Nga Bajram Peçi
Europa, kontinenti i vjetër, shtëpia e artit dhe qendër e madhe kulturore e qytetërimit, vendi i poetëve dhe mendimtarëve, e demokracisë dhe e frymëzimit për liri, e shoqërive të hapura që frymëzon popuj e kombe, por dhe që ndjell lakmi e xhelozi në Lindje! Ndër despotë e sundimtarë, ndër fanatikët fetarë dhe, jo rrallë, ndër amerikanë të përtej oqeanit, zgjon urrejtje. Në shtresat shoqërore të mesme e ato të kulturës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një ndër ëndrrat ishte të vizitonin dhe pushonin në vëndet e Europës. Shumica ndjeheshin të lumtur me aleatë të tillë, por jo pak të tjerë u ndodhën të burgosur në politikat e pikëpamjet izolacioniste dhe proteksioniste.
Nga rrjedhja e pabesueshme prej një dhome virtuale ku flitej për plane lufte e sulmesh raketore, bota politike e mediatike u trondit kur dëgjoi disa nga lojtarët kryesorë të Shtëpisë e Bardhë, të shprehnin përçmimin e tyre ndaj Europës. Zëvendës presidenti JD Vance, është shprehur: “Thjesht e urrej që të shpëtoj Europën përsëri”. Më tej, Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i përgjigjet: “Unë ndaj plotësisht urrejtjen time për sjelljen e butë europiane”.
E gjithë kjo filloi për disa raketa që u kundërshtuan të hidheshin prej ndonjërit. Ato do të goditnin terroristë Huthi në Bab al-Mandeb, sepse sulmojnë anijet e transportit. “Le ta bëjnë këtë europianët”-u than ë dhomën virtuale, të cilët në të vërtetë janë atje, po e bëjnë. Është si të thurrësh një cergë pa fund intrigash e çikërrimash për të nëmur Europën. Media amerikane shkruan se mund ta bëjnë këtë vetëm amatorë që zëmrohen kot, ngase nuk janë të aftë të dallojnë kush u do të mirën!?
Disa muaj më parë askush nuk do ta besonte se mund të kosumoheshin të tilla opinione e shfryrje urrejtje mes aleatësh. “Koha zbulon atë që fshehin rrudhat e dredhisë”-shkroi shekuj më parë Shekspiri. Koha e tashme, pasi ka hedhur lopatën e fundit me dhè mbi ish amerikën e demokracisë, na zbulon gjithçka dredharake, pa qënë nevoja të pyesësh, se është vetë llafazani që flet krenar dhe i kënaqur.
Deri më tash, prej ditës që Trump ka ardhur si president në Shtëpinë e Bardhë, nuk e ka zënë asnjëherë në gojë Europën, me përjashtim të një rasti kur e akuzoi se ajo (BE) u krijua për të shfrytëzuar Amerikën. Tani, mesa duket do jetë “Amerika madhështore” ajo që do vendosë hegjemoninë mbi Europën në bashkëpunim me palën ruse. Lutja e Trump: “Zot, bekoji Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë”, u përcolli europianëve mesazhin e braktisjes në fatin e tyre, ndërsa në kufijtë e saj lindorë zhvillohet një luftë e tmerrshme. Kandidatja Harris e kish etiketuar si fashiste retorikën e Trump. Natyrisht që, sa ajo thoshte, do kalonte pa u vënë re. Tani në Europë kanë qëndruar dhe shohin se nuk paska patur lajthitje, por pak më shumë se të drejtë.
Në historinë e Europës mesjetare, ishte Franca që kish shfaqur superioritetin ushtarak. Në Lindje, ardhur deri në Bosfor, po lulëzonin osmanët. Mes tyre dhe francezëve u shfaqën në vitet 1483-1489, kontaktet për vendosje hegjemonie. Sulltan Bajaziti II dërgoi një ambasador te Luigji XI dhe në vitin 1500 Franca nënshkroi traktatin e parë me Perandorinë Osmane, nën mbretërimin e Luigjit XII dhe Sulltan Bajazit II. Pasoi në vitin 1536 ajo që në histori njihet si “Aleanca Franko-Otomane”. U bë midis mbretit Francis I-rë të Francës dhe sundimtarit të Perandorisë Osmane, Sulejmani i Madhërishëm. Përmendet si aleanca e parë dipllomatike e këtij lloji mes një perandorie të krishterë dhe një perandorie jo të krishterë për të vendosur hegjemoni dy palëshe mbi Europë. Pas kësaj, arbërit dhe popujujt e tjerë të gadishullit Ilirik mbetën nën robëri për 5 shekuj. Aleanca shkaktoi tronditje në botën e krishterë.
Kronikat shënojnë se orvatja tjetër serioze për sundimin e Europës është bërë nga dy të mëdhenjtë e kohës, Franca e Napoleonit dhe Rusia e Aleksandrit të I-rë. Kësaj ëndrre për sundim Cari i shtoi komentin: të dy vëndet duhet të punojnë për lumturinë e Europës. Fatmirësisht nuk ndodhi kjo, por ndodhi që Napoleoni të përfundonte në ishullin Elbë, Aleksandri të hynte në Paris, ushtarët e tij t’i linin tregtisë parisiene “Bistro”-n dhe një urë mbi Senë me emrin Aleksandri I-rë, si kujtim për çizmen e ushtarit të një vendi ku ende sundonte despotizmi, skllavëria dhe bujkrobëria.
