Historia e Jeremy Corbyn: Profili i liderit të ri të laburistëve
Zgjedhja e Jeremy Corbyn si lider i Partisë Laburiste, në moshën 66-vjeçare, mund të konsiderohet si një nga problemet më të mëdha të historisë politike britanike.
Jeremy Corbyn është zgjedhur kryetari i ri i Laburistëve në Mbretërinë e Bashkuar, duke premtuar se do të drejtojë një parti që do të jetë gjithnjë e gatshme për t’u përballur me sfidat. Politikani veteran i krahut të majtë arriti thuajse 60 për qind të mbi 400 mijë votave, duke mposhtur rivalët Andy Burnham, Yvette Cooper dhe Liz Kendall.
Corbyn, politikan pranë Syriza-s dhe Podemos, pason në këtë mënyrë Ed Miliband, që dha dorëheqjen pas rezultatit katastrofik të zgjedhjeve të fundit politike të 7 majit që rikonfirmuan pushtetin e konservatorëve. Kundër Corbyn në javët e kaluara dolën edhe ish-kryeministrat laburistë Tony Blair dhe Gordon Broën, të shqetësuar se me 66-vjeccarin në krye partia do të shkonte shumë majtas dhe se nuk do të vinte për një kohë të gjatë në pushtet.
Lideri i ri i “Labour” është cilësuar gjithnjë si një “socialist i bindur”.
Menjëherë pas fitores ai u përball me një eksod të anëtarëve të së ashtuquajturës qeveria hije, por figura të njohura si Ed Miliband u bënë thirrje anëtarëve të partisë që të shkojnë pas kryetarit të ri. Corbyn konsiderohej një person i padëshiruar kur tre muaj më parë nisi gara elektorale, por arriti tek fitorja përmes një vale entuziazmi të shkaktuar nga mesazhet e tij kundër masave anti-krizë dhe premtimet për asgjësimin e arsenalit bërthamor britanik dhe rishtetëzimin e sistemeve hekurudhore. Corbyn tha për BBC se, ndihej paksa i habitur nga shkalla e fitores së tij, por shtoi se fushata e tij tregoi se, “politikat mund të ndryshojnë dhe ne i kemi ndryshuar”. Ai pritet të rizgjedhë tani anëtarët e kabinetit hije, pa pasur detyrime ndaj anëtarëve të deritanishëm që pas zgjedhjes së tij janë larguar.
Historia e Jeremy Corbyn
Për kritikët e tij, ai është pothuajse një karikaturë prototipe e të majtëve të vjetër, një rikthim në ditët e errëta të viteve 1980, kur laburistët vlerësonin pastërtinë ideologjike më shumë se sa pushtetin.
Por për ushtrinë e tij të përkrahësve, ai është njeriu i vetëm i ndershëm që ka ngelur në politikë, dikush që mund të inspirojë një gjeneratë të re aktivistësh.
Një person i besnik i së majtës britanike për më shumë se 40 vjet, ai ka qenë një figurë gjithnjë e pranishme në demonstrata dhe marshime, një kampion kauzash të diskutueshme, një pamfletist i palodhur.
Admiruesit e tij më të flaktë do ta zgjidhnin si lider të ardhshëm jo vetëm për shkak të opozitës ndaj Madhërisë së Saj (Mbretëreshës Elizabet), sepse ai beson në heqjen e monarkisë.
Marka e politikave të majta të Corbyn më parë mendohej të “hidhej në plehrat” e historisë nga Laburistët e Rinj.
Ai i përket një grupi deputetësh gjithnjë e më në pakësim, që gjithashtu përfshijnë Diane Abbott dhe John McDonnell, që i kanë qëndruar besnik parimeve të tyre socialiste ndërkohë që partia e tyre marshoi në mënyrë të qëndrueshme nga e djathta nën drejtimin e Tony Blair dhe Gordon Brown.
Në fillim të zgjedhjeve për lider, pas votimit deri në minutën e fundit, falë nominimeve nga deputetët e partisë Laburisë që dëshironin një kandidat simbolik të krahut të majtë për “të zgjeruar debatin”, ai shpjegoi për The Guardian” pse kishte vendosur të kandidonte. “Diane dhe John e kanë bërë këtë gjë më parë, kështu që ishte radha ime”. Pyetjes se nëse a ruan bindje të mëparshme, ai iu përgjigj: “Unë kurrë nuk kam mbajtur një vend të caktuar, kështu që në këtë kuptim është disi e pazakontë, por nëse unë nxis kauza e debate duke e bërë këtë, atëherë le të bëhet”.
