12 zyrtarë në burgun e Peqinit përfshi dhe drejtorin e këtij institucioni janë në hetim për dhunën e ushtruar ndaj të burgosurit Viktor Gushit në 30 shtator. Viktor Gushi është i dënuar për grabitje dhe vrasje në Tiranë. Ministria e Drejtësisë bën me dije se pas denoncimit të rastit nga Komiteti i Helsinkit kanë nisur hetimet.
Për ngjarjen janë ndaluar dhe pezulluar nga detyra tre gardianë dhe një punonjës civil në burgun e sigurisë së lartë Peqin. Të shkarkuarit nga detyra janë A. Ismaili, D.Piku, A.Alliu, të tre punonjës policie të rolit bazë në Sektorin e Forcave operacionale në Drejtorinë e Policisë së burgjeve.
Nisur nga ngjarja e ndodhur në Peqin, ka filluar ecuria disiplinore për shkak të shkeljeve të procedurave operacionale dhe administrative si dhe për mosraportim të ngjarjes, në ngarkim të 12 punonjësve në total, 4 punonjës të IEVP Peqin, ndër të cilët 3 punonjës policie dhe 1 staf civil si dhe për 8 punonjës policie të Forcave operacionale të Drejtorisë së Policisë së burgjeve, sqaron ministria e Drejtësisë. /b.d