Ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Azem Syla, si dhe 17 persona të tjerë kanë dalë të mërkurën para Gjykatës Themelore të Prishtinës, shkruan Koha Ditore.
Ata, së bashku edhe me 34 persona të tjerë po dyshohen për krim të organizuar, për tjetërsim të pronave.
Në seancën e parë në kuadër të hetimit të veçantë ka dhënë dëshminë dëshmitari 1, i cili është dëshmitar i mbrojtur.
Duke qenë se kjo seancë është zhvilluar pa praninë e publikut, për rrjedhën e saj kanë njoftuar vetëm avokatët mbrojtës të të dyshuarve.
Ata kanë thënë se ky dëshmitar është marrë në pyetje nga prokuroria për dy rastet e mëhershme gjyqësore, të njohura si rasti “Bllaca 1” dhe “Bllaca 2”.
Marrjen në pyetje për këto raste e kanë kundërshtuar, duke thënë se nuk kanë të bëjnë me lëndën.
Mirëpo, siç kanë thënë ata, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja e EULEX-it, Jennifer Seel, nuk i ka marrë parasysh shqetësimet e adresuara. (b.an)