Ai shtoi: “Në moshën tim nuk ka të ngjarë që të jem një konkurrent afatgjatë, apo jo?”. Corbyn arriti diçka me votuesit në një farë mënyre që tre rivalët e tij më të rinj e karrieristë nuk e arritën. Ndoshta për shkak të stilit të tij të thjeshtë, ai dukej i aftë për të inspiruar njerëzit që e kishin humbur besimin tek laburistët gjatë viteve të Blair/Brown dhe të sjellë shpresë tek aktivistët e rinj.
Integriteti i tij dhe përkushtimi jetëgjatë ndaj kauzës socialiste e bëri atë një alternativë të mirë për shumë votues të majtë të lodhur nga klasat politike aktuale.
Kursimi legjendar
Në vend të anekdotave zbavitëse apo përrallave për ngjitjen e polit të Westminster-it, ekziston një listë kauzash që ai ka marrë pjesë dhe ka udhëhequr. Kohët e fundit ai rrëfeu se kurrë nuk kishte pirë kanabis, praktikisht e padëgjuar në rrethin e të majtëve në të cilin ai është rritur. Kjo është shenjë e një njeriu të rreptë, dhe i përgjegjshëm për gjërat që bën në jetë. Ai njihet edhe si njeri dorështrënguar. Corbyn është shpenzimet më të vogla se çdo deputet tjetër. “Unë nuk shpenzoj shumë para, jetoj një jetë normale, eci me biçikletë dhe nuk kam makinë,” tha më herët këtë vit Corbyn për The Guardian.
Jeremy Bernard Corbyn i shpenzoi vitet e para në fshatin piktoresk Wiltshire. Kur ishte 7 vjeç, familja e tij u zhvendos në një shtëpi feudalësh në fshatin Pave Lane, Shropshire. Më i vogli i katër djemve, ai gëzonte një fëmijëri idilike.
Ai mund të ketë qenë i mënjanuar nga Dhoma e Komunave, por profili i Corbyn jashtë parlamentit vazhdoi të rritej. Ai drejtoi koalicionin “Stop Luftës” dhe u bë figurë kryesuese në lëvizjen kundër masave shtrëgnguese, që filloi të tërhiqte turma të të mëdha aktivistësh të rinj të etur për diçka në të cilën mund të besnonin dhe t’i “hapnin luftë” David Cameron-it. Lartësimi i tij deri në atë të një ylli rroku, në mesin e turmave që merrnin pjesë në takimet e fushatës së tij prej lidershipi, mund të ketë qenë një shokim jo vetëm për vetë Corbyn por edhe për kundërshtarët e tij. Por ai nuk u prek kurrë nga kjo gjë. Vazhdoi, si gjithmonë bënte, të luftonte kundër pabarazisë, duke folur për shpresën, e duke premtuar se do të vishte të njëjtën këmishë me jakë të hapur me stilolapsat që i dalin nga xhepi i saj.
Ka dhe nga ata që janë kundër politikave të Corbyn, sepse duan kandidat më të ri që për ta mund të jetë më i përshtatshëm për zgjedhjet.
Është e paparashikueshme ajo që mund të ndodhë më vonë. Laburistët kurrë nuk kanë pasur një lider si Jermey Corbyn më parë.
Corbyn jashtë detyre
Jeta personale: Jeton me bashkëshorten e tretë. Ka tre djem nga martesat e mëparshme
Ushqim dhe pije: Një vegjetarian që nuk pi alkool.
Hobit: Vrapi, çiklizmi, kriket dhe klubi i Arsenalit.
Kultura: Një adhurues i veprave të poetit irlandez WB Yeats. Novelisti i tij i preferuar thuhet të jetë shkrimtari nigerian Chinua Achebe, vepra më e famshme e të cilit është “Things Fall Apart”, që flet rreth tensioneve me kolonializmit dhe shoqërive tradicionale. Flet spanjishten rrjedhshëm dhe i pëlqen letërsia amerikano-latine. Filmat e tij të preferuar thuhet të jenë “Casablanca” dhe “The Great Gatsby”./BBC/Javanews