Pakti gjermano-sovjetik ishte marrëveshja më kërcënuese për hegjemoni në Europë mes Gjermanisë naziste dhe Bashkimit Sovjetik, që madje u arrit. Nuk kishte pse të ishte e paarritshme, përderisa vëndet ishin në duar diktatorësh! Në prag të hyrjes së nazistëve në Pragë, Stalini teston, duke gjetur momentin të shajë perëndimorët, që duan ta tërheqin Bashkimin Sovjetik në luftë kundër Gjermanisë. Pason një periudhë afrimi politiko-ekonomik mes tyre që kulmon në 23 korrik 1939 me një traktat miqësie, pakt mossulmimi ndërmjet Rajhut dhe Rusisë, që njihet si Pakti Ribentrop-Molotov: Rusia merrte Finlandën, një pjesë të Polonisë, dy shtete të Balltikut, pra shtyhej thellë drejt Perëndimit, synim që vazhdon ta ketë në thelb të strategjisë së saj edhe sot. Gjermania merrte Lituaninë dhe Poloninë. Të dy palët janë të bindura se Europa do jetë e detyruar të pranojë, të heshtë.
Për 40 vjet dy superfuqitë nukleare vigjëluan njëra-tjetrën në një luftë të ftohtë. Me agresionin ndaj Ukrainës, Rusia u kthye te strategjia cariste, shtyrja sa më shumë drejt Perëndimit. Edhe në epokën sovjetike kjo strategji jetonte, por arsyet ishin të ndryshme. Pas Luftës së Dytë Botërore, qëllimi strategjik për t’u shtyrë më tej drejt Perëndimit ishin ideollogjike, shtrirja e komunizmit. Në kujtimet e Zhukovit përmendet telefonata e tij me Stalinin, që i kërkonte të marshonin më tej, ta çonin komunizmin deri në Spanjë. Mbase do ta kishin bërë, nëse Amerika nuk do kish shpërthyer pak muaj më parë dy bombat bërthamore në qytetet japoneze, duke siguruar kështu një supremaci të përkohshme, që pengonin BRSS të kryente aventurën e Luftës së Tretë Botërore.
I fundmi pakt palësh për të vendosur hegjemoni në Europë ngelet të shihet te aleanca verbale që shfaqet në takime mes SHBA dhe Rusisë. Dëshira për t’u kapardisur me pendët e vjetra imperiale e sheh Rusinë dhe SHBA-në në krehje mes tyre. Ndershmëria, që përmendet në ndonjë mundësi marrëveshje, dhe fjala e dhënë, që me gjasa ndodh gjatë takimeve pa praninë e Ukrainës, nuk janë më vlera. Jo vetëm Zelenski, por dhe Europa nuk beson te arritja e një paqeje të ndershme, deri tani sheh vetëm lëshime dhe favore që i bëhen Rusisë. Nuk i beson, së pari, Putinit. Trump dhe ekipi i tij i besojnë edhe vetë ato që thonë për paqen, por nuk vonon që ato çka biseduan të tingëllojnë të këndshme si përralla, sapo Rusia kërkon që zbatimi i marrëveshjes për ndalimin e luftës mbi anijet tregtare në lundrim në Detin e Zi, të bëhet vetëm pasi të hiqen sanksionet.
Nga historia na vjen i pacënuar mësimi se ai popull i cili nuk lufton për tokën e vet, nuk është i denjë për ekzistencë të pavarur. Ukrainasit e dinë këtë, ndaj po luftojnë trimërisht, ndonëse numrat flasin kundër tyre. Rusët nga ana e tyre thonë se janë një kombësi, një gjak, por po i vrasin egërsisht. Europa thotë se ata janë europianë dhe besojnë se nuk do i lënë në baltë përballë agresionit imerialist rus, siç i la SHBA-ja, gjë që shihet me dyshim për shkak se pjesë të saj janë të varur prej Rusisë ndaj burimeve energjitike ose ndjehen më afër me Rusinë se sa me BE-në. Ka nga ata që kanë filluar të ndahen prej saj.
Bota po ndahet lehtë prej Rusisë dhe Amerikës. Rusia, pavarësisht çfarë deklaron Trump, ndalon përkohësisht luftën vetëm pasi ka plotësuar synimet e “Operacionit special”. Më tej, nuk dihet ku ndalet! SHBA-ja i ka bërë me kohë kërkesat që t’i bashkangjiten federatës Kanadaja, Groenlanda, Kanali i Panamasë. Të dy palët janë lëshuar me dëshirë në krahët e fantazisë, që shpejt presin të bëhen të vërteta.
Popujt e Europës, që prej kohësh të përçarë, janë ngrënë si qëntë me njeri-tjetrin. Tani, ndodhur para këtyre përmbysjeve tronditëse, mund të bashkohen. Ka filluar kjo me miratimin e një pakete prej 800 miliard Euro për ushtrinë e përbashkët, por asgjë nuk është e lehtë, që nga sigurimi i kësaj pakete! Horizonti europian i nxirë sterrë, kohë të këqija kanë ardhur!