Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, një nga zërat më aktivë në politikën shqiptare, Fatos Klosi, ka komentuar situatën aktuale që nga reforma në drejtësi e deri te ministrat teknikë të Partisë Demokratike.
Në një kohë kur muaji shtator po afron, Fatos Klosi apelon që reforma në drejtësi të nisë nga peshqit e mëdhenj. Ish-kreu i SHISH thotë se Sali Berisha duhet të japë i pari llogari, pasi ka qenë politikani më i rëndësishëm në këto 27 vite, sidomos në 8 vitet e tij të gjata në pushtet. Fatos Klosi u shpreh në një intervistë për gazetën “Sot”, se, gjithsesi, askush nuk do të munden dot që ta bllokojë reformën në drejtësi, pavarësisht ankimimeve në Gjykatën Kushtetuese.
Sa u takon ministrave teknikë të PD, Klosi shprehet se ata po bëjnë lojë politike. Sipas tij, ata po shfrytëzojnë këtë periudhë të qëndrimit të tyre në pushtet, faktin që Parlamenti nuk mblidhet dot për t’i shkarkuar, ndërsa i riu ende nuk është dekretuar.
Sa i takon rikthimit të Bujar Nishanit në PD, Klosi tha se po i jepet një post honorifik për ta respektuar, për periudhën që u shërbeu si President i Republikës.
Paketa e ligjeve të reformës në drejtësi është kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme nga ata që përfaqësojnë sistemin e drejtësisë. Pas gjyqtarëve, edhe prokurorët ankimuan Kodin e ri të Procedurës Penale, i cili është pjesë e ligjeve për reformimin e drejtësisë. Mendoni se gjyqtarët dhe prokurorët do të mundin të zvarrisin reformën në drejtësi, apo ky projekt ka hyrë tashmë në rrugën e duhur të zbatimit të tij?
Reforma në drejtësi është bërë për të zhdukur korrupsionin e drejtësisë; për të hequr nga sistemi i drejtësisë gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, që fatkeqësisht janë një pjesë e madhe e tyre. Pritej që ata të bënin çdo gjë për të penguar reformën në drejtësi. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese janë kolegët e tyre, te të cilët presin që të zvarritet reforma. Reforma në drejtësi është reforma më e rëndësishme që ne kemi para, dhe ajo do të shkojë drejt fundit. Kjo është një luftë mes dy palëve. Mund të gjendet çdo lloj mënyre që të bllokohet reforma, por ajo do të bëhet në fund. Po të dështonte kjo reformë, do të ishte një ngjarje shumë e rëndë për klasën politike shqiptare dhe popullin.
Muaji shtator po afron dhe bashkë me të do të ngrihen të gjitha institucionet e reja të drejtësisë. Pra, reforma në drejtësi është në prag të zbatimit të saj. Besoni se do të ketë arrestime VIP, të pushtetarëve të lartë, të cilët janë të implikuar në afera të ndryshme korruptive?
Jo nuk e besoj, ose mund të them se do jetë shumë e vështirë. Kjo është një gjë e re, një ndërmarrje shumë e rëndësishme, mbase do ketë edhe ndonjë gjë speciale. Deri tani eksperienca ka treguar se ka qenë një drejtësi shumë e vështirë. Nuk them se do të jetë e pamundur, por do të jetë e vështirë. Unë do të gëzohesha që bashkë me peshqit e vegjël, të ketë arrestime edhe për peshqit e mëdhenj, të njerëzve të rëndësishëm të korruptuar.
Është trumbetuar me të madhe se kjo reformë do të çojë në burg, ashtu siç ka ndodhur në Rumani e në Kroaci, përfaqësuesit e ish-qeverisë “Berisha”, pasi publikisht janë akuzuar për abuzime të shumta gjatë 8 viteve në pushtet. Besoni se në vjeshtë do ketë arrestime të këtij niveli?
Shumica duhet të kalojnë në një sitë. Sali Berisha është politikani kryesor, ai që mban përgjegjësinë më të madhe për situatën në vend. Ai ka qenë njeriu më i rëndësishëm në këto 27 vite dhe do ishte një mrekulli nëse ai do jepte llogari; do ishte një kthesë shumë e rëndësishme në drejtësi, në politikë dhe në jetën shoqërore në vend, nëse Berisha do jepte llogari.
