tetor 2016 e ka akuzuar ambasadorin Lu se është palë me kryeministrin e vendit Edi Rama për implementimin e reformës në drejtësi dhe se po tenton që të luajë rolin e një guvernatori.
“Është e qartë. Ai është bërë palë. Nuk ka asnjë deklaratë kundër qeverisë”, tha Berisha duke shtuar se “po të kisha pasur ndonjëherë ndonjë mision diplomatik në vendin e tyre, gjënë më të parë që do të bëja ishte të ruhesha që të mos e mendoja veten më shumë sesa jam”.
Adriatik Llalla, Lu dhe Berisha
Në një intervistë të dhënë në studion e ABC News, ish-kryeministri Sali Berisha ka risjellë edhe njëherë në vëmendje akuzat e ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla ndaj diplomatit amerikan Donald Lu. Berisha ju referua një deklarate të bërë nga ish-kreu i akuzës në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ku deklaroi se është ndjerë i shantazhuar nga ambasadori Lu. “Unë kam pasur një kontakt me e-mail me Ambasadorin, ku i kam shprehur qëndrimin tim. Pa rënë pre shantazhit të tij. Ambasadori po ushtron shantazh ndaj meje nëpërmjet këtij fakti” u shpreh Llalla pasi i ishte revokuar viza amerikane nga SHBA.
Atë kohë, pas deklaratave të forta të ambasadës, Llalla nxori në “fushë-betejë” kompaninë “Bankers Petroleum”, ku tha se ka nisur prej kohësh hetimet dhe sipas tij Lu ka ushtruar presion për t’i ndaluar.
E gjithë kjo panoramë zhvillimesh duket sikur është nxitur artificialisht për të sfurmuar imazhin e ndërkombëtarëve në reformën në drejtësi.
Kjo përplasje u soll nga ish-kryeministri duke e cilësuar ambasadorin Lu si fajtor për mos reagimin.
“Lu është në konflikt interesi. Ai kërkon me çdo kushtet që Adriatik Llalla të ikë sepse e vërteta është e zezë mbi të bardhë. Llalla e ka akuzuar LU-në shumë rëndë për korrupsion,” tha Berisha.
Pavarsisht jehonës mediatike që bënë këto akuza, Ambasada Amerikane nuk i mori shumë seriozisht.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Ambasada ironizoi duke publikuar një karikaturë nën dixhiturën “Shikoni kush ka përfunduar në listën e prapësive të dikujt këtë vit!#KonfliktInteresi”
Në fotografi shfaqej një babagjysh (Berisha) me një listë në dorë teksa liston disa “prapësi” ku në krye renditej “Donald Lu”.
Përplasja në shtypin kombëtar dhe ndërkombëtar
Ambasadori amerikan Donald Lu, që nga dita kur shpalli hapur luftën kundër sistemit të korruptuar të drejtësisë, ka qenë përherë “tabelë qitje” për mediat e lidhura ideologjikisht apo financiarisht me Partinë Demokratike apo me zyrtare të Drejtësisë.
Ishte Washington Times një portal amerikan i cili botoi një artikull nën logon “me pagesë” ku hiqte një paralele mes ambasadorit Lu dhe manjatit George Soros duke aluduar për lojë politike.
“TemA” kontaktoi asaj kohë me autorin L. Todd Wood i cili refuzoi të jepte një përgjigje lidhur me faktet ku mbështeste shkrimin e tij. Edhe pse nuk u faktua kurrë porositësi, dukshëm për shumë analistë në vend ky rezultonte një artikull i paguar nga faktorë brenda selisë blu të cilët kërkonin me doemos zhvlerësimin e imazhit në ngritje të diplomatit amerikan.
Ndërkohë një koment tjetër që bëri shumë zhurmë në fillim të vitit të shkuar ishte ai i Luke Coffey, një stazhier i angazhuar në një ekip lobistësh paguar nga Tirana.
Coffey postoi një komentet tek webi i Huffington Post e cila prej disa kohësh e ka nisur jetën si një blog i hapur ku i mundëson të gjithëve që të shkruajnë në seksionin e kontributorëve.
Në këto kushte, drejtori i politikave të jashtme në “Heritage Foundation”, kritikoi politikat e SHBA-ve në Ballkan dhe konkretisht ndërhyrjen e Ambasadorit Donald Lu në politikat e brendshme të Shqipërisë.
Ndërkohë DASH u kontaktua asaj kohe nga Top Channel ku dha garancinë se Washington ka besueshmëri të plotë tek vendimet e ambasadorit amerikan Donald Lu.
“SHBA do të vazhdojë të deklarohet në favor të sundimit të ligjit dhe reformës në drejtësi dhe kundër përpjekjeve për të manipuluar zbatimin e saj. Siç e kemi thënë edhe më datën 3 shkurt, DASH ka besim të plotë tek Ambasada dhe Ambasadori ynë”, thuhet në deklaratën zyrtare duke i dhënë fund kështu çdo spekulimi.
Edhe portali syri.net, një media e përfolur si e financuar dhe kontrolluar nga Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka publikuar një lajm ku shkruante se Lu ka kërkuar para në këmbim të fshirjes së emrit të kryebashkiakut të Kurbinit Artur Bardhi.
Informacioni bazohej tek një profili anonim në Facebook, të quajtur Dardan Gashi ku sipas tij ambasadori kishte qenë në një event në Kurbin gjatë “Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve” kur thuhej se kishte bërë pazaret mbi këtë çështje.
Më vonë lajmi u përgënjeshtrua vetë nga portali dhe drejtuesit e medias ku shkroi se bëri disa verifikime dhe Lu nuk ka qenë kurrë në këtë qytet.
Lidhur me këtë ambasada reagoi duke shpërndarë një foto- montazh të ambasadorit Lu me këngëtarin Elvis Presley duke ironizuar se këngëtari i njohur ka paguar para për këtë shkrepje. Se kush qëndron në prapaskenën e këtij sulmi kjo nuk është e vështirë për t’u preceptuar duke gjykuar burimin financiar.
Porosi dhe letra të kësaj natyre kujtojmë se ka pasur edhe në Departamentin e Shtetit Amerikan edhe në Parlamentin Evropian dhe instanca të tjera, duke pasur qëllim pengimin e misionit të tij diplomatik.(TemA)