Prokurori i Përgjithshëm, Arta Marku dhe Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Alberto Cutillo diskutuan paraditen e sotme mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Shqipëria e konsideron Italinë një partner shumë të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve. Në këtë kuadër, gjatë takimit, Prokurori i Përgjithshëm shprehu bindjen se Prokuroria Shqiptare dhe agjencitë ligjzbatuese italiane do të intensifikojnë koordinimin për hetime të përbashkëta dhe goditjen e grupeve kriminale që operojnë ndërmjet dy shteteve.
Prokurori i Përgjithshëm, Marku, falenderoi diplomatin italian për angazhimin e tij personal dhe të vendit të tij për nxitjen dhe kontributin në hartimin e Reformës në Drejtësi. Marku theksoi rëndësinë e procesit të Vetingut në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, duke u shprehur se forcimi i integritetit të prokurorëve dhe gjyqtarëve do të ndikojë edhe në rritjen e mëtejshme cilësore të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar.
Një tjetër temë e rëndësishme diskutimi ishte zbatimi i plotë i ligjit “Për Dekriminalizimin”. Ambasadori italian shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare për realizimin në kohë sa më të shpejtë të procesit të verifikimit të integritetit të zyrtarëve shqiptarë.
a.ç