Zgjedhjet kanë përfunduar dhe ministrat teknikë të Partisë Demokratike nuk dorëzojnë dorëheqjet e tyre nga qeveria. Si e shihni qëndresën e tyre?
Ata po bëjnë lojë politike. Këta ministra duhet t’i largonte Parlamenti i cili faktikisht është shpërndarë dhe i riu akoma nuk është mbledhur. Ata po e shfrytëzojnë këtë periudhë për të qëndruar. Ata ose kanë marrë urdhër nga partia e tyre për të qëndruar në pushtet, ose po përfitojnë për të marrë rrogën në këto dy muajt e fundit, nuk e di. Ministrat teknikë kanë kompetenca të kufizuara nuk kanë asgjë në dorë.
Jo vetëm që këta ministra nuk po largohen, por po pengojnë edhe punën e qeverisë aktuale. Ministri teknik i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, pengoi dorëheqjet e drejtorëve të hipotekave, ndërkohë që kryeministri Rama ua kishte kërkuar një ditë më parë. A keni një koment?
Çfarë ka në dorë ministri i Drejtësisë për të penguar një gjë të tillë? Dorëheqjet, më duken jo normale. Duhet të bëhet më mirë një analizë e përgjithshme për gjithë punën që është arritur. Me dorëheqjen fshihen shumë përgjegjësi; u dha dorëheqja dhe çdo gjë u mbyll…Ashtu siç ndodhi me gjyqtarët që dhanë dorëheqjen para vetingut. Ata gjyqtarë që nuk pranonin të bëhej vetingu dhe jepnin dorëheqjen, quheshin të shpëtuar, pavarësisht se janë mëkatarë. Dorëheqja, ndonjëherë është si veprim i kollajshëm për të vazhduar më tutje, por sheh dhe shumë defekte dhe probleme.
Ministrat teknikë të PD janë shprehur se duhet të publikojnë raportin e zgjedhjeve dhe më pas të largohen. A mendoni se këta ministra po e vonojnë enkas publikimin e raportit, për të shtyrë ditët në pushtet dhe e dyta, çfarë prisni ju nga ky raport?
Ata e mbaruan detyrën e tyre që të siguronin maksimumin e mundshëm të drejtësisë në zgjedhje dhe të mos linin që zgjedhjet të ishin të shtrembëruara. Raportin do ta bëjnë të tjerët, do japin mendim të tjerët; raporti si do që të jetë i bardhë apo i zi, ata nuk i heqin dot asnjë presje. Raporti përfundimtar do publikohet nga ndërkombëtarët, që ta dëgjojnë edhe ata vetë. Në atë raport mund të ketë vërejtje edhe për këta ministra. Ky është justifikim. Arsyeja e vërtetë e qëndrimit të tyre në pushtet është që të qëndrojnë aty sa më gjatë dhe të jenë stërkëmbësha të vegjël për qeverinë e re që po përgatitet. Raportin nuk e bën qeveria, por e bëjnë të tjerët. Qeveria merret me raportin. Ndërsa sa i takon raportit të tyre, pse e kanë vonuar? Çfarë do thonë në atë raport? Do mburrin veten apo do shajnë të tjerët? Ne raportin e presim nga OSBE-ODIHR, që është institucioni i ngarkuar për këtë punë jashtë interesave konkrete, i cili është mbi palët. Është shumë qesharake.
Bujar Nishani është rikthyer në Partinë Demokratike, pas përfundimit të mandatit të tij si kryetar shteti. Në muajin shtator pritet që Nishani të marrë një post honorifik, atë të kreut të grupit të mendimtarëve. Mendoni se kjo detyrë do t’i jepet Nishanit në shenjë respekti, apo ish-kreu i shtetit ka ambicie të tjera në PD?
Postet honorifike në politikë nuk kanë asnjë vlerë, pasi vlerë kanë ata që vendosin. Mbase duan ta falënderojnë për ndihmën që u ka dhënë. Nuk ka asnjë rëndësi më tepër, është një ngjarje e dorës së tretë. Nuk ka qenë ndonjë faktor as brenda PD dhe as kur u bë president, përveçse nuk dekretonte ligjet e Parlamentit. Shpesh i linte të hynin në fuqi vetë, i kundërshtonte por Parlamenti vijonte punën e vet.